Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Shqipërinë e vogëluat, e bëtë siç deshët vetë
Figura dhe vepra e Gjeneral Enriko Telinit është vendosur në shumë enciklopedi të botës, si dhe është ruajtur në memorjen historike të popullit shqiptar. Ai ishte Kryetari i Komisionit të caktimit të kufijve shqiptarë dhe hierarku i huaj, jo vetëm me gradën më të lartë, por edhe me një kontribut të jashtëzakonshëm, që e pagoi me gjakun e vet ndershmërinë dhe përkushtimin për ndjenjën e detyrës. Caktimi i kufijve të Shqipërisë u bë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 22 mars 1913 u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë dhe në qershor-gusht 1913 u morën vendimet për kufijtë jugorë. “Europa, mrrutë e ndytë/Shkërdhye me Evrej t‘Parisit e t‘Londonit/E bani gjyq, që nipat e Kastriotit/Shkjeve t‘Ballkanit urë t‘u rrinë mbas sotit” do të shkruante i madhërishmi At Gjergj Fishta. Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare, njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Gjatë punës në terren komisionet, sidomos ai i jugut, hasi në vështirsi të mëdha deri në paralizimin e punës. Për këtë ju propozua Fuqive të Mëdha një vijë e re kufiri, e cila u vendos në Firence, ku Komisioni hartoi më 17 dhjetor 1913, protokollin mbi kufijtë jugorë e juglindorë të Shqipërisë, të cilët, me disa ndryshime të vogla, janë po ato që ekzistojnë edhe sot. Populli akuzoi “Shqipërinë e vogëluat/e bëtë siç deshët vetë”. Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Europës, që do të sillte ndeshje, gjak, mërira, dhunë dhe lot deri në fillimin e shek. XXI. Shqiptarët, të drobitur nga luftërat dhe të tradhëtuar, vendosën t’i zgjidhin vetë problemet, duke vënë para faktit të kryer Fuqitë e Mëdha. Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjes etj., sollën pranimin e Shqipërisë më 17 dhjetor 1920 në Lidhjen e Kombeve.
Në këto kushte më në fund, Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 9 nëntor 1921 vendosi që kufijtë shqiptaro-grek të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences, kurse për kufijtë verilindore bëri përsëri ndryshime në favor të Jugosllavisë. Për caktimin e këtyre kufijve konkretisht në vend, u la të formohej një komision, me përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, i cili u krijua më 8 janar 1922. Në të të merrnin pjesë përfaqësuesi i Italisë gjeneral Enriko Telini, i Anglisë kolonel Gilles, i Francës kolonel Ordion dhe kapiten De Limperani që ishte sekretar i përgjithshëm i komisionit. Japonia nuk dërgoi delegatin e saj. Kryetar i komisionit u caktua gjeneral Enriko Telini.
Kush ishte Enriko Telini?
Enriko Telini ka lindur më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës, krahinë buzë detit në lindje të Gjirit të Xhenovës, në Italinë e Veriut. Mbaroi njërën pas tjetrës, prej më të ultës e deri tek më e larta, shkollat ushtarake si dhe akademi e kurse të posaçme shtabmadhorie. Ai u bë ekspert i përkryer artilerie, sidomos i asaj detare dhe diplomat i dalluar.
Nëntoger në vitin 1890 dhe gjeneral madhor (Gjeneral Brigade) në vitin 1918. Kur ishte me gradë major, në vitin 1914 dërgohet atashe ushtarak pranë ambasadës italiane në Vjenë, kryeqytet i Austro-Hungarisë. Ai kishte marrë pjesë në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore. Në vitin 1915 drejtoi sërish në komanda njësish të ndryshme ushtarake, kryesisht komandues artilerie, por edhe në Shtabmadhorinë e Përgjithshme dhe në Komandën Eprore. Ishte shembullor në zbatimin e detyrave, u nderua me medalje dhe urdhra të lartë. Ishte i njohur në fushën ushtarake, diplomatike e sidomos shquhej për veçoritë dhe cilësitë e larta njerëzore. Në vitin 1921 Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi kryetar të Komisionit Ndërkombëtar për caktimin në vend të vijës së kufirit ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij grek.
