Dr. Dorian Koçi
Botuar në DITA
Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit sërish Arbërinë, nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore.
Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin.
Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës në Arbëri dhe të një territori kontinuiteti me Evropën të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr luftën kundër osmanëve .
Jehona e Motit të Madh në Poloni
Jehona e Motit të Madh të arbërëve u ndie jo vetëm në Venedik, Mbretërinë e Napolit dhe vendet fqinjë por edhe në Evropën Qendrore dhe gjermanike.
Nuk është fort e qartë nga burimet historike nëse këto marrëdhënie diplomatike u shoqëruan me ardhjen e kontigjenteve ushtarake polake, çeke, hungareze apo sllovake për ta mbështetur rezistencën arbëre ashtu si Barleti përmend për gjermanët apo dhe britanikët, por e rëndësishme është se jehona e veprës dhe aksionit proevropian të Skënderbeut filloi të ndihej gjithnjë e më tepër në Evropën Qendrore dhe vendet gjermanike.
Kështu afërsisht një shekull më vonë pas vdekjes së heroit kombëtar të arbërve, në vitin 1569, në Poloni u përkthye dhe u botua në gjuhën polonisht vepra e Marlin Barletit: “Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut”. Pas gjermanishtes dhe portugalishtes, polonishtja ishte gjuha e tretë që kjo vepër madhore e Barletit përkthej në një gjuhë të huaj.
Libri i Marin Barletit është i rëndësishëm jo vetëm për të lexuar jetën dhe aktivitetin e Skënderbeut por edhe pse jep një vizion të qartë të idesë së Evropës, nëpërmjet panigjirikëve për shpëtimin e Evropës apo përshkrimin e gjallë të territorit të osmanëve dhe zakoneve të tyre.
Çdo qytet apo ngjarje në libër trajtohet njëherë nëpërmjet traditës greko-latine por dhe i bëhet jehonë kërkesës për një unitet evropian kundër forcës shkatërruese të osmanëve. Kjo traditë humaniste mundi të vazhdojë të zhvillohet në pjesën veriore të Ballkanit, Kroaci dhe Slloveni të cilat nuk ranë nën sundimin otoman dhe si pjesë integrale të Perandorisë së Shenjtë Austriake zhvilluan një profil të qenësishëm evropian së bashku me kombësitë e tjera të Evropës Qendrore deri në Çeki, Sllovaki, Hungari e Poloni.
Vepra e Barletit e cila gjatë shumë vjetëve ishte për historinë i vetmi burim që hidhte dritë mbi veprat e përmendura të heroit Shqiptar dhe në të cilën gjejmë lajmin e letërshkëmbimit fiktiv midis Vladislav Varnjençikut dhe Skënderbeut, u përkthye në polonisht prej Ciprijanit nga Seraxa dhe u botua në Brest në vitin 1569.
Kjo vepër mbante titullin shumë të bukur: “Historia e jetës dhe veprave fisnike të Gjergj Kastriotit, të cilin zakonisht e thërrasin Skënderbe” (polonisht: Historia e Zyëoice i zacnych spraëach Jerzego Kastryote, ktogo pospolicie Slanderbegien zoëia). Në parathënien e tij të gjatë, përkthyesi e motivon domosdoshmërinëe këtij përkthimi me këto fjalë:
“Që unë t’i tregoj popullit fisnik polak vlerën e madhe të kësaj historie dhe trimërinë e Skënderbeut i ndërtova atij në polonisht këtë përmendore të përjetshme sepse ai me trimëritë e tij mund të vlejë me të vërtetë si një shëmbull për ata popuj që humbën lirinë, që të dinë ta rifitojnë përsëri atë liri ndërsa për ata që nuk e kanë humbur, të dinë ta mbrojnë atë ashtu siç diti ai”.
Ciprian Baziliku e çmoi shumë lart kujtimin e Skënderbeut “i cili brenda një kohë të shkurtër jo vetëm që ia ktheu lirisë vehten e tij dhe gjithë popullin e tij, por qe aq i tmerrshëm për turqit sa këta u detyruan t’i luten më në fund që të bashkohej me ta”.
Gjithësesi jeta dhe vepra e Skënderbeut nuk është se ishin të panjohur në Poloni. Pesë vite më parë, më 1564, kronisti dhe humanisti polak Marcin Bielski botoi veprën: “Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Shqiptar”. Kjo është është një nga veprat e para origjinale që u shkruan nga të huajt për Skënderbeun.
