Kur përmendet fjala “parfum”, shumica imagjinojnë lëngje aromatike në shishe elegante.
Megjithatë, vetë emri, që vjen nga latinishtja “per fumum”, që do të thotë “përmes tymit”, tregon se ajo që kuptojmë sot si “parfum” ndryshon shumë nga origjina dhe përdorimet e tij te paraardhësit tanë.
Historia e parfumit është gjithashtu një histori e përparimit shkencor, e transferimit të dijes, e zgjerimit të tregtisë, e kolonializmit dhe e shfrytëzimit të burimeve natyrore, si dhe e marketingut eurocentrik të mëvonshëm.
Aromë e vjetër po aq sa edhe koha
Britannica shkruan se kinezët e lashtë, hindutë, egjiptianët, izraelitët, kartagjenasit, arabët, grekët dhe romakët ishin të gjithë të njohur me parfumerinë. Referenca për parfumin dhe përdorimin e tij gjenden gjithashtu në Bibël dhe në Hadithet (thëniet ose veprimet) e Profetit Muhamed.
Parfumeria e hershme që daton mbi 4.000 vjet më parë në Mesopotaminë e lashtë përfshinte djegien e substancave aromatike si temjani dhe mirra, me besimin se tymi që ngrihej lidhte tokën me hyjnoren.
Në fakt, “nuhatësja” e parë e regjistruar pra një mjeshtre shumë e aftë e parfumit — ishte një grua e quajtur Tapputi, një kimiste, veprat e së cilës në Mesopotami u dokumentuan në një pllakë kuneiforme rreth vitit 1200 p.e.s. “Tapputi ishte një muraqqitu, një kategori e veçantë profesionale e specialistëve të parfumit të lidhur me oborret asiriane dhe babilonase … rëndësia e saj qëndron në faktin se dëshmon se gratë zinin role të larta ‘parfumerike’ në oborret mbretërore,” thotë për DW parfumieri dhe historiani Alexandre Helwani.

Sipas arkeokimistes Barbara Huber, e cila studion marrëdhëniet njeri-bimë gjatë historisë, fjala “parfum” me kalimin e kohës përfshiu një gamë të gjerë materialesh dhe praktikash aromatike, duke përfshirë djegien e temjanit dhe drurëve aromatikë, vajra të aromatizuar, balsame, unguente dhe madje edhe kozmetikë.
“Shumë prej tyre nuk përdoreshin vetëm për zbukurim personal, por për qëllime rituale, si ofrime për hyjnitë, pastrim apo shërim. Kufijtë mes parfumit, mjekësisë dhe kozmetikës shpesh ishin të paqartë,” i thotë Huber DW-së.
Në Egjiptin e lashtë, vajrat aromatikë dhe rrëshirat ishin qendrore në rituale dhe mumifikim, ndërsa në Indi, pasta e drurit sandalit aplikohej në lëkurë, jasemini thurej në flokë dhe shafrani endej në rroba — një praktikë shqisore e shumëfishtë që shenjtëronte vetë trupin.
Studime të fundit madje kanë zbuluar se skulpturat greko-romake të perëndive dhe perëndeshave “parfumoseshin” me substanca aromatike për t’i bërë më të gjalla.
Nga tymi te distilimi
Ajo që nisi si temjan dhe balsame u shndërrua në distilime të lëngshme në botën arabe gjatë Epokës së Artë Islame. Në Bagdadin e shekullit IX, polimati Al-Kindi shkroi “Librin e Kimisë së Parfumit dhe Distilimeve”, manualin e parë gjithëpërfshirës mbi parfumerinë.
Një shekull më vonë, polimati pers Ibn Sina (i njohur në Perëndim si Avicena) përmirësoi distilimin me avull për nxjerrjen e attarëve (ose vajrave esencialë) nga lulet, veçanërisht nga trëndafilat, të cilët u bënë model për parfumerët e mëvonshëm. Së bashku, ata vendosën shumë nga teknikat dhe metodologjitë themelore mbi të cilat bazohet industria moderne e parfumeve.

Si u fitua pëlqimi i Perëndimit
Këto përparime arritën në Evropë përmes disa rrugëve. Al-Andalus — territoret e sunduara nga myslimanët në Spanjë dhe Portugali midis shekujve VIII dhe XV — shërbyen si urë akademike, ku dijetarë në Toledo përkthyen tekste arabe në latinisht. Njëkohësisht, tregtia mesdhetare solli ujë trëndafili dhe erëza në porte si Venecia dhe Xhenova, ndërsa Kryqëzatat ekspozuan evropianët drejtpërdrejt ndaj praktikave mjekësore dhe aromatike arabe.
Duhet theksuar se Evropa nuk ishte e panjohur me parfumerinë. Romakët kishin banja dhe vajra të aromatizuar, ndërsa fisnikët mesjetarë përdornin barishte, pomandere dhe temjan. Në Mesjetë, parfumi kishte funksione praktike dhe simbolike: mjekët mbushnin maskat e tyre me sqep shpendi me barishte për të filtruar “ajrin e keq” ose miazmën që besohej se shkaktonte Murtajën e Zezë; Luigji XIV i Francës kishte ujë lule portokalli që rridhte nga shatërvanët e Pallatit të Versajës; dhe dorezat e aromatizuara jo vetëm maskonin erërat, por ishin edhe aksesorë mode.
