Një 36 vjeçar në Korçë është vënë në pranga, pasi nga kontrollet rezultoi se posedonte në banesë dhjetëra doza të lëndës narkotike heroinë me qëllim shitjen.
Policia bën me dije se është sekuestruar automjeti që ky shtetas e drejtonte pa leje drejtimi dhe dyshohet se e përdorte për shpërndarjen e lëndës narkotike. Sekuestrohen edhe dozat e heroinës që u gjetën në banesë, bashkë me 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Night sales 4”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
– E. S., 36 vjeç, banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se ky shtetas ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prodhimit e shitjes së narkotikëve, shërbimet e Policisë lokalizuan automjetin tip “Audi” me të cilin po lëvizte 36-vjeçari. Gjatë verifikimit të kryer rezultoi se shtetasi E. S. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në dhjetëra doza, që dyshohet se sigurohej nga ky shtetas, me qëllim shitjen. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
p.k\dita
