Dr. Naz Feka
Botuar në DITA
Shumë diplomatë, disa përgjatë shërbimit aktiv e disa pas mbylljes së karrierës së tyre, zgjedhin të shkruajnë libra, qoftë në formë autobiografie, në formë memoaresh, në formë eseistike, analizash politike etj.
Sido që të jetë, në botën e historisë në përgjithësi dhe politikës në veçanti, një libër i publikuar nga një diplomat gjithmonë përbën një vepër interesante sepse ngërthen në vete disa elemente mjaft të rëndësishme për një vepër të shkruar, e që janë:
–e para, prania e përvojës së autorit në shkrim dhe analizë të ngjarjes, marrë parasysh këtu faktin që diplomatët tërë jetën e tyre profesionale shkruajnë raporte, komente, analiza etj.
–e dyta, diplomatët, si rrallëkush tjetër, janë dëshmitarë të ngjarjes dhe, si të tillë, janë në gjendje, më mirë se kushdo tjetër, të përshkruajnë frymën dhe rrjedhën e vetë ngjarjes.
E vërtetë, edhe historianët e përshkruajnë një ngjarje, por profesioni i diplomatit e çon më tej, i jep atë ngjyrimin e plotënisë me vetë faktin se është në gjendje të deshifrojë, mes tjerash, deri edhe një nga aspektet kryesore të artit të diplomacisë – atë të “bindjes”, dmth si dhe nga çfarë buron “bindja’”e autorit apo personazhit të ngjarjes.
Dhe këtu është pika ku shkëlqen një diplomat i vërtetë me penën e tij: arrin të përvijojë tek lexuesi një aspekt që askush tjetër s’e bën dot: logjikën arsyetuese dhe shpjeguese mbrapa veprimit të personazh-it/ – eve, në një ndërveprim në një moment të caktuar. Sigurisht, interpretimi edhe mundet të jetë subjektiv, por ama ka nje aspekt të dorës së parë këtu që e bën më interesante sepse, për analogji, është sikurse dallimi nga këndvështrimi i hetuesit që është në vendin e ngjarjes dhe interpretimi apo leximi që një vëzhgues i bën raportit të një hetuesi mbi ngjarjen. Të gjitha këto, shto këtu dhe elementin e analizës, që është një aftësi që shkon me dijen dhe përvojën e akumuluar ndër vite, e bëjnë një vepër të një diplomati mëse interesante për lexuesin.
Analiza e ngjarjeve politike apo marrëdhënieve ndërkombëtare, në përgjithësi, u njihet historianëve dhe gjeopolitikologëve, por është pashmangshmërisht e vërtetë që këtyre profesionistëve të fushës, burimet e diplomatëve u ndihmojnë së tepërmi në kuptueshmërinë se si këto raporte apo ngjarje kanë marrë një drejtim të caktuar, në një moment të caktuar.
Në kushtet dhe rrethanat historike që ne si shtet, si shoqëri, por edhe si komb gjendemi tani, libri “Rusët po vijnë” i ambasadorit Shaban Murati vjen si një vepër që ngërthen të gjitha këto që u përmenden më sipër. “Rusët po vijnë” është një vepër voluminoze në analizë dhe informacion të pashterrueshëm për çdo studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, për çdo student apo mësimdhënës, për çdo zyrtar të shtetit në Shqipëri apo Kosovë, që e kanë në përshkrimin e punës politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Së këndejmi, edhe mund të tingëllojë si një cliché, por ne nuk mundemi të ndërtojmë dhe forcojmë shtetet tona, Kosovën dhe Shqipërinë, pa e njohur fuqinë, interesat, synimet, qëllimet dhe pikëpamjet e Rusisë, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Ambasadori Shaban Murati i bën një nder të madh të gjithë këtyre, por edhe lexuesit të gjerë me librin e tij “Rusët po vijnë”.
