Nga Namik Dokle
Si miq të herëshëm dhe kolegë të dikurshëm, me Bedri Islamin i lexojmë librat e njëri-tjetrit, para se të marrin aromën e shtypshkronjës, akoma pa u botuar për publikun. Zakonisht, unë ia bëj komentet ose sugjerimet, pasi e lexoj krejt librin, por me librin e tij të fundit, “Kadare, i oborrit apo i lirisë”, ndodhi krejt ndryshe. Ende pa e mbaruar krejt librin, nuk m’u durua dhe i shkrova këtë koment:
“Po lexoj librin tënd për Ismailin. Për aq sa kam lexuar deri tani, më duket shumë, shumë mirë. Ke kapur thelbin e botës kadareane: ishte një botë e mbyllur brenda një oborri të ferrtë, apo bota e hapur, pa anë e fund e lirisë, me dritëhijet e përjetimit, me kërcënimet dhe lëshimet e përkohëshme, me heronjtë dhe fantazmat e saj? Ishte ai skllav i atij oborri diktatorial, apo Bard i Lirisë, frymëzuesi i pashoq i saj, i sakrificave për të dhe mbrojtës i saj, madje, herë-herë edhe bir e prijës i saj?
Libri yt i jep përgjigjen e qartë, sinqerisht, dëshmueshëm, madje edhe paanëshëm. Duke besuar se edhe vazhdimi do të jetë në këtë regjistër, të përgëzoj përzemësisht!”
Dhe vazhdimi nuk më zhgënjeu aspak, përkundrazi, më bindi edhe më shumë që ky libër i Bedri Islamit do të çmohet si një nga librat më të mirë për shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadare.
“Nga përvoja e tij e fisme, nga mendimet e gjithë njerëzve, në të gjitha kohët dhe tokat, plot jetë, i qëndrueshëm dhe i dukshëm, gjëmues dhe i qetë si urtësia e dikurshme,- shkruan Bedri Islami,- ai krijoi atë figurë të gjallë e vetiake që është njëra nga të paktat gjëra në letërsinë moderne, vetë figurën e tij, enigmën e një kombi dhe zgjidhjen e enigmës, me një fat të çuditshëm në jetë, që ishte fati i tij.”
Duke lexuar librin e Bedri Islamit, nuk mund të mos kujtosh vlerësimet e bëra, nga mediat më të zëshme dhe autorë të shquar, për Kadarenë si:.“Shkrimtari ndër më të mëdhenjtë e kohës.” ( Fayard) “Shkrimtar i rrallë, i njohur në mbarë botën.” ( Le Monde) “Gjithë vepra e tij ishte kundër totalitarizmit.” (Nju Jork Tajms)
“Kadare, shkrimtar kyç i shekullit të njëzetë.” ( El Pais) “Gjigandi i letërsisë shqipe…” ( The Guardian) “Zëri i Shqipërisë dhe i historisë së saj.” ( Corriere de la sera)
Me këtë libër krijon ndjesinë e bindjes, por pse jo, edhe të krenarisë për veprën e Kadaresë, e shquar për karakterin e saj universal, për promovimin e kulturës kombëtare, për lëvrimin e jashtëzakonshëm të gjuhës shqipe, për bashkëjetesën e miteve me historinë, për denoncimin e fortë të represionit dhe zbërthimin e mekanizmit të pushtetit totalitarist, nëpërmjet groteskut dhe epikës që përshfaqet në librat e tij.
Eseisti Eric Faye e konsideron Ismail Kadarenë si krijuesin e realizmit ballkanik, por edhe si ndërtues i madh i kujtesës kombëtare shqiptare. Studiuesi spanjoll Moises Mori, që ka shkruar një nga librat më të mirë për Kadarenë, shkruan për “Pallatin e ëndrrave” se është si një labirinth gjigand ku qindra nëpunës punojnë për të kontrolluar të paprekshmen, intimitetin e njeriut. Big Brother i Oruellit kontrollon gjithçka, por te Kadareja edhe diçka më shumë se gjithçka: edhe ëndrrat!!!
Autori Bedri Islami konfirmon bindshëm se Kadare ka qenë shkrimtari më i sulmuar dhe sulmet ndaj tij nuk ishin aspak spontane apo të rastësishme, por krejt të orkestruara nga instrumentet e pushtetit.
Është vështirë të kujtosh ndonjë nga veprat e tij që të mos jetë sulmuar, anatemuar, apo zilepsur. Të gjitha këto kritika, pëndjekje apo denoncime e kishin burimin nga mjedise jashtëletrare, shpesh edhe nga qendrat e pushtetit. Mjafton të kujtosh kërcënimin e Ramiz Alisë, i cili, në prani të dhjetra shkrimtarëve dhe artistëve të Lidhjes, i tha Ismailit:
“Partia dhe populli të kanë ngritur në Olimp, por po të mos jesh besnik, të zbresin në greminë!”
Në një nga rastet e sulmeve ndaj tij, vetë shkrimtari ka shkruar: “Dy-tri herë natën më del gjumi, megjithatë arrij të fle. Mëngjesi, më në fund po afron. Mëngjesi im mbretëror. Atje, pranë dorëshkrimeve të mia, unë mund ta përballoj diktaturën. Tmerret që kam në kokë janë më të forta se tmerret e saj. Vdekja e saj është e zbehtë, e zvetënuar në krahasim me atë brumë kolosal vdekjeje, që unë e komandoj më mirë se ajo. Unë jam, ndërkaq, në përmasën time të dytë, ku ajo, edhe po të më arrijë, nuk më shkatërron dot.”
Marrëdhënia e tij me diktaturën e lartëson veprën e tij, sepse shkroi kundër regjimit nga brenda, edhe pse ai e kishte këcënuar me greminë. Në rastin e Kadaresë, në raportin diktaturë- letërsi, fiton letërsia.
Që Ismail Kadare ishte një ndërtues i madh i kujtesës kombëtare shqiptare, libri i Bedri Islamit na e përshfaq dhe përthekson edhe në kapitujt mbi qëndrimet e shkrimtarit ndaj çështjes së çlirimit të Kosovës. Jo vetëm në disa nga veprat e tij letrare, por edhe si veprimtar shoqëror, nëpëmjet asaj që mund të quhet “diplomaci patriotike”, të cilën Kadare e zotëronte si rrallëkush, i njohur në qarqe të rëndësishme, por edhe si atdhetar, i preokupuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Dialogu me Ukshin Hotin, takimet dhe letërkëmbimi me presidentin francez Miteran e politikanë të tjerë, qëndrimi ndaj zhvillimeve në bisedimet e Rambujesë, janë disa nga më të spikaturat, për të cilat Kadare meriton respekt dhe mirënjohje.