Prof. Mimoza Karagjozi Kore
Vitet kur kryen shkollën e mesme, të cilën ne nxënësit gjirokastritë e identifikojmë me gjimnazin, janë vitet më të bukura të cilat përkojnë me moshën më vitale ku thurren ëndrrat, ku investon në dije, në marrëdhënie shoqërore e mbi të gjitha janë vitet kur të duhet të njohësh veteveten, të njohësh pasionet që do të të prijnë në të ardhmen.
Shkallët e mermerta të gjimnazit tonë, i ngjita për herë të parë një ditë gushti të vitit 1976 për t’u regjistruar e për të marrë librat e vitit të parë, ritual që ishte bërë i zakonshëm në ato vite. E drojtur, e frikësuar disi nga hija e rëndë e asaj godine që të imponohej që në hyrje, por me bisedat e tregimet e shumta në mëndje për këtë shkollë dhe bëmat rinore në të prej motres, vëllait e shoqërisë së tyre, i mora librat dhe në sheshpushimin më të afërt të shkallëve fillova t’i shfletoj.
Shoqet që më shoqëronin e që i kisha pasur përkrah qysh në 8-vjeçare më ftuan me britmat e tyre t’u hidhnim një sy klasave. Iu bashkova atyre dhe të gjitha mbetëm të habitura me lartësinë e dritareve e tavaneve të tyre, me mermerin e bukur te korridoreve e shkallëve. Sigurisht, ishte një godinë atipike, në krahasim me godinat e shkollave të mëparshme që kishim parë, por që qysh nga ajo ditë u ngulit në mendjen dhe zemrën e gjithsecilës prej nesh me një dashuri të patjetërsuar për të gjithë jetën.
Orët e mësimit ndiqnin njëra-tjetrën dhe po ashtu dhe mësuesit që vinin e zhvillonin lëndët. Rastisi që orët e para të lëndës së Letërsisë të kishim fatin t’i zhvillonim me Zhaneta Novën. Bëmë shumë pak orë mësimi me të, sepse u largua, por ende e kujtoj me respekt, me admirim, me nostalgji dhe e quaj veten me fat që pata mundësinë të shoh se sa njohuri të thelluara e të sakta për letërsinë na përcolli në ato pak orë.
Shoqëruar dhe me narracionin pasionant, ilustruar me figura letrare e shembuj poezie, ajo mbeti për mua modeli i mësueses që në orën e mësimit duhet jo vetëm të japësh njohuri dhe informacion shkencor, por dhe të interpretosh, të harrosh veten dhe t’i mbërthesh nxënësit në shpjegimin tënd. Me aq sa mund të mbaja mend, kur mbarova të njëjtën degë në universitet, e kujtoja shpesh dhe, kur mësuesi arrin të bëhet model për nxënësit, qëllimi i çdo edukatori është arritur.
Kujtoj me respekt e dashuri mësuesit e paharruar: Tomor Tushen i matematikës e gjeometrisë, të lëndës së Fizikës Petrit Alikon, i lëndës së Historisë Aleko Panon, të Gjeografisë, Muharrem Bejlerin, të gjuhës së huaj Ëngjëllushe Zeren, të Historisë së Partisë Englatina Dukën, të Vizatimit teknik Ilir Basharin etj. Secili me taktin dhe metodën e vet, por gjithmonë të përkushtuar. Mësues T. Tushe më kujtohet se merrej shumë me ata që kishin talent në matematikë, por dhe me më të dobtit.
Nxënësve të mirë u kontrollonte zgjidhjen në klasë dhe nuk i ngacmonte shumë. E tërhiqte dhe na koriozonte dhe ne me ata që kishin bërë një zgjidhje tjetër, që kishin një mendim ndryshe. E këtu dalloheshin e ndjera, shoqja jonë e mirë, M. Miziri dhe E. Qendro. Shpesh kur largohej nga klasa pas mësimit e pyesnim:- Po detyra për herës tjetër? Dhe përgjigjja s’vononte: -Të gjitha ushtrimet pas mësimit. Atëherë fillonte “sherri” me atë që kishte bërë pyetjen, sepse ngarkesa ishte e madhe dhe duheshin orë për t’u zgjidhur.
Ende mbaj të ngulitur në sy imazhin e dërrasës së zezë të orës së Historisë, të shkruar me të gjitha çështjet e mësimit, me një shkrim të kuptueshëm dhe shumë të rregullt, ku mësues A. Pano, një zotni i vërtetë, me qetësinë e tij të admirueshme, zërin e butë e të ngrohtë na i lehtësonte aq shumë të kuptuarit dhe mbajtjen mend të datava, sa përgatitja në shtëpi na merrte fare pak kohë.
