Nuk më kujtohet shumë ajo fëmijëria ime e hershme në Rusi, ato tetë vjetët e mia të para, por mendoj se edhe ato pak vjet janë të rëndësishme për atë që sot quhen vite të formësimit në jetën e një njeriu. Prandaj, është tragjike që kam shumë pak kujtime të mira a të lumtura nga ajo kohë.
Çka është sionizmi?
Shumë është shkruar deri më sot për lëvizjen sioniste, ndërsa në të ardhmen sigurisht se do të shkruhet edhe më shumë. Ndërkohë, shumica e njerëzve së paku mund ta paramendojnë se çka është sionizmi. Ata e dinë se këtu është fjala për kthimin e popullit hebraik në vendin e paraardhësve të tyre – në shtetin e Izraelit, siç quhet ai në hebraishte. Por, edhe sot, gjithkush nuk e ka të qartë faktin se kjo lëvizje e rëndësishme lindi spontanisht dhe, pak apo shumë, njëkohësisht në pjesë të ndryshme të Evropës nga fundi i shekullit XIX. Kjo i gjasonte dramës që njëkohësisht shfaqej në teatro të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Tema e saj: i ashtuquajturi problem i hebrenjve, i cili është në fakt problem i të krishterëve, ishte pasojë e humbjes së atdheut nga hebrenjtë.
Problemi nuk mund të zgjidhej aq gjatë, derisa hebrenjtë të mos fitonin sërishmi atdheun e tyre. Natyrisht se ai vend mund të ishte vetëm Sioni (në hebraishte Zijjon, kështjellë në Jerusalemin e vjetër), vend ky nga i cili qenë dëbuar hebrenjtë gati para dy mijë vjetësh. Sioni ishte gjithmonë seli shpirtërore e hebraizmit. Derisa isha vajzë në Pinsk, deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Sioni ishte sall një krahinë e shkretë dhe e prapambetur e Mbretërisë otomane, e quajtur Palestinë.
Hebrenjtë e parë që u kthyen në Sion, arritën atje tek më 1878. Ata formuan fshatin pionier, të cilin e quajtën Petah Tikvah (Dyert e shpresës). Deri më 1882, në Sion arritën disa bashkësi të vogla sionistësh nga Rusia, të cilët u quajtën Hovevei Zion (Miqtë e Sionit). Ata ishin të vendosur të gjenin tokë për veti, ta popullonin dhe ta mbronin atë.
Theodor Herzl, më vonë themelues i organizatës botërore sioniste dhe baba i vërtetë i shtetit të quajtur Izrael, më 1882 ende nuk dinte gjë për fatin e hebrenjve në Evropën Lindore dhe për ekzistimin e bashkësisë Hovevei Zion. Një korrespondent shumë i suksesshëm dhe shumë i arsimuar nga Parisi për “Neuen Freien Presse” të Vjenës, Herzli filloi të interesohet për problemet e hebrenjve tek më 1894, kur iu dha detyrë të raportojë nga procesi gjyqësor kundër kapitenit Dreyfus. Herzli u tmerrua nga padrejtësia që iu bë këtij oficeri hebre, por u tmerrua edhe nga antisemitizmi i ushtrisë franceze.
Ai fitoi bindjen se ekziston vetëm një zgjidhje e përhershme e problemit të hebrenjve. Sukseset dhe mossukseset e tij – e tërë historia e çuditshme e përpjekjeve të tij për të themeluar shtetin hebraik – përbëjnë gjithë atë që të gjithë fëmijët izraelitë mësojnë në shkollë. Dhe, gjithkush që dëshiron të kuptojë se çka është sionizmi, duhet ta mësojë atë histori.
