Studimet e nivelit të dytë në degët e Mjekësisë do të mund t’i ndjekin për herë të parë gjatë vitit të ri akademik 801 kandidatë. E ndërsa aplikimet për pranimet e reja në programet “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” në programet e fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës kanë nisur, autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë kanë konfirmuar ndarjen e plotë të kuotave për të gjitha degët, si dhe kategoritë e studentëve që kanë të drejtë të përfitojnë prej tyre.
Konkretisht, nga totali 801 kuotave të miratuara, 711 prej tyre janë kuota të përcaktuara për kandidatët brenda vendit, 71 prej tyre janë kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit, 9 janë kuota për personat me statusin e jetimit, 4 kuota janë për studentët në radhët e personave me aftësi të kufizuar, teksa janë përcaktuar edhe 6 kuota për studentët Romë dhe Ballkano-Egjiptianë. Ndarjen e plotë të kuotave për pranimet e vitit të ri akademik 2022-2023 në programet “Master profesional” dhe “Master shkencor” për të gjitha fakultetet e Universitetit të Mjekësisë e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Procedurat e konkurrimit për kuotat e reja të pranimeve në këtë cikël do të vijojnë të jenë të njëjta, sikundër ka ndodhur edhe në vitet e shkuara. Konkurrimi do të zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve të aplikimit. Kështu, të gjithë kandidatët që duan të konkurrojnë për vijimin e studimeve në këto programe të ciklit të dytë, duhet që të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të duhura të aplikimit. Data 18 tetor është edhe afati i fundit i lënë në dispozicion të kandidatëve që janë të interesuar për të aplikuar për vijimin e studimeve të ciklit të dytë në këto degë.
Kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentacionin e duhur ku duhet të përfshijë fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë, diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të Maturës Shtetërore, duhet të paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA. Nëse kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave. Pjesë të dosjes duhet të keni edhe formulari i aplikimit të plotësuar sipas formatit të përcaktuar, mandat pagesa e tarifës së aplikimit, kopjet e dokumentit të identifikimit, si dhe fotografi personale.
Shpallja e fituesve
Shqyrtimi i dosjeve nga komisioni do të bëhet në datat 19-29 tetor. Më tej në datën 3 nëntor do të shpallet lista paraprake e fituesve, ku të gjithë të pakënaqurit mund të bëjnë ankimimin më pas në datat 4 dhe 6 nëntor. Pasi të marrin përgjigjen përkatëse për ankimimet do të shpallet edhe lista finale e fituesve. Regjistrimi i fituesve do të zhvillohet në datat 4-17 nëntor.
Përveç ngjashmërisë së degës, studentët duhet të përmbushin edhe një tjetër kusht tjetër në rastet kur aplikojnë për studimet e nivelit të dytë në programet e “Masterit shkencor”, që ka të bëjë me njohjen e njërës prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht dhe frëngjisht), certifikata e të cilave duhet të jetë e nivelit të përcaktuar nga MAS.
Përzgjedhja e fituesve do të bazohet në mesataren e gjimnazit dhe atë të studimeve të nivelit të parë “bachelor”. Peshën vendimtare në shpalljen e fituesve e ka mesatarja e studimeve të nivelit të parë që kandidati ka kryer.
Të parët në përzgjedhje do të jenë kandidatët e diplomuar në ciklin e parë të studimeve në universitetet publike, kryesisht ato të Universitetit të Mjekësisë, teksa në vijim nëse do të ketë sërish kuota të paplotësuara, të drejtë për të përfituar nga këto kuota e kanë edhe të diplomuarit në strukturat private të arsimit të lartë në vend.
Programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimeve “Master profesional” e pajisin të diplomuarin me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Në përgjithësi këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” do të përmbyllen me provim përfundimtar formimi, ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Tarifat e studimit për vitin akademik 2022-2023
- Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, krahas kuotave të pranimit, ka përcaktuar edhe tarifat vjetore të studimit që do të shlyejnë të gjithë kandidatët që do të përzgjidhen si fitues në secilin program. Sa i takon studimeve në ciklin e dytë, në vendim saktësohet se për studentët që vijojnë për herë të parë programet “Master profesional” viti studimor do të kushtojë 72,000 lekë.
- Ndërsa për studentët që regjistrohen për herë të parë në programet “Master i Shkencave” tarifa vjetore e shkollimit do të jetë 105,000 lekë. Në secilin rast është përcaktuar edhe tarifa që duhet të shlyhet për çdo kredit të lëndës për programet e ciklit të dytë.
- Për studentët e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program brenda kohëzgjatjes normale të tij dhe konsiderohen studentë mbetës, bëhet e ditur se për lëndët përsëritëse do të paguajnë çdo vit akademik tarifën për kredit të lëndës përkatëse.
- Studentët që kanë transferuar studimet në këtë institucion të arsimit të lartë do t’i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit në programin përkatës ku dhe janë transferuar.
- Shtetasit e huaj që vazhdojnë studimet tek Mjekësia në një program të parë, apo të dytë studimi do i nënshtrohen të njëjtës tarifë studimi si dhe shtetasit shqiptarë, kjo me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit.


ASNEJ VAKSINE TE THUASH ME MIRE!