Duke u nisur nga pozicioni i një njohësi të shkëlqyer të fushës së diplomacisë, me një bagazh dhe sfond të formësuar par excellence në këtë fushë, ai arrin të përçojë tek lexuesi njohuri që dalin nga një bashkëveprim i përsosur i elementeve, që i japin frymë një analize faktuale mbi natyrën e sjelljes dhe interesave ruse përkundrejt kombit shqiptar dhe, më gjerë, edhe rajonit ku ne jetojmë si komb – Ballkanit.
Murati nuk le mëdyshje për këtë rol të Rusisë në asnjë moment përgjatë gjithë librit, por edhe e shpreh këtë që në fillim, në parahyrje, kur shprehet se …“Rusia, diplomacia dhe politika e jashtme ruse kanë përbërë angazhimin dhe interesimin personal për shkak të implikimit të tyre të pandërprerë në historinë e shtetit shqiptar dhe për shkak të lakmive të tyre ndaj Ballkanit dhe detit Adriatik, dhe për shkak se kanë qenë një nga pengesat kryesore diplomatike per avancimin e çështjes kombëtare shqiptare, që nga Konferenca e Londrës më 1913 e deri në ditët tona”.
Siç e thotë edhe vetë autori në fillim të librit të tij, analizat janë shkruar në kohë reale, por për lexuesin e këtyre analizave vite pas, nuk mund të mos dalin në dritë, së paku, dy vështrime: e para, koherenca (vazhdimësia) e strategjisë politike ruse përballë kombit tonë që nga shekulli i 19 e deri në ditët e sotme dhe, e dyta, përkundër se janë shkruar në kohë reale, nuk mundet të mos bie në sy profecia e ngjarjeve, të cilat autori rreket t’i përshkruajë dhe analizojë.
Ambasadori e thotë në “Rusët po vijnë” (për të qene i sinqertë me autorin edhe shumë vite më parë) atë, që tani rreken ta thonë gati të gjithë në raport me politikën ruse jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
Është koha ta kujtojmë këtu se të pakta janë ato mendje nëpër Europë, Amerikë e më gjerë që e kishin paraparë agresionin e dytë, në shkurt 2022, në Ukrainë (mbas atij të 2014). Edhe mbas okupimit të Krimesë në 2014, kishte shumë qarqe në Europë e më gjerë që nuk i kuptonin (dhe nuk është se bënin sikur nuk e kuptonin, sepse në këtë rast edhe mundet të falen) qëllimet ekspansioniste të Rusisë.
Të paktë janë ata të cilët në ‘yryshin’ e ndërtimit të gazjellësve në Europë nuk e kuptonin se kjo ishte pjesë e strategjisë së madhe ruse për të bërë Europën e varur nga gazi rus. Ndërsa politikat e ndërtimit të gazsjellësve në Europë shiheshin thjesht si shumatore interesash energjetike dhe më tej ekonomike, Rusia këtë e bënte si pjesë të strategjisë së saj për të ndikuar drejtëpërdrejt në vendet e Europës (dhe së këndejmi, në pozicionin e Perëndimit), në aspektin energjetik, ekonomik, politik dhe gjeopolitik.
Sipas autorit, “për Rusinë, gazi dhe gazsjellësit nuk kanë qenë asnjëherë një projekt i pastër ekonomik apo energjetik. Ato kanë qenë dhe janë projekte të mirëfillta politike dhe gjeopolitike”. Shkurt, Rusia përdor gazin e saj si armë gjeopolitike (por që në ndërkohë i sjell fitime të majme, sepse jo çdo ‘armë gjeopolitike’ sjell fitim të përmasave të tilla, siç është rasti me gazin rus), në ndërkohë që qarqe të ndryshme në Europe e shohin gazin thjesht si burim energjie!
Kur flasim për një libër, në përgjithësi, ka dy mënyra për të matur vlerën e një libri: forca apo pesha e mesazhit ndërgjegjësues apo njohës, që një libër përçon, dhe numri i lexuesve. Në një libër të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare është detyrimisht e para.