Telini në Shqipëri
Gjeneral Telini i përkushtuar si gjithnjë për përmbushjen sa më pëlqyeshëm të detyrave të besuara nga organet shtetërore dhe ndërshtetërore, për më tepër njohës i mirë i çështjeve ballkanike, në nëntor 1922 erdhi në Shqipëri. Ishte plotësisht i vendosur dhe i gatshëm për zbatimin e detyrës së ngarkuar ndërkombëtarisht. Mirëpo përfaqësitë e shteteve kufitare, kryesisht ajo greke, synonin ta shtynin sa më gjatë përcaktimin e kufirit. Kjo vihej në dukje dhe në fletoren londineze “Near East”. Me pengesat e ngritur e shtyu fillimin e punës, aq sa keqësimi i motit në të hyrë të dimrit e bëri të pamundshëm vazhdimin e saj. Gjeneral Telini vendosi që puna të rifillohej në fillim të verës së vitit të ardhshëm. Në përshtatje me atë vendim, në fund të prillit 1923, së bashku me grupin e vet mbëriti në Korçë. Aty kishin mbëritur dhe përfaqësitë qeveritare angleze, franceze, greke, serbe e shqiptare.
Gjeneral Telini, duke pasur të drejtën e vetëvendosjes, për 12 fshatrat devolli, përkohësisht të shpallura asnjanëse, po që në të vërtetë mbaheshin ende nën sundimin grek, i la brenda shtetit shqiptar. Të ashpra u bënë bisedimet me palë greke gjatë ngritjes së piramidave në kurrizin e Gramozit dhe majat e Çukapecit, Belit, Leshit, Kamenikut e Vashës. Përfaqësuesi grek ngulmonte që kufiri të kalohej në pika të cilat në të ardhmen e pritur t’u mundësonin pushtetarëve grekë të zotëronin dhe në anën shqiptare. Kurse gjeneral Telini kufirin e kaloi nëpër pika të tilla nga s’i lejonte epërsi asnjërës palë. Marrëzia e Taq Boçarit arriti kulmin kur gjeneral Telini urdhëroi ngritjen e piramidave në lindje të fshatit Radat, ku ngritja e piramidave atje, linte brenda shtetit shqiptar burimet e ujërave të nxehta. Mirëpo gjeneral Telini, besnik i paepur i së drejtës, i qëndroi deri në fund, nuk lëshoi asnjë centimetër, por e detyroi prishësin t’i ringrinte ku ishin, ku dhe duhej të ishin. Shpërthimet e Boçarit ndaj gjeneral Telinit vazhduan pa ndërprerje dhe nëpër Nemërçkë e Bureto, po prishja përfundimtare ndodhi në Rrëzë të Zezë.
Gjeneral Telini e la fshatin Radat brenda shtetit shqiptar dhe, duke e shtrirë drejt lindjes, e përplasi në kodrën e Kakavijës. U duk çiltazi se ai synonte ta shtrinte vijën kufitare nëpër bishtat lumore duke e zbritur atë në rrjedhën e Kalamait dhe nëpër rrjedhën e tij ta nxirrte në ngushticën detare të ashtuquajtur “e Korfuzit”. Me këtë vijë kufitare, veçse ngushtica detare bëhej “me shok”, por dhe tërë masivi malor ndërmjet Dropullit dhe rrjedhës së Kalamait mbetej brenda shtetit shqiptar. Ky masiv malor vinte nën vëzhgim të plotë jo vetëm ujdhezat jonike, por dhe Janinën me krejt pellgun e saj, madje deri në Gjirin e Prevezës. Për të mos mbetur këto vende në mëshirën e zotëruesit të masivit malor në fjalë, qeveria greke ishte e detyruar t’i kthente shtetit shqiptar dhe ultësirën çame ndërmjet rrjedhës së Kalamait dhe Gjirit të Prevezës. Mirëpo pushtetarët grekë në vend që të zgjidhnin udhën e arsyes, zgjodhën të kundërtën, duke rrëzuar kështu dhe atë lloj zgjidhjeje të parashtruar nga përfaqësuesi i tyre, Xhavella gjatë Luftës Ballkanike. Kërcënimet greke për ta detyruar gjeneral Telinin të hiqte dorë nga vendimet e tij të drejta nga e trembën, por vazhdoi në rrugën e së drejtës.
