Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Libri më i fundit i poetit Daut Gumeni është përsëri me poezi dhe pse ai ka shkruar romane, tregime, ese dhe poezi. Poezia duket se ka mbetur një dashuri e shenjtë për poetin. Ndërsa na ka afruar një profil prej shkrimtari dhe poeti me libra të tilla si: “Legjendë lirie” (poezi), “Kënga e zezakut të bardhë” (poezi), “Vallja e etjes” (poezi), “Puset me yje” (poezi), romanet “Shënime nga Shkolla e Partisë”, “Bletë dhe fishekë”, “Rrathët e humbëtirës”, librat me novele dhe tregime: ”Mulliri i harruar” dhe “Qershia e egër”, libra me ese dhe publicistikë, vëllimi që kemi në dorë mbart një vlerë akoma më të madhe.
Pse them kështu? Kjo nuk lidhet aspak me nivelin e librit “Kënga e gurit”, pasi poeti Gumeni e ka krijuar profilin e tij poetik, duke zënë vendin e vet në radhën e poetëve dhe të poezisë shqipe, të asaj poezie që mbart në vetvete identitetin e saj, shqisën e emancipimit shpirtëror, social dhe kulturor, një poezi e cila e gjen dhe e shpërfaq lirizmin përmes lirisë dhe veprës njerëzore për lirinë, një poezi e cila mbart dhe ka në detajet, elementët e frymëzimit kohën, njeriun, raportet e thella që poeti ka me vetveten dhe mjedisin ku ai jeton dhe krijon. Poezia e Daut Gumenit ka një identitet brilant, pasi është shprehje e formimit të tij kulturor, familjar, të një treve e cila mbart në vetvete një epizëm sa historik, po aq dhe kulturor dhe shpirtëror.
Botimi i librit poetik të Daut Gumenit ka një vlerë të rëndësishme, pasi ai botohet në një kohë me një larmishmëri raportesh dhe marrëdhëniesh të njeriut me të kaluarën, të sotmen, të individit me shoqërinë, të individit me rajonin dhe më gjerë. Reflektimi i kohës në të cilën jetojmë është i rëndësishëm në shqisën dhe marrëdhëniet që një poet si Daut Gomeni e ka shndërruar në poezi. Për shumë arsye, Gumeni sjell situata, përjetime, mbulesa dhe raporte interesante me kohën, jo vetëm prej profilit dhe individualitetit të tij poetik, por dhe të natyrës së hollë me të cilën ai e shikon jetën, mjedisin, njerëzit dhe kulturën.
Libri “Kënga e gurit” mpleks kohët, përjetimet, natyrisht në një realitet bashkëkohor, por e rëndësishme është në këtë rast gjerësia tematike e librit, e cila ngjan si një rrugëtim në prurje nga fëmijëria e poetit, poezitë që lidhen me vendlindjen, familjen dhe fillimet poetike, natyra, vende dhe njerëz, që këngëzohen dhe shndërrohen në komunikim poetik në dritën e kohës së sotme. Në historinë e poezisë më të mirë shqiptare dhe atë të huaj, poezitë e kësaj natyre janë gati “traktate” të komunikimit poetik, të praktikuar për herë të parë gjatë periudhës së romantizmit evropian.
Duke qenë një poet i formuar mjaft mirë kulturalisht dhe i mirë lexuar, falë dhe talentit të njohur, libri në fjalë është interesant dhe mbartës i mesazheve të kaluara në një filtër të mirë të ndërgjegjes estetike dhe poetike të poetit. Natyrisht, libri afron nevojën e një qasje të hollë dhe skrupuloze pasi ai lexohet vertikalisht dhe horizontalisht, Gumeni arrin që pjesën më të madhe të mesazheve dhe gjendjeve të ngrohta emocionale të tij t’i përcjellë përmes strukturave të thjeshta të komunikimit, duke i afruar poezisë së tij një numër lexuesish të shumtë. Gjërat e rëndësishme shkruhen thjeshtë, ndërsa ato është e nevojshme të lexohen nga shumë njerëz.
Le të prekim realitete njerëzore, që vijnë përmes detajesh të qëmtuara, por që mbahen mend mirë, ndërsa mund t’i ketë përjetuar në një formë të caktuar çdo njeri. Poema “Kënga e gurit” përçohet nga metafora e dhimbjes, një dhimbje që vjen përmes një motivi epik, “një bari plak” i lëmon fjalët për ta plakur dhimbjen, ndërsa kjo “këngë dhimbjeje” kthehet në një udhëtim, nëpër tokën “të pjekur nga dielli”, “me ledhe e gurë të djegur”, ku ka ndodhur e ç’nuk ka ndodhur, ku kënga “i ka rrënjët në plagët e pagjetura”, ku tregohet si “digjeshin malet”, dhe sa më e plakur të duket dhimbja ajo mbi gurë mbetet.
