Liliana Mero Konomi
Kujtimet mbahen mend nëse i përjeton shpesh, më pas dhe, gjatë gjithë jetës. Jam krenare që arsimimin e kam nisur në Gjirokastër në shkollën fillore “Drita” në vitet 1956-60. Dy ciklet e tjera të shkollimit, shtatëvjeçaren e kam kryer në vitet 1960-1963 dhe, më pas, tre vitet e para të së mesmes në vitet 1963-64 në shkollën me të njëjtin emër atë “Asim Zeneli”, insitucione arsimore këto, si vazhduese të Liceut të famshëm të Gjirokastrës. Tradita e tij e përfituar në 100 vjet duket qartazi në atë që nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë qytetarë me emër në të gjitha fushat e veprimtarisë së shoqërisë
në zhvillimin ekonomik e kulturor, në arsim, në arte e letërsi, në shkencë etj.
Nga ato vite shkollore, nuk mbaj mend shumë se sa dhe çfarë kam mësuar për jetën dhe rënien heroike të Asim Zenelit. Atëherë, na mjaftonte edhe vetëm emri i tij, që ishte
i shkruar dukshëm në fasadën ballore të godinës së ndërtesës së shkollës dhe na mbushte emocionalisht, po aq edhe kënga e pavdekshme, kushtuar këtij akti të në betejën e njohur të Mezhgoranit të Asim Zenelit, Hero i Popullit.
Në një përvjetor, më 2 korrik të vitit 1961 a 62, një grup nxënësish kemi qenë në Mezhgoran, vendi ku ra Heroi ynë. Atëherë nuk mund ta mendoja se do të bëhesha oficere karriere dhe do të shërbeja 23 vite në radhët e Ushtrisë Popullore.
* * *
Këto kujtime po i shkruaj për 100 vjetorin e shkollës sonë. Për mua ky është i treti përvjetor që po e përjetoj. I pari është ai i 40 vjetorit, në nëntor të vitit 1963.
Përgatitjet filluan shumë kohë më parë. Krahas të tjerash ishte edhe mësimi i Hymnit “Asimzenelasit”, me tekst të mësues Agim Shehut. “Asimzenelasit marshojnë / Me këngë në gojë e zjarr në gji / si zogj me libra fluturojnë / Për ty Parti !” Këto janë vargjet e refrenit që këndoheshin pas çdo strofe, që ishin pesë të tilla. Këto ditë kur po
shkruaj këto rreshta, lexoj në rrjetet sociale edhe kujtime nga asimzenelas të tjerë të viteve të ndryshme, autorët e tyre disa i njoh e i mbaj mend, të tjerët jo. Por, në një të përditshme, një asimzenelas, i viteve të mëparshme nga unë në kujtimet e tij, vargun e fundit të refrenit “Për ty Parti” Himnit e kish redaktuar: “Për ty, për ty Shqipëri”. Nuk di si do kish reaguar autori i ndjerë për këtë ndryshim?! Cili është autori i muzikës? Nuk mbaj mend dhe, me sa pyeta bashkënxënës të tjerë nuk munda ta gjej.
Në këtë përvjetor një nga temat e hartimit ishte: “Në 40 vjetorin e shkollës kujtojmë me emocion krenar nxënësit dëshmorë që me ëndrrat dhe gjakun e tyre vaditën Lirinë tonë”. Po citoj nga një paragraf të dy prej tyre: njëri i nxënëses Luxhina Miços: “Nxënësit e tu Basho Thoma nuk ishin fatalistë, ata kishin zemër dhe nerva të çelikta, prandaj i lanë përgjysëm ëndrat e tyre për të ngjallur shpresën e një populli. Dhe historia na i ndau rolet: ata dhanë rininë e tyre për një jetë më të bukur, ne me duart tona u ngremë atyre lapidarë, zbukurojmë jetën që na dhuruan ata”. Dhe tjetri, ai i Halil Lazes: “Nuk di vëllezër kush është më i bukur sot, qielli i qëndisur me yje apo atdheu juaji stolisur me lapidare. Janë të bukur lapidarët tuaj si endërrimi juaj”.
