Nga DR. Jorgji Kote
Botuar në DITA
Ashtu siç u vlerësua dhe nga Presidentja e Komisionit Europan, Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Tiranë më 23 Tetor, çelja e bisedimeve në kuadrin e anëtarësimit në BE për grup kapitujt e parë “ Themeloret » ishte ngjarje dhe ditë e gëzuar, e mirë dhe e mbarë për të gjithë shqiptarët. Ndonëse e vonuar, mbi15 vjet pas kërkesës zyrtare, 10 vjet si kandidat, mbi 4 vjet nga vendimi për çeljen e tyre dhe mbas 2 viteve të bllokuara për shkak të vetos greke.
Ndaj dhe media jonë, krahas asaj të huaj, i kushtoi vëmendje maksimale. Edhe pse pavarësisht nga profesionalizmi i gazetarëve televizivë, eksponentët politikë dhe ndonjë analist i politizuan debatet, me eufori të moderuar nga njera palë dhe nihilizëm pothuajse total nga tjetra, duke i kthyer studiot televizive në llogore të vërteta luftarake.
Për pasojë, në përgjithësi, ato krijuan pak mundësi për të mësuar konkretisht mbi këtë kryetemë, duke filluar nga korniza dhe pozicioni negociues, ku shtjellohen hollësisht dhe shqetësimet e opozitës, por jo vetëm. Akoma më pak u fol për kohëzgjatjen e bisedimeve për të gjashtë grup-kapitujt, për veçoritë, vështirësitë, sfidat për të gjithë palët, etj.
Si dhe në raste të tjera, DITA e ka pasqyruar me vërtetësi dhe me sens pozitiv këtë ngjarje të madhe politike, si me njoftimet ashtu dhe analiza të ndryshme shteruese.
Gjithashtu, në këtë drejtim dha një shembull tjetër pozitiv shërbimi shqip i “Zërit të Amerikës” në Uashington, që përherë e kërkon të vërtetën në të gjitha burimet e mundshme; kjo dhe nëpërmjet ballafaqimit të mendimeve me ekspertë elitarëeuropianë që janë jo vetëm njohës të mirë, por autoritete të kësaj fushe specifike.
Nën drejtimin e gazetarit të mirënjohur Arben Xhixho, i cili si Shef i këtij shërbimi për 2 dekada tashmë, bashkë me stafin e tij të spikatur dhe të përkushtuar i ka çuar më tej traditat e paraardhësve emblematikë, Frank Shkreli dhe Elez Biberaj.
Veç të tjerash, VoA Shqip i parapriu kësaj ngjarjeje të rëndësishme me një rubrikë të posaçme, ku ra në sy tema e zgjedhur, pyetjet e ndërthurura organikisht, të cilët premtonin shpjegime shteruesepër intervistuesit, folësit dhe dëgjuesit për atë se sa e merituar ishte çelja e grup – kapitujve të parë, e ardhmja e tyre deri në anëtarësimin në BE.
Kjo rubrikë ishte përgatitur me kujdes nga gazetarja e VoA-s, Klementina Cenkollari, e mirënjohur falë përvojës së mëparshme në tre televizione kombëtare si reportere, redaktore, intervistuese e niveleve të larta dhe folëse plot finesë dhe natyrshmëri. Në rastin konkret si njohëse dhe mbuluese aktive e procesit të negociatave, duke e ndjekur dhe pasqyruar atë në 10 vitet e fundit me reportazhe dhe intervista intriguese e të vlerësuara, me ekspertë të huaj elitarë dhe me drejtuesit tanë më të lartë në Tiranë, Bruksel, Strasburg, Berlin, Vjenë dhe gjetkë.
Besueshmërinë e kësaj rubrike e shtuan më shumë intervistat me dy analistë brilantë të kësaj fushe: ekspertes së lartë të Fondacionit prestigjioz « Bertelsmann » Miriam Kosmehl për Europën Lindore dhe Fqinjësinë me BE-në, autore e shumë analizave dhe botimeve të spikatura dhe Dr. Nicholas Whyte, Drejtor i Zyrës së Brukselit të APCO, shoqata më e vjetër dhe më e madhekonsulente në botë.
Duke punuar dhe jetuar në Bruksel në fundin e viteve 90 dhe në 13 vitet e fundit, kam qenë dëshmimtar i vlerësimeve të larta europiane për Dr. Nicholas Whyte, ndër njohësit më të mirë europianë të problematikave Ballkanike në 25 vitet e fundit; tejet aktiv në të gjitha vendet e rajonit, si këshilltar dhe drejtues projektesh të rëndësishme, këshilltar i qeverisë kroate për integrimin, konsulent i institucioneve europiane, etj. IshBashkëpunëtor i Lartë i ”CEPS”, Qendra Europiane e Studimeve Politike, e cila bashkë me ”EPC”-në janë dy think tanket më me influencë të BE-së në Bruksel. Për disa vite ishte dhe Drejtor për Europën i Grupit Ndërkombëtar të Krizës për Kosovën. Whyte ndjekur nga afër zhvillimet dhe në Shqipëri, me kontakte me qeveritarët dhe diplomatët tanë; ka qenë dhe mbetet ndër miqtë e çmuar të Ambasadës sonë dhe të Kosovës në Bruksel.