Në jetë asgjë nuk vjen vetvetiu
Ithtarët e Poalei-Cion (Punëtorët-sionistë), siç ishte Shejna (motra ime), e shikonin ndryshe këtë problem. Mendonin se i ashtuquajturi problem i hebrenjve ka burime të tjera, prandaj mendonin se ai duhet të zgjidhet në mënyrë më radikale se sa eliminimi i padrejtësive ekonomike dhe i pabarazive shoqërore. Ata ishin ithtarë të ideve të përbashkëta sociale, por në krye të tyre vendosnin idealin nacional. Luftuan për bashkimin e popullit hebraik dhe për pavarësinë hebraike.
Për dallim nga këta, anëtarët e Bunda (mendonin se me ndryshimin e strukturës ekonomike dhe shoqërore do të zhduket tërësisht antisemitizmi) u treguan kundërshtarët më të mëdhenj të sionizmit. Të dy këto lëvizje ishin të fshehta dhe ilegale. Bisedat që bënte Shejna dhe miqtë e tij, sa herë që takoheshin në shtëpinë tonë, kryesisht kishin të bënin me konfliktet mes këtyre dy bashkësive hebraike.
Në Amerikë u ndala në rrugë dhe e pyeta veten: kush jam dhe ku jam?
Babai na priti në Milvoki. Dukej krejt tjetërfare: pa mjekër, me pamje të amerikanit, i huaj. Ende nuk kishte arritur të gjente banesë për ne. U vendosëm përkohësisht – jo fort të lumtur – në dhomën e tij të vetme, në shtëpinë e një familjeje të sapoardhur të hebrenjve polakë. Më la përshtypje shumë të madhe vetëm ajo pjesë e vogël e Milvokit, të cilën e pashë ditët e para: ushqime të pazakonshme, zëra të panjohur për mua të gjuhëve të huaja dhe babai im gati se i harruar, ai që tash kishte ndryshuar – e gjithë kjo brenda meje shkaktoi aq ndjenjë të madhe të jorealitetit, sa që u ndala në rrugë dhe e pyeta veten: kush jam dhe ku jam?
Po supozoj se as babai im nuk e kishte aq lehtë që, pas aq kohësh, të ishte sërishmi bashkë me familjen e vet.
Nisa të shkoj në shkollë në Fourth Street. Më vinte keq se gati çdo ditë vonohesha në mësim. Shpesh qaja gjatë tërë rrugës deri në shkollë.
Pas më shumë se pesëdhjetë vjetësh – isha 71 vjeçe dhe isha kryeministreshë e Izraelit – vizitova, për disa orë, shkollën time të vjetër. Nuk kishte ndryshuar shumë për një kohë aq të gjatë. I vetmi ndryshim ishte ai se shumicën dërrmuese të nxënësve tash e përbënin zezakët, e jo hebrenjtë sikur më 1906. Të gjithë më dëshiruan mirëseardhje, sikur të isha mbretëreshë. Secila klasë ishte e stolisur me pllakate izraelite dhe me transparente ku shkruante “Shalom” (disa fëmijë mendonin se ky është emri im).
Kur isha në klasën e katërt, ndodhi diç e rëndësishme (për mua). Për herë të parë u bëra “publikisht aktive”. Shkollimi në Milvoki ishte pa pagesë, por kërkohej një shumë e vogël për librat që s’mund t’i blenin nxënësit e tjerë të klasës sime. Secili nga ne duhej të ndërmerrte diçka për zgjidhjen e këtij problemi, kështu që unë vendosa ta themeloj një fond. Kjo është përvoja ime e parë në këtë aspekt, dhe nuk do të jetë e fundmja.
Për një manifestim të mbajtur në shkollë, nëna më luti “ta shkruaj” fjalimin tim. Ndërsa unë mendoja se është më mirë të thoja atë që më flente në zemër. Kur njeriu mendon se ai ishte fjalimi im i parë publik, mendoj se ai ishte i mirë. Duke përjashtuar deklaratat e mëdha politike para Kombeve të Bashkuara ose para Knessetit (emërtimi zyrtar hebraik për parlamentin izraelit), kurrë nuk kam lexuar ndonjë fjalim të shkruar. (vijon nesër)
a.c./dita
