Dr.Adem Harxhi
Botuar në DITA
Është në dorën tuaj ta ringjallni jetën seksuale. Jam moshatar vetë dhe ju ftoj të mos kemi tabu të flasim edhe për jetën seksuale siç flasim për gjithë pjesët e tjera të rëndësishme të trupit tonë. Pa tabura, pa komplekse. Unë do t’u jap, vetëm, disa orientime të përgjithshme, punën do ta bëni ju. Filloni që tani:
1- Mos fajësoni më partnerin
Për të shpëtuar jetën seksuale, mos vazhdoni të fajësoni njëri-tjetrin. Përpiquni bashkërisht të gjeni ku janë rrënjët e vërteta të problemit dhe t’i rregulloni ato. Në qoftë se deri tani kërkesës së partnerit për seks i jeni përgjigjur: “Do të vi në krevat, menjëherë, pasi të palos teshat, ose pasi të bëj gati ushqimin, ose sa të nxjerr jashtë plehrat” e të tjera si këto; ose burri thotë: “Do të vi kur të mbarojë ndeshja, kur të mbaroj këtë punën që kam në duar”, e të tjera si këto, mos vazhdoni më kështu, ky është gabim.
Ka kohë dhe energji për të gjitha. Përse i ruani t’i bëni këto punë atëherë kur partneri u kërkon? Evitoni gjërat e parëndësishme nga jeta dhe bëjeni seksin pjesë të domosdoshme të planifikimit tuaj. Kjo do t’u sjellë më shumë gëzim, nga çdo gjë tjetër.
Ju me siguri njihni gra që për të plotësuar çdo gjë të fëmijëve, neglizhojnë, totalisht, kërkesat dhe interesat e burrit, veçanërisht, ato seksuale; ashtu siç njihni dhe burra që gjithmonë u përsëritin grave: “për mua më radhë të parë janë prindërit pastaj të tjerat”
Nuk ka dyshim që këtu shkaku i ftohjes së marrëdhënies martesore është prishja e radhës së prioriteteve. Sipas specialistëve duhet të vendoset kjo radhë e prioriteteve:
- Në radhë të parë duhet të vihen interesat e partnerit, veçanërisht, ato seksuale. Edhe në Bibël apo Kuran thuhet kjo.
- Në radhë të dytë janë interesat e fëmijëve.
- Në radhë të tretë prindërit e burrit dhe të gruas.
- Lista vazhdon sipas specifikave që ka çdo çift e familje.
2 – Bisedoni me njëri-tjetrin
Në se jeni në kushtet që keni hequr dorë, totalisht, nga jeta seksuale bashkëshortore, mos prisni që gjërat të rregullohen vetë, duke vazhduar të jeni të heshtur. Komunikimi, është kryesori që një marrëdhënie të jetë e shëndoshë.
Lëreni mënjanë zemërimin dhe bisedoni me partnerin ose partneren për mënyrën si ai e percepton problemin. Interesohuni të mësoni se cilat nga kërkesat e tij nuk janë plotësuar. Të jeni të hapur, të ndershëm dhe të ndjeshëm ndaj ndjenjave të bashkëshortit ose bashkëshortes dhe secili nga ju, të përpiqet që të mos qëndrojë në mbrojtje të pozicionit të tij. Kërkoni nga partneri që të afrohet në bisedë dhe të jeni të dy konstruktivë në këtë bisedim. Mos harroni, se në këto situata të acaruara, vetëm pak duhet, që gjërat të shkatërrohen fare.
Mos nënvlerësoni, në asnjë mënyrë, problemet financiare që ju keni si çift. Ato janë faktorë me rëndësi, që kanë influencë të madhe edhe në jetën seksuale.
Në qoftë se nuk e përcaktoni dot arsyen, pse ju nuk jeni në formë për seks, bisedoni me doktorin. Ka shumë mundësi, që përgjegjës për uljen e dëshirës për seks, ose për mungesën totale të libidos, të jenë problemet shëndetësore dhe jo partneri.
Shkaqe të tjera mund të jenë menopauza, andropauza e burrave, disa medikamente (pilulat antikonceptive, barnat që përdor burri për hipertensionin, ose antidepresantët.
Depresioni është një shkak i fortë për uljen e dëshirës për seks. E kanë të gjitha moshat. Edhe mosha jonë e kaluar, por edhe më të rinjtë, sidomos pas lindjes së fëmijëve. Kur fëmija ushqehet me gji, hormoni prolaktinë i kombinuar me ndryshime të tjera hormonale, mund ta prishë dëshirën e gruas për seks. Bisedoni me doktorin për të gjitha këto gjëra.
3 – Mos e ndani kontaktin fizik
Fatkeqësisht, jeta e sotme është e mbushur me shumë preokupime, me ditë dhe netë të lodhshme. Shumë pak njerëz kanë mundësi të gëzojnë mbrëmjet me qirinj të ndezur për dekoracion dhe banjat me flluska në vaska etj. Por kjo, nuk do të thotë se nuk kemi të gjithë arsye dhe të drejtë që ta gëzojmë dashurinë dhe seksin si çlirimin e këndshëm nga ky stres i madh i jetës.
Le të shpresojmë, se ditë më të mira do të vinë. Por mos prisni për këto ditë të lumtura. Mos e ndani kontaktin fizik me njeri-tjetrin (mbajtjet nga dora dhe përqafimet) çdo ditë. Përshtatuni me trupat tuaj dhe përqendrohuni në gëzimin e intimitetit me njeri-tjetrin.
Pa kujtoni një here, sa e gëzuar ishte jeta juaj, plot dashuri, në ato vite të para të martesës. Kjo duhet t’u kujtojë, se i a vlen të punoni së bashku për të rikapur magjiken. Nuk ka rëndësi sa kohë keni të martuar, ose sa të preokupuar jeni në jetë. Nuk është, kurrë, vonë, për të rindezur pasionin për njëri-tjetrin.