Kjo rubrikë e transmetuar nga VoA më 7 Tetor pati jehonë të gjerë, atë e përcollën mbi 20 media në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë,Belgjikë dhe gjetkë.
Më konkretisht, të dy ekspertët konfirmuan se Shqipëria e meritonte çeljen e grup kapitujve të parë. Whyte tha se “ do të doja ta shihja këtë proces të lëvizte shumë më shpejt, sepse Shqipëria i ka kryer me kohë të gjitha detyrat e shtëpisë”.
Duke mbështetur këtë pohim, Ekspertja e lartë gjermane e Fondacinit të famshëm ” Bertelsmann” Miriam Kosmehl shtoi se “Shqipëria mobilizoi shumë burime gjatë procesit të shqyrtimit analitik në përgatitjet për procesin e bisedimeve. Komisioni Europian ka paraqitur raportet e kësaj analize mbi reformat që përmenden te Grup kapitujt “ Themelorët” si reforma e drejtësisë, Administratës Publike dhe institucioneve demokratike. Eshtë gjë e mirë që gjërat po shkojnë përpara”.
Mendoj se këto janë konstatime objektive që nuk ka pse të mos pranohen nga cilido në vendin tonë. Pastaj, kujdes, bëhet fjalë vetëm për çeljen e kapitujve të parë dhe jo anëtarësimin në BE; më tej do vijohet me diskutimin, ballafaqimin dhe mbylljen e tyre, duke i kaluar vërtet « në vrimë të gjilpërës». Nisur nga rëndësia e tij, ky grup kapitujsh do të mbyllet vetëm në fund të procesit.
Kuptimi i këtij realiteti pa paragjykime partiake ka shumë rëndësi për t’i dhënë fund debateve shterpë, të cilat duan të thonë se negociatat nuk duhet të ishin çelur ende. Mirëpo, për kritikët opozitarë shtrohet pyetja se a do ishte më e mirë gjendja nëse nuk do të çeleshin kapitujt e parë? Kursesi, jo.
Ndërkohë, sa i takon të ardhmes, të dy ekspertët e vunë gishtin te lufta kundër korrupsionit si plaga më e madhe dhe sfida më evështirë dhe zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, si dy objektivat më madhorë dhe të vështirë. Sipas Kosmehl « dy raporte të kohëve të fundit nga Komisioni Europian mbi shtetin e të drejtës, dhe tjetri nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi klimën e investimeve nxjerrin në pah se korrupsioni mbetet ende problem mbizotërues në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit. Në këtë raport, struktura anti – korrupsion përmendet për zhvillime pozitive, por aty thuhet gjithashtu se ka mungesë burimesh njerëzore dhe financiare. Ndaj, mendoj se duhen parë të dyja anët”.
Nga ana e tij, Dr. Whyte shprehet se “BE-ja nuk është e marrë. Ajo nuk do të lejojë përparimin në bisedime nëse nuk ekziston ndjenja e vërtetë se ky është një rrugëtim me vështrimin përpara. Eshtë e qartë se sfidat më të mëdha me të cilat ndeshet Shqipëria janë në fushën e drejtësisë. Jemi në një fazë ku mbetet shumë për të bërë.
Ne po shohim përpjekje të sinqerta nga autoritetet shqiptare për përmirësimin e gjendjes, që të krijohet një sistem i kënaqshëm drejtësie. Dhe siç e dini, në 10 vitet e fundit janë bërëshumë hapa seriozë në këtë drejtim, falë reformave në sistemin e drejtësisë”
Dhe më interesantja që lidhet me titullin e këtij shkrimi është çështja lidhur me afatin kohor të përfundimit të 6 grup-kapitujve. Fjala është për përfundimin e negociatave, se për anëtarësimin mbas tyre do të duhen dhe 2 apo më shumë vite të tjera për ratifikimin e traktatit të aderimit nga të 27 parlamentet dhe ai Europian, ku sërish nuk përjashtohen « kleçkat » dhe as ndonjë veto bllokuese.