Prirjet e mia dukeshin qartazi që iu përkisnin lëndëve shoqërore, por një nga disiplinat që u bë shumë e dashur për mua dhe që ende sot më ngacmon, ishte lënda e Fizikës, që zhvillonim me P. Alikon. Nxënësve të mirë nuk iu jepte në dërrasë të riprodhonin mësimin, por iu jepte probleme logjike. Në vitin e dytë më kujtohet që më thërriti emrin për t’u çuar në mësim. -Ti Mimoza, të kam vënë re që merr bukë në pushimin e gjatë, këput një copë tani dhe bëje me katër cepa. E habitur veprova siç më këshilloi. – Godite dërrasën e zezë me sa forcë të kesh me të! Hë, pa shihe, ndryshoi formë? Asgjë nuk kishte ndryshuar. – Cila është arsyeja? Kështu kontrollonte a e kisha kuptuar ligjin III të Njutonit, përkufizimin e të cilit pastaj duhej t’ia thosha: Për çdo veprim ekziston gjithmonë një kundërveprim i barabartë me kah të kundërt. Provimet me shkrim ishin vendimtare në lëndën e Fizikës. Ishte nga mësuesit që kontrollonte deri në detaj dhe mënyrën si shkruanim, jo vetëm që të ulte notë po të mos vendosje shënjën e vektorit të forcës, por ajo që ende më bën përshtypje dhe tregon se sa me seriozitet bëhëj puna dhe mësimi, ishte korrigjimi i gabimeve drejtshkrimore.
Sa punë e madhe dhe e ndërgjegjshme u bë nga mësuesit për të ngulitur te nxënësit rregullat e drejtshkrimit, duke e parë të mësuarit jo thjesht mësim i parcializuar në qëllimin e lëndëve të veçanta, por si përgatitje e përgjithshme shkencore e kulturore që do t’i vlente në tërësi formimit të përgjithshëm të nxënësve.
E veçantë mbetet në kujtimet tona, edhe kur diskutojmë me shoqet, mësueja E. Duka. Lënda që jepte nuk ishte e vështirë, madje disi e mërzitshme për ne, subjekte e ngjarje të PKSh të dëgjuara edhe në vitet parardhëse, por serioziteti i saj, mënyra si gjente kohë për ndonjë shpoti, e bënte mësimin të këndshëm. Deri në vitin e tretë, mbante distancë me nxënësit, në vitin e katërt ajo bëhej shoqe dhe mikeshë, këshilluese dhe motra më e madhe që të mbështeste.
Aktivitet jashtëshkollore, siç i quanim ishin të pakëta, shoqëruar dhe me privimet e kohës. Do të veçoja njërin prej atyre pesonave që i gjallëronte ditët tona me ekskursione të gjata, marshime e aktivitete që ishin jashtë mundësive të kohës, por që mosha jonë e re i përballonte, madje i prisnim me gëzim dhe ai nuk kursehej.
Ky ishte kapteri i shkollës, A. Skënduli, Gonia siç i thoshim të gjithë që me tipin e tij sportiv, i kudogjendur na udhëhiqte në këmbë për në malin e Çajupit, kur për herë të parë na mbathi skitë e ushtarëve dhe na vuri të rrëshqisnim në borë apo na udhërrëfeu shtigjet për t’u ngjitur në majë të Malit të Gjerë nga ku jemi habitur dhe mrekulluar me pamjen e detit Jon, i cili gjendej aq afër e njëkohësisht aq larg Gjirokastrës sonë.
Sa për aktivitete që kërkonte mosha si mbrëmbje vallëzimi, ato ishin të pakta në kohën tonë, madje shoqëruar ndonjëra edhe me mbledhje të nesërmen për ndonjë shoqe që demonstroi “shfaqje të huaja” në mënyrën si kërcente me shokun e klasës. Pastaj vinin mitingjet e në shkollë na jepej porosia “Sot mbasdite në orën…të gjithë të veshur me rrobat më të bukura, do të mblidhemi në shkollë dhe me këngë e ovacione do të nisemi për miting në sheshin e Çerçizit”. Mbasdite, në orën e caktuar, të gjitha ne, përsëri me përparësen e zezë, grumbulloheshim në oborrin e gjimnazit.
Edhe pse ndonjëra i kishte mundësistë për t’u veshur ndryshe, heshtuarazi solidarizohej me shoqet e tjera. Ishim aq të reja, por kur e mendoj aq të pjekura, të dashura me njëra-tjetrën dhe të gjitha bashkë plot humor, tipare me siguri që na i krijoi dhe shkolla dhe mësuesit tanë të dashur.
