Xhevdet Shehu
Titulli i këtij shkrimi mund të tingëllojë i ashpër dhe i panatyrshëm për një pjesë të lexuesve, por unë do të argumentoj në vijim pse nuk kemi të bëjmë këtu me ndonjë hiperbolë. Ne të gjithë, kush më shumë e kush më pak e njohim realitetin shqiptar, sidomos atë pas vitit 1990 dhe secili prej nesh e ka një perceptim të fenomenit që trajtohet këtu.
Unë kam një histori timen si gazetar dhe po e tregoj ashtu si ka ndodhur.
Ngjarja ka ndodhur 32 vjet më parë. Në fundtetorin e vitit 1991 u organizua për herë të parë Java e Kulturës gjermane. Gjermania ishte bashkuar para më shumë se një viti dhe ai vend i madh konsiderohej se një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugëtimin tonë evropian. Unë atëherë punoja në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe mora përsipër të pasqyroja aktivitetin hapës që zhvillohej shumë pranë zyrave të redaksisë, tek Piramida. Mbledhja u bë në një sallë luksoze në një kat të nëndheshëm. Të pranishëm ishin ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, ambasadori gjerman në Tiranë, punonjës të ambasadës, diplomatë, deputetë, intelektualë dhe shumë të rinj, kryesisht studentë. Atë që pashë dhe përjetova në atë sallë e përshkrova në një shkrim që u botua në faqen e parë të gazetës “Zëri i Rinisë” dhe që jo çuditërisht pati një jehonë të madhe. Kujtoj këtu se në atë kohë kjo gazetë arrinte një tirazh rreth 100 mijë kopje.
Për të mos u zgjatur, po ribotoj në vijim shkrimin e plotë të botuar në “Zërin e Rinisë” më 26 tetor 1991, bashkë me faksimilet përkatëse, ku përshkruhet ngjarja.
***
Një fantazmë sillet midis nesh…
-Hitleri duartrokitet… në Tiranë-
Një fantazmë sillet midis nesh…
Nuk e di se si më erdhën befas në mendje këto fjalë më 22 tetor pasdite. Një fantazmë… Ah, po! Kështu pak a shumë fillon Manifesti i Partisë Komuniste i Marksit dhe Engelsit. S’po na ndahen këta klasikët, që sot, në mos qofshin të urryer, janë të padëshirueshëm për masa të mëdha njerëzish. Po Marksi dhe Engelsi janë gjermanë. E, ajo pasdite, i ishte kushtuar kulturës gjermane, organizuar nga FRSH (Shënim: BRPSH ish organizata e rinisë së Partisë së Punës, atë vit ndryshoi emrin në Federata e Rinisë Shqiptare, pra FRSH) që meriton përgëzime për veprimtari të tilla tërheqëse dhe me kulturë, për të cilat ka nevojë aq shumë rinia jonë…
Në ekran jepet një dokumentar. Qindra të rinj e të reja ndjekin me vëmendje filmin. Pamje nga e kaluara dhe e tashmja e Gjermanisë, ngjarje, vende, personalitete të saj. 1932. Në ekran konturohet një fytyrë tepër e njohur, ideatori i nazizmit – Adolf Hitleri, dora vetë. E paimagjinueshme, por nuk u besova as vetë veshëve të mi, kur dëgjova një valë duartrokitjesh nga mesi dhe fundi i sallës. Qoftë ndonjë lajthitje ose shaka e vogël, thashë me vete. Qoftë… Por ja, pas pak në ekran një paradë naziste. Fyhreri i tmerrshëm, i ngrysur e nofullashtrënguar, me dorën e djathtë të shtrirë përpara, përshëndet sipas mënyrës së tij tipike duke elektrizuar turmat SS-e. Dhe jo vetëm ata. Por edhe dhjetëra këtu… në Tiranë! Po, po! Hitleri u duartrokit me entuziazëm këtu në mes të Tiranës, këto ditë tetori të vitit 1991. Edhe vetë gjermanët e pranishëm në atë sallë shqyen sytë nga habia…
U rrëqetha. U lebetita. Si është e mundur? M’u duk se orët kishin ngelur dhe koha ishte kthyer 50 e ca vjet pas…
E, brenda një çasti të vetëm m’u përfytyrua “Main Kampf” i ish-bojaxhiut, Aushvici, Buhenvaldi, Prishtina… Stalingradi, Borova e martirizuar, Peza në flakë… Nënat shamizeza përmbys mbi varret e bijve… 9 Maji… 9 majet… 5 dekadat që kanë kaluar… 2 korriku ’90 e pasgoditjet e tij… M’u shfaqën turmat e mëdha të studentëve e qytetarëve tanë në dhjetorin e kaluar, pastaj në shkurt, në mars e maj të këtij viti tek thërrisnin në kor “Enver-Hitler”… Pastaj Shkodra e 2 prillit, pastaj qytetet tona të sakatuar, njerëzit tanë të terrorizuar, kronika e zezë në TV me të vrarë e të masakruar (Çdo ditë vritet një njeri në Shqipëri), përsëri vjedhjet, djegiet, dhunimet e përdhunimet… e sërish SS-ët!