Libri i ambasadorit Murati “Rusët po vijnë”, por edhe librat e tij të mëparshëm me objekt Rusinë, qëndrojnë në anën e drejtë të historisë, sepse autori hyn në mesin e zërave të paktë në Europë dhe më gjerë që arrijnë t’i nxjerrin në dritë për lexuesin e gjerë qëllimet e vërteta të Rusisë vis-a-vis botës.
Më lejoni t’ju risjell disa nga aspektet kryesore të sjelljes politike të Rusisë të nxjerra nga libri dhe që përkojnë saktësisht me gjykimet e disa nga personaliteteve më me peshë në historiografinë politike të fushës akademike nëpër botë. Këto pika shtjellohen në një analizë të përsosur në artikullin “Ideja e Putinit për rinegocimin e Luftës së Ftohtë”. Autori i shtjellon këto pika në 2014, në kohën kur shumë pak qarqe në Perëndim pajtohen me idetë e tilla.
Si fillim, siç edhe rreket ta thotë autori përgjatë gjithë analizave të tij, Rusia e sotme nuk është diçka e papritur në skenën ndërkombëtare. Me një fjalë, Rusia e sotme është po ajo Rusi e djeshme. Kjo si përgjigje ndaj atyre që mendojnë se ajo çfarë po ndodh sot në Rusi është rezultat i politikave perëndimore ndaj Rusisë.
Në lidhje me këtë qasje, dhe në vijë të njëjtë me ambasadorin Murati, historiani i njohur Stephen Kotkin, ka një përgjigje interesante:”….shumë kohë para se NATO të ekzistonte, Rusia e shekullit të 19-të, ishte e njëjtë me Rusinë e sotme: shtet autokratik, shtet represiv, dhe shtet militarist. Rusia e sotme nuk është se mbërriti dje apo në vitet 1990, dhe përfundimisht Rusia e sotme nuk është produkt i veprimeve të Perëndimit.
Ka një sërë procesesh të brendshme në Rusi ato që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje që është sot”.
Me ardhjen në pushtet, Putini dhe zyrtarë të lartë të Rusisë, në shumë raste kanë bërë të ditur qëndrimin e Rusisë karshi rendit botëror të ri-krijuar pas luftës së ftohtë:
- Sferë ndikimi ruse në hapësirën e mëparshme të Bashkimit Sovjetik
- Se është detyrë, por edhe e drejtë e Moskës që të mbrojë jo vetëm rusët etnikë, por edhe popujt rusisht-folës kudo që ekzistojnë, dmth edhe jashtë Rusisë. (Sa për ilustrim, një ngjashmëri e frikshme kjo me diskursin serb të Millosheviçit dhe pasardhësve të tij në pushtet, në Serbi).
Në vijim të kësaj mendësie, siç e thotë edhe ambasadori në librin e tij, Rusia ka investuar së tepërmi në media, në fushata të ndryshme për të përhapur propagandë anti-perëndimore, dhe specifikisht, anti-amerikane. Pjesë e kësaj fushate ka qenë perpjekja e Putinit për të ulur gjasat që qytetarët rusë të krijojnë pëlqyeshmëri ndaj ideve apo vlerave demokratike dhe njëkohësisht, mobilizimi i qytetarëve rusë në mbështetjen e agresionit ndaj vendeve fqinje.
Rusia, nën Putinin, ka ndërmarre një projektim shumë dimensional, në disa rrafshe:
- në rrafshin psikologjik, për të rrënjosur në shoqërinë ruse supremacinë e vlerave ortodokse ruse versus atyre perëndimore (dhe specifikisht, amerikane)
- në rrafshin ekonomik, të rrëzojë supremacinë e Shteteve të Bashkuara në botë, duke krijuar një botë ekonomike, ku nuk sundon dollari dhe, njëkohësisht, krijimi i “superfuqisë energjitike”,
- në planin ushtarak – modernizimi i aftësive ushtarake ruse,
- në planin gjeopolitik, ndërhyrje masive e shtetit rus dhe strukturave të tij në punët e brendshme të shumë shteteve në rajone të caktuara, nëpërmjet financimit të fraksioneve të partive politike, por edhe vetë partive, shoqërisë civile, mediave e deri në ndikimin direkt në procese elektorale në disa shtete.