Ishin plot dyzetë e pesë liceistë që ranë Heronj e Dëshmorë të LANÇ-it. Emrat e tyre janë gdhendur edhe në dy pllaka të vendosura mbi murmbajtësin e oborrit të Shkollës, që janë edhe sot.
Në vitet e shkollimit tim, portretet e tyre na shihnin që nga ishin, aty, në ballë të korridorit të gjatë të katit të dytë. Pas viteve ’90, u hoqën këto foto. Nuk jam bërë kurioze të di as për motivacionin zyrtar të heqjes, as për kundërshtimin qytetar. Tashmë e kemi një praktikë që në institucione të ndryshme publike apo private të radhiten fotot me titullarët apo njerëz të shquar për veprimtarinë historike të tyre. Në shkolla, natyrisht duhet të afishohen foto drejtorësh, mësuesish e nxënësish të shquar, jo vetëm në mësime, krahas portretit të personit emrin e të cilit mban shkolla. A ka më kontribut më të shquar e sublim se dhënia e Jetës në emër të Lirisë për Atdheun?!
Po nga ky përvjetor i 40-të ka mbetur në kujtesë edhe poezia e Kadaresë Rruga e Dritës me dedikimin “Kushtuar shokëve të mi të gjimnazit “Asim Zeneli” që një muaj resht luftuan me shkëmbenjtë e Mirditës”.
***
Nga vitet e shtatëvjeçares kujtoj korrespodencën interesante dhe, të veçantë për atë periudhë, me bashkëmoshtarë të shkollave të tjera jashtë Gjirokastrës, por edhe Shqipërisë. Si lidheshim? Kërkonim nëpërmjet shtypit të kohës emra shkollash, kryesisht në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, por edhe të shteteve të huaja, sigurisht, atyre të kampit socialist (vendet lindore thuhet sot). I dërgohej letra e parë drejtorisë përkatëse ku shkruhej Emri e mbiemri i dërgueses, klasa dhe numri rendor në listën e regjistrit shkollor dhe u kërkohej për t’u lidhur me korrespodencë me bashkënxënës që të koecidonin me po atë klasë dhe numër regjistri, si të kërkuesit. Dhe çdo kërkese i vinte shpejt përgjigjja, dhe niste komunikimi. Unë pata dy korrespodenca të tilla. Njëra me një nxënëse nga Maliqi, me emrin Fatime dhe tjetra nga Bullgaria. Korrespodenca me to nuk zgjati shumë. Vetëm kaq mbaj mend.
Përvjetori tjetër që kam qenë e pranishme është ai i 1973, i 50 vjetorit. Isha studente në Universitetin e Tiranës. Rreth 50 asimzenelas udhëtuam së bashku nga Tirana, me autobuzin e linjës Tiranë-Gjirokastër. Sa kujtime me episode të shumta serioze apo
gazmore kemi bëri gjatë gjithë udhëtimit (sepse, atëhere ishe boll i gjatë). Por nuk e kam harruar kurrë dhe, gjithmonë e kam përmendur në shumë raste, në biseda të ndryshme me bashkënxënës, amanetin që na dha Zihni Sako gjatë një pushimi:
“Kur të festoni 100 vjetorin na kujtoni edhe ne që nuk do të mund të marrim pjesë”.
Në atë udhëtim kishte më shumë të rinj në moshë në krahasim me të paharruarin Zihni, i njohur si një nga partizanët e orëve të para. Ai edhe pse drejtor i Instituit të Folklorit, kish zgjedhur të udhëtonte me autobuz, bashkë me ne, të rinjtë dhe jo të vinte me automjetin e postit zyrtar.
***
Në vitet e gjimnazit njëra nga klasat e shkollës konsiderohej Muze, sepse aty kish studiuar si liceist, ENVER HOXHA. Në bangat e asaj klasë uleshin nxënësit e një grupi të caktuar mësimor të dalluar për rezultatet mësimore më të larta nga gjithë të tjerat, por që ndërroheshin periodikisht.
