Pjesë e institucioneve të arsimit të lartë që kanë fituar statusin e akreditimit periodik institucional, së fundmi është bërë edhe Universiteti i Tiranës, programet e të cilit rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat, jo vetëm në radhët e maturantëve që aplikojnë çdo vit për universitetin, por edhe në radhët e studentëve që duan të ndjekin më tej programet e ciklit të dytë dhe të tretë.
Pasi mori në shqyrtim dokumentacionit e procesit të vetëvlerësimit, atij të vlerësimit të jashtëm institucional, vlerësimit të kryer nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Bordi i Akreditimit pranë kësaj agjencie, ka dhënë vlerësimin pozitiv për programet e studimit të Universitetit të Tiranës, duke konfirmuar dhënien e akreditimit periodik institucional.
Sipas vendimit të marrë nga Bordi, ky institucion i arsimit të lartë publik ka fituar akreditimin maksimal, që është me një kohëzgjatje 6-vjeçare. Në këto kushte, afati përfundimtar i vlefshmërisë së akreditimit të Universitetit të Tiranës do të jetë deri në datën 26 janar të vitit 2029. Gjatë viteve të fundit, ky institucion i arsimit të lartë publik është përfshirë në një proces zhvillimi, që ka të bëjë jo vetëm me modernizimin e programeve të studimit, por edhe ofrimin e diplomave dyfishe edhe në gjuhë të huaj, me disa nga universitetet më të rëndësishme në Evropë. Ndërkohë, autoritetet drejtuese të këtij universiteti bëjnë me dije se, është punuar edhe në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor dhe inovacionit me qëllim përballimin e sfidave që arsimi i lartë dhe shoqëria shqiptare ka në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.
Por, pavarësisht këtij vlerësimi pozitiv dhe marrjes së akreditimit, janë lënë edhe disa rekomandime që ky institucion duhet të përmbushë, veçanërisht sa i takon zhvillimit të kërkimit shkencor. Kështu, Universitetit të Tiranës i është kërkuar që të mbështesë dhe të nxisë më tej personelin akademik, për të bërë të mundur rritjen e kërkimit shkencor, veçanërisht në drejtim të publikimeve që duhet të bëhen në revistat cilësore me faktor të lartë impakti. Një tjetër rekomandim i rëndësishëm që duhet të përmbushet është edhe ai i ofrimit online të informacioneve të duhura. Konkretisht, për këtë pikë, vendimi i dhënë nga Bordi i administrimit përcakton se: Universiteti i Tiranës duhet që të përditësojë në faqen e tij zyrtare të internetit, si në gjuhën shqipe, edhe në gjuhën angleze, informacionet e nevojshme në lidhje me qendrën e karrierës, bibliotekën online, publikimet dhe revistat shkencore, duke përfshirë arkivat e përditësuara të revistave”. Në përmbushje të rekomandimeve të mësipërme, Universiteti i Tiranës, duhet të hartojë një Plan Veprimi konkret dhe ta dorëzojë atë brenda 6 muajve pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Universiteti i Tiranës është një nga strukturat e arsimit të lartë publike që ofron gamë të plotë të programeve të nivelit të parë “Bachelor”, “Master”, si dhe studime doktorale. Universiteti kontribuon në zhvillimin e shoqërisë, përmes tre shtyllave të misionit të arsimit të lartë publik, kërkim shkencor, edukim, si dhe shërbim ndaj publikut, që vazhdimisht e pasurojnë dhe informojnë njëra-tjetrën.
Programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë në Universitetin e Tiranës realizohen, si rregull, me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Ky program mund të realizohet me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programi i studimit mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej 5 vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike, përkatësisht. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit në ciklin e tretë të studimeve mund të organizohen në programe studimi “Master Ekzekutiv“, si edhe në programe studimi të Doktoratës. Për këtë vit akademik pothuajse në të gjitha njësitë që janë pjesë e këtij universiteti, janë rihapur aplikimet për studimet e ciklit të tretë, ku dhe janë përzgjedhur fituesit e rinj që kanë vijuar studimet e këtij niveli, pas një ndërprerje disa vjeçare.
Akreditimi: Fakultetet dhe Institutet që janë pjesë e Universitetit të Tiranës:
- Fakulteti i Shkencave të Natyrës
- Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
- Fakulteti i Drejtësisë
- Fakulteti i Shkencave Sociale
- Fakulteti i Ekonomisë
- Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë
- Instituti i Studimeve Evropiane
- Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar
Si funksionon Bordi i Akreditimit
- Për procesin e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit, pranë ASCAL-it funksionon Bordi i Akreditimit, i cili është organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij.
- Bordi merr vendimin përfundimtar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve që ato ofrojnë.
- Bordi miraton, me kërkesë të institucionit të arsimit të lartë, kryerjen e vlerësimit të jashtëm nga një prej agjencive anëtare të ENQA-s.
- Bordi i Akreditimit përbëhet nga ekspertë të huaj dhe vendas, personalitete në fushën e arsimit të lartë dhe sigurimit të cilësisë.
- Mandati i anëtarëve të Bordit të Akreditimit është 4 vjet.
- Emërimi dhe shkarkimi i Kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Akreditimit bëhet me urdhër të
- Kryeministrit, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.
- Organizimi dhe funksionimi i Bordit të Akreditimit, si dhe masa e shpërblimit të kryetarit dhe anëtarëve të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