Në gjimnazin tonë kishte shumë nxënës të minoritetit grek, shumë prej të cilëve vinin çdo mëngjes nga fshatrat përreth e shumë të tjerë jetonin në Gjirokastër. Ruaj kujtimet më të mira për ta si nxënës të sjellshëm, të dashur, shumë të mirë në mësime, madje edhe sot shoqet e mia më të ngushta janë prej këtij komuniteti, si Th. Papazisi, A. Qendro etj. i cili solli vlera të tjera në qytetin e Gjirokastrës dhe në shkollën tonë të dashur. Ne ishim klasa C dhe në garën që zhvillohej midis klasave për krijimin e një minikoncerti me këngë popullore, më kujtohet që e çelëm me një valle të kënduar të minoritetit, të cilën e merrte një shoqja jonë minoritare, kurse ne mbanim iso:
Nga Radat në Dervician
shtrihet sot fusha jonë, zbardhëllojnë shamitë e grave jeta e re po lulëzon.
|
15 katundet tona
të bashkuar dorë për dorë një kooperativë të madhe tipi i lartë përbëjnë sot.
|
Sigurisht në katër vite ka edhe momente që kanë lënë mbresë të pashlyeshme në ndërgjegjen time. Janë përshtypje që kur i provon në moshën rinore lënë gjurmë sepse ndikojnë shumë në personalitetin që është duke u krijuar në këtë moshë. Kupton se jo çdo gjë është si në libra. Në kohën kur ndiqja gjimnazin, pushteti i kohës, me hijen e tij të rëndë e imponuese deri në qelizën e shoqërisë la edhe ndonjë vragë që mosha e re e shëronte shpejt, por që të linte të kuptonte shumë.
Isha në vitin e dytë kur E. Hoxha vizitoi gjimnazin më 1978 dhe do të bënte një takim me nxënësit e mirë në Klasën Muze. Sapo u ngjita atë ditë në katin e dytë të shkollës, ku ishte tabela e nxënësve të dalluar, pashë që fotoja ime ishte shkulur, vendi bosh me gjurmët e fotos binte shumë në sy dhe ende e kujtoj dhe sot si një shëmti të asaj tabele të bukur.
Një nga shoqet e mia të ngushta m’u afrua te veshi dhe më tha: Do të jetë shqitur, por mos thuaj gjë sot! Bashkë me foton time ishte hequr edhe ajo e një prej nxënësve më të mira dhe e shoqes dhe mikes sime më të mirë edhe në ditët e sotme, E. Telit. Të dyja e kuptuam që në Klasën Muze nuk do të shkonim, por e deklaruar kaq hapur, me ato shenjat e shëmtuara nga shqitja e shpejtuar, la një kujtim të keq por që sot të dyja e kujtojmë me buzë në gaz.
Nuk e ktheva kokën më andej, por sa arrita në shtëpi i tregoj tim eti, i cili u murrëtie në fytyrë, përmendi me përbuzje emrin e atij që e kishte hequr, një ish-nxënësi, por tashmë me funksion partie, dhe më tha: Nesër do ta vendosi përsëri, por kjo s’duhet të ndikojë te ti. Vërtet, të nesërmen fotoja u vendos përsëri, por pashë se sa herë vinte në takim me prindër im atë nuk ia hidhte sytë atij personi, edhe ai përvidhej nga salla e mësuesve kur e shihte.
Pata fatin që në atë gjimnaz të rikthehem përsëri në vitet ’80, por tani si mësuese e letërsisë. Sapo kisha mbaruar studimet dhe të rikthehesha në shkollën time të dashur ishte jo vetëm kënaqësi, por edhe përgjegjësi, duke pasur parasysh emrat e paharrueshëm të mësuesve të talentuar të kësaj disipline. Përgatitesha seriozisht çdo orë mësimi, përzgjidhja me kujdes temat e hartimeve, pyetjet që do t’u bëja kur i çoja në dërrasë, duke u përpjekur që jo vetëm të riprodhonin, por dhe të jepnin e shprehnin mendimet e tyre.
Kjo zgjati 2 vjet (1986-1988) dhe ende i kujtoj me shumë dashuri ata nxënës, të cilët shpesh me shkruajnë, si G, Hysi, M. Teli, E. Dhespollari, K. Çani, F. Rrapo, A. Xhixho etj. Më kujtohet një orë mësimi ku po shpjegoja “Kënga e sprasme e Balës” – Poema poetike e Gavril Dara i Riu. Një nga heronjtë kryesore, Nik Peta, pas trimërisë së treguar, e fal tradhtarin Ballaban Pashën.
