Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Kodi zakonor i Tërbaçit në këngën e Xhebro Gjikës
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Kodi zakonor i Tërbaçit në këngën e Xhebro Gjikës
Kulture

Kodi zakonor i Tërbaçit në këngën e Xhebro Gjikës

Published: November 24, 2023
Shpërndaje

Nga Albert HABAZAJ

 

Dy fjalë për xha Xhebron

- Publicitet -

Në fakt, Xhebro Gjika është një emër i mbarënjohur në etnokulturën shqiptare, i zoti në fushën e blegtorisë, që spikat për një humor të llahtarshëm, me një ironi therëse deri në sarkazëm, por gjithmonë me efekte shëruese për burokratët e kohës, të paditurit apo të paaftët e kohës, si duket dhe të kohës që jetojmë. Batutat e tij qarkullojnë edhe sot e kësaj dite dhe bëjnë jetë aktive nga Shkodra në Delvinë, nga Lushnja në Skrapar.

Xha Xhebrua ka lindur në Tërbaç më 1900 dhe ka vdekur në Vlorë në vitin 1979. Është një figurë popullore shumë e nderuar e shekullit XX jo vetëm në Lumin e Vlorës, në Vlorë e në Labëri, por emri i tij përmendet me respekt në mbarë vendin. Ai ka qenë luftëtar me çetën patriotike të Tërbaçit në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, ku dhe u plagos. Ai ka marrë pjesë edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ka qenë i internuar në kampet naziste të përqëndrimit në Zemun, nga të rrallët që u kthye gjallë në Atdhe.

Në kujtesë, Xhebro Gjika  na vjen me profilin e tërbaçiotit karakteristik, të labit tipik, një atdhetar i vërtetë, ndërkohë vjershëtori më i shquar i Tërbaçit për kohën që jetoi, dhe së bashku me Kujtim Micin janë dy më të mirët që ka nxjerrë Tërbaçi gjatë gjithë kohërave, sepse poetët e Tërbaçit janë një detashment drite i shpirtit të kulluar dhe gurrës popullore të vendlindjes, ndër më të spikaturit në gjithë Labërinë, filigran në folklorin shqiptar me vargjet që kanë qëndisur si ata!

Kryekënga e tij për vendlindjen është botuar mbi gjysmë shekulli më parë me titullin  “Tërbaçi” në Almanakun Folklorik “Buçet kënga labe”: pjesa II, f. 47-50, botim i Shtëpisë së Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore Vlorë, botuar në kuadrin e 60 vjetorit të Pavarësisë, nëntor 1972, krahas poetëve të tjerë popullorë Perlat Hasani, Çobo Shanaj, Maman Hasani dhe Lefter Çipa. Si tituj më vete, deri më sot janë bërë tre botime të krijimtarisë së xha Xhebros, si vëllime më vete. I pari është i vitit 1979, një botim i zgjedhur i shtëpisë botuese “Naim Frashëri, Tiranë, me titullin “Zemra më këndon” përgatitur për botim dhe me parathënie të poetit dhe redaktorit lartësisht të rreptë Pandeli Koçi, i cili nga “dy hejbe me këngë labe” përzgjodh vetëm 34 vjersha në 64 faqe libër. Dy botimet e tjera i ka përgatitur dhe botuar prof. dr. Bardhosh Gaçe me titullin “Rapsodi Xhebro Gjika”: monografi, përkatësisht në vitin 1997, Tiranë; Maluka, me redaktor Kozma Vasilin (botimi i parë) dhe botimin e dytë po në Tiranë: Maluka, 2022 me 284 faqe, ku përveç poezive popullore, përfshihet humori i tij fantastik, proza e rrëfenjat e xha Xhebros, si dhe kujtime dhe kushtime në poezi e prozë për të, me një aparat bibliografik të pasur.

Xhebro Gjika nuk ishte vetwm një rapsod i spikatur i krijimtarisë popullore. Atij i është dhënë titulli “Personalitet i shquar i Labërisë” më datën 10 Tetor 2010 në një ceremoni madhështore në Vlorë. Nderimi kishte këtë motivacion: “Xhebro Gjika – personalitet i shquar i Labërisë, sepse ka dhënë kontribut të shquar në ruajtjen, transmentimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të traditave kulturore e zakonore dhe si një bard i spikatur i krijimtarisë popullore në Labëri, duke gjallëruar humorin në nivele artistike të larta. Xhebro Gjika është një rapsod i rrallë dhe i njohur jo vetëm në Tërbaç, në Lumin e Vlorës dhe në Labëri, por në mbarë Shqipërinë. Ai vërtet vlerësohet pas vdekjes nga ne, por populli e ka vlerësuar me kohë dhe përsëri do ta respektojë për kontributet e tij”.

