Nga Xhelal Gjeçovi
Prej kohësh Dashnor Kaloçi, por jo vetëm, me të ashtuquajturën memorie.al, e njohur tashmë si fabrikë manipulimi e mashtrimi, zhvillon një veprimtari të ethshme kundër vlerave të historisë e veçmas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një ndër objektivat e kësaj veprimtarie ka qenë dhe mbetet paraqitja e kolaboracionistëve në një dritë tjetër, ndryshe nga ç’ishin e ç’i ka njohur populli, si njerëz paqësorë e patriotë, që çdo qëndrim e veprim, që ndërmorën, përfshi dhe rreshtimin e bashkëpunimin me okupatorët, që kishin shkelur pavarësinë e atdheut, i bënë për të mirën e vendit, që të evitohej shkatërrimi, të zbutej dhuna e të lehtësoheshin vuajtjet e popullit.
Unë i jam kundërvënë kësaj veprimtarie që në fillimet e tranzicionit me një shkrim enkas (Shih: “Faktet nuk mund të rrëzohen me dëshmi të rreme”, në ‘Shekulli”,20 shtator 1999,f.12-13), pasi të dhënat për të i nxirrte nga maratona e intervistave që iu merrte kolaboracionistëve apo familjarëve të tyre dhe pasi i “rregullonte” në funksion të qëllimit që i kish vënë vetes, bërjes lavazh e lyerjes me bojë te aktivitetit të tyre në dëm të vendit, i botonte duke kontribuar në përhapjen e konfuzionit në çështjet e historisë. Natyrisht ai nuk ka mbetur në vend, pasi ka ditur të shfrytëzojë mundësitë ekstra që i sigurojë kësaj kategorie partia që na solli demokracinë që meritojmë. Por ajo që nuk ka ndryshuar është zanati, të cilin vazhdon ta ushtrojë me zell e përkushtim prej militanti. Kjo sigurisht është çështje e tij. Por, historia mbetet histori dhe faktet e qëndrimet mbeten të fiksuara, për të parë e për të njohur të kaluarën, por dhe njeri tjetrin.
Para ca kohe ai i serviri opinionit një spekulim të radhës,kësaj here me çështjen e hebrejve të kërcnuar e të rrezikuar nga ndjekjet e nazistëve në vitet e Luftës se Dytë Botërore, që këtu, ndryshe nga jo pak vende të tjera që i dorëzonin tek autoritetet gjermane,u mbrojtën e u shpëtuan,pa marrë parasysh kërcnimet e rreziqet.Kjo mbrojtje natyrisht nuk mund të pritej e nuk mund te vinte nga kolaboracionistët,që për para,poste e privilkegje tradhëtuan vendin e tyre dhe u vunë në shërbim të administratë kuislinge qe ndertuan agresorëve fashistë,në periudhën e okuapcionit,39-44..
Mbrojtjen dhe angazhimin për shpëtimin nga holokausti hebrejtë do ta gjenin tek shqiptarët e thjeshtë e të ndershëm, tek patriotët e antifashistët e vërtetë, tek Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe njësitë partizane. Enver Hoxha, në cilësinë e udhëheqësit kryesor të luftës dhe Komandantit të Përgjithshëm të UNÇ, kërkonte nga këshillat nacionalçlirimtare dhe komandat partizane vëmendje e angazhim maksimal ndaj tyre, duke ju siguruar mbrojtje të sigurt dhe jetese normale, për të bërë që të dështojë plani nazist për holokaustin, këtë histeri të çmendur, të pashembullt që kërcënonte jetën e miliona hebrejve. Ai gjithashtu kërkonte që hebrejve t`u bëhej thirrje që të aderojnë në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por kjo çështje të trajtohej me shumë kujdes, që ata të vendosin me dëshirën e vullnetin e tyre. Ky trajtim e kjo përkujdesje pasqyrohet në një mal me dokumente të kohës, që historianët e studiuesit i dinë fare mirë. Ato i di dhe Kaloçi, Butka etj., por qëllimisht injorohen e nuk konsiderohen, pasi duan që qëndrimin e shqiptarëve t’ua atribuojnë etërve dhe kushërinjve, që në vitet e luftës tradhtuan vendin e tyre dhe u vunë në shërbim të okupatorëve që kishin shkelur pavarësinë e atdheut.
