Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Irani, Trump dhe tri sfidat politike amerikane
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Irani, Trump dhe tri sfidat politike amerikane
Kryesoreopinion

Irani, Trump dhe tri sfidat politike amerikane

Published: March 28, 2026
Shpërndaje

DR. JORGJI KOTE

Kur plot një muaj më parë, SHBA-të dhe Izraeli filluan sulmin ushtarak kundër Iranit u mendua se kjo do të ishte një operacion i lehtë, i shpejtë dhe pa pasoja të ndjeshme. Lufta 12 ditore në muajin Qershor kundër Mullahëve dhe operacioni i rrufeshëm për rrëmbimin e Maduros ishin fakte dhe faktorë inkurajues që premtonin shumë. Mirëpo,  shumë shpejt, ende pa u mbushur një muaj, u pa qartë se  këto shpresa ishin iluzion gjeopolitik. Siç pohoi ditët e fundit edhe ish Ministri amerikan i Mbrojtjes dhe ish Shefi i CIA-s, Leon Paletta, “ lufta  dhe fitorja blitz dështoi”.  Kjo mbasi pavarësisht rezultateve të bujshme ushtarake të njohura, siç u shpreh  më 25 Mars edhe Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, Administrata e Presidentit Trump ndërhyri ushtarakisht kundër Iranit pa plan, pa qëllim, pa objektiva të qarta, pa konsultime me europianët dhe ca më keq akoma pa një strategji dalje nga Irani. Sa për disa objektiva ushtarake madhore, edhe kur i realizon, prapë siç tregon përvoja e mëparshme ato nuk mjaftojnë për një fitore politike të “ përkthyer” në paqe, siguri dh e stabilitet të qëndrueshëm; sidomos kur vjen fjala për një rajon shpërthyes me ndikime të mëdha për sigurinë dhe ekonominë botërore. Tani rrezikohet zgjatja e luftës, përshkallëzimi i saj në gjithë rajonin e më gjerë, me pasoja të mëtejshme tejet të rënda për të gjithë aktorët dhe faktorët e kësaj lufte kudo në botë.

Difekti tjetër ishte se Administrata e Presidentit Trump nuk e parashikoi drejt, madje e nënvleftësoi reagimin dhe rrezistencën nga Irani; këtu padyshim ndikoi  suksesi i bujshëm i luftës 12 ditore në muajin Qershor 2025 dhe rrëmbimi i Maduros; edhe pse ky i fundit ishte vërtet “ si nata me ditën” krahasuar me operacionin kompleks në Teheran. Gabimi tjetër amerikan ishte se sulmin ushtarak kundër Iranit  e menduan si një beteje klasike ushtarake, që nisur nga epërsia absolute amerikane do të fitohej lehtë, shpejt dhe pa kosto. Mirëpo, Trump i mësuar me telerealitete nuk e ka kuptuar realitetin e brendshëm, tejet kompleks dhe të ndërlikuar në Iran dhe në rajon; për pasojë, u injoruan dhe nuk u dhanë përgjigje gjithë përfshirëse  pyetjeve madhore gjeopolitike “ po pastaj çdo të ndodhë?

- Publicitet -

Ndërkohë, ndryshe nga SHBA-të, e cila nuk ka nxjerrë mësime nga e kaluara e  hidhur në luftrat e mëparshme dhe nga gabimet e Rusisë,  Irani ka mësuar shumë nga Ukraina; i ndërgjegjshëm për  epërsinë ushtarake amerikane, ai po shfrytëzon përvojën e Vietnamit, Irakut dhe Afganistanit, duke e shpërndarë dhe përshkallëzuar konfliktin në vatra dhe vende të tjera të rajonit dhe në bazat amerikane. Amerikanët gabuan edhe kur menduan se duke vrarë Kamenein dhe mbi 200 liderë të tjerë  do ta detyronin Teheranin të dorëzohej, duke nënvleftësuar faktin se gjatë 47 viteve të saj ajo ka krijuar një autoritet shtetëror shumështresor, që të funksionojë edhe në kushtet më të vështira, siç edhe po ndodh.

Gabimi tjetër, ndoshta më i madh amerikan është se nuk e vunë në peshoren gjeopolitike dhe ushtarake Ngushticën e famshme të Hormuzit dhe bllokimin e saj nga Irani; edhe pse të dhënat dhe sugjerimet nga sektorët përkatës nuk munguan por u injoruan. Tani Hormuzi është kthyer në një ‘Mal’ të lartë e të thepisur pengues, ku do vendoset  edhe fati i kësaj lufte, i të ardhmes në rajon e në botë, por me pasoja të mëdha politike që në fakt po ndihen qysh tani edhe në Uashington.

