Pas vlerësimit të aplikimeve të bëra nga maturantët dhe kandidatët e tjerë në garë, fakultetet kanë nisur të shpallin gjatë ditës së djeshme listën e fituesve të pranuar në çdo program studimi për kuotat e lira të raundit të tretë. Çdo maturant që është bërë pjesë e konkurrimit tashmë mund të mësojë nëpërmjet portalit “u-albania” degën në të cilën është shpallur fitues, teksa janë detajuar edhe rregullat që duhet të ndiqni sa i takon konfirmimit të degës ku jeni shpallur fitues (regjistrimi si fitues).
Për të mësuar se në cilën degë jeni përzgjedhur, duhet të hyni në portalin www.ualbania.al, ku fillimisht duhet të klikoni në rubrikën “këndi i maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit dhe në vijim do të shpallet lista me të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të tretë, së bashku me ngjyrën përkatëse që tregon nëse jeni fitues në këtë fazë dhe duhet të bëni regjistrimin, nëse keni shanse për të qenë fitues në një fazë të mëpasshme, si dhe kur nuk mund të jeni fitues.
Nëse numri juaj i identifikimit është i theksuar me ngjyrën jeshile, kjo tregon se ju jeni fitues në këtë program studimi dhe për të mos e humbur këtë degë duhet që të bëni regjistrimin pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku ndodhet kjo degë brenda 48-orëve të para të nisjes së procesit të regjistrimit. Për të qenë në rregull me këtë proces ju duhet të kontrolloni për saktësinë e programit ku jeni regjistruar në deklaratën që do të firmosni në sekretari gjatë procesit të regjistrimit.
Më tej, në rastet kur emri juaj është i shënuar me ngjyrë të verdhë, kjo tregon se ju sapo jeni shpallur fitues në atë program, por që duhet të prisni përfundimin e fazës për t’u regjistruar. Në fazën e fundit, ngjyra e verdhë zëvendësohet me ngjyrën jeshile dhe fituesit duhet të regjistrohen brenda 48 orëve. Kur emri juaj është i shënuar me ngjyrën e kuqe, kjo tregon që ju nuk keni fituar pasi nuk i keni arritur pikët minimale për të qenë fitues në atë program studimi. Por ju mund të keni një tjetër shans për të qenë fitues në fazat e tjera të regjistrimeve për shkak të ndryshimeve mund të pësojë lista e fituesve në secilën fazë pranimi. Për këtë duhet të kontrolloni kolonën e “Klasifikimi në fazën e ardhshme”
Kushtet dhe afatet e regjistrimit
Autoritetet e arsimit të lartë bëjnë me dije për të gjithë aplikantët fitues të raundit të tretë, të ciklit të parë “Bachelor” për vitin akademik 2022-2023 se duhet të paraqiten në sekretaritë mësimore të fakultetit, për të kryer regjistrimin në një nga programet e studimit në të cilin janë shpallur fitues. Procedura e regjistrimit edhe për këtë raund do të zhvillohet në afate të përcaktuara më herët. Kështu, edhe fituesit e kësaj faze do të duhet të bëjnë kujdes për të bërë regjistrimin në kohë, në të kundërt do të humbasin degën e fituar, duke i lënë vendin për regjistrim një tjetër kandidati që ndodhet në listën e pritjes.
Regjistrimet për fituesit e raundit të tretë do të fillojnë prej datës 28 tetor dhe do të vijojnë deri në datën 2 nëntor 2022. Procesi i regjistrimit është i ndarë në 3 faza 48-orëshe ndërmjet datave të përmendura më lart. Në rastin e mos regjistrimit brenda 48-orëve në programin ku ju jeni shpallur fitues, humbisni të drejtën e regjistrimit në atë program. Dokumentet e nevojshme për regjistrim janë si në vijim: Dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë), ku në dosje mbahet vetëm fotokopja, fotokopja e noterizuar e diplomës së Maturës Shtetërore ose Dëftesa e pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar në MAS. Pjesë e dokumenteve të regjistrimit duhet të jetë edhe mandati i pagesës së tarifës së regjistrimit dhe deklarata që duhet të plotësohet nga aplikanti në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore të fakultetit dhe që nënshkruhet nga aplikanti dhe nga punonjësja e sekretarisë ku ju bëni regjistrimin. Tarifa që duhet të shlyeni në bankat e nivelit të dytë për procesin e regjistrimit është në vlerën e 1600 lekëve.
Programet e ciklit të parë
Ligji i arsimit të lartë përcakton se programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e universiteteve për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Gjuha studimeve dhe kodifikimi
Programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë ofrohen normalisht në gjuhën shqipe. Këto programe mund të ofrohen dhe në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian, të miratuar në aktin përkatës të hapjes së programit të studimit. Përjashtohen nga ky rregull programet e përbashkëta të studimit të ofruara me institucione të huaja të arsimit të lartë dhe programet e studimit që kanë për objekt mësimin e gjuhëve të huaja. Në rastin e programeve të studimit që ofrohen në gjuhë të huaj, studentët duhet të dëshmojnë njohjen e gjuhës së huaj përkatëse në nivelin e nevojshëm për të kryer studime të larta, të përcaktuar nga institucioni i arsimit të lartë, ofrues i programit të studimit.
Programet e studimit në strukturat e arsimit të lartë publik organizohen dhe grupohen në kode që identifikojnë fusha të ngjashme studimi në nivel kombëtar. Kodifikimi i programeve të studimit bëhet nga ministria përgjegjëse për arsimin. Programet e studimit, që ofrohen në të njëjtën fushë studimi, cikël si dhe me të njëjtën emërtesë, duhet të kenë përmbajtje të ngjashme në nivel, së paku 70 për qind. Hapja e një programi të ri studimi shoqërohet me përcaktimin e kodit, sipas fushës së studimit dhe klasifikimeve të bëra publike nga ministria përgjegjëse për arsimin. Specifikimet dhe përmbajtja për kodifikimin e programeve të studimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Afatet për 3 fazat e regjistrimit të Raundit të Tretë
- Fituesit e fazës së parë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 28 dhe 29 tetor.
- Fituesit e fazës së dytë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 30 dhe 31 tetor.
- Fituesit e fazës së tretë duhet të kryejnë regjistrimin në datat 1 dhe 2 nëntor.
Kohëzgjatja maksimale e studimeve universitare
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Në këto raste, ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
