Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Në bazë të vendimit të gjykatës, Karçanaj duhet të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore dy herë në muaj, konkretisht të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Krahas kësaj mase, ndaj saj vijon të jetë në fuqi edhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, ndërsa pasaporta i është sekuestruar.
Më parë, ish-drejtoresha e AKSHI-t ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por Gjykata e Lartë vendosi ta zëvendësojë atë me një masë më të lehtë, pas rekursit të paraqitur nga mbrojtja. Karçanaj po hetohet nga SPAK për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në kuadër të dyshimeve për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Hetimet e SPAK për tenderat e AKSHI-t
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Për drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Kërçanaj, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri janë caktuar masat e sigurisë “arrest me burg”.
Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, zbarkuan në ambientet në pronësi te biznesmenit Agasi. Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, banesave në Durrës e Tiranë, si dhe bizneset që zotërohen Ergys Agasi.
Po ashtu është dhënë masë pezullimi nga detyra dhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. SPAK gjithsej ka vendosur në masë sigurie 8 persona që janë Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta. Akuzat kryesore të SPAK janë grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë. Prokuroria e posaçme prej gati një viti po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje.
Ndërkohë personat e përmendur më sipër, por dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa, por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Ndërsa në banesa dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit janë kontrolluar me urdhër të SPAK në muajin qershor.
j.l./ dita