Megjithatë, teknikat e avancuara dhe përbërësit e pasur të botës arabe ringjallën dhe transformuan parfumerinë evropiane në industrinë e sofistikuar që do të bëhej, duke përdorur alkoolin si bazë për të krijuar parfume më të lehta dhe më jetëgjata.
“Eau de kolonializëm”
Ndërsa parfumeria evropiane lulëzoi, veçanërisht në Francë, zgjerimi kolonial furnizoi përbërësit që mbanin gjallë industrinë në rritje.
“Imazhet e marketingut priren t’i paraqesin lëndët e para si dhurata të përjetshme të natyrës, shpesh të kornizuara në një ekzotizëm të paqartë post-kolonial. Pyetjet komplekse mbi pronësinë e tokës, kushtet e punës, çmimet dhe ndikimin mjedisor zakonisht lihen jashtë,” shpjegon Alexandre Helwani.
Një shembull domethënës është vanilja. E sjellë në Evropë nga spanjollët në shekullin XVI, ajo u bë një kulturë kryesore koloniale në Oqeanin Indian. Helwani përmend historinë e Edmond Albius, një djalë i skllavëruar në ishullin Réunion (dikur Bourbon), i cili në moshën 12-vjeçare zbuloi metodën praktike për pjalmimin me dorë të orkideve të vaniljes në vitin 1841.
“Pa të, vanilja do të kishte mbetur një mall i rrallë … Në një botë teknologjish të patentuara, shpesh kam menduar se sa miliarder do të kishte qenë Edmond Albius, po të mos ishte skllavëruar,” thotë Helwani, duke nënvizuar se “kur flasim për ‘historinë e parfumit’, po flasim njëkohësisht për historinë e perandorive, të tregtisë dhe të kolonializmit.”
Një nuhatje eurocentriciteti?
Me kalimin e kohës, shtëpitë evropiane të parfumit u bënë qendrore në brendim dhe marketing, duke forcuar lidhjen e rafinimit me estetikën evropiane.
“Ndërsa përbërësit themelorë vijnë nga rajone të ndryshme të botës me tradita të pasura historike të përdorimit aromatik, narrativat e prezantimit dhe marketingut shpesh priren të jenë eurocentrike,” thotë Barbara Huber.
Si pasojë, disa shtëpi evropiane që i klasifikojnë aromat si “Orientale” kanë marrë kritika të shumta. Një peticion në change.org që kundërshton këtë kategorizim thekson: “Termi ‘Orient’ përpiqet të përmbledhë një rajon të gjerë, përfshirë Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë Jugore, ku kanë origjinën shumë praktika dhe lëndë të para të lashta të parfumerisë. Përdorimi i vazhdueshëm i këtij termi për të evokuar ekzotiken dhe aromatiken fshin imperializmin dhe islamofobinë që vazhdojnë të destabilizojnë këto zona sot.”
Si rezultat, që nga vitet 2000, marketingu ka filluar të përdorë termin “amber” për aroma të ngrohta dhe pikante.
Ndikimi i PerfumeTok
Sot, audiencat globale mund të zbulojnë lehtësisht aroma dikur të ngushta ose specifike për rajone të caktuara përmes influencerëve të TikTok-ut dhe videove të tyre shpjeguese.
Një nga sukseset e para virale në PerfumeTok — hashtag-u i TikTok-ut i dedikuar parfumeve — ishte “Missing Person” i Phlur, i cili u shit plotësisht në vitin 2022 dhe krijoi një listë pritjeje fillestare prej më shumë se 200.000 personash në SHBA. Ai hapi madje edhe “përmbytjen” e videove emocionale, ku njerëzit tregonin se aroma u kujtonte të dashurit e tyre mbasi e nuhasnin njëherë.
Ndërkohë, sipërmarrës të rinj në Indi po riformësojnë ittarët (vajra esencialë) të krijuar përmes metodave shekullore si luks i qëndrueshëm, përmes Instagramit dhe tregimit digjital, duke treguar se si rrjetet sociale mund t’i rilidhin konsumatorët me traditat që tregtia koloniale dikur mund t’i ketë errësuar.
Në fund, historia e parfumit — ashtu si notat e sipërme, të mesme dhe bazë të tij — është shumëdimensionale. Dhe ashtu siç asnjë parfum i vetëm nuk mund të kapë çdo aromë të botës, asnjë rrëfim i vetëm nuk mund të përfshijë të gjitha historitë e ndryshme të aromës.
Siç thotë Alexandre Helwani, çdo spërkatje parfumi bart një trashëgimi të tërë. “Kjo është ajo që dua te parfumi: Është një gjest shumë i vogël mbi lëkurë, me një histori të jashtëzakonshme dhe të shtresëzuar pas tij.”
DW