Mirëpo, krejt ndryshe nga SHBA-të, të cilat veç Hormuzit janë edhe “në ngushticën e kohës” Irani po luan me kohën, duke i shkaktuar  kokëçarje të mëdha SHBA-ve.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, nguti dhe heqja dorë  nga negociatat diplomatike shkurtin e kaluar ishte gabim tjetër i madh me kosto për SHBA-të. Demarshet e tanishme të Presidentit Trump janë me vend, por të vonuara; me përmbajtjen e tyre, të shoqëruar përherë me ultimatume që shtyhen, ndryshohen dhe riformulohen dhe në fund nuk mbahen, ato nuk krijojnë terrenin për sukses.

Ndërkohë, nisur nga synimi për një fitore të rrufeshme, SHBA-të nuk menduan as pasojat e rënda për imazhin e tyre si dhe marrëdhëniet e saj me aleatët europianë, duke mos i pyetur fare e pa konsultime me ta, ndërsa tani kërkon ndihmën e tyre.

Kësisoj, lufta në Iran, ndryshe nga përvoja e mëparshme, në vend që ta forconte aleancën perendimore, ai e ka dobësuar dhe përçarë atë më tej. Ndaj, Kancelari gjerman Merz e tha qartë se “ ne nuk ndërhyjmë në një luftë që nuk është e jona”  Ndërsa Presidenti gjerman Steinmeir më 22 Mars në fjalimin e tij  shkoi edhe më tej, duke e quajtur gabim politik katastrofik  luftën në Iran dhe shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Qëndrim të ashpër ka mbajtur edhe Kryeminisetri spanjoll Pedro Sanches, kur përmendi 4 milion të zhvendosur nga Irani dhe Libani, 2000 të vdekur dhe mbi 12 miliard Euro shpenzime humanitare.

Po aq rëndë është cënuar edhe imazhi i Izraelit dhe Kryeministrit Netianahu, me përshkallëzimin e shfaqjeve  anti-semitiste dhe anti-izraelite në SHBA dhe në botë.

Në këto kushte të vështira, për të fituar kohë dhe për të mbajtur të qeta bursat ndërkombëtare bashkë me çmimet e naftës e të gazit, Presidenti Trump është detyruar të ndjekë “politikën e zig-zageve”.  Duke ndryshur pothuajse çdo ditë pohimet, deklarimet dhe objektivat. Kështu, njëherë deklaronte se “ lufta mbaroi, se kemi fituar” se ishte një eskursion i vogël për ne”, pastaj “ fitorja dhe mbarimi i luftës janë afër” se brenda 48 orëve do bombardojmë infrastrukturën energjitike, pastaj jo, e shtymë pesë dhe tani 10 ditë”; pastaj “jemi në bisedime dhe do bëjmë armëpushim një muaj, edhe pse pala iraniane e ka mohuar një gjë të tillë.

Në fakt, momenti i tanishëm gjeopolitik është më i vështiri për Presidentin Trump dhe për SHBA-të, me rrjedhoja pozitive në rastin ideal por me pasoja fatale për ta, Lindjen e Mesme, për fatin dhe mbijetesën politike të vetë Presidentit Trump. Sepse tani ai ballafaqohet me disa alternativa dhe skenarë tejet sfiduese politikë dhe ushtarakë, njera më e vështirë se tjetra. Alternativa më e rrezikshme  dhe me më shumë kosto njerëzore për SHBA-të por jo vetëm është futja e mijra trupave tokësore në Iran. Një rrezik i madh që po u kalua me sukses do të jetë fitore e madhe historike për Trump, por po dështoi, kjo  do të jetë  një kataklizmo e vërtetë.

Alternativa tjetër është një tërheqje “me lezet”, duke deklaruar fitoren, sic edhe bën vazhdimisht, por që do të lerë hapur plagët dhe problemet për paqen dhe sigurinë e mëtejshme në rajon dhe aleatët e Gjirit Persik në mëshirë të fatit. Sepse Irani tregoi edhe pas qershorit të kaluar se pavarësisht nga dëmet e mëdha dhe shkatërrimi i 92 për qind i flotës detare dhe asaj ajrore dhe 10.000 objektivave që u goditën nga amerikanët, asgjënsimit të lidershipit të tij  më të lartë politik dhe ushtarak, rregjimi në Teheran mbijeton. Bashkë me pasurimin e mëtejshëm të uraniumit në vendet e tij sekrete nën tokë, objekt tjetër i synimeve amerikane.