Xha Xhebro njihet si poet epiko-lirik, që u ka kënduar historisë, heronjve, dëshmorëve e ngjareve të mëdha historike, ku ka qenë vetë luftëtar me armë në dorë për liri. Ai i njihte shumë mirë traditat më të mira të të parëve, doket, zakonet, besimin, etikën, moralin, psikologjinë, virtytet, veset burimet, format e mënyrën e jetesës së banorëve të fshatit të tij, të zonës dhe të krahinave të tjera etnografike. Ai njihte dashurinë e dëlirë që kishin tërbaçiotët me njëri-tjetrin, bujarinë e mikpritjen unikale apo dhe humorin pa të keq që përdornin në dasma, festa a ceremoni të ndryshem, dhe sidomos unitetin me shoshoq, virtyt i rrallë, që e dallonte Tërbaçin nga fshatrat e tjerë. Ai dinte shumë histori, mite e legjenda, njihte bejtexhinjtë dhe rapsodët popullorë para tij e bashkëkohës. Njihte shumë mirë kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të çdo lagjeje e mëhalle, deri në imtësi dhe jo më pak njhte folklorin dhe etnografinë e fshatrave të tjerë, ku i shkelte këmba me punë, me luftë a miqësi. Patjetër që e njihte mirë dhe botën qytetare, fakt që gjen pasqyrim në rrëfimet dhe vjershërimin e tij.

Xhebro Gjika ishte i virtytshëm, një filozof i vërtet popullor, i cili kishte një mendim të dëgjueshëm e të çmuar, por ndërkohë që u bënte “zbor” atyre që i hiqeshin si “kacorrë” dhe, si mjeshtër i groteskut, e katandiste në dordolecë të mjerë.

 

Një këngë – kodi zakonor i  një fshati

Vargjet e tij të rapsodisë “Tërbaçi”, botuar së pari në Almanakun Folklorik “Buçet kënga labe”, Vlorë, nëntor 1972, fq . 47 – 50, unë do t’i quaja kodin moral të çdo tërbaçioti, të çdo labi, të çdo shqiptari, si dhe një mesazh për brezat: “Çoku ngjante më të rrallë / gabonte ndonjë njeri/ e keshëm zakon të vendit/ s’e jepnim në qeveri, besa – besë, burri-burrit/ ia bënim gjyqin aty…”

Si ka mundësi, si arrin që një këngë e thjeshtë të bëhet kodi zakonor i një fshati? Xhebro Gjika e realizoi, ai ishte përsëgjalli Akademi Folklori. Ndërkohë, ai është një poet lirik, që do ta kishin zili edhe mjeshtërit e lirikës shqiptare, por nuk është kjo temë objekti i këtij shkrimi.

Është poezia “Fshati ynë” e vjershëtorit të shquar popullor Xhebro Gjika, një vjershë e gjatë, e ndërtuar monokolonë në tetërrokëshin tradicional popullor. Për vite e vite të tëra, ai është futur në lëkurën e banorëve të fshatit të tij, dhe pasi është bindur që i ka njohur deri në kapilarë, dhe si krijues me intuitë të hollë e të mprehtë thuri kryekëngën e fshatit, historinë e Tërbaçit në vargje. Çdo varg nga të 144 vargjet e këngës së botuar në atë almanak, (dhe për të qenë besnikë me origjinalin, faksimilet e poemës së këngëzuar po i botojmë në gazetën “Dita” siç i ka thurur e shkruar autori në vitin 1972) kërkon një faqe shpjegim të argumentuar, sepse është vërtet autobiografi e Tërbaçit në vargje përgjatë rrjedhave të kohës. Në këtë poezi popullore është historia e fshatit, traditat më të mira trashëguar nga të parët, vityrtet, mënyra e jetesës, përditshmëria e banorëve në mal apo në vërri, vlerat e larta morale, atdhedashuria, liridashja, thjeshtësia, dinjiteti, karakteri, besa, besimi, gjykimi, mikpritja, bujaria, pastërtia, harmonia me të tjerët, sidomos uniteti gati unikal dhe dashuria ëllazërore midis tërbaçiotëve e visare të tjera, që nuk duhen harruar, por duhen ruajur, pasuruar dhe përçuar brezave, bazuar në “kanunin e vogël” të Tërbaçit.

Ndoshta nëpërmjet “Ditës” po ndezim shkëndijën e parë për një studim mbi bazën, themelet e motivet e kësaj kënge poetike të veçantë. Poezia ka frymën dhe ngjyrat e kohës. Nuk mund të harrojmë që Folklori nuk e përdor redaktorin, kënga popullore duhet të rrjedhë, siç ka dalë nga burimi, nga shpirti dhe mendimi poetik i autorit, qoftë edhe kënga e temës politike.

Siç e cituam, libri i parë i xha Xhebros është botuar në atë kohë, por i mençuri Pandeli Koçi ka ditur ç’të përzgjedhë si më përfaqësuese, mbresëlënëse dhe me mesazhe për lexuesit, patjetër dhe së pari për bashkëfshatarët apo bashkorigjinasit e xha Xhebros. Kanë kaluar 45 vjet nga botimi i poezisë së këngëzuar “Fshati ynë” në librin “Zemra më këndon” dhe ajo është aq aktuale, me aq mesazhe lartësisht fisnike për ne në fakt, por ajo mund të vlejë për këto banor Shqipërie, që të kthejë sytë nga vendlindja, nga vendorigjina, të njohë traditat e kaluara dhe ato që vlejnë e i kanë rezistuar kohës, t’ua përçojë brezave të rinj, se ardha një moshë e themi atë që ndjejmë e buron nga thelbi i shpirtit, se nuk ka në botë më të bukur se vendlindja!

