Përtej një biografie të shkurtuar për një mjek të rrallë dhe një histori me Ramiz Alinë…
Xhevdet Shehu
Dje u nda nga jeta një mjek i shquar, një personalitet me vlera të spikatura jo vetëm në fushën e mjekësisë ku ai shkëlqeu për shumë vite, humanisti i madh Ahmet Kamberi. Pata fatin ta kisha edhe mik vitet e fundit, me të cilin takohesha, shkëmbeja mendime dhe mesazhe herë pas here dhe ndjeja kënaqësi nga ky komunikim. Kur u nda nga jeta Dr. Isuf Kalo në fillim të këtij viti, kryeredaktori Adrian Thano më kërkoi të gjeja një personalitet të shquar që të shkruante për Doktor Isufin. Po ku ka më të mirë se Ahmet Kamberi, thashë, të dy kolegë, mjekë të njohur që kishin punuar në stafin e mjekëve më të mirë të Shqipërisë për mbi 10 vjet pranë Enver Hoxhës. Dhe ashtu bëmë. Kur i telefonova Dr. Ahmetit dhe i kumtova lajmin për Dr. Isufin, ndjeva në distancë trishtimin e tij. Jam sëmurë më tha, por do të ngrihem nga shtrati dhe do ta bëj shkrimin për Isufin. Ja kështu, ne nderuam Isufin, por Ahmeti nderoi edhe veten e tij me ato kujtime që na dha për kolegun e tij.
Tani po tregoj edhe diçka tjetër: Para 16 vjetësh, në 2007, unë punoja në gazetën Albanian Daily News. Befasisht një ditë më vjen një email nga gazeta e madhe britanike The Guardian. Ishte një nekrologji dhe më kërkonin miqësisht të verifikoja vërtetësinë e fakteve që përfshiheshin në atë shkrim. E hapa dhe… ngiva! Shkrimi fillonte me fjalët: “Sot u nda nga jeta Ramiz Alia, ish President i Shqipërisë, pasardhës i Enver Hoxhës…” Si ishte e mundur që e kishin marrë vesh anglezët para meje këtë lajm jo të zakonshëm? Unë një ditë më parë e kisha para ish-udhëheqësin komunist duke shëtitur në rrugët e Tiranës… U shkruajta atyre që më besuan këtë verifikim se shkrimi ishte korrekt në tërësinë e tij, me përjashtim të frazës së parë… E dimë, e dimë që Ramiz Alia është gjallë, por ne përgatisim nekrologjitë për figurat e shquara shumë kohë më përpara dhe i ruajmë për t’i botuar kur të marrim lajmin dhe duhet të jemi të parët që ta japim me saktësi atë… Më 2011 kur vdiq Ramiz Alia, The Guardian më dërgoi në PDF shkrimin për Ramiz Alinë.
Ia tregova Dr. Ahmet Kamberit këtë histori para nja tre vjetësh dhe ati i mbeti në mendje. Para tri javësh, Dr Ahmeti më dëgoi një mesazh në email ku në hyrje më shkruante: “Të kujtohet ajo historia e gazetës britanike me Ramizin… Po të dërgoj diçka. Mbase të hyn në punë…
E lexova dhe u shqtësova. Ishte një biografi e shkurtër e Dr. Ahmet Kamberit! Oh, thashë, Doktori qenka shumë sëmurë. E mora në telefon dhe m’u përgjigj njëri nga djemtë. Babi është sëmurë dhe nuk flet dot, më tha. Por do t’ia përcjellim të falat tuaja…
Dhe unë sot në DITA po botoj këtë jetëshkrim, ashtu siç ma dërgoi Doktor Ahmet Kamberi, ky humanist i madh dhe mjaft i kulturuar i cili më ka lënë mbresa me dy librat e fundit të tij që m’i ka dhënë me dedikim “Pacienti ynë i veçantë” i cili është një nga librat më të mirë që është shkruar për Enver Hoxhën, si dhe libri tjetër i para pak muajve “Po demokracisë, jo domekraturës”. Jam i sigurt që ikja e Dr. Ahmetit do të trishtojë jo vetëm kolegët dhe miqtë e tij të shumtë, por edhe pacientët e tij të panumërt të cilëve u shërbeu dhe u shtoi jetën.
Ja biografia e shkurtuar e Dr. Ahmet Kamberit
Mjek specialist kardiolog, diabetolog dhe për sëmundje të brendshme, profesor. U lind në Peladhi, rrethi Bulqizë, më 13 gusht 1940. Mbaroi Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës në korrik 1961. Punoi 10 vjet në Peshkopi. U specializua për sëmundje të brendshme në Spitalin Klinik Nr. 1, Tiranë, për kujdesin koronar intensiv në Stokholm, Suedi dhe për diabetologji në Paris, Francë. Punoi si kardiolog dhe nëndrejtor teknik i Klinikës Speciale, Tiranë. Punoi si kardiolog e diabetolog në ekipin mjekësor të Enver Hoxhës. Drejtor i Klinikës Speciale, ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i Komisionit Shtetëror të Mbrojtjes së Mjedisit, nënpresident i Komitetit të 39 të OBSH-së për Rajonin e Evropës, Paris 1989. Deputet në Kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit për të drejtat e njeriut e pakicave etnike, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë, themelues i Revistës Shqiptare të Kardiologjisë, President i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë, anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiologsjisë (ESC) dhe koordinator i saj për Shqipërinë, anëtar i Komitetit të vlerësimit të abstrakteve e paraqitura në Kongreset e ESC-së.
Doli në pension në shtator 2008. Punoi në profesion të lirë në specialitetet e tij deri në fund të janarit 2023, duke përmbyllur një karrierë 62-vjeçare në kujdesin mjekësor. Autor i pesë protokolleve shkencore. Autor dhe bashkautor i mbi njëqind artikujsh në revistat mjekësore shkencore shqiptare, europiane dhe amerikane, autor i 54 referimeve në konferenca shkencore shqiptare e ndërkombëtare, bashkautor i librit “Sëmundjet e Zemrës”, autor i librit “Pacienti ynë i veçantë”, “Po demokracisë, jo domekraturës” si edhe autor i disa tregimeve letrare. Mban titullin FESC për merita profesionale, mban urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” të klasit të dytë dhe “Flamuri i Kuq i Punës” të klasit të parë për kontributin profesional e shkencor dhe për drejtimin e zhvillimin e shëndetësisë. Mban titullin “Nderi i Qarkut të Dibrës”.