Për të ardhur te bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, çlirimi i të cilës bashkë me depërtimin e trupave tokësore amerikane është tejet i vështirë, me rreziqe të mëdha dhe të paparashikueshme për sot dhe për nesër, për shkak të pozicionit gjeografik dhe masave shumështresore të Iranit. Alternativa tjetër  të cilën Trump e paralajmëroi por e shtyu është goditja e infrastrukturës energjitike të Iranit, pushtimi i Ishullit Kharg dhe tre ishujve të tjerë strategjikë, çka do ta çonte në faliment shtetin e Iranit. Mirëpo kjo jo vetëm mund të konsiderohej krim lufte, por do të krijonte tensione të reja të mëdha për emigracionin, çmimet dhe zinxhirët e  furnizimit.

E megjithatë, kjo është vetëm gjysma e të keqes. Sepse, sipas shumë ekspertëve, shkaqet dhe  arsyet e politikës me zig zake, me kthesa të forta e të papritura,  veç Iranit e kanë burimin edhe të gjendja e brendshme tejet e nderë në SHBA; e sidomos te tri sfidat e mëdha të tanishme atje – sondazhet alarmante mbi (pa)pëlqyeshmërinë e Presidentit Trump krahasuar me muajin Shkurt;  përçarjet brenda MAGA-s dhe  afrimi i zgjedhjeve të Mesmandatit për Kongresin Amerikan në muajin Nëntor. Janë pikërisht këto tri “ zjarre” përvëlues politikë dhe zgjedhorë, të cilët e kufizojnë shumë hapësirën e veprimit për Presidentin Trump dhe e shtojnë trysninë e jashtëzakonshme ndaj tij për gjetjen sa më parë të një rrugëdaljeje nëpërmjet bisedimeve, për një zgjidhje diplomatike të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Qëkurse filloi ndërhyrjen në Iran, pëlqyeshmëria publike për Presidentin Trump ka qenë në rënie të lirë. Sipas sondazheve më të fundit, afro  60 për qind e amerikanëve janë të pakënaqur me performancën e tij. Trump është po aq jo popullor sa në fundin e mandatit të parë në Janar 2021.  Akoma më e ulët është kjo pëlqyeshmëri për Trumpin, kur vjen puna te menaxhimi i ekonomisë. Kështu, sipas sondazhit të Agjencisë  “ Reuter” të publikuar më  25 Mars, nga 36 për qind  në shkurt, pëlqyeshmëria për Presidentin  ka rënë në 29 për qind, niveli më i ulët e të gjitha kohërave. Lidhur me menaxhimin e kostos së jetesës ajo ka rënë në 34 për qind, ndërsa për inflacionin në 28 nga 40 për qind që ishte në shkurt. Ndërkohë, 67 për qind e amerikanëve parapëlqejnë uljen e çmimeve të naftës/gazit kundrejt kërcënimeve iraniane ndaj Izraelit apo edhe zëvendësimin e mullahëve në Teheran. Niveli i pëlqyeshmërisë ndaj tij po bie ndjeshëm  edhe te republikanët. Krahasuar me muajin shkurt, kjo pëlqyeshmëri për koston e jetesës ka rënë  në 27 nga 34, ndërsa për rritjen e inflacionit/ çmimeve nga 40 në 28 për qind qe ishte në Shkurt.

Kjo ka ndodhur mbasi amerikanët e thjeshtë i shqetëson tej mase  rritja e çmimeve të benzinës që gjatë muajit Mars kaluan mbi 1 dollar për gallon. Mirëpo kjo rritje ka efekte të tjera edhe në çmimet e  mallrave të tjera bazë. Shqetësimin e shton fakti që edhe nëse Ngushtica e Hormuzit do të hapej dhe lufta të mbaronte sot apo nesër, sipas drejtuesve më të lartë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjise prapë do të duhet kohë e gjatë, të paktën 6 muaj për stabilizimin e tregjeve të energjisë.

Nisur nga ky shqetësim, nga 45 për qind një muaj më parë, tani është rritur në 58 për qind shifra e atyre që e kritikojnë Trump për përqëndrimin e tij më të madh në çështjet ndërkombëtare, duke lënë pas dore telashet dhe hallet në shtëpi. Edhe te republikanët ky nivel është rritur në mënyrë shqetësuese, nga 19 në 29 për qind.

Shqetësimi i dytë serioz që ka provokuar zgjatja e luftës në Iran lidhet me  ndarjet dhe përçarjet që kanë shpërthyer brenda Lëvizjes “Ta bëjmë Amerikën prapë të madhe( MAGA), ku Presidenti Trump  është bërë objekt kritikash të ashpra.