Këtë realitet të deformuar përpiqet të sjellë dhe Kaloçi, duke iu referuar ndonjë rasti, të sajuar ose jo, të nxjerrë sipas tij nga një dokument ku pasqyrohet komunikimi i Këshillit të Lartë të Regjencës me organet vartëse në Shkodër, ku këta të fundit ankoheshin se autoritetet gjermane u kishin rrëmbyer të hollat në valutë, që u takonin atyre, duke kërkuar të ndërhyhet që ato t’ua kthejnë, e raste të tilla të mos përsëriten. Në vend që të denoncohej kjo grabitje që u behej hebrejve, ankohen se plaçka u takonte atyre e jo gjermanëve. Shqetësimi e denoncimi nuk bëhej e nuk drejtohej kundër kësaj të keqeje, që rendonte gjendjen e hebrejve, kësaj veprimtarie antihumane, antinjerzore, por ankohen se u kishin hyrë në hise, në pjesë, u kishin marrë valutën që mendonin se u takonte atyre. Deri këtu arrin pangopësia, shpirti katran i të dy palëve, kolaboracionistëve dhe padronëve të tyre nazistë. Gjermanët e dinin, ishin të informuar për grabitjet që u bëheshin hebrejve nga zyrtarët kolaboracionistë, prandaj e kontrollonin dhe e gjurmonin për të ditur deri ku shkonte korruptimi në raste të tilla. Rasti që sillet në dokumentin e servirur, tregon se kjo veprimtari bëhej në koordinim në mes dy palëve, kolaboracionistëve dhe padronëve nazistë, në bashkëpunim por dhe në kurriz, të njeri tjetrit. Natyrisht mund të ketë patur dhe raste të angazhimit të zyrtarëve të kohës dhe për motive të tjera, politike, lidhjeve miqësore apo dhe thjesht humane. Njerëz ishin dhe ata e në radhët e tyre kishte dhe të tillë. Por edhe ne raste të tilla, ata kërkonin të qëndronin në dy karrige, për t`u thyer në proces, si njëra dhe tjetra, se nuk mund që, në të njëjtën kohë të ishe shërbëtor i nazistëve dhe në anën tjetër të angazhohej në shpëtimin apo lehtësimin e vuajtjeve te viktimave të tyre hebrejve. Në rastin e sjellë shihet qartë angazhimi dhe bashkëpunimi i të dy palëve, por me stërkëmbsha ndaj njeri tjetrit, një gjë e pritshme dhe e besueshme në një marrëdhënie në mes ujqërish, që s`pyesnin e s`ndaleshin para asgjëje kur ishte në shprehje paraja, përfitimi, pasurimi.
Fati u kish rezervuar hebrejve një jetë endacake, që do t`i përplaste sa andej e këtej, pa i lënë të zënë vend e të ndërtojnë jetën e tyre, si gjithë popujt e tjerë,për të përfunduar më në fund në këtë vend të vogël ballkanik, të pa njohur që qeverisej nga regjime kuislinge, kukulla të autoriteteve naziste, të zhytura në korrupsion.
Mirëpo historia ka gjithnjë një mundësi, një shpresë e një besë, e ato nuk do t`i gjenin e nuk do t`u vinin nga qielli, por në tokë,nga shqiptarët e ndershëm, nga familjet e varfra shqiptare, që do të ndanin së bashku fatin e trishtë dhe së bashku do të përballonin kërcënimin, terrorin e masakrat e nazistëve dhe do t’ia dilnin që hebrejtë të shpëtonin e të vazhdonin jetën. Nuk është e rastit që numri i tyre nuk u pakësua, në përfundim të luftës, siç mund të mendohej, por do te shumëfishohej me të tjerë bashkëkombas të ardhur nga vendet tjera sidomos ato fqinje. Një rast ky i rrallë, i pashembullt, për një vend e popull të vogël, siç ishin shqiptarët.
