E ndërsa aplikimet online për kuotat e lira të pranimeve që do të plotësohen gjatë raundit të dytë, do të vijojnë edhe përgjatë ditës së sotme, maturantët që duan të ndjekin programet e studimeve në degët e Arteve, jo vetëm që duhet të kenë zgjedhur degët e këtyre profileve në Formularin A2, por do t’i nënshtrohen edhe konkurseve të pranimit që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme.
Drejtuesit e Universitetit të Arteve të Tiranës kanë bërë me dije afatet se kur do të bëhet regjistrimi dhe zhvillimi i konkurseve të pranimit për të gjithë kandidatët që aplikojnë për kuotat e lira të pranimeve në degët e të gjitha fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Arteve të Tiranës.
Për të mos rrezikuar hyrjen në konkurset e pranimit bëhet e ditur se të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të aplikojnë në raundin e dytë për konkurrim për një nga programet e studimit të ofruara nga Universiteti i Arteve në ciklin e parë “Bachelor” se në formularin e 10 preferencave duhet të kenë zgjedhur degët përkatëse të këtij Universiteti.
“Më pas duhet që të shkarkojnë në faqen online të këtij institucioni të arsimit të lartë faturën e regjistrimit, me anë të të cilës do të bëjnë të mundur regjistrimin zyrtar për të marrë pjesë në konkursin e pranimit. Në datën 26 shtator të gjithë maturantët që janë pjesë e listës së shpallur nga QSHA, duhet që të bëjnë regjistrimin pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës, duke paraqitur mandatin e pagesës për tarifën e shlyer prej 4,000 lekësh si dhe një mjet identifikimi. Ndërkohë që në datat 27 dhe 28 shtator të gjithë kandidatët e regjistruar do t’i nënshtrohen konkurseve të pranimit duke zhvilluar testet përkatëse sipas programit ku kanë zgjedhur që të garojnë”, bëjnë me dije autoritetet e Universitetit të Arteve. Edhe për testimet e raundit të dytë, për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për testet individuale që do të zhvillojnë gjatë konkurseve të pranimit, në faqen online të secilit fakultet janë shpallur tashmë rregulloret dhe temat mbi të cilat duhet të mbështeteni në fazën përgatitore.
Janë 25 programet e studimit për të cilat do të mund të garohet gjatë këtij viti për të ndjekur studimet e larta në Universitetin e Arteve të Tiranës. Konkretisht, maturantët do të konkurrojnë për kuotat e lira në degët Bastubë, Fagot, Flaut, Fotografi, Kanto, Klarinetë, Kompozicion, Kontrabas, Koreografi, Korno, Muzikologji, Muzikë Jazz, Oboe, Pedagogji Muzikore, Perkusion, Piano, Pikturë, Regji, Regji Filmi TV, Skenografi –Kostumografi, Skulpturë, Trombonë, Trombë, Violinë, Violonçel, Violë, dëgë të cilat janë pjesë Fakultetit të Arteve të Bukura, Fakultetit të Artit Skenik, si dhe Fakultetit të Muzikës.
Pranimet e reja në degët e Arteve
Edhe për kuotat e lira të këtij raundi, sipas kushteve të përcaktuara më herët, pranimet në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, me kohë të plotë, në Universitetin e Arteve të Tiranës do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore, si dhe rezultateve të fituara në konkursin e pranimit që do të zhvillohet nga secili fakultet në datat 27 dhe 28 shtator. Zhvillimi i konkurseve do të ndjekë të njëjtën rrjedhë sikundër ka ndodhur edhe në konkurrimet e zhvilluara gjatë raundit të parë.
Ndërkohë që do të vijojë të jetë në fuqi e njëjta formulë sa i takon fituesve të rinj që do të pranohen në kuotat e lira të Raundit të dytë. Kështu, Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë ka përcaktuar edhe ndikimin që do të ketë në shpalljen e fituesve të rinj secili kriter pranimi (pikët e konkursit, si dhe pikët e rezultateve të maturës). Në zbatim të Vendimit të Senatit Akademik, pikët maksimale për konkurrim që çdo garues mund të grumbullojë gjatë procesit të konkurrimit që do të zhvillohet për raundin e dytë janë 200. Nga ku 30 për qind e totalit ose 60 pikë i takojnë notës mesatare të viteve të studimit të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës shtetërore. Ndërsa 70 për qind, ose 140 pikë, i takojnë rezultateve të konkurseve të pranimit.
Publikimi i fituesve të Raundit 2
Sipas afateve të përcaktuara nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit dhe RASH për Raundin e dytë, shpallja e fituesve do të bëhet në datën 30 gusht, dhe një ditë më pas, përkatësisht në datën në datën 1 tetor do të zhvillohet edhe procesi i ankimimit për të gjithë kandidatët që do të jenë të pakënaqur me renditjen e shpallur nga portali. Pas trajtimit të ankesave do të nisë edhe procesi i regjistrimit të fituesve të Raundit të dytë. Në këtë raund regjistrimet për fituesit do të zhvillohen në 5 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 3 dhe 12 tetor.
Duke qenë se procedura e regjistrimit të fituesve të Raundit të dytë do të zhvillohet në 5 faza 48-orëshe, kjo do të bëjë të mundur ndryshimin e listës së fituesve të paktën pesë herë. Në këto kushte, vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.
Ndryshimin e listës së fituesve mund ta shikoni çdo 48 orë (për secilën fazë) online në portalin “U-albania”. Pasi të hapni këtë faqe, duhet të klikoni në rubrikën “Këndi i maturantit”, dhe pasi të hapet faqja përkatëse duhet të vendosni numrin tuaj të identifikimit. Në vijim do të shfaqet tabela me të gjitha preferencat e përzgjedhura nga ju për vijimin e garës së studimeve të larta përgjatë raundit të dytë. Secila prej preferencave do të jetë e shënjuar me një ngjyrë të caktuar, e cila tregon mundësitë që keni për të qenë fitues, ose jo në këtë program.
Kështu çdo aplikant që e gjen veten në listën fituese të secilës fazë, duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar. Ndërkohë që të gjithë kandidatët e tjerë që nuk arrijnë të sigurojnë një të drejtë studimi në këtë raund, do të kenë një shans tjetër për të konkurruar në raundin e tretë dhe të fundit që do të zhvillohet prë pranimet që do të realizojnë të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në vend, përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023.