Nga Sejdo Harka
Botuar në DITA
Nikos Kazanxaqis, ky gjigand i letërsisë moderne greke dhe i gjithë globit, do të mbahet mend në shekuj, jo vetëm për mendjen e tij të hapur dhe guximin e pashembullt për të shkallmuar çdo barierë e paragjykim, por edhe si korifeu, që i këndoi lirisë dhe stoicizmit të njeriut, edhe në situatat më të vështira të jetës. Kazanxaqis është absolutisht, një nga filozofët dhe shkrimtarët më të përkthyer në shumë gjuhë të botës. Ai ishte dhe mbetet prozatori më shquar i letërsisë bashkëkohore greke dhe një ndër mjeshtrat më të mëdhenj të romanit të shekullit XX.
Kazanxaqis ishte një nga shkrimtarët e mëdhenj të kohës, që në vitin 1957 u noinua për Çmimin ‘’Nobel’’. Por, në të vërtet, e mori shkrimtari i madh ekzistencialist, francezi Albert Kamy, i cili, në cermoninë e dorëzimit të këtij çmimi, në Stokholm, tha plot modesti:’’Këtë çmim, 100 herë më shumë se unë, e meritonte Nikos Kazanxaqis’’. Para se të shkruajmë për krijimtarinë e këtij shkrimtari të madh, me dimensione botërore, do të ndalemi për t’u treguar, me pak fjalë, kush është shkrimtari i letërsisë moderne greke, Nikos Kazanxaqis :
Ai lindi, më 18 shkurt të vitit 1883, në qytetin antik të Heraklitit, në ishullin grek të Kretës. Në vitin 1902, Kazanxaqi nisi studimet për drejtësi në Universitetin e Athinës. Ndërsa në vitin 1907 vazhdoi studimet për filozovi e filologji në Paris. Në vitin 1919, kur kryente detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Ndihmës Sociale Greke, organizoi riatdhetarizimin e popullsisë greke të rajonit të Kaukazit.
Gjatë viteve 20 të këtij shekulli, ai shëtiti në shumë vende të botës, si në Spanjë, Qipro, Egjipt, Çekosllovaki, Kinë, Japoni etj. Kur shkoi në Berlin, ai zbuloi komunizmin dhe u bë admirues i Leninit, por kurrë nuk u bë komunist i bindur. Nga besimi nacionalist, ai kaloi te ideologjia integruese globaliste. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, mes viteve 1941-45, ai lidhet me qëndresën popullore për çlirimin e Greqisë. Në vitin 1945 krijoi një parti të vogël jokomuniste të së majtës. Kjo i dha mundësi të bëhet pjesë e qeverisë së kohës si ministër pa protofol. Por, për shkak se dimensionet e mendjes së tij të lirë nuk mund ta nxinin dot bodrumet e qeverisë greke të kohës, ai largohet prej saj për të shijuar lirinë e tij. Në vitin1947 vendoset në Francë.
Kazanxaqis, edhe pse vuante nga leuçemia, në vitin 1957 nsi një udhëtim të gjatë drejt Kinës dhe Japonisë. Rrugës sëmuret rëndë dhe dërgohet për të kuruar në Feiburg të Gjermanisë, ku ndërroi jetë më 25 tetor të vitit 1957. Për shkak të qëndrimit mospërfillës ndaj Kishës, ajo nuk pranoi ta varroste në varrezat e saj. Prandaj kufoma e tij u varros në muret rrethuese të qytetit të Heraklitit. Edhe pse N. Kazanxaqis u përjashtua nga Kisha, edhe i gjallë, edhe i vdekur, la gjurmë të thella në jetën e Greqisë dhe të grekëve, jo si hero, por si shpirt i trazuar, i lirë dhe stoik. Është kjo arsyeja që bashkëkombasit e tij shkruan mbi gurin e varrit, në vend të epitafit, këto fjalë të tij:’’Unë nuk shpresoj për asgjë. Nuk kam frikë për asgjë. Unë jam i lirë’’.
