Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
Loni Çuko
Rifat Poga
Dje u nga nga jeta papritur në moshën 70-vjeçare, Astrit Avdulaj, një specialist i shquar i ekonomisë politike. Ishte e dhimbshme ikja e tij. Për shumë arsye. Ne që po shkruajmë këtë nekrologji për mikun tonë të paharruar kemi shumë arsye.
Me origjinë nga Hekali i Mallakastrës, bir i dy prindërve partizanë të devotshëm antifashistë, ai lindi në Kukës, u rrit dhe u edukua në Fier dhe në Tiranë, ai u bë një nga aktivitistët më të shquar të rinisë shqiptare në vitet ’70-’89. Për aftësitë e tij të spikatura punoi edhe në Komitetin Qendror të Partisë. Pas vitit 1990, si të gjithë specialistët e regjimit të kaluar, vuajti mënjanimin, papunësinë dhe diskriminimin politik. Por të gjitha këto nuk ia ndryshuan bindjet. Madje e bënë më të motivuar për të kundërshtuar metodat neofashiste që u rishfaqën haptaz pas vitit 1990. Zhvillimet politike dhe zgjedhjet që zhvilloheshin pas përmbysjes së regjimit komunist i ndiqte me shumë emocion. Ai kishte një formim dhe një intuitë të spikatur, të trashëguar nga prindëritë dhe familja e tij për të interpretuar me kompetencë edhe strategjitë globale dhe për të ardhmen që i ishte përcaktuar Shqipërisë në bazë të këtyre strategjive të përcaktuara në kancelaritë më të mëdha evropiane dhe botërore…
Në këtë mënyrë po priste të hidhte edhe votën më 14 maj…
Por…
Biografia e Astritit shtrihet në dy sisteme të ndryshme, por, si një specialist i formuar Astriti nuk i ndryshoi asnjëherë bindjet në teoritë e Karl Marksit. Por Astriti ishte i hapur dhe mendimet e tij i shfaqte publikisht, edhe në shtyp. Astriti thoshte:
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga diplomati i shquar Ismail Qemali ishte shumë e rëndësishme për krijimin e një shteti shqiptar. Ky akt i kryer në kushtet kur, si rezultat i Luftërave Ballkanike gati i gjithë territori ishte i pushtuar nga ushtritë e fqinjëve veriorë dhe jugorë, nuk mund të realizohej pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Austro-Hungareze dhe ndikimin pozitiv të Italisë, e cila kishte interesat e veta.
Mbas tetë muajsh më 29 Korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër caktoi kufijtë e Shqipërise, duke lënë jashtë trojeve etnike rreth 60% të territorit dhe dy të tretat e shqiptarëve. Gjithashtu Shqipëria do të ishte për dhjetë vjet nën mbikëqyrjen e fuqive të mëdha nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).
Më tej Astriti argumentonte:
Duke filluar nga Lufta e Parë Botërore, zbulimi i vendburimeve të naftës në shumë pjesë të tjera të botës pati një ndikim të madh në ekonomi dhe në politikë. Sigurimi i burimeve energjitike, sidomos të hidrokarbureve, ka përcaktuar gjeopolitikën, ndërtimin e strategjive afatgjata të fuqive të mëdha, si dhe ka qënë shkaku kryesor i rivaliteteve, konflikteve dhe luftrave në planetin tonë. Garantimi i burimeve të naftës mori prioritet absolut mbi çdo interes tjetër të fuqive kryesore të Antantës, që dolën fitimtarë të Luftës së Parë Botërore.
Nafta në Mesopotaminë e Vjetër dhe në Shqipëri, “Mesopotaminë e Re” të Ballkanit ishin decizive.
Rreth vitit 1914, gjeologët e ushtrisë italiane , e cila ishte vendosur në ishullin e Sazanit, vunë re në det shënja nafte dhe duke i gjurmuar ato zbuluan se vinin nga Lumi i Shushicës, i cili kalon në Drashovicë të Vlorës. Shumë të interesuar ata zhvilluan studime të gjithanëshme dhe projektuan shpimin e një pusi nafte.