Tregimi mbi heroin e famshëm kombëtar shqiptar Skënderbeun, që është një fragment i ngjarjeve historike të luftërave të popujve të Ballkanit kundër turqve osmanë, ka gëzuar një popullaritet të jashtëzakonshëm në Europën e shekullit të XVI.
Shekulli i XVI vazhdonte të ishte shekulli i ballafaqimeve të mëdha e konfliktuale midis Krishterimit dhe Islamit, midis formacioneve shtetërore evropiane dhe Perandorisë Otomane. Pushtimi i Kostandinopojës në 1453, shuarja e rezistencës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, pranimet e vasalitetit nga pothuajse të gjitha mbretëritë, principatat apo dhe qytetet sollën si rezultat pushtimin e të gjithë gadishullit Ballkanik dhe largimin e tij nga Evropa.
Në këtë përballje për jetë a vdekje nevojitej një unitet i botës së krishterë që në të shumtën e rasteve u gjet dhe në evidentimin e figurave historike që kishin rezistuar ndaj pushtimeve otomane. Mes këtyre figurave evropiane sigurisht që shquante Skënderbeu, ndaj figura e tij gjeti pasqyrim jo vetëm në letërsi por edhe në vepra të tjera arti.
Në vitin 1609, në qytetin e Gdanskut, në fasadën e një prej godinave më të bukura të qytetit që quhet “Godina e Artë” është vendosur basorelievi i Skënderbeut që, sipas Prof. Ferit Hudhrit është i vetmi basoreliev i tij që është gjetur deri tani në fasadën e një ndërtese.
Në fasadën e kësaj godine, ndërtuar në vitet 1609-1618, në tre kate të saj janë vendosur 32 basorelieve të njerëzve më të shquar të të njerëzimit duke filluar që nga lashtësia. Në qendër të kësaj fasade, në katin e tretë, në mes është vendosur basorieli i Skënderbeut, bashkë me basorelivin e Heroit Kombëtar të Hungarisë, Janosh Huniadi.
Po kështu jehona e veprës së Marin Barletit përkthyer në polonisht vazhdoi të frymëzonte shumë historianë e letrarë polakë që në rezistencën arbërore gjenin një shembull që duhej të ndiqej nga popullsitë e Evropës Juglindore që kërcënoheshin drejtë për së drejti nga pushtimi otoman.
Mbështetur në veprën e Marlin Barletit, për historinë e Shqipërisë dhe për Skënderbeun, në shekujt XVI deri në shekullin XIX, në Poloni janë botuar mbi 40 libra në gjuhën polake, pa përmendur numrin e madh të vjershave kushtuar Skënderbeut. Poetë të shumtë polakë kanë shkruar vargje për Skënderbeun si Krzysztof Warsheëicki, Adam Czachrowski, Jan Jurkowski, Marcin Paszkowski, Samuel Twardowski, Wacław Potocki, Flangment Kamjeński, etj.
Mes tyre shquan në veçanti humanisti Krzysztof Warshewicki. Warszewicki botoi një numër punimesh, duke përfshirë një vepër me poezi, dhe veprën e tij të vetme në polonisht, Wenecya (1572), një libër udhëzues për në Venecia; veprat e tjera të tij ishin në gjuhën latine.
Studiuesi Arqile Teta na ka sjellë disa vargje në shqip nga vepra “Venecia” që përshkruan momentin kur Skënderbeu kthehet në Krujë.
“Dhe u rrit Skënderbeu në derë të Muratit / Që bëri sa s’kish bërë për të tjerë / Ndërsa Ai i kërkoi ofiq pronat e të atit / Por Murati dinak hodhi dyshime ndaj tij / Atëhere Skënderbeu dërgoi lajmëtarë/ Ta prisnin besnikët me shpata në brez / Në kohën e duhur u sul me ushtarë / E mori qytetin dhe Kruja u ndez / Epiri u zgjua, u derdh i harbuar / Murati sulmoi me tërbim duke gulçuar / Por nën muret e Krujës mbeti krahëthyer / Dhe hyri Murati në shpellën e Bitinisë / Nga dhembja cfilitur dhe turpi i marë / Dhe hyri natën, tinëz, gjakosur dhe i dërmuar / Pa krenari, tituj, lavdi dhe ushtarë…”
Jehona e Motit të Madh në Çeki dhe Sllovaki
Pavarësisht faktit se në dokumentacion historik nuk ka gjurmë të kontakteve diplomatike të drejtë për së drejta të Skënderbeut me diplomacinë bohemiane, rreshtimi që kjo e fundit bëri në kuadër të Perandorisë së Shenjtë Romake me qendër në Vjenë në shekullin e XVI-XVII e më vonë bëri të mundur që jehona e aksionit politik dhe qendresës arbëre të ndihej në botën kulturore e politike të Bohemisë. Vepra më e rëndësishme e humanizmit për jetën dhe veprën e Skëndërbeut me titull “Historia e Skënderbeut” e shkruar nga Marin Barleti në gjuhën latine u përkthye më pas edhe në shumë gjuhë të botës.