Këtu bëri përshtypje se kur u pyet lidhur me vitin 2030, si afati kohor i mundshëm i përfundimit të këtyre bisedimeve, me dashamirësi por dhe me realizëm, Dr.Whyte e tha troç, ndonëse me shumë lezet dhe finesë diplomatike se “do ta habitesha po ta shihja Shqipërinë shtet anëtar të BE-së në vitin 2030 ; por është po aq realiste- shtoi ai – që më 2030 do të dimë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë“
Duke u marrë aktivisht si diplomat dhe vetë me këtë dosje gjatë 25 viteve të fundit e sidomos faktin se Dr. Whyte ka këshilluar qeverinë kroate në procesin e anëtarësimit në BE, i besoj fort kësaj teze bindëse. Ca më tepër se viti 2030 është vetëm objektiv indikativ, pa një datë zyrtare, të cilën e shpall vetëm Komisioni Europian, por që tani për tani kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë.
Shkak tjetër është se në fazën e negociatave do të jetë e pamundur të punohet “me metodën e aksionit“ se e tillë është natyra e këtij procesi konkret; përkundrazi, do të kërkohen punë dhe përpjekje të mëdha e në vazhdimësi nga qeveria, institucionet, por dhe opozita dhe grupet e tjera në shumë fronte, për të cilat është e pamundur të caktohen data.
Në fakt, grup – kapitujt mund t’i krahasosh me 6 male të larta që duhen ngjitur; duke filluar nga « këmba « e malit, dmth baza e demokracisë, shteti i të drejtës, gjyqësori, drejtësia e deri tezgjedhjet e lira dhe të ndershme, si themeli i këtij grup kapitujsh.Tejet i vështirë dhe që kërkon kohë është kapitulli mbi Tregun e Brendshëm me katër liritë kryesore të qarkullimit të lirë tëmallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. « Mal » po aq tëvështirë për t’u ngjitur përbën Bujësia, Burimet dhe Kohezioni, i ndjekur nga Politikat e Gjelbëra, pastaj Konkurrenca me lidhshmërinë gjithëpërfshirëse. Dhe këtu nuk bëhet më fjalë përparime dhe konferenca ku liderët tanë shkëlqejmë dhe pse më shumë me show, propagandë dhe retorikë, por për teknikalitete, norma dhe standarde që duhen plotësuar dhe që kërkojnë shumëkohë, pa përjashtuar ndërprerjet objektive.
Veç kësaj, përvoja 10 vjeçare si vend kandidat ka treguar se politika jonë i shkel si pa gjë të keq datat dhe afatet, duke ia faturuar fajet të tjerëve brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë,ndryshe nga deri më tani, bisedimet do të jenë diskutime dhe debate, me kërkesa të forta, duke hapur « defterët » e duke analizuar ligjet dhe zbatimin e tyre një e nga një. Mirëpo qysh tani me disa prej tyre ne kemi krijuar minuse dhe diferenca jo të vogla, të cilët do të duan frymë dhe kohë që të kthehen aty ku e kërkon BE-ja. Sepse aty ku do ketë mospërputhje, rregullimi i tyre do të kërkojë dhe ai kohën e vet.
Më tej, secili vend anëtar i BE-së mund të kërkojë ndërprerjen dhe pezullimin pa afat të negociatave kur sheh diçka që nuk shkon sipas tyre. Vetoja e famshme pavarësisht nga sa thuhet, praktikisht nuk hiqet dot, ndaj do të na qëndrojë te koka si “shpata e Demokleut“. Për pasojë, edhe kapitulli mbi politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë, në dukje më i lehti, sepse aty dhe tani jemi ok, mund të na shkaktojë incidente dhe probleme të papritura. Ndaj kërkohet kujdes në deklarimet tona që të mos « shkelim nëkallo » asnjë vend anëtar, madje ta mbajmë mirë me të 27 vendet dhe me të 4 institucionet e BE-së. Kujdes, detyra jonë është të antarësohemi dhe jo t’i japim mend BE-së, duke i thënë” hajt baba të të tregoj arat”!
Kësisoj, përfundimi i bisedimeve dhe anëtarësimi janë sfida serioze shumë më të vështira se 10 – 15 vitet e fundit, mbasi nëpërfundim të tyre secili vend i BE-së do të duhet të thotë me plot gojën “PO“ mirëseerdhët! Ndaj ky rrugëtim do të jetë i gjatë dhe i mundimshëm, duke iu përmbajtur parimit « hapat, pastaj datat», mesazh që e tha qartë në Tiranë dhe Presidentja e KomisionitEuropian.
Gjithsesi, bëhet mirë që e vendosim Vitin 2030 si afat kohor indikativ, se kështu nxitemi më shumë për të punuar që, dhe nëse nuk e kapim dot 2030, të paktën, siç e thotë dhe Nicholas Whyte,ta dimë se kur do të jemi tamam në BE.