Në një ceremoni shumë të bukur organizuar në mjediset e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, Këshilli Bashkiak i atij qyteti u akordoi intelektualëve të njohur, anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, Prof. Fatos Tarifa dhe Prof. Arben Baboçi, titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës. Më poshtë botojmë pjesë nga fjala e Prof. Fatos Tarifës në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
—–
Nga Fatos Tarifa
Mirëdita të nderuar miq, kolegë, bashkëqytetarë të Gjirokastrës!
Nga fjalët që do të them, ju, ndoshta, do të kuptoni emocionin me të cilin i kam shkruar ato dhe me të cilin qëndroj sot këtu, para jush.
Në vitet 2002, 2003 dhe 2004, kryetarët e bashkive të qyteteve New Orleans (Louisiana), Aberdeen (North Carolina) dhe Key West (Florida) në Shtetet e Bashkuara patën mirësinë të më nderonin secili, veçmas, me titullin “Honorary Citizen” i qytetit të tyre.
Diplomat e këtyre titujve janë vërtet të bukura dhe ngjajnë mirë në korniza në muret e zyrës, por e vërteta është se, për mua, asnjëherë, asnjëra prej tyre nuk ka pasur e nuk ka ndonjë vlerë meritore të veçantë.
Arsyeja është e thjeshtë. Duke më dhënë titullin e Qytetarit të Nderit, kryebashkiakët e këtyre qyteteve amerikanë kanë nderuar titullarin e misionit diplomatik që unë drejtoja në Washington, ambasadorin e një vendi mik të Shteteve të Bashkuara, siç isha unë në ato vite, jo personin tim, pra jo meritat dhe arritjet e mia akademike ose diplomatike si individ.
Me fjalë të tjera, me titullin “Qytetar Nderi” në New Orleans, në Aberden dhe në Key West u nderua ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, i cili, në ato vite, qëlloi të isha unë. Nderi që më bën sot Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës duke më dhënë këtë titull, pasi rreth një vit më parë, në 95-vjetorin e ditëlindjes së tij, i dha titullin “Qytetar Nderi” të ndjerit babait tim, Sevo Tarifa, është shumë më i madh, më kuptimplotë dhe shumë më i vlerësuar nga unë se sa të gjithë ata tituj me të cilët jam nderuar deri më sot brenda apo jashtë vendit.
Arsyeja përsëri është e thjeshtë: Këtë nder ma bëjnë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të qytetit tim, Gjirokastrës. Unë nuk kam lindur në Gjirokastër, por unë ndihem një gjirokastrit 24 karat. Gjirokastra është kurdoherë e pranishme në kujtimet e mia, në eksperiencat e mia, në mendimet e mia, në imagjinatën time, në dëshirat e mia, në ëndrrat e mia, në planet e mia, në genet e mia.
Gjirokastra është kurdoherë e pranishme tek unë në dialektin që flas, në mënyrën se si mendoj, në anekdotat që them e dëgjoj. (Po ndaj me ju një “sekret”: në planet e mia krijuese të afërta është edhe një studim sociologjik, të cilin e titulloj: Humori si ekologji sociale e gjirokastritëve: Pse kaq shumë anekdota për gjirokastritët dhe pse argëtohemi kur i dëgjojmë dhe i themi ato).
Por Gjirokastra është kurdoherë e pranishme tek unë edhe në rrethin e shokëve e të miqve të mi, me të cilët rri; edhe në ushqimin që kam marë për dekada të tëra, gatuar nga gjyshja dhe nëna ime gjirokastrite, e para nga Vashot e Palortosë, e dyta nga Taçët e Varoshit.
Unë jam gjenetikisht, kulturalisht dhe shpirtërisht gjirokastrit. Këto arsye më bëjnë të ndihem i detyruar dhe borxhli ndaj kujtdo që, duke i njohur e çmuar disa nga arritjet e mia në fushën e akademisë e të diplomacisë, propozoi të më nderonin në këtë mënyrë. Më shumë akoma ndihem i detyruar dhe borxhli ndaj Këshillit Bashkiak të këtij qyteti të jashtëzakonshëm, që e dua mbi çdo qytet tjetër në botë.
Një ndër sociologët komperativistë më të shquar të shekullit të 20-të, Seymour Martin Lipset, thoshte se “ata njerëz që njohin vetëm një vend, nuk njohin asnjë vend”. Unë kam jetuar për një kohë të gjatë ose i kam vizituar thuajse të gjithë ata qytete që i quajmë “qytete globalë” (global cities), si dhe qindra qytete të tjerë në të katër anët e globit nga Honolulu, Vancouver e Panama City, në Tokio, në Hong Kong e në Singapore dhe nga Reykjavik në Tarifa të Spanjës, në Doha e në Marrakech.
Kur flas për Gjirokastrën, pra, unë e di përse flas. Shumë prej qyteteve që përmenda më sipër janë të hatashëm, marramendës, ndonjë edhe magjepsës nga relievi dhe bukuria e tyre, por asnjë prej tyre nuk ka pasur e nuk ka për mua sharmin dhe magjinë e Gjirokastrës.
Të thuash se ky qytet është unik, eksepsional, nuk ke thënë shumë. Shumë qytete në botë janë unikë. Por të thuash se ky qytet është magjik, do të thotë ta veçosh atë dhe ta vësh mbi gjithë të tjerët, t’i njohësh atij disa tipare e veçori që nuk i ka asnjë qytet tjetër në botë, tipare e veçori që të tërheqin (mua po se po) si me magji drejt tij, drejt kalasë madhështore, në sokaqet e ngushtë që aq mjeshtërisht i ka përshkruar Kadareja dhe drejt Qafës së Pazarit, zemrës metafizike të këtij qyteti.
