Nga Pranvera Kola
Botuar në DITA
Glaukoma është një nga sëmundjet që dëmton më shpesh shikimin. Ekspertët e shëndetit publik bëjnë me dije se glaukoma përfshin një grup sëmundjesh të syrit që shkaktojnë dëmtim të vazhdueshëm të nervit optik, në pikën ku ai lejon syrin të transportojë informacionin vizual në tru.
Nëse lihet pa trajtuar, shumë tipe të glaukomës zhvillohen (pa paralajmëruar simptoma të dukshme tek pacienti), duke çuar në përkeqësim gradual të shikimit, gjendje e cila mund të vijojë deri në verbim të plotë nëse vonohet marrja e kujdesit të duhur mjekësor që në stadet më të hershme. Për sa kohë që nuk trajtohen, dëmtimi i shikimit është përgjithësisht i pakthyeshëm, prandaj shpesh glaukoma përshkruhet si “sëmundje e heshtur e verbërisë”, ose si “hajdute e qetë e shikimit”.
Glaukoma është shkaku i dytë më i zakonshëm për verbërinë në mbarë botën. Është e rëndësishme të dihet se, prej progresit të heshtur të kësaj sëmundjeje, të paktën në stadet e hershme, deri në 50 për qind e personave të prekur në vendet e zhvilluara nuk janë të ndërgjegjshëm nëse janë të prekur nga glaukoma apo jo. Ky numër mund të rritet deri në 90 për qind në vendet e pazhvilluara të botës. Kundrejt parandalimit të dëmtimit të nervit optik nga glaukoma, mjekët konsiderojnë diagnostikimin sa më të hershëm dhe ndjekjen e kontrolleve rutinë tek specialisti si çelës suksesi.
Ndaj në fushatat e shumta të ndërgjegjësimit që zhvillohen në këto vende, theksi vihet të domosdoshmëria e kontrolleve të hershme të problemeve të shikimit.
Faktorët e rrezikut që shtojnë probabilitetin e shfaqjes së sëmundjes janë: mosha, faktorët gjenetikë, diabeti, anemia, tensioni i lartë ose i ulët i gjakut (HTA), miopia e lartë, hipermetropia e lartë, migrena, përdorimi i kortikosteroideve për periudha të gjata, si dhe dëmtimet fizike në sy.
Zhvillimi i sëmundjes
Ka disa tipe të glaukomës. Disa mund të ndodhin si një komplikim i çrregullimeve të tjera të shikimit (të ashtuquajturat glaukomat “sekondare”, teksa shumica janë “primare” dhe ndodhin pa ndonjë shkak të njohur. Dikur besohej se shkaku i shumë, ose i të gjitha glaukomave ishte presioni i lartë i gjakut në sy, i njohur si presioni intrakular (IOP).
Tashmë është vënë re se edhe njerëzit pa probleme të presionit të lartë të gjakut në sy mund të vuajnë nga glaukoma. Sot, presioni intrakular (IOP) konsiderohet si një “faktor rreziku” për glaukomën, së bashku me faktorë të tjerë, si: origjina raciale, historia e familjes, miopia e lartë dhe mosha.
Disa forma të glaukomës mund të ndodhin gjatë lindjes (kongenitale), ose gjatë infantilitetit dhe fëmijërisë. Megjithatë, në shumë raste, glaukoma shfaqet pas dekadës së 4-t të jetës, dhe frekuenca e saj rritet me rritjen e moshës. Nuk ka ndonjë ndryshim të përcaktuar qartë në incidencën e glaukomës midis burrave dhe grave.
Tipet më të zakonshme të glaukomës tek të rriturit janë “Glaukoma Primare me Kënd të Hapur”(POAG), dhe “Glaukoma me Kënd të Mbyllur” (ACG), e cila është më e përhapur në pacientët e gjeneratave në Azi. Glaukoma me Kënd të mbyllur është shpesh kronike, ndërsa forma tjetër mund të jetë edhe akute, ku zakonisht është prezente si një gjendje e dhimbshme okulare që çon në humbje të shpejtë të shikimit.
Kategoritë që rrezikojnë më tepër nga kjo sëmundje
Glaukoma mund të prekë këdo dhe pacienti mund të trajtohet, por jo të shërohet prej saj. Mënyra e vetme për të parandaluar humbjen e shikimit është diagnostikimi i hershëm i sëmundjes dhe trajtimi i saj. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i nënshtrohen vizitave okulistike periodike (sidomos pas moshës 40 vjeç), madje edhe nëse nuk ka simptoma të dukshme.
Kujdesi në trajtim
Nuk ka ende asnjë kurë për glaukomën dhe humbja e shikimit si pasojë e kësaj sëmundjeje është e pakthyeshme. Megjithatë, mjekimi, ose operacioni (tradicional ose me lazer) mund të ndalojnë, ose të ulin ritmin e humbjes së mëtejshme të shikimit.