Si ra dëshmor gjenerali për tokat shqiptare
Për shkaqe që s’u bënë të njohura, gjeneral Telini urdhëroi që punën më 27 gusht 1923 ta vazhdonte prej vendit që mendonte të lihej përtej kufirit. Kështu, pasi e kaloi natën në Janinë, në mëngjesin e datës 27 gusht kolona e makinave që mbartnin anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar arriti në Delvinaq. Për habinë e gjithkujt, atje makina e përfaqësisë greke “u prish”. Kolona e vazhdoi udhëtimin, duke dalë në krye, përfaqësuesi shqiptar, pas së cilës vijonte vetura e gjeneral Telinit dhe e shoqëruesve të vet. Ndërkaq në njërën prej bërrylave të mprehtë në pllajën e quajtur Zhepë, 8 km përtej Kakavijës të 7 gjakësorët e “veshur ushtarakisht, po pa shenja në kapelë” kishin ngritur pritën e kobshme. Me të kaluar makina me përfaqësinë shqiptare, ushtarët grekë që “po prisnin dru” nëpër pllajë zunë udhën me trungje lisi. Kur arriti makina e gjeneral Telinit, shoferi, Farneti, ndali makinën dhe tok me përkthyesin, Thanas Gjezirin (Kravarin) nga Leskoviku, zunë të hiqnin pengesën. Po, këta të dy dhe ata të brenda makinës u goditën nga breshëri të dendura plumba pushkësh. Madhori mjek, Luixhi Korti dhe togeri Marjo Bonaçini u vranë në dalje e sipër nga makina, kurse gjeneral Telini arriti të delte dhe me revolver në dorë, të vetmen armë që ndodhej në makinën e tij, vrapoi drejt lindjes nga pritej të arrinte makina e nënkolonel Taq Boçarit me shokë. Gjeneral Telini arriti të mbetej i gjallë deri 150 m. Përtej pritës, po një breshëri vijuese plumbash ia shkurtoi jetën në 52 vite, vetëm një ditë pas asaj të lindjes. Kur shkoi delegacioni shqiptar në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetëm disa gjurmë gjaku. Enriko Telini u vra në krye të detyrës më 27 gusht 1923 nga një çetë cubash në shërbim të drejtpërdrejtë të qeverisë greke, për më tepër edhe në prani të një njësie ushtarake greke.
Mirënjohja shqiptare
Kjo vrasje shkaktoi një zi të përgjithshme në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar i konsideroi viktimat “theror për të drejtat ndërkombëtare”. Parlamenti shqiptar, në shenjë zie, ndërpreu punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare u dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare.
Në Korçë, në Kishën e Shën Gjergjit, u bë një përshpirtje për gjeneralin e shokët e tij, ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të qytetit. Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit, kur do të përkujtonte me festime 3-vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqë hidhërimin e tij për vrasjen çnjerëzore me anë manifestimesh. Manifestuesit, që arrinin në 3-4 mijë veta, u drejtuan në konsullatën italiane, ku i shprehën ngushëllimet konsullit italian. Që andej vajtën në kishën katolike, ku u bë një përshpirtje. Në Tiranë, në kishën katolike, në atë ortodokse dhe në xhami, u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit italian. Agjensia ”Stefani” shfaqi zyrtarisht mirënjohjen e Italisë për sjelljen fisnike të popullit shqiptar.
Gazeta e Korçës, më 1 shtator 1923, e vlerëson kështu Gjeneral Telinin: “Emëri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e rilindjes tonë kombëtare, emërin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson, do ta përmendë me një nderim të math, për shërbimet q‘i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”. Gazeta “Vatra Shqiptare” do të shkruante: “Gjeneral Telini, për ne, përfaqëson njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona. Të dy këto ide i ngjajnë fort njëra-tjetrës. Ideja e dytë ndjek pas idenë e parë si hija e saj. Shqiptari që e ka të thellë kuptimin e drejtësisë e të miqësisë, është e pamundur të mos ishte frymëzuar me një mirënjohje të thellë për gjeneralin italian”.
Vlerësime
Për vlerësim dhe nderim të veprës së Gjeneral Enriko Telini, më 1930 në qendër të Tiranës qeveria shqiptare e emëroi një rrugë të re “Rruga gjeneral Enriko Telini”.
Për të nderuar dhe përjetësuar kujtimin e gjeneral Telinit, pas disa vitesh nga vrasja u vendos në një nga sheshet qendrore të Tiranës shtatorja e tij, te sheshi ku sot është Akademia e Shkencave, vepër e Odhise Paskalit. Sipas kritikës së kohës, në këtë monument, “Odhise Paskali, shqiptar me ndjenja të larta, e ka pas të thellë me doemos këtë ndjenjë mirënjohjeje dhe si artist i hollë ka ditur ta shprehë fare mirë këtë ndjenjë, njëkohësisht vetjake dhe kombëtare, ka ditur të bëhet interpreti i mbaruar i mirënjohjes që ka në zemër shqiptari për gjeneral Telinin. Në punimin e veprës, Paskali është pushtuar prej një sentimentalizmi të gjallë dhe ka dëshiruar e menduar që ta shfaqë ndjenjën e tij duke simbolizuar e konceptuar gjeneral Telinin, këtë dëshmor, ashtu siç ka qenë në realitet: një simbol për neve. gjeneral Telini i ngjan tepër një gjenerali të Romës së vjetër. U krye më së fundi kjo detyrë. Dhe u krye lumtërisht në një mënyrë që na nderon, pse monumenti është i denjë për heroin, të cilit do t‘i përjetësojë kujtimin”.