Do t’ju shprehja mirënjohjen time dhe të gjithë tërbaçiotëve kudo që banojnë e punojnë nga Bragjini e Qafa e Elimit deri në Australi e Zelandë, i dashur Xhevdet për botimin në gazetën “Dita” të këtij manifesti folklorik, kodit moral dhe zakonor të vendlindjen tonë, si pjesëz e pjesës të së tërës:

FSHATI YNË

[Teksti: Xhebro GJIKA]

 

Për fshatin tonë dy fjalë,

Kemi pasë vëllazëri.

Tërbaçi, katër mëhallë,

Dyqind e shtatëdhjetë shtëpi;

E ç’keshëm për kapitalë?!

T’ua ngarkosh dhive mbi bri.

As çiflig e as dyqanë,

Veç ca kokrra bagëti.

Skishim vese, plehurina

Në fshat e në shoqëri;

S’kemi qënë grindavecë

T’u grinim për një kufi,

Por bujarë si shqiptarë

Me fqinjë e me miqësi.

Nuk kemi qënë llozharë,

kemi pasur pastërti;

nuk kemi pasur përbuzje

shoq me shoq me ironi;

kudo që kërciste dasmë,

derë më derë nga një njeri

pa ia shkulnim këngë e valle,

le të kishim varfëri,

kur vinindjemtë nga mali

ku ishin me bagëti.

Gjithë fshati qante bashkë

Kur vdiste ndonjë njeri.

Kemi pasë vajtje, ardhje

Se ishim derë e tepsi,

s’kemi pasur thashetheme

të binim në hasmëri.

Çdo konak ka qenë mikpritës

Edhe më i varfëri

Mikun do ta prit siç pritej

Me gisht nesër të hajë hi.

Gratë tona si vitore

Pritnin mikun në shtëpi,

Po të mos e kishte burrin,

Fliste një në gjitoni.

Me gjithë fshatarat rreth  e rrotull

Kemi pasur harmoni,

Kemi qenë kockë e fortë,

Shoq të rrallë për trimëri.

S’kemi qënë shumë fetarë

Rrallë shkonim në xhami.

Vërtet qemë analfabetë,

Po nga mendja si flori,

muhabetin peta-peta

ta shtronim si në sini.

Çoku ngjante më të rrallë,

Gabonte ndonjë njeri,

 E keshëm zakon të vëndit,

S’e jepnim në qeveri;

Besa-besë, burri burrit,

Ia bënim gjyqin aty.

E kemi mbrojtur vatanë

Me të madhe trimëri

Në atë Luftën e Vlorës

Thikë më thikë me Itali.

Tre a katër na u vranë,

u plagosën një sasi;

komandant keshëm Selmanë,

u mbush plagë breshëri,

dy nishane gjak i dhanë,

po qëndroi si ai.

Në atë qeverinë e parë

Tërbaçi s’kish simpati;

qëni Zog na la mënjanë

se nuk kishte siguri.

Nuk veshi asnjë xhandar,

as hatër, as miqësi,

kishte frikë nga Halimi

se ne e keshëm fshatar

dhe astrit qe për liri.

Kudo bënte propagandë,

e çkrih Zogu me qiri,

këmba – këmbës me xhandarë,

për të vunë një thes flori,

donte ta zinte të gjallë

kur erdhi në Shqipëri,

po Tërbaçi nuk e dhanë,

bëri shtigje si bari,

veshi sharkun si çoban

dhe kaloi në Greqi.

Po ç’hoqën fshatarët tanë,

internim njëzet e dy,

ish – bejlerë e agallarë

s’na shikonin dot me sy.

Ne qemë trima si shqiptarë

Por jo shkop për qeveri.

Po Tërbaçi është krenar

Se vu kokën për Parti;

gjithë fshati muar malë,

burra, gra edhe rini.

Dyqind e ca partizanë

Duall malit për liri.

Edhe vajza tërbaçiote

Veshi armët si perri,

me ca dyfeqe të rrallë

çau borë e hoqi shi,

këmba këmbës me gjermanë

që nga Jugu në Veri;

kaluan dhe matanë

brena në Jugosllavi.

Pesëdhjet e një të vrarë,

plagosur dyzet e dy;

ja, ata që janë gjallë,

të pagjumë për Parti.

Ç’djem astritë rrinë nën armë

Në çdo front, në çdo kufi,

Nëpër luftë e nëpër dallgë

Qëndrojnë për bukuri.

…Bëra një tregim, ca fjalë,

Ta kemi si histori…

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?