Nikos Kazanxaqis u shqua për një krijimtari të gjerë, të larmishme dhe tepër cilësore. Ai është filozofi, poeti, romancieri, tregimtari, eseisti dhe dramaturgu grek më i përkthyeri i shek. XX në të gjithë botën. Vepra e tij shumëplanëshe, edhe pse u keqkuptua, u mallkua, u shpall herezi, mbeti monument i shpirtit të tij të lirë, ku shkëlqen jetësorja. Si filozof, ai u influencua nga Henri Bergson, Niçja, Buda dhe Lenini. Ai ishte një lloj ateisti, që dëshironte ta besonte Krishtin. Por, kur shihte se, predikuesit e tij bënin të kundërtën e asaj që thoshin, nuk mund t’i besonte verbërisht. Në jetë, përmes përjetimeve dhe debateve, ai krijoi dhe bindjet e tij vetjake tokësore, të cilat shfaqen si filozofi njerëzore. Për të njeriu është i lirë, kur nuk beson kurrkund dhe s’ka frikë nga askush. Për parodizimin Kishës dhe skalitjen e figurës së Zorbas si njeri i lirë, Kazanxaqis u quajt njeri i palidhur me idealet e popullit të tij. Por, në të vërtetë ai u bë simboli dhe zëdhënësi i shpirtit grek dhe i idealieve të atdheut të vetë.
Kazanxaqis u ngrit kundër psikozave nacionaliste, rraciste e sovraniste dhe ato të mbinjeriut, superioritetit dhe inferioritetit të individit. Me fantazinë e tij, ai krijoi ‘’kështjellën’’ e një bote të re pa idhuj dhe zota, që vinin nga thellësitë e antikitetit. Dhe këtë e ndërtoi përmes magjisë së fjalës, kompozitave të gjalla dhe sentencave të bukura. Sentencat e tij filozofiko- sociale janë të shumta, por ne do të përmendim vetëm dy prej tyre:’’Pika më e lartë që duhet të arrijë njeriu në jetë nuk është dija, as virtyti, as mirësia e fitorja, por sakrifikimi’’. ‘’Në se nuk mundemi të ndryshojmë realitetin, le të ndryshojmë sytë që shohin të vërtetën’’.
Kazanxaqis pati një krijimtari të bollshme dhe shumplanëshe. Dhjetë vitet e fundit ai krijoi veprat e tij më kualitativet. Krijimi i parë i tij është tregimi ‘’Gjarpri dhe zambaku’’. Më pas shkroi dramën’’Komedi’’. Ndërsa në vitin 1910 shkroi tragjedinë’’Mjeshtri ndërtues’’. Për t’u afruar me Zotin, Kazanxaqis u fut në një manastir. Në këtë kohë ai shkruan veprën ‘’Krishti kryqëzohet përsëri’’. Për Kazanxaqis Krishti nuk është hyjni e pagabueshme, pa pasione, por një qenie njërëzore emocionale, të cilit i ishte caktuar si mision sakrifica për jetën. Në fund ai shfaqet si bir njeriu.
Ishin të shumtë grekët që e mallkuan dhe paragjykuan Kazanxaqis, por ai nuk u ligështua e gjunjëzua kurrë. Ndaj u drejtohej atyre me këto fjalë:’’Qoftë morali dhe besimi juaj më i pastër se sa imi! ’’Disa nga veprat e tij që janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe janë: ‘’Asketika’’, ‘’Tundimi i fundit’’, ‘’Kapedan Mihalis’’, ‘’Jeta e Aleksis Zorbas’’, etj. Në fillimet e krijimtarisë së tij, Kazanxaqis nuk shquhej si prozator. Ai ëndërronte të bëhej poet i madh si Homeri dhe Dante Aligeri.
Vitet e fundit do të shkëlqente si prozator, dhe veçanërisht me romanin ‘’Zorba’’, të cilin e solli në gjuhën shqipe nga orgjinali, përkthyesi Stavri Dajo. Kjo vepër e rrallë u shkrua nga autori mes viteve 1941-43 dhe u botua menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Për brendinë, ngjarjet dhe gjuhën e përsosur, ky roman mbahet si një nga 100 librat më të vlerësuar të botës, për të gjitha kohërat. Është, ndoshta kjo arsyeja kryesore që këtë vepër të Kazanxaqis e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve tona.
