Arkivi Kombëtar Amerikan i ndarë në disa shtete ka material me shumë vlerë që referojnë mbi Shqipërinë.
I tillë është materiali i Dosjeve të Zbulimit Ushtarak Amerikan. Një Shërbim i pavarur i ushtrisë amerikane Zbulimi Ushtarak kishte për detyrë mbledhjen dhe klasifikimin e një morie informacionesh me karakter ushtarak.
Një nga Dosjet me shumë interes mbi Shqipërinë është edhe Dosja e Gjeneralit Gjerman Hubert Lanz, Komandant i Divizionit XXII Malor “Gebirgsjaer”
Kemi dëgjuar shumë për luftën, por e parë me sytë dhe mendjen e një “armiku” ajo është më interesante.
Pjesa e mëposhtme është shkëputur nga shënimet e Lanz nga luftimet në Greqi e Shqipëri, botuar për herë të parë nga Auron Tare.
Ja si e përshkruan gjenerali gjerman një nga operacionet:
“…Operacioni Gembsbock dhe Steinadler Qershor 1944 ishin dy operacionet kryesore që u ndërmorën kundër partizanëve. Qëllimi ishte shfarosja e forcës së mbi 9000 partizanëve të vendosur në Shqipërinë Jugore. Objektivat e Operacionit: Të rrethohet armiku në zonat Kuç – Tepelenë – Përmet – Gjirokastër, në pamundësi të një rrethimi të shtyhet armiku drejt detit në zonën e Himarës. Ekzekutimi i këtij Operacioni ishte diskutuar në detaje me komandantët e Divizioneve duke përdorur hartat e zonës. Trupave ju tha qëllimi i misionit të tyre vetëm pasi filloi ekzekutimi i Operacionit nga vend qëndrimi fillestar i tyre.
Vështirësia më e madhe e këtij Operacioni ishte numri i pakët i trupave në dispozicionin tim për të rrethuar këtë zonë kaq të madhe. Një betejë shumë e ashpër filloi në ditën e dytë të shfaqej në lartësinë mbi 2000 metra në masivin malor të Çorovodës. Vetëm një njësi speciale siç ishte Divizioni i Parë Malor me eksperiencë të plotë luftimesh malore, mundej t’i ndiqte partizanët në zonat më të vështira dhe t’i tërhiqte ata në betejë edhe në këto zona. Në momentin që partizanët e kuptuan se nuk kishin asnjë mundësi t’i rezistonin një njësie të tillë speciale si këmbësoria malore e këtij Divizioni, u munduan që të fshiheshin në zonat e vështira për t’u gjetur nga ne. Një pjesë e tyre bëri sikur do të sulmonte në Jug dhe pjesa tjetër u mundua të çante linjën e rrethimit në Veri – Perëndim. Shumë shpejt ata gjetën pikat e dobëta në rrethimin tonë. Njësitë e mbetura të partizanëve u larguan drejt Jugut në zonën e Vasiliko – Përmet – Tepelenë – Këlcyrë, një zonë shumë e ashpër malore. Duke qenë se kjo zonë kishte qenë gjithmonë një zonë e fortë që mbështeste partizanët, ata shpresonin se do arrinin të na përballonin në terrenin e thyer malor të këtyre maleve.
Divizioni i Parë Malor i cili kapi rrugën e kësaj zone në ditën e katërt të Operacionit, ndaloi atje për pak kohë sa të priste njësitë e tjera të lodhura nga beteja si dhe të pushonte pak edhe vetë dhe ditën e pestë, me gjithë rezistencën e fortë nga armiku, arriti t’u ngjitej pikave gati vertikale të maleve të Përmetit në mëngjes. Në të njëjtën kohë, Divizioni i 297 kapi grykat e rrugës Vlorë –Tepelenë – Këlcyrë, por ndërkohë, një grup i fortë prej rreth 1000 partizanësh u përpoq që të thyente rrethimin në Luginën e Sheperit me drejtim Gjirokastrën dhe më poshtë në Jug. Njësitë e Divizionit Styerer arritën që ta mbanin linjën e rrethimit të pa thyer dhe partizanët e lodhur nga përpjekja, ju drejtuan zonës së Kuçit. Kjo lëvizje vendosi fatin e tyre. Një tërheqje në Veri tashmë ishte e pamundur, pasi të gjitha batalionet Gjermane e kishin mbyllur rrugën Vlorë – Vasiliko si dhe të gjitha shtigjet e mundshme që mund të përdoreshin nga partizanët. Partizanët, duke parë që nuk kishin më asnjë shpresë shpëtimi, luftuan shumë fort nga dëshpërimi dhe terreni i vështirë i ndihmonte në këtë drejtim. Jo vetëm terreni malor ishte shumë i përshtatshëm, për ta kishte mjaft shpella ku kompani të tëra me partizanë mundën të strehoheshin në to. Në shumë beteja individuale gati edhe trup më trup, shumë nga këto vende ku ata fshiheshin, duheshin pastruar një për një.
Partizanët e mbetur u detyruan të ngjiteshin në malësinë e Kuçit. Rezistenca vazhdoi edhe për gati tre ditë me radhë. Më në fund arritëm t’i thyenim duke shpartalluar gati 2000 prej tyre, duke i vrarë apo kapur rob. Është mjaft e vështirë të themi me siguri se sa prej tyre kishin fatin të shpëtonin nga rrethimi ynë. Por megjithatë, disa javë pas kësaj beteje, partizanët u rishfaqën përsëri në këtë zonë, tashmë edhe më të fortë. Nëse rrethimi do kishte qenë më i plotë në Veri-Perëndim, rezultati i Operacionit do të kishte qenë shumë më efikas. Përveç humbjeve në numër, armiku humbi një sasi të madhe armatimesh dhe municionesh si dhe pajisje të sinjaleve dhe komunikimit. Nga ana jonë humbjet ishin gjithashtu të mëdha. 120 të vrarë dhe gati mbi 300 të plagosur… Ky Operacion i urdhëruar nga Komanda e Lartë u quajt “STAINDLER”
Dita / për më shumë, klikoni KËTU