Shoqet e shokët e klasës sonë e meritonin këtë vlerësim, ndaj edhe qëndruam aty për dy vjet rresht, gjatë vitit të nëntë e atij të dhjetë të gjimnazit, 1964-1966. Si klasë muze kish dy objekte relike. Njëri ish Sahati i murit i shtëpisë së Hoxhatëve, objekti i vetëm i shpëtuar nga shtëpia e djegur dhe mbetur gërmadhë për shumë kohë, deri sa pas restaurimit u bë godinë e Muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për rrethin e Gjirokastrës. Pas viteve ’90 të shekullit XX, kjo është kthyer në Muze Etnografik.
Historinë e këtij Sahati e mësuam në vitin 1962, nga një letër që Enveri ua drejtoi nxënësve dhe mësuesve, që e spjegonte dhurimin e këtij Sahati nëpërmjet fjalëve të anesë së tij: “Sahati që po Ju dërgoj dhuratë është i thjeshtë, por për mua është i dhemshur. Kur i mora leje mëmës që t’Ju a dërgoja Juve ajo më tha: “Hallall e pastë shkolla tënde, dërgojua. Zile e këtij sahati të zgjonte çdo mëngjez kur të nisja për në shkollë dhe shkolla ku ti mësove të hapi sytë. S’kemi gjë tjetër nga e kaluara t’Ju dërgojmë të rinjve e të rejave, biro””. Mbi pirgun e gurëve të po kësaj shtëpie, kur ishim në shtatëvjeçare ne ishim pranuar në organizatën e Pionierit, duke na vënë rreth qafës shallin e kuq trecepësh si simbol. Këtë shall do ta mbanim derisa të bëheshim anëtarë të Bashkimit të Rinisë së Shqipërisë me ceremoni plot dinjitet në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Gjirokastrës. Objekti tjetër në klasën Muze ishte një foto bardhë e zi me portretin e Enverit liceist. Fotoja ishte nën një kornizë me xham e vendosur mbi bankën e parë ngjitur me katedrën e mësuesit. Edhe unë jam ulur në atë bankë bashkë me Adelina Gogon, shoqe të pandara nga foshnjorja deri në klasë X të gjimnazit. Në minutat e para të çdo ore mësimi, mësuesit na thërrisnin emrin për të dalë në dërrasë të zezë. Mësuesi lëviste lapsin mbi listën e emrave të shkruara në faqen e tij të regjistrit dhe përzgjidhte nxënësin për ta pyetur për mësimin e radhës. Në klasë s’pipëtinte njeri. Unë isha ballëpërballë me mësuesin me kokën ulur dhe sytë të përqëndruar në këtë foto të Enverit.
Për shkak të transferimit të prindërve në Tiranë, Gjimnazin e përfundova gjatë vitit mësimor 1966-67, në klasën IV b, të shkollës “Qemal Stafa” të Tiranës, me po aq tradita arsimore e patriotike. Sigurisht ishin trishtuese si të ndërroja shkollë në vitin e fundit të gjimnazit dhe të largohesha nga Gjirokastra. Jetën ma dhanë prindërit Andoneta e Pandi nga Devolli, por formimin qytetar e mora në Gjirokastër, nga mosha 8 muajshe deri në atë 17 vjeç. Pas mature vetë do të kërkoja të ndiqja shkollën e bashkuar të oficerave me emrin “Enver Hoxha” dhe do të isha pedagoge për 12 vjet. Shkolla ishte njëherësh edhe reparti ushtarak nr.1200. Flamuri i saj luftarak kish të qëndisur “Enver Hoxha”. Mbi atë flamur ne bënim Betimin Solemn përpara Popullit e Atdheut.