Sapo nis të shfletosh romanin ‘’Zorba’’ ndjen hapat e një heroi të rrallë, që rend i hasdisur mbi koren e planetit tonë për të gjetur lirinë e vërtetë. Ky është protagonisti i romanit ‘’Zorba’’, maqedonasi me të njëjtin emër, që me bëmat e tij të çuditshme bën bujë të madhe. Për të, liria është gjithçka. Është jetë, pasuri, shpirt, emocion, besim, ekzistencë dhe frymëzim. Aleksis Zorbas është bërë simbol i njeriut të lirë, i njeriut të vetvetishëm dhe i mençurisë së popullit të tij, që lufton të gëzojë çdo çast të jetës.
Në figurën e këtij protagonisti, sa artistik, aq dhe real, janë shkrirë gati në një të vetëme figura e reale e heroit Aleksis Zorbas, roli i të cilit luhet me art të rrallë nga aktori i madh i Hollivudit, Anton Kuin dhe vetë naratori Kazanxaqis, me filozofinë dhe ëndrrën e tij për një jetë të lirë. Kjo shkrirje sjell para lexuesit figurën e një protagonisti, sa artistik, aq dhe të vërtetë, me vlera universale, tepër simpatike, me të cilën dashurohet, jo vetëm naratori, por dhe lexuesit. Por për t’u thelluar më tej tek vlerat e këtij romani, le të rikthehemi tek brendia, karakteret dhe filozofia e tyre jetësore.
Romani ‘’Zorba’’ nis me një prolog kuptimplot, nga i cili do citojmë vetëm këto shprehje:
’’Njerëzit që lanë gjurmë në jetën time, thekson Kazanxaqis, janë vetëm 3-4 : Homeri, që për mua ishte drita e diellit; Bergson, që më lehtësoi nga ankthi; Niçja, që më mësoi ta shdërroj fatkeqësinë në krenari dhe Zorbas, që më mësoi ta dua jetën dhe të mos i trembem vdekjes. Por, po të më kërkohej sot, të zgjidhja njerin prej tyre, do të kisha zgjedhur pa mëdyshje, Zorbas’’.
Për Kazanxaqis, Aleksis Zorbas, të cilin e ka njohur nga afër në një minierë qymyrguri, kishte gjithçka që i duhej një njeriu të lirë. Kishte mençurinë e rrallë, sigurinë e dorës, freskinë e zemrës, guximin e papërmbajtur, nga i cili buronte një forcë supreme, më e madhe se shpirti i tij. Ai i kapërcete të gjitha barierat e gardhet që e mbanin të ndrydhur: moralin dhe besimin, atdheun dhe nacionalizmin. Pa dashur, në mendjen e tij ishte ravijëzuar miti, Zorba.
Figura e tij kishte depërtuar thellë në gjakun dhe gjoksin e tij si ushqim i përditshëm shpirtëror. Historia e tij i shfaqej si një përrallë e motshme. Prandaj e pati vështirë të përzgjidhte se ç’formë artistike do t’i jepte asaj materjeje të gjallë: romancë, këngë, tregim apo roman të tipit ‘’Njëmijë e një netë’’. Si mund ta gdhendëte më mirë figurën e këtij dragoi të lirisë. Zorba, tregon naratori, ishte shtatëhedhur, me sy të vegjël dhe të rrumbullaktë, i cili kërcente duke klithur e rrahur putrat e këmbëve mbi zall.
Emri i Aleksis Zorbas, shkruar me shkronja kapitale me ngjyrën e detit të Kretës e kishte pushtuar të tërin. Prandaj u bën thirrje të gjithë grekëve: ‘’Ejani t’i japim pak gjak nga gjaku ynë, që të ringjallet ai, të cilin e thirrëm: pianeci, punëmadhi, gruari dhe horri Zorba! Shpirti më i gjerë, zëri më i lirë…, që kam njohur tërë jetën!’’
Kazanxaqis e kishte gjetur heroin e librit dhe njeriun me të cilin do të ndërtonte minierën e linjitit pranë bregdetit të Kretës. Kishte marrë udhën dret njerëzve të punës, që dinin të bënin çudira, por më shumë të bënin një jetë të lirë. Aleksis Zorbas njerëzit e thërrisnin me shumë emra. Sa nisi t’i binte sandurit, tregon naratori, e kuptova se ai ishte njeriu që kisha kërkuar. Ai i ngjante me një gur të pagdhendur, që ende nuk e kishte prerë kërthizën nga toka mëmë.