Poema “Kënga e gurit” në një simbolikë historike- epike i ngjesh kohët, të cilat poeti i shfaqë në një komunikim të gjerësishëm dhe detaje simbolike që lënë të nënkuptohen kohët, njerëzit dhe raporti i vetë poetit me kohën. Poeti Daut Gumeni e përdorë mjaft mirë kohën në funksion të tashmes, përmes të cilës përvijohen ngjarje të rëndësishme të kombit dhe të atdheut, personazhe të rëndësishëm, kode sociale që kanë provuar peshën e kohërave, siç janë Kuvendet e shumta, dramat dhe tragjeditë, të cilat janë shndërruar në dhimbje kolektive dhe që në poemën “Rënga e Gurit” përbëjnë nyjëtimet e duhura të saj.
Libri “Kënga e gurit” ka një tablo apo mozaik të madh tematik dhe gjeografik. Poeti ka një “shqetësim” shpirtëror të kudogjendshëm, për shkakun se poezitë datojnë ditë të ndryshme dhe vende të ndryshme ku i kanë ardhur motivet, si në Tiranë, Butrint, Ljubljanë, Valbonë, Bylis, Gusmar, Orikum, Janinë, Vlorë, Progonat, Radhimë, Fier, Bled etj, ku shquajnë më së shumti motivet, meditimet dhe dialogët nga Radhima. Gjithë kjo gjeografi poetike në vetvete reflekton kaq shumë motive, gjendje, pleksje të kohëve, një shkrirje të natyrshme të motiveve epike me një shpirt brilant lirik, siç e ka treguar në të gjithë poezinë e tij Daut Gumeni.
Gjeografia poetike ne një libër poetik përbën një tregues të rëndësishëm të aktualitetit dhe gjërat që i lidhin me të kaluarën. Në të shumtën e rasteve, në poezinë e Gumenit ka një lidhje të dukshme apo simbolike të së tashmes me të kaluarën, pasi poeti e respekton mjaft mirë dialektikën, se e sotmja lidhet domosdoshmërish me të kaluarën. Gati në çdo poezi të tij ka një receptim sado të vogël me të kaluarën, siç ndodh në poezinë më të njohur klasike. Kjo e bën poezinë e tij të strukturuar mirë me komunikimin, pasi pjesa më e madhe e poezisë së tij ngrihet mbi një gjendje emocionale, motiv apo detaj që në çdo rast e tejkalon përmasën e detajit poetik.
Poezia “Bjeshkët e Nëmura” në momentin e parë duket se lidhet me simbolikën apo detajin mitologjik me të cilin është përcjellë kjo pjesë malore në Veriu e Shqipërisë. Poeti nuk i shmanget kësaj simbolike, por mitin e tyre, që poeti Daut Gumeni e “lexon” mjeshtërisht përmes vargjeve të tillë, si: ”Dhimbja e zemrës së gurit/ ato maja shkëmbore mahnitëse...”, apo “Gurët e thatë të legjendës së lashtë/ që ranë diku në tokë pa lejen e Zotit…” dhe “Bjeshkët e Nëmura/ ca re të gurta/ të nisura për në diell...”, përthyhen dhe duket se përçohen nga motivi njerëzor, se “Bjeshkët e Nëmura/ kanë mbetur në udhën e kohës/ të na hapin udhën për në qiell/ si fjalë të urta…”, prandaj ai thotë, se “U falem/ Bjeshkëve të Nëmura/ që luftojnë në heshtje me nëmën e Zotit…”, shpërfaq një simbolikë revokuese të fuqisë njerëzore, të racës njerëzore të poetit.
Të kësaj natyre janë dhe shumë poezi të tjera të poetit Gumeni, i cili përdorë mjaft mirë metonimitë e thjeshta dhe metonimitë kontekstuale. Poezia “Bjeshkët e Namura” është ndërtuar mbi një metonimi kontekstuale, ku krenaria që vjen prej lartësisë dhe pa-epshmërisë së Bjeshkëve të Nëmura depërton në natyrshmërinë njerëzore.
Mendoj të shpalos dhe një interpretim përmes metaforës poetike të Gumenit, lidhur me burimin nga vjen poezia e tij, filtrin estetik nëpër të cilin ajo kalon për t’u materizuar në poezi. Poezia “Mësuesja ime e poezisë” është një nga poezitë më të bukura. Ajo është ndërtuar gati si një narrativë emocionale, si një rrëfim për veten. Rrëfimet për veten janë gjithmonë të bukura, por në thelb, poezia mbahet mbi një alegori të mrekullueshme, qoftë estetikisht, qoftë si burim njohjeje dhe si refleksion i ndjesive të poetit.