Kujtoja se ishte harruar. Në mos i harruar, i përbuzur, i urryer, i neveritur, i ndëshkuar nga historia me turpin e përjetshëmdhe me mbishkrimin “KURRË MË!…”Por isha gabuar!
Hitleri u duartrokit në Tiranë! Mos e besoni po deshët, por është fakt. Ai u duartrokit. E kjo do të thotë se ende paska që e adhurojnë, që e duan, që mezi e presin rikthimin e ringjalljen tij (ose sozisë së tij), që menjëherë t’i shkojnë pas e ta lajnë sërish botën në gjak. Dhe këta na qenkan të rinj, fare të rinj, që ëndërrokan kryqin e thyer, në mos e kanë vënë), e këmishat e zeza (në mos i kanë veshur).
Mos e besoni po deshët… Vetëm do t’u rekomandoj të kujtoni një gjerman tjetër, Bertold Brehtin. Duke dalë nga salla në pasditen e 22 tetorit ’91, më ushtonte në vesh si klithmë, si porosi, si paralajmërim, ajo çka thosh ai për hitlerizmin: “BARKU QË E POLLI ENDE NUK ËSHTË SHTERPËZUAR!”
Këtë mos e harroni! Një fantazmë sillet midis nesh…
XHEVDET SHEHU
***
Ky ishte shkrimi. Jo më pak interesante është historia e mëpastajme e atij shkrimi. Ditën e shtunë kur dilte gazeta, ne gazetarët shkonim me pak vonesë në punë. Unë atë ditë u vonova edhe më shumë. Kur vajta në zyrë, shikoj një alarm të përgjithshëm në të gjithë katin. Më thërret kryeredaktori Remzi Lani e më thotë se të kërkon në takim Ramiz Alia. Ka marrë disa herë në telefon Shaban Sinani nga presidenca. Pse nuk shkon ti?, i thashë kryeredaktorit. Jo, jo, të kërkon ty. Nuk e di pse, por ndoshta për atë shkrimin që ke botuar sot. Pas pak, Remziu shtoi: Me që do të takohesh me Presidentin, tregoi për vështirësitë e gazetës. Është shtrenjtuar letra disa herë gjatë këtij viti dhe nuk dimë nga t’ia mbajmë…
U nisa për në Presidencë, që ishte nja 2-3 qind metra më tutje. Shabani sa më pa, më tha të hyja menjëherë në zyrën e Presidentit. Do ta thotë vetë pse të ka thirrur… Hapi përgjysmë derën e Presidentit dhe i tha: Erdhi.
Ramiz Alia ishte në këmbë në mes të zyrës. Buzëqeshi dhe më përqafoi sikur të më njihte prej shumë kohësh, ndonëse po e takoja për herë të parë vetëm për vetëm. Më pyeti se ku doja të bisedonim: te tryeza e madhe në formë T-je, apo te kolltukët. I thashë më mirë këtu, te kolltukët. Dy veta jemi…
Ashtu bëmë. U ulëm pikërisht në ata kolltukë ku ai ishte ulur në një takim me Sali Berishën dhe Neritan Cekën. Ju kujtohet të gjithëve se si dhe pse iku Berisha nga ai takim. Unë po riprodhoj përmbledhtas një pjesë të bisedës që kam bërë atë ditë, sipas shënimeve që mbajta pasi u ndava me Presidentin.
Ramiz Alia hyri menjëherë në temë:
– Doja të takoja për atë shkrimin që ke botuar sot në “Zërin e Rinisë”. Dua të të përgëzoj personalisht. Ai shkrim është një kambanë e fuqishme alarmi për të gjithë shqiptarët. Po ngjallet Hitleri dhe nazizmi! U trondita jashtë mase. Kjo ngjarje paska ndodhur katër ditë më parë dhe mua nuk më kanë thënë gjë. Si është e mundur të duartrokasësh Hitlerin në mes të Tiranës dhe ne të flemë gjumë! E tmerrshme! Dua të di ndonjë gjë më shumë…
Ramiz Alia ishte një tip shumë i komunikueshëm dhe të bënte për vete me atë respekt që tregonte me bashkëbiseduesin. Mua më erdhi mirë për fjalët që më tha për shkrimin dhe mora zemër dhe i thashë:
– Unë bëra detyrën time si gazetar. Përjetova me dhimbje një ngjarje tronditëse dhe e shkrova… Kaq është detyra ime. Ju jeni President, keni Sigurimin e Shtetit, keni Qeverinë, keni policinë dhe ushtrinë… Ata i dinë të gjitha.