Deri më tani nuk kemi të dhëna nëse ajo është botuar në gjuhën çeke por egzistojnë dy botime të rëndësishme në dy gjuhë që elita bohemiane i përdorte si gjuhë kulture: gjuhën gjermane dhe gjuhën polake. Në gjuhën gjermane kjo vepër u përkthye nga Johann Pinicianus (1478 – 1542) dhe pati dy botime në 1537 dhe në 1578 . Skenderbeu paraqitej në botën gjermanike pas një kontrasti të madh kulturor që kishte formuar ndarja e Europës në dy pjesë pas invazionit osman.
Në vitin e largët të 1450, kur Johanes Gutenberg shpiku shtypshkronjën, Kruja, kryeqyteti i Shqipërisë në kohën e Skënderbeut po vuante rrethimin e saj të parë nga Sulltan Murat II. Ishte koha kur Skënderbeu me fitoret e tij mbi osmanët filloi të kthehej në shpresën dhe vullnetin e Evropës. Skënderbeu mbrojti me sukses Krujën kundër tre rrethimeve të organizuara nga Murat II dhe Mehmet II, dy nga pushtuesit më të tmerrshëm të asaj periudhe, që udhëhoqën ushtritë më të fuqishme në botë.
Por në të vërtetë Skënderbeu ishte më shumë se sa thjesht një komandant i talentuar ushtarak; ai ishte gjithashtu një njeri i Rilindjes Evropiane dhe Humanizmit që po niste të shfaqej në atë kohë në Evropë. Veprimet e tij ushtarake kundër osmanëve ishin njëkohësisht edhe veprime kulturore dhe politike.
Burimet e para në gjuhën çeke për epokën e Skëndëerbeut janë të mesit të shekullit të XVI. Bëhet fjalë për dy vepra dhe disa fragmente veprash ku përshkruhet rezistenca arbëre dhe figura e Skënderbeut. Është fjala në radhë të parë për dy monumente të datuara aty nga mezi i shekullit XVI, pastaj për shënime të shkurtra të fundit të shekullit XVI, siç i gjejmë tek Daniel Adham Veleshlavini dhe në versionin bohem të J. Leunklavius e më në fund për një tregim më të gjatë që i përket Shqipërisë të një autori bohem, shkruar në fillim të shekullit XVII dhe botuar në vitin 1609.
Arbërit dhe Skëndërbeu përmenden në veprën “Historia neh kronika turecka ad Machala Konstandina z. Ostrovive” . (Historia ose kronika turke e Mihal Konstandin Ostrovicës) që u botua në vitin 1565 në Leitomishl dhe për herë të dytë në vitin 1581. Në këtë vepër mbi figurën e Konstantinit të Ostrovicës së Novobërdës, një pjesë e madhe i kushtohet edhe Gjergj Kastriotit dhe veprave të tij heroike kundër pushtuesit turk.
Kostandin Mihali i Ostrovicës, historian e ushtarak është dëshmitar i rëndësishëm i dramës së pushtimeve osmane sidomos në Novobërdë (Artana e sotme në Kosovë) dhe rrethinën e saj. Kostandini me memoarin e tij ka krijuar një vepër humaniste unikale të këtij zhanri. Sipas burimeve që zotërojmë Kostandini ka lindur në Ostrovicë të Novobërdës rreth vitit 1435 në një familje minatorësh ose tregtarësh, andaj edhe shkollimin fillor do ta ketë mbaruar në vendlindje, Novobërdë.
Ka marrë pjesë me një njësit të vogël vasalësh në rrethimin e Kostandinopojës në vitin 1453, ndërsa më pas e ndeshim në mesin e mbrojtësve të qytetit të Novobërdës, kur qyteti bie në duar të osmanëve (më 1 qershor 1455). Atëherë, në mesin e robërve ishte dhe Kostandin Mihali, i cili qe dërguar për jeniçer, dhe mori pjesë në shumë ekspedita të sulltan Mehmetit II: në Arbëri, Hungari, Peloponez.