Kështu u vlerësua vepra e pakrahasueshme e shqiptarmbrojtësit të huaj, e atij që për Shqipërinë u përpoq me aq përkushtim, sa s’kurseu as jetën e vet. Vlera e veprës së gjeneral Telini mbeti dhe vazhdon të ruhet përjetësisht në zemrat e çdo atdhetari shqiptar. Historia është histori, e vërteta e vërtetë, detyra e jonë është ta dëshmojmë ndershmërisht, ta vlerësojmë e përkujtojmë siç ka ndodhur. Megjithatë, gjëja që na ngushëllon dhe na jep shpresë është thënia popullore: “Më mirë vonë se sa kurrë”. Kontributi i gjeneral Telinit, në atë periudhë, vjen pas atij të Presidentit Uillson, që siç thotë Noli: “… jo vetëm nuk vuri firmën, por u përgjegj dhe me dy nota, që janë dy nga xhevahiret më të ndritshme të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë që gëzojmë sot”… Ishte gjeneral Telini që dha një kontribut unikal në këtë çështje historike, prandaj jo vetëm duhet të përkujtohet, por edhe të nderohet siç i takon.
Autori italian Andrea Giannasi ka shkruar librin “Vrasja Telini”, gjendet në shqip, i përkthyer nga Kol. Guri Pashaj. Ushtaraku i lartë italian u vra gati 99 vjet më parë në krye të detyrës për zbatimin e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Një ditë para vrasjes, gjeneral Telini shprehej se “… vendimet e komisionit janë të paanshme” dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”… Për figurën dhe veprën e Gjeneral Telinit është shkruar në shumë enciklopedi të botës, është ruajtur në memorien historike të popullit shqiptar. Është propozuar nga Shoqata e Historianëve Ushtarak të Shqipërisë për t’u shpallur “Dëshmor i Atdheut” që në vitin 2019.
Po hiqet Shtatorja e gjeneral Telinit,qe u vra per NE?
Ngrijeni prape,ashtu sic ishte,Aty ku ishte.
Po te ishte ndonje KAPADAI MBURRAVEC,por dhjaks e delenxhi,tip Esad pasha dhe Edvin Rama,kufiri Jugut do fillonte ne Tepelene.
Po gjeneral Telini ishte Trim mbi Trimat,I qendroi presioneve te shqiptarevve te grekezuar suljote Taq Bocari e Foto Xhavella dhe bandave te tyre,derisa dha jeten per Shqiprine.Asnje shqiptar nuk ju be krah per ta mbrojtur ne Misjonin e tij me KOKE NE TORBE.se shqiptaret dhjesin gjak nga grekerit.
Keshtu uf e guf si gjel deti bejne sa te duash,por ne fushe te betejes per jete a vdekje dhjesin gjak.
Ashtu si lane huliganet greke te poshterojne popullin shqiptar ne varrimin e nje psikopati dropullit qe e kish lene gjineka ne Greqi,dhe shkrepi armen ne Shqipri.
Aty eshte Fredi Bejleri,qe vrau tre oficere shqiptare ne Peshkepi,kapardiset ne mes te dites ne Sarande e ne Tirane.
SHQIPTARET E VERTETE KANE QENE JANE DHE DO TE JENE SHKEMBINJ GRANITI TE GADISHULLIT.
sundimtaret e sotem te dhjerokracise (per interesin e pusht-etin e vet) e shesin vete ATDHEUN.
veglat shqiptare te grekezuar e te sllavizuar s’do te jete e larget dita qe do t’i mbuloje turpi.
Monumentin e të cilit, enver sërbi e hoqi nga Tirana për të vendosur monumentin e vrasjes me pagesë avni rustemi
Fashisti Telini mori pjese ne pushtimin e Tur-qise “Se Lashte” nga Italia Fashiste dhe jo ne “Luften” Italo-Turke.
Keta armiq te Helenizmit dhe te Kombit Greko-Ilyre donin nje Pashallek turk se sa nje Komb me te xrejtat e tyre qe nga koha e Majmunit qe me vone do ta kishin Protectoratin e tyre sic e kane sot.
Armiqte e Pirros dhe te Magna Grecias te ishin Arbiter te te Drejtes Nderkombetare nga keta Imperialiste?
Keta e ndane Epirin e Pirros ne te ate te Erdoganit d.m.th te Jugut (Jugo-sllavisht) dhe ate te Veriut (Vora-Greqisht).
Eshte si te varesh melcite e deles ne qafe te Ujkut.
Odhisea Paskalis “Arnaute”?