***
Mësuesit tanë të nderuar ishin Thoma Papapano i gjuhës shqipe, Alqi Jani i letërsisë dhe mësuesi ynë kujdestar, Jani Zhupa i kimisë, Luiz Çena, i fizikës, Margo Kutra, i rusishtes (bashkëshortja e tij do të bëhej Avenire Rapi, që do ta njihja e bënim bashkë shkollën për oficere etj. e së bashku do të ishim edhe në grupin artistik të valleve të shkollës),
Nasho Ksera i historisë, Nervo Naka e fiskulturës, Petro Isufi i frëngjishtes, Tajar Kokalari i biologjisë, Sotir Vardhami i matematikës. Ata përbënin një trupë të mirë arsimore e profesionale, edhe pse disa, me pak vite përvojë. Nga 19 mësues që jepnim mësime në ato vite, 13 prej tyre ishin me arsimin përkatës, ndërsa 6 të tjerët ndiqnin me korrespodencë studimet e larta, që i përfunduan. Në këto vite, ne, nxënësit do të ishim jo thjesht subjekt i mësimit dhe edukimit, por edhe objekt i tyre. Marrëdhëniet mësues-nxënës bëhen për herë e më pak zyrtare. Kjo edhe sepse kish nisur procesi për harmonizimin më të mirë të të teorisë me praktikën, të programit mësimor me gjithë sistemin e edukimit edhe nëpërmjet punës në ndërmarrjet ekonomike të qytetit. Shkolla kish dy punishte të punës me dru dhe asaj me metale; kishte një bazë materiale të mjaftueshme për zhvillimin e lëndëve teknike e të punës prodhuese brenda saj për të gjithë nxënësit nga klasa e pestë deri në atë të njëmbëdhjetën. Kështu formoheshin shprehitë e punës, zhvilloheshin edhe aftësitë individuale për t’u përgatitur për jetën profesionale të gjithsecilit. Por bëhej edhe në ndërmarrjet si Fabrika e Lëkurë-këpucëve, ajo e Cigareve e Trikotazhit etj. Vajzat e klasës sime kemi punuar në Fabrikën e këpucëve, poshtë qytetit të Gjirokastrës, në pjesën industriale të saj, mes lumit Drino dhe rrugës automobilistike kombëtare.
Kemi kryer aksione ditore e mujore, si në ndërtimin e ujësjellësit të Hosit, në taracime, në sistemimin e vreshtave të Manalatit, në pyllëzimin e Kucullës, në punë të ndryshme bujqësore si në në qafën e Çajupit ku punuam për grumbullimin e pastrimin e patateve etj. Dy aksione mbaj mend më mirë. I pari ai në hapjen e kanalit të ujësjellsit në fushën e Valaresë. Gjatë pushimeve, mësuesi ynë kujdestar Margo na këndonte Arie të famshme nga opera Berberi i Seviljes, edhe pse nga ne, jo të gjithë mund ta kishim dëgjuar, në radio, kuptohet. Dhe këto interpretime do të ishin njohuritë e para për muzikën klasike e operistike. Nga aksioni në Odrie do të mbeten të paharruara mbrëmjet e dëfrimit, për atë që argëtoheshim vetëm me dy pjesë muzikore, njëra ishte kënga e Lemzës që e luante përgjysmë me fisarmonikë një nga banorët e Odries, i miqësuar me djemtë tanë. Besoj se ky fisarmoniçist mund të ketë qenë ndonjë nga prototipet që është përjetësuar në rolin e Kiu-Fiut nga filmi shqiptar Udhëtim në Pranverë.
Aktivitetet të shumta fiskulturore e sportive gjallëronin jetën tonë shkollore. Shpesh, ato ndërthurreshin edhe me elemente ushtarake që në vitin e parë të gjimnazit ku u përfshi në programin mësimor, jo si lëndë e veçantë, por dhe kryesisht me njohuri për Ndihmën e parë në jetën e përditshme. Me mbresa të shumta më kujtohet edhe marshimi ushtarak pesë ditor në itinerarin Gjirokastër-Ura e Kordhocës-Stegopul–Sheper–Odrie-Erind-Ura e Kardhiqit-Manastiri i Cepos-Mashkullorë–Gjirokastër. Edhe shëtitjet ishin pjesë e programit jashtëshkollor, si te kodrat e Teqesë, ato të Shëntriadhës, në Derviçan, te Gryka e Mezhgoranit, në Sarandë etj.. Shëtitja në Sarandë mbeti më e veçantë. Nëpër rrugët e saj u përpoqëm të hiqeshim si turistë të huaj. Bënim sikur komunikonim me njëri-tjetrin, por në të vërtetë dialogonim duke recituar vargjet në frëngjisht të fabulës së
famshme “Gjinkalla dhe milingona” të La Fontenit.