E pra, janë këta rusët që po vijnë…
Të gjitha këto që u përmendën më lart, kanë një aplikueshmëri të qindpërqindtë tek ne si një komb, dhe si dy shtete: Kosova dhe Shqipëria. Që në fillim duhet thënë se Rusia nuk bën dallimin mes nocioneve Kosovë, Shqipëri dhe komb shqiptar. Në një nga analizat e fillim-vitit 2019, autori thotë:
“Rusia nuk është e interesuar për zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk e do as zgjidhjen, as normalizimin dhe as njohjen reciproke, sepse asaj i intereson konflikti në një rajon europian dhe atlantik si Ballkani. I intereson konflikti i ngrirë për të mbajtur Serbinë nën kontrollin e saj dhe rajonin nën tension të përhershëm”.
Libri “Rusët po vijnë” duhet të shërbejë si një manual pune për diplomacinë shqiptare të të dyja shteteve, sepse hedh dritë (edhe njëherë) mbi qasjen dhe politikën ruse ndaj shqiptarëve si komb. Shqiptarët nuk e kanë luksin ta injorojnë ndikimin rus, jo për faktin se Rusia është një forcë madhore në arkitekturën europiane të sigurisë, por edhe për vetë faktin se duhet njëherë e mirë të bëhemi seriozë në fushën e shtetndërtimit.
Pjesë e rëndësishme e këtij serioziteti është që të punojmë drejt forcimit të mekanizmave të ndryshëm të diplomacisë së shtetit. E një nga këta mekanizma është pikërisht ajo që ambasadori e quan “memorie diplomatike shtetërore” apo edhe “kujtesë institucionale”. Autori e elaboron hollësisht këtë pikë në librin “Rusët po vijnë” kur e merr si shembull “Traktatin e Miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Rusisë”, i sigluar në vitin 2004. Këtu vijmë në situata aspak serioze për diplomacinë e shtetit shqiptar dhe deri tragji-komike, kur kryeministri shqiptar zihet në befasi nga ministri i jashtëm rus, i cili ia sugjeron kryeministrit shqiptar në konferencën e përbashkët për shtyp, vënien në veprim të këtij Traktati.
Dhe, natyrshëm lind pyetja, e di kryeministri shqiptar që Shqipëria ka nënshkruar një Traktat të tillë në vitin 2004? Apo, akoma me keq, e di ai apo të tjerë zyrtarë të Ministrisë së Jashtme shqiptare, që neni 3 i këtij Traktati, citoj, “…kërkon që secila palë nuk përdor vetë dhe nuk lejon që territori i saj të përdoret për qëllime agresioni ose veprime të tjera armiqësore kundër palës tjetër? Këtu më duhet të huazoj një shprehje të huazuar nga miku dhe kolegu im Elvis Hoxha, “injoranca mbërrin rrafshin e ligësisë”.
Për fund, citimi i mësipërm do të duhej duhet të na shërbejë si një moment për reflektim në rrugëtimin tonë për forcimin e shteteve tona dhe, si pjesë e saj, zhvillimin e diplomacisë në përmasat që përkojnë me interesat tona kombëtare. E ne, në këtë pikë dhe në këtë moment, vetëm duhet të falenderohemi dhe të urojmë që kontribute si ky i ambasadorit Shaban Murati të na ndihmojnë dhe të na ndriçojnë në rrugëtimin tonë si komb në arenën ndërkombëtare.
—–
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