Ja, këto janë disa nga tiparet kryesore që e bënë Kazanxaqis t’i thotë këtij njeriu magjik: ‘’Zorba, do të vish me mua! Do të mbikqyrësh punëtorët e minierës time në Kretë dhe pastaj do t’i biesh sandurit sa të lodhesh’’. Për Zorbas, edhe modernia e kohës ishte arkaike. Edhe telegrafi, edhe vapori, edhe morali edhe atdheu, edhe feja ishin koncepte të vjetëruara. Jeta ecën më shpejt se njerëzimi. Të jesh njeri nuk do të thotë, liri. Brendia e romanit ndërtohet mbi bazën e një dialogu mes Zorbas dhe naratorit. Zorbas kujton ditët e luftës në Kretë dhe çuditet përse luftonin dhe si është e mundur të luftosh kundër njerëzve, të cilët nuk i ke takuar kurrë. Tashti çuditem, thotë Kazanxaqis, por athere më ndizej gjaku. Në momente të tilla, për çudi, njeriu bëhet më bishë se bisha. Të tilla prapësi bëmë ne andartët, tregon ai, kur me princin Jorgo sollëm lirinë në Kretë. Liria, për çudi, na ardhka duke vrarë dhe prerë njerëz. Po, a mund të quhet liri kjo, që vjen duke vrarë të tjerët?!
Ndërsa Zoti, në ved që të na lëshonte një rrufe, na fali lirinë. Nuk e kuptoj, përfundon Zorba, Zoti nuk ekziston, apo edhe atij i pëlqejnë zullumet. Zorba ishte kundër bindjeve, paragjykimeve dhe besimit të verbër që skllavërojnë njeriun. Për të, njeriu që bëhet vegël qorre e tyre, nuk mund të quhet i lirë. Të flijohesh për hir të ideve, rracës dhe besimit, nuk është liri por skllavëri.
Jeta e tij në një fshat të Kretës i ngjante komedisë ‘’Stuhia’’ të Shekspirit. Reljevi i Kretës i ngjante një prozeje të bukur, pa lojra fjalësh. Ndërsa deti që gurgullonte valë-valë, i ngjante një poezie magjike. Zorba punonte sikur nuk do të vdiste kurrë dhe hante, pinte e bënte qejf, sikur do të vdiste nesër. Ai i dashuronte grate, sepse pas çdo gruaje shihte një Afërditë. E tillë ishte për të edhe madam Ortansa, të cilën e ndoqi këmba-këmbës duke i kënduar: ’’Udhëve të jetës time/ ç’deshe që më dole para…’’, nën tingujt magjepës të sandurit të tij të rrallë. Për të gruaja është një qenie tepër e ndjeshme. Po nuk i the se e dashuron, qan e dëshpërohet thellë. Dëgjoja Zorbas, tregon naratori, dhe përpara më shfaqesh virgjëria e botës, se si çelte fletë. Ndaj Zorbas-in e prisja me gaz. Për Zorbas, njeriu ka raste që tjetërsohet në shtazë. Po i bëre një të keqe, të respekton e dridhet para teje. I bëre një të mirë, të nxjer sytë. Prandaj mbaj disyancë ndaj tyre. Mos u thuaj kurrë se jemi të barabartë, sepse do të shkelin të drejtat e tua, do të heqin nga goja edhe bukën tënde… Për naratorin, Zoba nuk u prish mendërisht, sepse nuk ndoqi shkollën. Ai ishte një autodidakt që e ruajti zgjuarësinë natyrore.
Dijet dhe mençurinë e përsosi përmes udhëtimeve, dialogjeve, meditimeve individuale. Çdo problem të vështirë e zgjidhi duke qëndruar me këmbë në tokë. I tillë ishte dhe mbeti Zorbas, thekson Kazanxaqis, ndërsa ne shkrimtarët mbetëm si zoqtë e shushatur të ajrit. Sa herë e shihte atë duke kërcyer, i ngjante me një shkëmb. Ai nuk ngopej së punuari, së kërcyeri dhe së rëni sandurit. Për të, lumturia ishte: një gotë verë, një gështenjë e pjekur, një mangall, një zhaurimë deti. Por që ta shijosh këtë lumturi, duhet një zemër e përkorë.