Shkolla ishte vatër e arsimimit dhe e aktiviteteve kulturore-sportive jashtëshkollore. Aktivitet jashtëshkollore i jepnin pëlqeheshin shumë nga publiku e gjallëronin ndjeshëm jetën artistike të qytetit dhe fshatarave përreth tij. Unë merrja pjesë me grupin e mandolinatës.
Kisha nisur që nga shtatëvjeçarja të ndiqja rrethin e mandolinës në pallatin e pionierëve “Fato Berberi”, ishim gjashtë vajza dhe një djalë. Mësues kishim një minoritar. Pjesët që luanim do të ishin të larmishme për nga repertori, por mbizotëronin këngët patriotike ose partizane. Ruaj si kujtim të bukur edhe foto te shkallët e pallatit, ne të shtatë dhe mësuesi. Duke qenë se të gjithë ishim përsëri bashkë edhe në gjimnaz, vazhduam të luanim edhe në aktivitetet e gjimnazit. Në vitin e dytë, një grup asimzenelasish djem e vajza, kemi qenë në Kampin mujor veror të Rinisē në plazhin e Golemit të Kavajës. Shumë prej tyre ishin edhe pjesëtarë të grupit të Estradës së shkollës. Jam e sigurt se edhe kampistët nga rrethet e tjera do t’i kenë ruajtur në kujtesë mbrëmjet e bukura, por, edhe shfaqjet tona me humor e këngë, pjesë nga estradat, që jepnim ne, asimzenelasit. Rrethet e ndryshme, por sidomos ai letrar, na jepnin kënaqësi dhe mundësi për përvetësimin më të lehtë lëndëve përkatëse. Të paharruara janë aktivitetet, konkurset e rrethit letrar mbi bazë klasash e shkolle, madje edhe jashtë saj. Tematika e tyre ishte shumë e larmishme. Mësuesit kujdestarë, por sidomos ata të letërsisë ishin përkrahësit dhe ndihmësit kryesorë në mbarëvajtjen e tyre. E theksoj këtë kontribut të mësuesve, edhe për pjesëmarrjen e vajzave në aktivitetet jashtëshkollore. Ato zhvilloheshin mbas shkolle, në mbasdite, madje dhe më vonë, ndaj kishte ngurrime e pengesa nga prindërit.
Opinioni i atëhershëm nuk isha aq i mirëkuptueshëm.
***
Shoqet dhe shokët e mi asimzenelas të të dy cikleve shtatëvjeçar dhe atij të mesëm ishin Adelina Gogo, Agim Hoxha, Andon Thimjo, Andrea Tole, Diana Sinoimeri, Dolorez Xhaxhiu, Dhora (Lola Lipe), Engjëllushe Rusto, Foveta Miço, Fatmir Birbili, Kujtim Puto, Kristaq Bashari, Merzo Bakiri, Mustafa Devolli, Niko Gjoni, Republika Çekani, Rushit Batha, Sotiraq Arseni, Tefta Berdaj, Thanas Dino, Thanas Varsami, Theodhori Dino, Uljana Sallabanda, Valentina Lapi, Vasil Minga, nga klasa paralele ishin Afërdita Qirjaqi, Andoneta Mosko, Ahmet Kuke, Bejo Duka, Diana Diamanti (Peza), Dhimitër Kore, Figali Veneti, Foto Liti, Frederik Sejani, Genc Braja, Islam Çato, Ilir Bashari, Kiço Pesha, Kristo Zhulla, Krisulla Kaçi, Krisanthi Qirici, Lame Lena, Mina Puleri, Mihal Liço, Panajot Bleco, Petro Kaçi, Robert Vito, Sokrat Nasto, Sotiraq Naka, Spiro Lici, Shpresa Duçka, Theodhoraq Qirko, Valentina Skreli, Vllasova Musta. Shumica e tyre (mesa di unë) janë dalluar në profesionet që zgjodhën për jetën e tyre dhe shoqërinë.