Qëndrimi ndaj hebrejve ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e opinionit e të institucioneve studimore, brenda dhe jashtë vendit. Akademia e Shkencave organizoi para pak kohe një aktivitet të rëndësishëm, në mos gaboj për herë të parë në këtë vëmendje e përmasa, ku u sollën fakte të reja të qëndrimit të shqiptarëve në ato dite prove të vështira dhe për ta. Për këtë histori ka një literaturë të gjerë, për të janë shkruar e botuar një numër veprash historike dhe publicistike, nga autorë shqiptarë e të huaj, ku do të veçoja botimin e kohëve të fundit në gjuhën angleze të librit “Biri i fotografit” të autores Maya Klinger, nga Jerusalemi me banim ne SHBA. Autorja sjellë në kujtese një ngjarje reale, në mesin e shumë të tjerave, historinë e familjes hebreje Mandili. e cila gjatë periudhës së holokaustit u shpëtua nga familja Veseli në Shqipëri. Në një intervistë në Zërin e Amerikës autorja thotë se ky qëndrim human është një tregues se edhe në periudhat më të errëta të historisë ka një shpresë, ka dhe njerëz me vullnet të mirë. Anëtarët e familjes Veseli strehuan fshehurazi familjen katër anëtarëshe MANDILI, nga viti 1943-1944, periudhë kur Shqipëria ishte nën pushtimin gjerman. Ndonëse kanë kaluar vite, anëtarët e këtyre dy familjeve vazhdojnë të ruajnë lidhjet në mes tyre. Ajo konfirmon faktin që u tha më sipër, se Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku pas përfundimit të luftës numri i hebrejve ishte shumë herë më i larte se në periudhën para lufte; nga 200-300 arrinë në afro 2 mijë bashkë me të ardhurit nga vendet e tjera sidomos ato fqinjë. Ky fakt flet shumë për mikpritjen dhe sakrificat e shqiptarëve, një provë që jo të gjithë e përballuan dhe e përjetuan në ato kohë te vështira. Prandaj njohja, vlerësimi e reputacioni i shqiptarëve mori këto përmasa nderimi. Botime të tilla janë të mirëpritura veçanërisht nga historianët e studiuesit e fushës së historisë, pasi ndihmojnë e kontribuojnë në angazhimin së bashku në ndriçimin e njërës nga faqet e ndritura të historisë së shqiptarëve.
Çështja hebreje, këtij populli martir që u përball me dinjitet me gjëmën e rezervuar nga nazistët, plagët e së cilës ende kullojnë gjak, ka kohë që ka kapërcyer kufijtë e Izraelit dhe është bërë një çështje e mbarë njerëzimit. Ajo merr dimensione të tjera në kohët që jetojmë, pasi siç shihet edhe pas kaq vitesh nga Lufta e Dytë Botërore bota po ballafaqohet me agresione e forca agresive, që ëndërrojnë e priren nga përdorimi i dhunës, me qëllim nënshtrimin e skllavërimin popujve dhe vendeve të tjera, siç është dhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, një vend sovran, që po lufton me heroizëm e sakrifica për të mbrojtur vendin e vet, duke patur dhe mbështetjen e pa lëkundur të SHBA e të vendeve të BE. Zhvillimet aty na sjellin të gjalla në kujtesë sakrificat e hebrejve por dhe solidaritetin e vendeve dhe te popujve në të katër anët e globit në mbrojtje të çështjes se tyre. Në këtë sfond zhvillimesh e rreziqesh del në pah e çmohet si asnjëherë dhe qëndrimi e sakrificat e shqiptarëve që mbështetën e shpëtuan hebrejtë, pa pyetur për çmimin e sakrificat që do të paguheshin, duke nderuar kështu vendin dhe duke siguruar simpatinë e mbështetjen e aleatëve perëndi-morë gjatë luftës për rivendosjen e pavarësisë dhe më pas për fitoren e demokracisë. Qëndrimi i shqiptarëve përbën një shembull e një përvojë me vlerë e rëndësi të posaçme për kohët e ngjarjet me të cilat po ballafaqohet sot njerëzimi.