Shumë njerëz e kërkojnë lumturinë tek të tjerët. Por për Zorbas, ajo duhet kërkuar e gjetur brenda vetes. Zorbas ishte një punëtor i rrallë. Ai e gdhinte natën duke bërë prova me teleferikun e minierës. Ndërsa, kur e pyesin, në se e besonte Zotin apo jo, shprehej: ‘’As e besoj, as nuk e besoj, sepse besimi të bën të mos kesh asnjë ambicje vetjake dhe të detyron, me marifet, t’i duash idhujt e tij me gjakun e zemrës’’. Vetëm njeriu i çliruar nga besimi, brengat dhe bestytnitë mund të jetë i lirë.
Unë, thotë Zorbas, nuk jam patriot, jam i lirë. Natë e ditë rend pa pasur frikë se mund të bëhem copë e thërrime. Thelbi i jetës dhe veprimtarisë së tij është marrëzia. Dhe marrëzia ime më e madhe është të rend pas qejfit. Vetëm kështu ndjehem i lirë. Disa nga enigmat që e shqetësonin ishin: Ç’është shpirti?. Në ç’raport qëndron ai me detin, erën, dheun? A mos vallë edhe shpirti është det, erë, re, tokë?! Nuk e besoj, as Parajsën, as Ferrin. Aty ku shkel shpirti i zbrazët i Budës, nuk buron ujë, nuk lulëzon bar, nuk lindin fëmijë. Prandaj u bën thirrje njerëzve: Pastroni zemrën, pastroni mendjen. I urrej evropianët, thotë Zorbas, por më shumë urrej grekët dhe Greqinë që na shpikën partiçkat e na bënë lesh e li. Ndaj iu ktheva punës si qeni. Asgjë tjetër nuk më gëzonte veç punës. Nuk jam rob i parasë, por i punës. Në punë ai njohu lloj-lloj njerëzish: lehaqenë, rreckamanë, imoralë. Siç thotë dhe vet, ai redëte për të prekur tokën, pa le të vdiste. Dëshironte të bëhej një Mojsi që t’i printe Tokës së Premtuar. Brenda vetes ai gjen dy Zorbas, që janë në luftë me njeri-tjetrin. Për të nuk ka rëndësi: është apo s’është i ndershëm, është bej apo hamall, është apo s’është gjallë. I ruhet kotësisë, nuk i gëzohet arit, nuk e trishton as e liga. Ndaj, thotë Kazanxaqis, e shporra një herë e për gjithmonë emrin Buda. Zorba do të jetë fjala ime e fundit.
Mendimet e Zorbas u kishin dhënë mish e gjak shqetësimeve të mija, që më kishin torturuar vite të tëra. Për Zorbas jeta është : punë, gra, verë, këngë. E gjithë bota gjallërohej në duart dhe mendjen e tij. Edhe gurët, edhe drurët, edhe punëtorët, edhe qymyri hynin në ritmin e tij të papërmbajtur. Në galeritë e minierës ai ndeshej gjoks më gjoks me thellësitë e malit. Përpara, bërtiste ai! Ta çajmë malin me dhëmbë! Atij i kishin mbetur në mendje fjalët e mençme të Asketit të Madh, drejtuar nxënësve të tij. Ja, ç’u thoshte ai: ‘’Mjerë ai që nuk ka gjetur burimin e lumturisë së tij. Mjerë ai, që ende nuk ka kuptuar, se jeta është një, e s’ka të dytë. Mjerë ai, që ende nuk është shkëputur nga Buda, Zoti, atdheu dhe idetë’’.(172) Kur më hipën në kokë për një gjë, ha sa ngopem. Kështu më ndodhi edhe me qershitë. Pasi u sëmura rëndë, nuk doja t’i shihja me sy. Që atë ditë e ndjeva veten të lirë. Vazhdoj të pi duhan dhe verë. Por sa ta ndjej se më dëmtojnë, kam forcë që t’i pres ato si me thikë. Edhe atdheun tim e desha me mish e gjak, por m’u mrzit. Si mud ta dua atë atdhe, që pushton e shtyp popujt e tjerë më të vegjël!?.