Interpretimi tekstor, përmes fjalorit që poeti përdorë, përmes sintagmave të shumta, përmes parabolave që mbartin në vetvete kohët që përdoren, lidhjet në të gjithë strukturën e thjeshtë të “mësueses së poezisë” të poetit Daut Gumeni, mendoj se përbëjnë refleksionin analitik-sintetik të poezisë së tij në përgjithësi. Poezia nis me një refleksion njerëzor: ”Kur më paket në gjumë troku i zemrës,/ e shoh veten në ëndërr/ të vdekur…”, përmes një enumeracioni jashtëzakonisht të imët, konciz, të natyrës, antropologjisë, familjes, shpirtit (i qepesh malit me mundim, mbledhur lule, ndihësh rritjen e nipërve, dhimbjen e pagojë, ngjyrta e përkora të luleve të malit, kullojnë në fjalët e dhimbjes së nënës, krongjitë e akullit, dielli i qeshur i mëngjesit, rrezet e mekura të hënës, zëri magjik i bilbilit, kënga e zemërpikur e qyqes, drita e largët e yllit, aroma e luleve të blirit, paçet e ftohta të borës…), për të drejtuar pyetjen emblematike: ”Ku e gjen atë fuqi të habitshme/ në pleqërinë tënde mundimmadhe/ Ti mësuesja ime e parë e poezisë?”, dhe për t’iu përgjigjur po në këtë univers marrëdhëniesh, refleksionesh dhe simbolikash: “…se poezia më e kulluar e botës/ është dhimbja e duruar në vetmi,/ më mësuan se poezia e vërtetë është dhimbja e jetës/ e duruar me fisnikëri…” Besoj se nuk mund të kërkohet asgjë tjetër se sa kjo “materie” motivesh për të prekur diagramin emocionale dhe të ndjenjave të tij që lëvizin në verbin poetik.
***
Vëllimi poetik “Kënga e gurit” nuk është ndërtuar mbi koncepte të dukshme tematike. Poeti ka menduar që motivet, d.m.th. poezitë të rrjedhin lirisht, siç rrjedh një lumë, i cili shtegton herë i qetë e herë me vrull, në ndonjë rast përplaset dhe në shkëmbinj, dhe aty krijohen rryma të vrullshme.
Poezia “Trëndelinë e thatë” është një poezi me motive lirike, e cila përmes vargjeve popullore “Kur të vijë vdekja,/ do t’i them: më prit,/ Sa të vijë mikja të më mbyllë sytë” (popullore labe), vendos kohët përballë njëra- tjetrës, përmes një antiteze të brendshme në të gjithë sintaksën e poezisë, atë të rinisë përballë “trëndelinës së tharë”, ku natyrisht rrjedhin ndijimet, kohët (“Ç’u bë vajza gjithë vrulle,/ Që qeshte me shkumë gurre?/ Buzëqesh…/ buzëqesh për të mos qarë,/ mikja trëndelinë e tharë.”), një poezi e cila përcjell një lirizëm ku përzihen bashkë në cepat e kohës disa dhimbje njerëzore, që e fisnikërojnë dashurinë.
Poezia “Në pritje të diellit”, është gati një vizatim i shkruar në kohën tonë. Një ndjenjë revolte përcjell përshkrimi që poeti i bën natyrës. Ai shkruan: ”Buzë detit/ ngrihem që kur hapet ana/ ta pres diellin më të lerë.” dhe më pas shkruan: ”Eci nëpër udhishte të shtrembëruara/ nga vërshimi i betonit!/ I lë prapa banesat e përgjumura/ dhe marr një lugare të thatë/ të Parkut Kombëtar,…”, pastaj “Në pritje që dielli të shkrepë majëmaleve/ mundohem ta heq pak mendjen/ nga shëmtia e këtyre gjerdheve të babëzisë…”, pra janë tri momente që ndërtojnë pamjen e kohës, kronikën dhe revoltën e poetit. Janë tri detaje që mbartin gjithë domethënien e kohës, në fund të fundit ky është shqetësimi i njerëzve, që e mbart poeti në poezinë “Në pritje të diellit”, e cila është shkruar në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Poezia “Do t’ia tregoj Zotit”, dihat frymëmarrjen universale të njeriut përballë vdekjes së padrejtë. Është një poezi e cila përcjell një fondament universal, raportin e njeriut me lirinë dhe vdekjen. Poezia mbart në thelbin e vet një ngjarje tragjike. Mjaftojnë vargjet:”Një fëmijë sirian/ tek shuhen nga plagët/ marrë në luftën e të rriturve/ të verbuar nga vreri,/ nxori nga shpirti/ një rëngë të rëndë:/Do t’ia tregoj Zotit!”, për t’u mbyllur në vargjet tmerrësisht të dhimbshme dhe triumfuese:”Do t’ia tregoj Zotit!/ u mblodh në fjalë dhimbja e plagëve,/ kulloi gjaku i plagëve/ në një nëmë të ngjethur çilimiu…”, e çdo t’i thoshte dhe ç’duhej t’i thoshte vetëm Zotit, kjo kuptohet.