Shqiptarët, familjet e thjeshta shqiptare i morën në mbrojtje hebrejtë, i mbajtën të fshehur në shtëpitë e tyre, ndanë me ta kafshatën e bukës që u pakësohej kalamajve, që ata të mos ndjenin efektet e varfërisë e të krizës së tmerrshme që kish mbërthyer vendin dhe botën. Dhe e gjithë kjo veprimtari bëhej pa kurrfarë interesi apo përfitimi, veç preokupimit që të shpëtonin jetët e tyre. Hebrejtë në ato kohë rreziqesh kishin nevojë më shumë se për çdo gjë, për shpresë e për besë dhe ato i gjetën tek shqiptarët, tek familjet shqiptare, tek antifashistët shqiptarë, që u dhanë fjalën, u dhanë besën se nuk do t`i linin kurrë, në asnjë rrethanë pa mbështetje e pa mbrojtje dhe së bashku do të qëndrojnë, do të rezistojnë e do të fitojnë, sepse kauza e tyre ishte kauza e mbarë njerëzimit, ishte antifashizmi, që do të triumfonte mbi nazifashizmin, për t`i hapur rrugë ndërtimit të një botë të re, të lirë, paqësore e demokratike.
Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare, nga ana e saj, e vetmja forcë e organizuar dhe e interesuar për fatin e hebrenjve, u beri thirrje, siç u tha që t`i bashkohen asaj dhe së bashku me shqiptarët të luftonin kundër nazistëve, armiqve të përbashkët. Hebrejtë e kuptuan se vetëm lufta, angazhimi në luftë për shkatërrimin e makinerisë së dhunës e te vdekjes, të ndërtuar nga hitlerianët, do të sillte shpëtimin e mbarë njerëzimit, pra dhe të hebrejve e shqiptarëve. Në këtë proces hebrejtë e shqiptarë, të kërcënuar e të rrezikuar gjer në asgjësim nga nazistët farkëtuan një miqësi të sinqertë në mes dy popujve e dy vendeve, që do t`i rezistonte provës së historisë, provës së luftës dhe kohëve pas saj. Nuk është e rastit që lidhjet e hebrejve me shqiptarët, siç theksohet dhe ne librin e autores Klinger vazhduan dhe pas lufte e vazhdojnë edhe sot, sidomos me pjesëtarët e familjeve që i strehuan e i mbrojtën nga bisha naziste. Është një miqësi e lidhur në kohë e rrethana të vështitra, kur provohen karakteret e njerëzve e të popujve, një miqësi që ka në themele ndjenja dhe preokupime të përbashkëta, prandaj është dhe e qëndrueshme, e përjetshme. Në shtyp, herë pas here, sillen njoftime për vizitat miqësore, në vendet respektive, për shkëmbime e komunikime njerëzore, pjesëmarrje në gëzime e në ngjarje, të njeri tjetrit, shprehje e miqësisë, por dhe virtyteve të dy popujve, që u shfaqën në shkëlqim të veçantë në vitet e provës së madhe të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë rrugëtim të përbashkët, pranë njeri tjetrit, gjatë dhe pas lufte, ata kanë patur mbështetjen e politikës së re që po konsolidohej, të forcave politike në të dy vendet. Shqipëria ka ndjekur e mbështet ne vazhdimësi qëndrimet e përpjekjet e Izraelit për të ndërtuar jetën e pavarur e demokratike, në paqë e fqinjësi, në respektim të së njëjtës të drejtë dhe për popujt e vendet e tjera të rajonit, për ta kthye atë në një rajon ku të sundojë paqja e qëndrueshme, mirëkuptimi e bashkëpunimi i sinqertë, për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për të gjithë, që gjeneratat e reja të rriten në paqe, në harmoni e miqësi me moshatarët e tyre, në vendet bri tyre, në komunikim e përfitim nga njeri tjetri. Në këtë drejtim mësimet e mesazhet nga Lufta e nga hololkausti, nga të rënët, viktima të kësaj tragjedie të tmerrshme, janë edhe sot, më shumë se kurrë aktuale.