Në këtë moment, Ramiz Alia u ngrys dhe pasi u mendua pakëz, në një mirëbesim të plotë dhe tepër të sinqertë, por edhe të çuditshëm për mua një gazetar të ri në moshë në atë kohë, më tha diçka që nuk do ta kisha besuar kurrë po të ma kishin thënë të tjerë dhe që më ka vënë në mendime shumë herë më pas:
– Unë kam çelësat e kashtës, – tha tejet i trishtuar. – Kam mbetur krejt vetëm. Shokët që kam patur deri në udhëheqjen më të lartë, në Byro e në Komitetin Qendror janë futur vrimave si minjtë.
Këtu ai hapi pëllëmbët e duarve, si ata që pijnë ujë në ndonjë burim, i bashkoi të dyja nga ana e gishtave të vegjël dhe u fryu… Ja, kështu janë zhdukur. Si minjtë…
Kishte një trishtim të jashtëzakonshëm në ato që tha, ku lehtësisht kuptohej situata tejet e vështirë që po kalonte.
Pas pak, u ngrit në këmbë.
– Po ta provoj këtë që sapo të thashë…
Vajti te vendi i tij në krye të tavolinës në formë T-je dhe më tha: shiko, shiko… I ra një numri telefoni. Nga ana tjetër u dëgjua një zë gruaje a vajze.
– Jam Ramiz Alia. Dua të bisedoj pak me Kryeministrin, – i tha bashkëbisedueses…
– Po e njoftoj menjëherë Kryeministrin, – tha zëri në anën tjetër të telit dhe e la telefonin të hapur. Pas pak sekondash, zëri matanë u kthye dhe kumtoi: – Kryeministri nuk ka kohë të bisedoj me ju, zoti President!
Dhe e mbylli telefonin.
Ramiz Alia u ul sërish në vendin e mëparshëm.
– E pe?, më tha, sikur të më thoshte: a u binde tani? – Kryeministri ynë socialist, Ylli Bufi, nuk paska kohë të bisedojë me Presidentin e Republikës! Po kë takon e më kë bisedon ai? Prandaj dhe këtu punët shkojnë keq e mos më keq. Dhe do shkojnë edhe më keq. Do ta shohësh. Prandaj të thashë se shkrimi që ke bërë për duartrokitjet për Hitlerin këtu në Tiranë duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë… Fashizmi po ulet këmbëkryq!
Shqetësimin e atyre ditëve të Ramiz Alisë mund ta dëshmojë ish-sekretari i tij Shaban Sinani, i cili më ka treguar edhe hollësi të tjera për këtë ngjarje. Unë tregova pjesërisht pjesën time. Pas disa muajsh Ramiz Alia u burgus, bashkë me gjithë ish-shokët e tij të udhëheqjes komuniste dhe unë do të ndiqja në sallë edhe gjyqin e tij…
***
Kanë rrjedhur shumë ujëra qysh atëherë. Kanë kaluar 32 vjet. Ne kemi parë më pas se si u vodhën votat dhe u masakruan zgjedhjet në vitin 1996, se si u dogj Shqipëria në 1997 dhe vendi ishte në prag të luftës civile. Kemi parë grushtin e shtetit në shtator 1998, Gërdecin dhe vrasjet në bulevard, protestat e dhunshme… Kemi parë të vriten deputetë dhe rivalë politikë, kemi parë korrupsion gjigant dhe krime të përbindshme… Kemi parë se si është denigruar Lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe heronjtë e saj, se si janë dhunuar varrezat e dëshmorëve dhe memorialet e luftës së dytë botërore. Kemi përjetuar përpjekjen këmbëngulëse për të ndaluar gjithë letërsinë dhe artin e krijuar gjatë periudhës së socializmit. Kemi dëgjuar thirrjet për “revolucion paqësor” në vitin 2023… Kemi parë shumë gjëra! Por, a nuk ngjajnë të gjitha këto si dy pika uji me aktet vandaliste dhe antinjerëzore të naziskinëve të Trustit të Lulelakrës të udhëhequr nga kryegangsteri Arturo Ui?
Ah, edhe diçka tjetër: Në shkrimin e vitit 1991 ka një “pasaktësi”: Unë shkrova në atë kohë se çdo ditë vritet një njeri në Shqipëri. Nuk mund të parashikoja në atë kohë se pas më shumë se 30 vjetësh vriten shumë më tepër dhe kryhen aq shumë vepra mizore të padëgjuara. Kam përjetuar eksodin biblik të viteve 1990-91, por nuk mund të imagjinoja se eksodi do të vijonte edhe pas tri dekadash…
Prandaj e titullova këtë shkrim “Hitlerianët e Tiranës” që vazhdojnë të jenë një rrezik i vazhdueshëm për të gjithë ne. Prandaj risolla shkrimin e botuar në vitin 1991 dhe një pjesë bisede me Ramiz Alinë në zyrën e tij…