Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputeti Koçi u ndal fillimisht tek lajmi që Gjykata e Lartë ka vendosur që “21 Janari” t’i kalojë SPAK pas shqyrtimit të rekursit të bërë nga Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës, i cili mbeti i vrarë më 21 janar 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është detyrues për Prokurorinë e Posaçme, e cila do të duhet që të regjistrojë procedimin penal për këtë çështje dhe të hetojë të gjithë zinxhirin komandues të trazirave të 21 Janarit 2011.
SPAK do të duhet që të tërheqë dosjen e “21 Janarit” nga Gjykata e Tiranës që e ka hetuar më parë këtë çështje. Ekzekutimi i Aleks Nikës, një nga 4 viktimat e 21 janarit, edhe pse kanë kaluar 13 vite, është ende pa autor. Strasburgu me vendimin që dha në muajin nëntor të vitit të 2023 u shpreh qartë se institucionet e drejtësisë në Shqipëri duhet të zbardhin ngjarjen e rëndë dhe të dënojë autorët.
Po ashtu, pa autor është edhe vrasja e Hekuran Dedës, për të cilën prokuroria vite më parë, akuzoi gardistin Agim Llupo. Por sa i takon kësaj çështje zoti Koçi theksoi se hetimi i “21 janarit” nga SPAK është sukses, ndërsa tregon se kush fshihet pas masakrës dhe pse atë ditë mund të ishin vrarë më shumë se 4 protestues në bulevard. Sipas tij, besimi tek drejtësia e re është rritur. Po ashtu, ligjvënësi socialist foli edhe për marrëveshjen mes PS dhe Rithemelimit.
–Zoti Koçi, javën që shkoi u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve dhe u gjet një dakordësi mes opozitës dhe mazhorancës. Rama theksoi nuk do ketë ngritje komisionesh për çështje që hetohen nga SPAK, ndërkohë sterilizimi është çështje që hetohet nga SPAK?
Është më kollaj të bësh urën e Kukësit se sa të sjellësh opozitën në rrugën e institucioneve. Ka qenë rrugë e vështirë. Opozita nuk po gjente dot rrugëdalje. Vetëm zbatimi i ligjeve mund të arrijë në rrugëdalje të tilla. Ne kemi dhënë të bëhen komisione, por pasi ligji të ketë ndryshuar. Procedura pavarësisht se pretendojnë se bëhet fjalë për të drejtë automatike, nuk është automatike. Pra nëse do të ketë kërkesa absurde, mendoj që kërkesat e opozitës kanë qenë të nisura nga natyra të mbrapshta sesa të sjellin ndryshime apo të përkthehen në nevoja për ndryshim në reforma.
–Është rrëzuar edhe Komisioni i Reformës “Alibeaj” për Zgjedhoren, më herët mazhoranca ka thënë se nuk do të ketë negociata me “non-gratën”. Këto negociata tregojnë se Berisha është ende faktor sepse ai vijon që të jetë një person non grata?
Unë mendoj që në këtë situatë ku gjenden zgjidhje, Berisha është jashtë loje. Me dhunën në Parlament kishte krijuar një imazh jo të shëndetshëm për Parlamentin gjë që kishte shqetësuar disa nivele edhe të politikës ndërkombëtare. Pasi opozita mendonte se me këto gjullurdia, por gjatë kohës që këta i vinin zjarrin parlamentit, në Shqipëri janë bërë Samite të rëndësishme ndërkombëtare. Nuk ndryshon çështja e komisionit për reformën zgjedhore. Është ngritur një nënkomision. Unë mendoj se janë faktorë që duhen llogaritur. Kjo është një zgjidhje përtej, apo ekstra-procedurale dhe që përputhet me nevojën për të kapërcyer një situatë të caktuar. Fakti që ne do të votojmë apo ndryshime që përshtaten me gjykimet tona është e rëndësishme. Edhe gjithë pikëpyetja është se çfarë ndodh nëse ky grup ikën nga Berisha dhe shkon tek Basha? Edhe pse është e vështirë të ndodhë,sepse ata bëjnë kalkulime për interesa personale. Teorikisht ne mund ta supozojmë.
–Amnistia penale, pse po mbahet pengë nga deputetët e opozitës, pritet një dakordësi për këtë?
Unë them se po. Ne kishim propozuar që termat që sjellin një ulje të dënimit për një kategori të caktuar të kapte të gjithnjë fashën përfshirë edhe ata që janë dënuar nga gjykata e Posaçme, nuk bëhej fjalë për peshq të mëdhenj ose të mesëm, por për njerëz të zakonshëm. Ndoshta edhe pa ata do të marr një përgjigje mendoj kjo gjë. Ne kërkojmë që të amnistohen ata që janë dënuar ose janë në proces hetimor për shkak të marrjes pjesë në protestat e opozitës, por duke përjashtuar ata që kanë përdorur dhunë ndaj punonjësve të policisë.
–Çështja e “21 janarit” do të hetohet nga SPAK, si e shihni?
Ky është lajmi më i mirë. Fakti që konferenca e kryetarëve gjeti një zgjidhje ka ndodhur edhe më parë, por kjo gjë për 21 janarin që e mori SPAK është me rëndësi të madhe. Që të bëhet drejtësi për ngjarje të mëdha është gjithmonë e vështirë. Gjykata e Lartë ka vendosur me të drejtë që SPAK të hetojë çështjen dhe besoj kjo është e rëndësishme. Rritet besimi i publikut për reformën që është bërë në drejtësi. Fakti që këtu janë akuzuar figura të larta shtetërore si Berisha, Basha, Andrea Prendi, ata kanë qenë motori edhe Partia Socialiste ka qenë shumë aktive dhe shpesh ka pasur një akuzë sikur është përdorur si kartë politike, por unë gjykoj që Partia Socialiste sa kohë nuk zbardhet ngjarja e ka detyrim të luftojë kërkojë dhe përkujtojë ngjarjen, sepse është detyrim ndaj të gjithë atyre që rrezikuan atë ditë, u vranë 4, por mund të ishin vrarë edhe të tjerë, natyrisht edhe detyrim për familjarëve e atyre të vrarëve. Gjithçka që ka bërë Partia Socialiste për këtë është një nga gjërat më të moralshme që ka bërë Partia Socialiste. Besimi tek SPAK dhe Gjykata e Posaçme është i madh, sepse e kanë treguar që po bëjnë gjëra që s’janë bërë më parë dhe kanë vepruar pa dallim partie.
b.m/dita