Me fillimin e 6 mujorit të dytë të vitit 1917 nën drejtimin e kapitenit Plate të Marinës Italiane, të gjeologut Madalena dhe të teknikut të naftës inxh.Amoretti; në luginën e Shushicës afër fshatit Drashovicë filloi puna për shpimin e një pusi për nxjerrjen e naftës. Aty u morën shënja të naftës në thellesinë 71,4m , 81m , 119m dhe 125m dhe në thellësinë 101m u eksperimentua niveli produktiv i pusit, nga i cili u nxorrën fillimisht 3,500 litra në ditë. Ky ishte shpimi i pusit të parë të kryer në territorin shqiptar, me anë të të cilit u konfirmua ekzistenca e naftës në Shqipëri. Për më tepër rezultoi të ishte një naftë cilësore e lehtë me densitet 0,78-0,94 gr/cm kub.
Ekipi i shpimit, i entuziazmuar me rezultatet e marra, e vazhdoi punën deri në mesin vitit 1918 duke e çuar pusin deri në thellësinë 200m. Në këtë fazë për efekt të ruajtjes së sekretit u vendos të ndërpritet puna dhe vetëm në vitin 1924 të dhënat e marra nga pusi i shpuar në Drashovicë u bënë publike nga gjeologu Madalena.
Astriti kishte bindjen e palëkundur se zbulimi i vendburimeve të naftës ka patur një rëndësi vendimtare për fatet e ardhshme të Shqipërisë. Ai argumentonet:
Gjatë luftës, nisur nga rëndësia e jashtëzakonshme e naftës, shërbimet inteligjente të shteteve dhe të kompanive të mëdha, kishin përparësi çdo informacion që lidhej me mundësitë e kërkimit dhe zbulimit të vëndburimeve të reja të naftës. Megjithë synimet e italianëve për të mbajtur sekret të dhënat e pusit të shpuar në Drashovicë, qarqe të interesuara, si anglezët dhe amerikanët, i morën informacionet e duhura dhe filluan ta shohin Shqipërinë si një vend me interes të madh dhe të bëjnë projekte për të siguruar përfitimet e veta. Më lart treguam se amerikanët prodhonin 70% të naftës. Anglezët kishin zbuluar dhe shfrytëzonin naftë në Iran që në vitin 1909 kur u krijua Shoqëria Anglo Persiane e Naftës (APOC). Në vitin 1914 vetë Qeveria Britanike mori kontrollin e kësaj kompanie. Ata synonin gjithashtu të kontrollonin edhe burimet e pritshme të naftës së Mesopotamisë (Irakut).
Të dhënat e pusit të Drashovicës; si përsa i përket thellësisë në 101 m, cilësisë së lëngut dhe afërsisë me tregjet kryesore të Europës e bënin atë shumë fitimprurës dhe nëse do të kishte edhe sasira te konsiderueshme, atëherë ky vendburim bëhej nga më konkurruesit, prandaj në qarqe të caktuara për Shqipërinë flitej si “Mesopotamia e re “ e Ballkanit.
Në këto kushte anglo-saksonët vendosën që këto vendburime të pritshme të naftës t’i kontrollonin vetë. Për këtë duhej ndryshuar projekti në fuqi për Shqipërinë, që lidhej me zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, që do të çonte në copëtimin e saj. Një projekt i ri ishte hartuar nga aleatët anglo-saksonë dhe duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 1919, po punohej me angazhim maksimal për zbatimin e tij. Synimi i këtij projekti ishte që Shqipëria të ishte një shtet me pavarësi të plotë në kufijtë e vendosur në 29 Korrik 1913 në Londër të rikonfirmuar nga ndërkombëtarët, në mënyrë që ajo të kishte sovranitet të plotë qeverisje mbi territorin dhe pasuritë e veta kombëtare.
Nga sot, Astritin nuk do ta kemi midis nesh. Po ai pati një mendime dhe sida ide racionale të cilat nuk mundi t’i ezauronte deri në fund. Urojmë dhe shpresojmë t’i ketë lenë këto ide në dorëshkrime që t’u shërbejnë studiuesve bashkëkohorë dhe të ardhshëm.
U prehsh në paqe Astrit!