Në një prej librave të mi, Fjalor i paradokseve, kam shkruar për Gjirokastrën se, “nëse ky qytet nuk do të ekzistonte realisht, mendja njerëzore nuk do të mund ta përfytyronte dot”.
Ndër vite, duke nisur nga fillimi i viteve 1980, kam sjellë në Gjirokastër dhe i kam shoqëruar në këtë qytet dhjetra gazetarë, filozofë, sociologë, arkeologë, politikanë të huaj, nga vende të afërta e të largëta, nga Suedia e Hollanda, por edhe nga Kanadaja, nga Amerika e nga Japonia. Disa prej tyre kishin lexuar paraprakisht diçka për Gjirokastrën.
Kishin kuriozitet për të. Mund të kishin parë edhe fotografi të saj. Por askush prej tyre nuk e kish ditur dhe s’kish mundur dot ta imagjinonte se çfarë e priste kur të vinte këmbë në këtë qytet. Për ta, në vizitën e tyre të parë, Gjirokastra ka qenë jo thjesht një surprizë, jo thjesht befasuese. Gjirokastra ka qenë dhe mbetet një magjepsje për këdo që e zbulon.
Dhe Gjirokastra nuk është nga ata qytete që zbulohen vetëm një herë. Ky qytet zbulohet çdo herë që e viziton. Gjirokastra zbulohet çdo ditë dhe, përsëri, edhe për ata që e njohin mirë, edhe për vetë banorët e saj, Gjirokastra gjithnjë fsheh diçka, gjithnjë ruan diçka të pazbuluar një mister që gjithnjë mbetet për t’u zbuluar.
Ky mister ndoshta ka të bëjë me gjenezën e këtij qyteti dhe me legjendat e mitet që thuhen për të, të cilat e mbajnë atë gjithnjë fshehur pas një mjegulle misterioze që provokon hamëndje, kureshtje dhe habi sa herë dëgjojmë ose mësojmë diçka të re për të. Thjesht, Gjirokastra është një çudi njerëzore, po aq sa është edhe një qytet mahnitës për vendodhjen gjeografike dhe për tiparet e saj fizike e urbanistike me një fjalë, për çdo element të pejzazhit të vet human e natyror.
Një çift i ri nga Brazili, shokë të djalit tim, që vizituan Shqipërinë verën që shkoi, më thanë se donin të vizitonin edhe Gjirokastrën, ditën që do të ktheheshin nga Saranda në Tiranë. Do të qëndronin për drekë në Gjirokastër. U thashë se në Gjirokastër do bënin mirë të qëndronin të paktën një natë. Sepse magjia e vërtetë e Gjirokastrës janë mbrëmja dhe nata. Dhe zgjimi në mëngjes, kur mbi Malin e Gjerë bie drita e parë e ditës kur dielli ende s’është shfaqur nga pas malit të Lunxhërisë.
Unë nuk vij kurrë në Gjirokastër për t’u kthyer në Tiranë, apo për të vazhduar më tej rrugën për në Sarandë apo Janinë brenda ditës. Një ditë në Gjirokastër, pa mbrëmjen dhe natën e saj, nuk ta jep as të plotë, as të vërtetë kënaqësinë relaksuese të këtij qyteti dhe as të mundëson ta shijosh siç duhet magjinë e tij.
Ashtu si dhe për mikun dhe kolegun tim të çmuar, Prof. Arben Baboçin, të cilin, ashtu si mua, Gjirokastra e nderon sot si qytetarin e saj, kjo ditë është për ne një ditë e shënuar dhe shumë e gëzuar. Rasti e solli që kjo ceremoni të zhvillohet në një ditë kur kremtohet 100 vjetori i krijimit të gjimnazit “Asim Zeneli” për këtë qytet dhe për mbarë Shqipërinë një shkollë dhe një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme.
Por, për mua, me rëndësi është edhe fakti që kjo ceremoni zhvillohet në premisat e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, i cili, disa kohë më parë, gjithashtu më ka nderuar duke më dhënë titullin “Doctor Honoris Causa”.
Kjo më bën që sot, por edhe çdo herë që vij në Gjirokastër, edhe pse në këtë qytet nuk jeton më askush nga familja ime dhe asnjë prej të afërmve të mi, të ndihem, në kuptimin më real të fjalës, si në shtëpinë time. Nga sot e tutje jo vetëm për shkak se ndihem pjesë e stafit akademik të këtij universiteti, por edhe si një “qytetar nderi” i këtij qyteti kaq shumë të dashur për mua, me të gjitha detyrimet që kushtëzon ky titull dhe pa asnjë të drejtë apo privilegj të veçantë.
I shpreh mirënjohje time të thellë Këshillit Bashkiak të qytetit Gjirokastër, kryetares së atij këshilli znj. Merita Isaraj, dhe, veçanërisht, kryetarit të palodhur e të dalluar të Bashkisë, z. Flamur Golemi! Mirënjohje gjithashtu kolektivit të Universitetit “Eqrem Çabej”, në mënyrë të veçantë Rektorit të tij, kolegut dhe mikut tim të nderuar, Prof. Bektash Mema!
Urimet më të mira mësuesve dhe nxënësve të gjimnazit “Asim Zeneli”, këtyre që janë sot dhe atyre mijëra të tjerëve që kanë qenë!
Falenderoj këdo që na ka nderuar me pjesëmarrjen e vet sot për këtë rast. Mirënjohje dhe dashuri pa fund për Gjirokastrën tonë!