Një shfaqje e kohës në kuptimin e plotë të saj është dhe poema “Spaçi i harruar”, të cilit i “..qenkan grabitur dhe kujtimet/ e vuajtjeve njerëzore,/ si hekurat e ndryshkura/ e telat me gjemba…”, që dhe pse kanë kaluar kaq pak kohë “… shëmbëllen sot me një anije/ të mbytur me kohë/ në thellësinë pa dritë/ të detit të harrimit!”, sepse popujt që harrojnë nuk kanë të ardhme, në fund të fundit ky është leximi i fabulës së gjithë poemës.
Natyrisht, në poezinë e Daut Gumenit shfaqet në forma dhe rrethana të shumta jeta e tij. Për këtë shkak, poezia e tij vibron fuqinë e mësimit të jetës, por ajo që është më e rëndësishme në këtë bashkëbisedim elitar, siç është poezia, Gumeni i ka lidhur me një fuqi shpirtërore të përkorë kohët e jetës së tij në forcën që prodhon vetëdija dhe vektori i lëvizjes. Gumeni posedon një vetëdije të jashtëzakonshme.
Që në krye të këtyre shënimeve mbi poezinë e Gumenit në këtë libër poetik, kam shënuar se libri është ndërtuar mbi një frymë të një udhëtimi të përditshëm. Duke qenë tematikisht një libër i gjerë, poeti nuk i harron kurrë të afërmit dhe familjen. Poezia “Ku-kuuu! Ku-kuuu” është një baladë dhimbjeje. Poeti kujton dhembjen e nënës, e cila nuk ndalon kurrë, me ç’rast poeti kujton motivin e qyqes, si një dhimbje të përjetshme mitike. Ai shkruan: ”Ku-kuu! Ku-kuuu!…/Mëma ime e mirë/e humbur në të zeza/ e plakur hidhërimi/ e mpakur sa një qyqe!’, e bërë qyqe nga dhimbja dhe hidhërimi, e cila ringjallet në Prill (siç ringjallet shpirti i nënës) për t’iu gjendur pranë të gjallit (e lë varrin në Prill/ e bëhet zemër drite), dhe ashtu mbetet për jetë dhe përtej jetës, me “Ku-kuuu! Ku-kuu!…”, se “As te kryet e varrit/s’të ndahet qyqja mike…” Natyrisht poezia është një paralele e raportit të poetit me jetën e tij dhe të tjerëve.
Në vëllimin që i ka ardhur në dorë lexuesit ka një gjendje reale të këngëzuar me vargje të peshuara fort filozofia e jetës, e cila mbetet e lidhur ngushtë në dialektikën e saj, sepse “E shkuara-/ këmba që na mbetet prapa/ për të mbështetur ecjen.” e tillë do të jetë gjithmonë një mësim dhe një kujtesë nga vijmë. Libri mbart një galeri emocionesh që krijohen nga përditshmëria jetësore e poetit, nga marrëdhëniet dhe meditimet, që mbushin një hapësirë të konsiderueshme të realitetit jetësor tonin.
Daut Gumeni kurrë nuk është ndarë nga vendlindja, nga hapat e fëmijërisë ku i kanë regëtirë dhe vargjet e parë poetikë. Një numër i konsiderueshëm poezish si “Kur këndon Dukati në Bylis”, “Mëngjes vere në Orikum”, “Valle labërishte”, “Pleqtë e Progonatit”, “Bukëqyqet në Lajthizë”, “Perëndim në Gjirin e Vlorës”, përbëjnë refleksione, përjetime, dhimbje dhe kujtesë, me anë të të cilave poeti këngëzon një epizëm të mrekullueshëm kohësh, njerëzish dhe lirizmi, që i ngjan gjithmonë me uratën e nënës, për të cilën shkruan: ”Uratën time, bir!/ të mbetesh gjithnjë mirë/e me të Mirën,/ që të mos i lësh kurrë/ të të vijnë fufat në fyt nga zemërimi…”, dhe nëpër Labërinë e tij gjithmonë mirë do të jetë poeti.
Daut Gumeni ka një profil të njohur tashmë si poet. I aftë për të depërtuar në shpirtin njerëzor përmes një fuqie medituese, i aftë për t’i bërë njerëzore ngjarjet, dukuritë dhe fenomenet, përmes një vargu të fuqishëm, i ndërtuar përmes një fjalori komunikues dhe shprehës. Figura poetike e poezisë së Gumenit ndërtohet përmes raporteve sintaksore dhe jo brenda vargut apo strofës. Kjo bën që poezia të krijojë një unitet komunikimi.
Tiranë- Vlorë, tetor 2023