Prandaj konstatimi i hershëm është esencial në limitimin e dëmtimit të të parit dhe parandalimin e ecurisë drejt dëmeve të rënda të shikimit, apo edhe humbjes së tij.
Njohuritë për parandalimin dhe trajtimin e glaukomës janë të pakta në popullatë. Megjithatë ka metoda efektive të trajtimit mjekësor dhe operator nëse sëmundja diagnostikohet në stadet e hershme. Përmes trajtimit të duhur mund të ruhet shikimi, në të kundërt përkeqësimi i kushteve mund të çojë në kufizime të rënda të fushës së shikimit dhe verbëri të pakthyeshme.
Glaukoma mund të konsiderohet si një grup sëmundjesh që përfundon me një neuropati optike që është e përcaktuar nga ndryshime strukturore dhe deficite funksionale. Kuptimi mjekësor i natyrës së glaukomës ka ndryshuar rrënjësisht në vitet e fundit, dhe një përcaktim i kompletuar dhe një kriter diagnostik duhet ende të finalizohen.
Numri i personave të vlerësuar me probleme të glaukomës fillestare është 4.5 milionë, që përllogaritet afërsisht me 12 për qind të gjithë popullsisë me probleme të shikimit. Shpeshtësia e glaukomave me kënd të hapur rritet me rritjen në moshë, dhe progresioni i saj është më i shpeshtë në popullsinë afrikane. Glaukoma me kënd të mbyllur është një formë e zakonshme në popullsinë aziatike.
Faktorët që përshpejtojnë shfaqjen e sëmundjes
- Mosha (veçanërisht mbi 35 vjeç).
- Faktorët gjenetikë (histori familjare e glaukomës).
- Tensioni i lartë ose i ulët i gjakut (HTA).
- Miopia e lartë.
- Hipermetropia e lartë.
- Përdorimi i kortikosteroideve për periudha të gjata.
- Dëmtimet fizike në sy.
- Diabeti
- Anemia
Pse është e domosdoshme vitamina A për shikimin?
Mjekët thonë se një dietë e varfër me vitaminë A, sjell efekte të shumta negative për shikimin që mund të çojnë deri në verbërim. Një nga shenjat e para të mungesës së vitaminës A është ulja e aftësisë shikuese pas perëndimit të diellit. Prindërit mund ta kuptojnë që fëmija ka këtë sëmundje pasi në muzg, po qe se ka pak dritë fëmija nuk është në gjendje të njohë personat, nuk luan dhe lëviz me vështirësi.
Fëmija, ose i rrituri, me këto simptoma duhet t’i drejtohet mjekut. Për të parandaluar mungesën e vitaminës A duhet të konsumohen disa lloje ushqimesh që përmbajnë këtë vitaminë. Më të përdorshmet janë: “Qumështi i gjirit dhe ushqimet me origjinë shtazore si mëlçia, e kuqja e vezës, qumështi i lopës, zarzavatet me gjethe me ngjyrë jeshile të errët si spinaqi, dhe perimet me ngjyrë të verdhë e të kuqe (karrotat, specat, domatet). Duhet të theksojmë se edhe frutat e freskëta përmbajnë vitaminën A. Në vijim gjeni të detajuara katër format më të shpeshta të sëmundjeve të syrit.
Kontrollet për sytë
Vizitat e para të fëmijëve tek okulisti nevojitet të bëhen në moshat 2 vjeç e gjysmë, 6 vjeç, 10 vjeç dhe 14 vjeç. Ndërsa të rriturit duhet të kontrollojnë sytë të paktën çdo dy vjet, dhe mbi moshën 60 vjeç këto vizita duhen kryer çdo vit.
Në varësi të problemeve që mund të shfaqni mjeku mund të kërkojë kryerjen edhe të vizitave më të shpeshta, kjo veçanërisht në rastet kur vuani nga sëmundje të ndryshme kronike, siç janë hipertensioni, diabeti, si dhe kur ambienti ku punoni, ose natyra e punës suaj mund t’ju dëmtojnë shikimin.
Krahas formimit të kulturës për kryerjen e vizitave të rregullta tek mjeku specialist sipas grupmoshave, nuk duhet të neglizhohet edhe ndjekja e rekomandime të tjera gjatë përditshmërisë, për të pasur sy të shëndetshëm. Një ndër këshillat bazë që nuk duhet neglizhuar në asnjë rast është mbajtja e syzeve të diellit, kjo veçanërisht gjatë stinës së verës. Duhet që të përdorni syze që absorbojnë të paktën 99 për qind të dritës UVA dhe UVB. Çdo kush duhet të jetë i kujdesshëm që të njohë edhe predispozitën familjare. Kjo pasi genet janë faktor rreziku për sëmundje të syve, përfshirë këtu edhe ato sëmundje që mund të shkaktojnë humbje të plotë të shikimit.
—-
©Copyright gazeta DITA. Marrë nga rubrika Këshilla për Shëndetin që botohet cdo ditë në versionin print të gazetës
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