Në Bosnjë, më 1463, ka komanduar me repartin e qytetit Zveçaj, ku dhe kapet si rob nga ushtria e mbretit hungarez Matej Korvin. Pas lirimit nga hungarezët, vihet në shërbim të planeve për krijimin e aleancës politike dhe nisjen e fushatës kundër osmanëve. Kostandin Mihalit do t’i humbin për një kohë gjurmët, por dihet se kishte ikur nga osmanët për tu kthyer në mesin e të krishterëve, ku dhe vdiq në Poloni pas vitit 1501. Mes viteve 1497 – 1501, shkruan Kujtimet e tij si memorandum politiko-historik, dedikuar mbretit polonez Jan Olbraht dhe mbretit hungarez Vladisav II.
Dorëshkrimi i veprës më të njohur të tij nuk është ruajtur në origjinal për këtë arsye ende ka mbetur e pandriçuar çështja se në cilën gjuhë është shkruar origjinali. Në bibliotekën Zamojski të Varshavës është ruajtur një kopje (transkript) në gjuhën polake nga shek. XVI. Dorëshkrimi zotëron 77 faqe. Janë ruajtur dhe kopje të tjera, si, ajo e Bibliotekës Kombëtare të Varshavës, të Peterburgut, Pragës, e ndonjë tjetër. Kopja e Pragës është botuar në gjuhën çeke në vitin 1565 dhe ruan këtë titull: “Hystorya neb Kronyka Turecká od Michaala Konstantina z Ostroëicze” (“Historia ose kronika turke nga Mihal Kostandini i Ostrovicës”).
Aty ndeshim njoftime për inkursionet osmane në Hungari, Peloponez, dhe në këtë kontekst dhe për fushatat osmane në Arbëri, ku është spikatur roli i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut përballë ushtrisë së sulltan Mehmetit II. Kjo vepër u fut thellë në vetëdijen e shoqërisë çeke vetëm pas vitit 1565, kur në Bohemi u përhapën informata me hollësira, jo vetëm mbi gjendjen e Turqisë por njëkohësisht edhe mbi Shqipërinë dhe përfaqësuesin e saj në shekullin XV, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Dy burime të tjera interesante çeke pasqyruan qendresën arbëre kundër osmanëve në Bohemi. Kësaj radhe nuk ishte përkthime nga gjuhët e tjera por ishin vepra të humanistëve dhe historianëve çekë. Në shekullin XVI, Gjergj Kastriotit – Skënderbeune e ka përmendur historiani i famshëm çek Dhaniel Adhami nga Veleshslavini, i cili ka shfrytëzuar si burim historik veprën e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”.
Me këtë rast ai vë në dukje trimërinë e jashtëzakonshme dhe forcën e qëndresës që duhet admiruar Skënderbeut dhe arbërëve kundër fuqisë turke. Katër vjet pas botimit të relacionit të Veleshslavinit njohuritë mbi historinë shqiptare në Bohemi na shekullin XVI i pasuroi përkthimi çek i kronikës turke autori i së cilës , J. Leuklavius, njihet edhe për punime të tjera të tjera historike në Evropë.
Një karakteristë e veçantë e citimit, përmendjes dhe shkrimit të “Historisë së Skënderbeut”në literaturën e Europës Qendrore është kohezioni moral i aksionit të Skënderbeut si kampion i lirisë dhe Atlet i Krishtit dhe i katolicizmit apo dhe kontekstualizimi i këtyre cilësive të tij në historinë bashkëkohore kur janë shkruar veprat. Një vepër e tillë me aspekt humanist është dhe vëllimi në prozë kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut nga Gjergj Bartoldi nga Bruksi i Bohemisë Veriore (i quajtur Pontanus ose dhe von Braitenberg – pas malit që gjendet afër Bruksit).Georg Bartoldi, i njohur dhe me pseudonimin letrar Bakalareus ishte me një kulturë të gjerë humaniste.
Ai ishte Profesor në Universitetin e Pragës, zëvendës abat dhe vikar i përgjithshëm i Kryepiskopatës së Pragës, autor i disa veprave poetike, prozaike dhe historike të drejtimit katolik, me të cilat pasuroi letersinë latine që në fillim të shekullit XVII në Bohemi.