Përshëndes, veçanërisht, shoqet dhe shokët e mi të Gjimnazit që vazhduan studimet e larta ushtarake dhe shërbyen si oficere edhe oficerë. Shumë prej tyre bënë karrierë të admirueshme. Krisulla Kaçi Prifti është ushtarakja me karrierën më të gjatë nga të gjitha koleget. Krisulla vinte në Gjirokastër nga fshati Krioner i Dropullit të sipërm. Zelli për shkollim do ta shoqëronte deri vite më vonë. Nga Vllasova Musta, si shoqe klase me të, do të dëgjoja për sakrificat që kjo vajzë e brishtë, bënte në dimër e verë për të ardhur në gjimnaz me korrierë (një tip kamioni, për atë kohë mjeti i transportin për udhëtarë). Shërbeu në ushtri si instruktore stërvitje në brigadë e korpus, deri në komisare të SHLU, por edhe në Gardën e Republikës, shkollën e policisë dhe Ministrinë e Rendit. Dolorez Xhaxhiu shërbeu në një sektor fort të rrallë për gratë si teknike stacioni në komandën e Mbrojtjes Kundërajrore dhe shefe grupi radiosh në skuadriljen e helikopterëve, Tiranë. Violeta Thimio u diplomua si specialiste finance dhe shërbeu për shumë vite në Elbasan dhe Tiranë. Vasilika Qendro shërbeu me detyrë si shefe finance e llogarie edhe në Gjirokastër. Mes 70 vajzave të para oficere të Ushtrisë Popullore katër, jemi asimzenelase. Pas nesh të tjera asimzenelase do të titulloheshin oficere Flora Shapllo e Mukades Sinani; Thellënxa Muho e Donika Menkshi e shumë të tjera. Krahas vajzave, janë edhe djemtë, kolegë tanë ushtarakë Apostol Muçi, Beqiri Mene, Ilir Bashari, Ilir Bushi, Hamit Meli, Kiço Pesha, Kristaq Bashari, Kujtim Kore, Kujtim Ponte, Miço Veneti, Robert Vito, Rushit Batha, Theodhoraq Qirko.
Më 12 maj 2007, në Gjirokastër me rastin e 40 vjetorit të maturës u bë një takim shumë mbresëlënës. Edhe tani pas 15 vjetësh kujtojmë e falenderojmë shokët që ende banojnë aty, Niko Gjoni, Thanas Dino, por edhe Mustafa Devolli e Vasil Minga, sepse ia dolën mbarë që nga 54 nxënës që përfunduan maturën, arritën të na mbledhin plot 44 vetë të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga bota. U rreshtuam të dy klasat në oborrin e shkollës, e hymë me rregull e me pak zhurmë në një nga klasat ku kishim stuadiuar. Pas apelit, pak heshtje për shoqet dhe shokët e ndarë nga jeta, para kohe. Aty u improvizua një orë mësimi matematike, po, … po, matematike. Më të vështirën paskeni zgjedhur, mund të thoni. Lënda ishte përcaktuar nga prania e të vetmit mësues që na kish dhënë matematikën dhe që mundi të merrte pjesë në takimin tonë festiv. Vllasova na dhuroi librin e saj të fundit me poezi dhe që u recitua aq bukur nga Shpresa. Po ashtu, me shumë emocion Valentina Lapi na lexoi kujtimin e shkruar prej saj në bllokun tim të kujtimeve dhe, që për koecidencë, ma kish lënë, pikërisht më 12 maj të vitit 1966. U bënë foto në grup te shkallët brenda dhe jashtë shkollës. Dreka në lokalin e bukur të Viroit na çliroi nga emocionet e klasës, por jo nga kujtimet që tregonte secili i pranishëm nga nxënësit, por edhe mësues Kosta. Humor, por edhe me ca kripë për shumë çaste shkollore. Aktiviteti u transmetua, për gati një orë nga TV Gjirokastra. Secili do të merrte nga një kasetë, si kujtim të çmuar të mundësuar nga Thanas Dino.
I përshëndes të gjithë nxënësit e nxënëset që janë shkolluar te “Asim Zenel”:
Gëzuar 100 vjetorin!
Tiranë, Shtator 2023