Interesant është dialogu i Aleksis Zorbas me një Metropolit, të cilin kur e pyet, se me ç’punë merej, ai i tregon, se si kopjonte kodet e vetmisë. Në këto çaste në manastir dëgjohet një krismë. Ishte e vështirë të vije një kufi mes ëndrrës dhe zhgjendrrës. Jeta i ngjante një luleje të egër me një pikë mjalti në qendër. Demosteni kishte vrarë një djalosh të pamshëm. Ndërsa kallogjerët, kokëulur hynin nëpër qelitë e tyre. Kurse Zorba, plot trishtim, u drejtohet atyre me këtë ironi therëse:’’Paça mallkimin tuaj, o etër të shenjtë!’’(197)
Kur isha i ri, tregon Zoba, rrëmbeva pushkën dhe u bëra andad. Kur pash me sytë e mij, se si një prift vrau në krevatin e gjumit një mësues të pafajshëm, më hipi gjaku dhe vrava priftin kriminel. Pas disa ditsh, tregon ai, pashë disa fëmijë që endeshin rrugëve. Ata ishin të priftit që vrava këto ditë me duart e mia. M’u rrotullua toka. Në çast mora një qese me lira dhe ja u derdha fëmijëve para këmbëve. Isha çliruar shpirtërisht. Kisha shpëtuar nga priftërinjë, paratë dhe atdheu. Kam bërë aq shumë për atdheun, sa kur e kujtoj më ngjethet leshtë e kokës. Kur isha komit, vrava plaçkita, dogja fshatra dhe lashë shumë fëmijë jetimë. Dhe pse?! Vetëm sepse ishin turq, bullgarë…. Për këtë, thotë Zorbas, qortoj veten dhe atdheun. Paskemi qenë ujqër. Prandaj them me forcë:’’Sa të ketë ‘’atdhe’’, njeriu do të jetë bishë pylli’’. Po unë, përfundon Zorbas, shpëtova një herë e mirë nga atdheu. Atdhe kam lirinë’’.(211) Zorbas, thotë naratori, ndjek udhën e yjeve të lirë. Për të rruga e vërtetë është puna, dashuria, udha e zogjve të lirë. Ai dinte t’i jepte jetës zemër, forcë liri, drejtësi.
Therja e llahtarshme e vejushës në një manastir, se paskësh thyer kodet morale të Kishës, e tronditi thellë Zorba-n. Ai llahtariset, kur sheh turma të hasdisura besimtarësh të verbër që i turreshin të mjerës si bisha të egra. Por, akoma më tepër çuditet kur njerëzit e saj të afërt turreshin të babëzitur për të rrëmbyer plaçkat e saj, në çastin kur ajo ende nuk kishte marrë dhe. Botë e çuditshme, thotë Zorbas. Në këtë botë gjen njerëz, që presin koka njerëzish, si të ishin koka zogjësh. Dhe për çudi, në emër të besimit të shenjtë. Më pas naratori nis të çuditet me të ashtuquajturin‘’Tmerri Shenjtë’’?! Në këto çaste trurin ja përshkojnë si një hell i skuqur disa grimca nga meditimet budiste për jetën:’’Ne s’jemi gjë tjetër veçse disa krimba të vegjël, që ecin mbi një fletëz të pemës gjigande. Hiqemi zvarrë mbi gjethen tonë me llahtari si gjë e gjallë. Ndërsa të tjerë na shohin me qesëndi se si na tundon tmerri’’. Për mua, thotë Zorbas, ka rëndësi të jem i lirë. Ka rëndësi ta shdërrosh të pashmangshmen në dobi për njeriun. Kjo është rruga e vërtetë e shpëtimit të njerëzimit. Nuk ka rëndësi as e djeshmja, as e ardhshmja, por vetëm e sotmja. Në botë ekzistojnë disa lloj njerëzish: ata që luftojnë ta gëzojnë jetën dhe njerëz që tjetërsohen në qenëri, materje, ide boshe. Mbresa të rralla i kishte lënë Zorbas kjo sentencë e rrallë e shënjtorit Hysen Agai: ‘’Zotin s’e nxënë as 7 rrathët e qiellit, as 7 rrathët e tokës. Atë e nxë vetëm zemra e njeriut. Prandaj mos e lëndo kurrë zemrën e robit.’’