Vepra për Skënderbeun i kushtohet Jarosllav Borita Martinicit, një nga luftëtarëte parë të besimit katolik në vendet boheme. G. Bartold von Braitenberg, Skënderbeun e Shqipërisë e krahason me Borita Martiniçin. Në të dy këta krerë humanisti G. Bartold von Braitenberg sheh luftëtarë të njëjtë për besimin katolik për mbretërinë dhe atdheun. Bartoldi ashtu si dhe Dhaniel Adhami nga Veleshslaviniu bazua në veprën e lartpërmendur të Marin Barletit, nga e cila mori disa pjesë dhe formoi një të tërë.
Përndryshe vepra e tij e vogël është një farë prove retorike, një punim që t’i shërbente si shembull partisë katolike boheme në pragun e betejës pranë Malit të Bardhë, në luftën e saj për privilegjet politike dhe fetare. Në kushtimin e veprës së humanistit G. Bartold von Braitenberg ndaj Jaroslav Hrabě Bořita z Martinic mund të kuptojmë më tepër për imazhin e Skënderbeut dhe aksionit të tij politik në Bohemi. Në të shkruhet:
“… Lavdija e Skënderbeut, kalores kristianësh kundër egërsisë dhe mendjemadhësisë së turqve, i paepur në guxim dhe në armë Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe, që është e njëjtë si me thënë Leka i Madh, mbreti i Epirit, u tregua njohës i të gjitha fshehtësive të tiranit (Sulltanit), shtrues i madh i armiqve dhe mbrojtës trim si edhe përhapës i mrekullueshëm i besimit kristian, i cili nuk qe vetëm shuplakë zotërues e fitues i tiranit që ai ta dinte, me të gjithë pabesinë muhamedane dhe turmën e vet, se Zoti sundon etj, dhe ka në dorë mbretëritë…
Beslidhja e bërë prej te jatit të Kastriotit kundër Sulltanit… Prij … Skënderbeu i urtë dhe syhapur … Barleti i përshkruan luftrat e Skënderbeut në 13 libra … Kjo vepër duhet lexuar nga të gjithë ndër shkolla … Fitoret … Skënderbeu vrau 3000 turq … Skënderbeu lavdërohet në Itali si luftëtari më i madh i mbarë botës.”
Imazhi dhe ndikimi i Skënderbeut do të ndiheshin dhe më vonë në trashëgiminë kulturore dhe historike të Sllovakisë ku figura e Skënderbeut do të ishte një shembull rezistence ndaj invazioneve osmane po aq sa shembulli i një kalorësis fisnik të krishterë që bënte gjithçka për vendin e vet.
Rreth 200 kilometër larg kryeqytetit sllovak Bratisllavë, në qytetin e vogël Zhilin ndodhet kështjella Bytca. Disa nga faqet e mureve të saj janë të mbuluara me afreske e piktura murale, që kanë për objekt heronj të rëndësishëm evropianë, historikë e legjendarë të periudhave të ndryshme. Mes tyre është përfshirë dhe figura e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Afresku i strategut, portreti i të cilit ngjan shumë me një hero të krishterimit, ashtu si dhe është identifikuar simbolikisht më vonë Kastrioti, ka përmasa më të mëdha se ato natyrale e ç’është më e rëndësishmja ai renditet krah luftëtarëve të tjerë legjendarë siç është Akili, apo historik si Aleksandri i Madh, e deri te Huniadi.
—-
Botuar në DITA me rastin e 555 vjetorit të ikjes në amëshim të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Burimet:
- Jan Rejhman, Shqiptarët në Poloninë e vjetër, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike (15-21 nëntor 1962), Tiranë 1965, faqe 517-518
- Marcin Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, princin shqiptar, shtypshkronja “ILAR”, Tiranë 2018
- Leonard Zisi, Hyrje në dy tregime polake për Skënderbeun, botimet “Flesh”, Tiranë 2018
- Tadeush Çekalski, Shqipëria përshkrime etnografike, kulturore dhe fetare, Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë 2013
- Arqile Teta, Shqiptarët dhe Skënderbeu në Poloninë mesjetare, “Albanica”, nr. 97/2010.
- JOSEF MACUREK (BRNO CSSR). GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU Shqipëria dhe vendet çeke.Studimet Historike, nr 21, nr 4. 1967, fq 42
- Jahja Drancolli. Skënderbeu në objektivin e historianit Novobërdas Kostandin Mihali (1435-1501).Gazeta Shqiptari.17 Nëntor, 2018.
- Elsa Demo. Kujtesa e shqiptarëve në kështjellën sllovake.