Veç të tjerash, Presidenti Trump aty ballafaqohet  me dy sfida delikate:

Së pari, ai kritikohet për dobësitë e treguara ndaj Izraelit, mbasi  sipas tyre, Trump ka vendosur interesat e Izraelit mbi ato të “ Amerika e para” dhe se është instrumentalizuar nga Kryeministri Netianahu. Së dyti, shtimin e shfaqjeve dhe incidenteve  antisemitiste dhe anti-izraelite edhe vetë brenda MAGA-s, duke shtuar krisjet dhe ndarjet brenda bazës republikane.

Këtu ra në sy  dorëheqja dy javë më parë e Shefit të Antiterrorit Federal dhe protagonist i MAGA, Joe Kent, për shkak të kundërshtimit të luftës në Iran; ditët e fundit ai ka qenë i ftuari më i shpeshtë në televizionet amerikane. Në intervistën me Megyn Kelly, gazetare televizive dhe opinioniste e njohur konservatore, Joe Kent tha se  “ shumë nga vendimet qendrore në Shtëpinë e Bardhë nuk i referohen më raporteve të 18 shërbimeve të fshehta amerikane, por ndikohen në një masë të madhe nga  shumë përfaqësues izraelitë; ndaj  Trump nuk dëgjon zërat e tjerë”.

Mirëpo, bashkë me të ka edhe shumë eksponentë të tjerë që po ushtrojnë trysni ndaj Trumpit që të gjejë një dalje nga kjo situatë përpara se të jetë vonë. Këtu bën pjesë edhe zv.Presidenti J.D.Vance që bashkë me shumë të tjerë duan që Presidenti i tyre të përqëndrohet  në zbatimin e politikave të brendshme dhe kryesisht në ekonominë e vendit, siç edhe premtuan në fushatën zgjedhore presidenciale 2024.

Më konkretisht, Megyn Kelly, një nga përfaqësueset e MAGA-s. i ka kërkuar publikisht senatorit Lidsey Graham, i cili i përket rrethit të ngushtë të Presidentit Trump që të kundërshtojë dërgimin e trupave tokësore në Iran, duke u shprehur se “ nuk dua të dëgjoj asnjë fjalë nga disa tipa pa fëmijë që duan patjetër të dërgojmë djemtë dhe vajzat tona në një luftë tokësore në Iran”. Nga ana tjetër, Graham i përket mbështetësve më të mëdhenj të sulmit mbi Iran, ashtu si edhe influencuesja tjetër konservatore, Laura Loomer, e cila e ka qortuar ashpër Joe Kentin. Mirëpo, një bazë e përçarë republikane nuk është ogur i mirë për Trumpin.

Në këtë gjendje të zymtë, për herë të parë në 10 vitet e fundit, Trump nuk po merr pjesë në Kongresin e Partisë Konservatore që zhvillohet në Teksas (  25 –  28 Mars) i cili i kushtohet zgjedhjeve të mesmandatit në Nëntor në Kongresin amerikan.

Mirëpo,  sipas Jesse Kelly, moderator konservator i radios amerikane  “ nëse këto shifra do të vazhdojnë të jenë në nivelet e tanishme, atëhere në zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin Amerikan në muajin Nëntor ne do të masakrohemi”!

Si për ironi të fatit, në zgjedhjet e pjesshme më 24 Mars për në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridas, kandidati Republikan humbi përballë sfidantit demokrat pikërisht në Mar – a – Laho, aty ku ka rezidencën e vet edhe Presidenti Trump. Ky është një sinjal i vogël por me simbolikë të veçantë në kohë të trazuara për MAGA.

Ja pse, rezultatet e pritshme të këtij mesmandati jetik zgjedhor përbëjnë  shqetësimin e tretë madhor për Presidentin Trump, ku ndërhyrja amerikane  në Teheran do të jetë përcaktuese për atë vetë dhe gjithë politikën në Uashington.

—-

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Flamingoja si metaforë e zgjimit qytetar
  • “Mos ma prek Nartën”, qindra protestues me pankarta në Zvërnec
  • Mazniku në Berat: Komisioni do të marrë në konsideratë veçoritë e çdo zone, identiteti nuk humbet nga bashkëpunimi
  • UNESCO shpall Liqenin e Shkodrës Rezervë të Re të Biosferës Botërore
  • Rama nxjerr fotot nga ishulli në Katar i zhvilluar nga bashkëinvestitorët e “Zvërnecit”

Komentet e Fundit

  1. Ppsh on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  2. Berati on Rezulton me 1.2 milionë metra në zonën e mbrojtur, biznesmeni i lidhur me Zvërnecin fiton koncesionin Milot-Balldren
  3. habili on Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  4. Ethem Lalaj on “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës
  5. Qerratai on “Pse na zhgënjeve ne që të besuam?”, Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?