Një nga nxënëset u ngrit dhe më tha: Mësuese, armiku nuk falet. Partia na mëson ta çojmë deri në fund dënimin. Mbeta e shtangur që një vajzë 16 vjeçe fliste dhe e gjykonte gjestin e heroit në këtë mënyrë. U stepa një çast dhe më kujtohet që iu shpjegova se ngjarjet vendosen në kontekstin kohor kur heronjtë romantikë dhe zulmëmëdhenj e bënin një gjest të tillë edhe për famë e madje për ta turpëruar më shumë armikun.
Si lëndë shoqërore, letërsia e dija që ngrinte edhe kurthe të tilla, se nën diktaturë sistemi arsimor dhe ai edukativ tenton në mënyrë të vazhdueshme dhe konstante të bëjë homogjene mendjet dhe zemrat e njerëzve, sidomos të atyre që janë të pambrojtur, pa imunitet dhe shpirt kritik e ndoshta kjo ka qenë dhe një nga arsyet që me ka pëlqyer gjithmonë ftohtësia dhe racionaliteti i gjuhësisë.
Një herë qëlloi që po bëja “dezhurnin” si mësuese. Duhej të ishte viti 1986-87. Kujdesesha për rënien e ziles në orën e caktuar, rregullin brenda e në oborrin e shkollës. Nga shkallët e oborrit vura re në rrugën para gjimnazit një grup turistësh italianë, të cilët po shihnin godinen dhe po komentonin me njëri – tjetrin. E kuptova që kishin dëshirë të ngjiteshin dhe i ftova. I ngjita deri në katin e tretë te zyra e drejtorit që në ato vite ishte, L. Hoxha.
Kjo është një shkollë me të njëjtin projekt si disa në Itali, filluan të thoshnin. M’u vertetuan fjalët e tim eti që kur shkonte në Bari në vitet ’30 na tregonte se, si gjimnazi ynë, në atë qytet kishte parë një shkollë femërore, krejt të ngjashme. Turistët italianë vazhdonin me komentet për shkollën, për gjendjen e saj të mirë dhe pastaj dy prej tyre u prezantuan si mësues fizike.
Ishin kurreshtarë të shihnin librat e Fizikës të të gjitha viteve dhe shpejt ua vumë në dispozicion. Pasi i shfletuan shihnin njëri-tjetrin të habitur dhe iu drejtuan drejtorit që ishte i asaj disipline. -A e kanë të lehtë nxënësit tuaj përvetësimin e kësaj lënde me këto tekste? -Kemi nxënës shumë të mirë dhe shumica nuk hasin vështirësi në të kuptuarit e kësaj lënde në të gjitha nivelet,- u përgjigj drejtori.
Mësuesit italianë u shprehën se kishin mbetur të habitur që nxënësit tanë bënin Fizikë, shkalla e vështirësisë të së cilës nuk lejonte në Itali të bëhej në të njëjtin nivel, madje ai program që tek ne bëhej në vitin IV aty bëhej në universitet. Ikën plot mbresa nga qyteti që i kishte bërë për vete dhe të befasuar që mes pamjes gri e të gurtë, kishin zbuluar një shkollë të modelit Italian ku mësohej fizikë në nivelin që s’pritej.
Kujtimet e shkollës së mesme na ndihmojnë të gjithëve të kuptojmë se si kemi ndryshuar dhe si kemi mësuar të zgjidhim problemet dhe sfidat e jetës. Por besoj se gjithçka, për secilin nga ne, zanafillën e pati te bankat e gjimnazit tonë të dashur.
Këto sa më sipër, janë disa nga kujtimet e mia individuale, por do të doja që ky shkrim të evokonte dhe të ishte një nderim për gjithë brezin tim të gjimnazit “Asim Zeneli” të vitetve 1976-1980. Shumë nga bashkënxënësit e mi shkëlqyen më vonë në Universitet e në profesionin e tyre, si: Shkëlqim Bozgo, Efrosina Teli (Kokalari), Hëna Kalemi, Nimete Isaraj, Eleni Dajo, Kastriot Çoçoli, Teuta Zazani, Th. Papazisi etj. Doja, gjithashtu, të ishte një homazh për shokët që kemi humbur, si: Agim Zeko, Majlinda Miziri e Fatmir Kaso.
Uroj dhe në emër të gjithë brezit tim që kjo shkollë e dashur të mbetet edhe në të ardhmen vatra e dijes, krenaria e qytetit tonë, vendi ku nisin të marrin flatra ëndrrat e të rinjve të këtij qyteti.