Zorbas dhe punëtorët punuan për një kohë të gjatë pa u lodhur për ndërtimin e minierës dhe të teleferikut, por një ditë ato u rrënuan nga themelet. Kisha humbur gjithçka, thotë ai, dhe për çudi ndjeja një lumturi të beftë, sepse kisha zbuluar lirinë që lodronte thellë në shpirtin tim. Në ved që të ligështohej e plogështohej, nisi të këndonte e kërcente, për ta mundur trishtimin. Vallja dhe kënga e tij ishin një revoltë kundër fatkeqësisë dhe skllavërisë. Hidhte vallen duke kënduar: ‘’O Zot, s’më vret dot. Nuk ta kam as frikën as nevojën! Në këto çaste e ndjen veten më të fortë se kurrë. Papritur, në kujtesë i shfaqet legjenda e luftës së një plaku me furtunën, e cila kërkonte t’i rrafshonte kasollen e tij në majën e malit, të ndërtuar me mud e djersë. -S’ke për të ma shëmbur dot kasollen, i thotë plaku stuhisë, dhe, në ved që të gjunjëzohej para saj, nisi të tallej e qeshej me erën, ashtu si Zorbas me fatkeqësinë natyrore që i shkatërroi minierën, mundin, paratë, teleferikun.
Erdhi një ditë që Zorbas dhe Kazanxaqis të ndahen. Kam një rrugë të largët, thotë naratori. Akoma nuk jam ngopur me letra. Do të ha aq letra, sa të më përzjehet e të vjell, ashtu siç bëri Zorbas me qershitë. Do të bashkohemi përsëri për të zbatuar planin tonë madhështor, ngritjen e një manastiri pa ‘’Zot e pa Shejtanë ‘’. Tani e ndjej veten të lirë, përfundon Kazanxaqis. Ende s’je plotësisht i lirë, ja kthen Zorba, sepse je i shkolluar. Dhe kjo të prish punë. Nuk të lejon ta këputësh litarin. Zorba dhe Kazanxaqis u ndanë fizikisht, por shpirtërisht ata nuk u ndanë kurrë. Zorba i shfaqej në ëndërr, sikur ai i thoshte plot mall:’’Ah sikur të ishim bashkë tani!’’. Prandaj, tregon naratori, nisa të shkruaj plot llahtari për udhërrëfyesin tim të papërsëritshëm, si të kisha zbrazur një bombë të rëndë.
Po, kush ishte Aleksis Zorbas i vërtetë. Ai vinte nga një fshat i Shkupit të Maqedonisë, dikur pjesë e Sërbisë. Ja ç’tregon një mësues i fshatit të tij për të: ‘’Aleksis kishte këtu një minierë. Kur po jepte shpirt, më tha: Kam një mik në Greqi. Kur të vdes do t’i thuash se, për çdo gjë që kam bërë në jetë, s’jam bërë kurrë pishman. Në më ardhtë ndonjë prift për të më kunguar, thuaji të thyejë qafën. Paça mallkimin e tyre! Bëra shumë në jetë, por prap, pak kam bërë. Njerëz si unë duhet të rrojnë njëmijë vjet. Natën e mirë, ishin fjalët e fundit. Pastaj u kap pas pravazit të dritares, vështroi malet, zgurdulloi sytë dhe zuri të qeshte’’. Kështu e mori vdekja njeriun e jashtëzaknshëm Aleksis Zorbas. Në këmbë si qiriri, me thonjtë ngulur përjetësisht në pravazin e dritares.(286) Ky është protagonisti i këtij romani, që mban brenda edhe shpirtin e lirë e rrebel të shkrimtarit të madh me dimensione botërore Nikos Kazanxaqis.”
-Në se nuk mundemi të ndryshojmë realitetin, le të ndryshojmë sytë që shohin të vërtetën-
Kazanxaqis
—
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016