Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Kujtimet e pabotuara të Arben Dukës për Labovën e Zhapës
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Kujtimet e pabotuara të Arben Dukës për Labovën e Zhapës
Kulture

Kujtimet e pabotuara të Arben Dukës për Labovën e Zhapës

Published: February 6, 2023
Shpërndaje

Nga SEFER PASHA

 

Isha kthyer nga Labova e Zhapës. U takuam me Benin tek kafeneja e tij e preferuar në Rrugën “Komuna e Parisit”. Nuk i kisha thënë se do të shkoja në Labovë. Kjo befasi atë e mallëngjeu.  Më pyeti për fshatin dhe iu përgjigja. Beni më vështronte me ata sytë e kadifenjtë që i lëshonin xixa. Pamja e tij prej stuhive të jetës pësoi ndryshime. Vetëm sytë mbetën po ata të rinisë së tij. Beni i tha kamerierit të na bënte disa foto me aparatin tim fotografik. Dhe kamarieri nuk përtoi. Beni i thoshte. Shkrepe kur unë i kam hedhur Seferit dorën mbi supe. Edhe këtë kur ai po më lexon poemën për Labovën e Zhapës, edhe kur unë po pi cigare, edhe kur po këndojmë labçe këngën e vëllait Sofokliut, edhe këtë për lulet e Çajupit, por edhe për erën që vjen me grënjë nga Hormova, për shkollën ku mësova vjershat e Naimit, për mëllënjat si gërma shkrimi, për nënë Lenën që më arnonte çantën e librave, për lepujt e egër që me Apostolin i zinim me leqe e për gjetjen e hojeve të mjaltit nëpër shkëmbinjtë e malit.

- Publicitet -

…Të gjitha këto motive mbetën në fotot që i fiksoi kamarieri. I kam parë fotografitë kur bëm homazhe tek arkivoli i Benit. E kam të fiksuar atë ditën kur ai këmbënguli që t’i bënim fotografitë. Sikur e parandjente vdekjen e cila e mori shpejt. Ditën që e përcollëm unë shkrova për të një poemë. Ja disa nga vargjet: Fry moj fry erë e Çajupit/Tej e ndanë gërxhe dhe çuka/ Në dhjetor të këtij viti/ Vdiq i madhi Arben Duka…                                                                                                                         

Shënimet që kisha mbajtur në Labovën e Zhapës miku im m’i kërkoi që t’ia lexoja më zë. Ti ke zë të tringëllimtë, tha ai. Dhe unë bëra ashtu siç më tha Beni i malluar për vendlindjen. Nisa t’ia lexoj ato që kisha shkruar në kafenenë e fshatit, ku ai kishte lindur…

***

Pa u futur në fshatin Labovë e Zhapës zbres nga makina dhe çap pas çapi eci i dërrmuar si drejt një enigme. E ndjej që nuk jam mirë, sikur jam rrëzuar në ndonjë greminë, kam humbur një gjë me vlerë, më kanë zënë pusi, apo udhës ma patën bërë borxh. Ku po shkoj i them vetes? Në Labovën e Zhapës nuk kam asnjë të njohur. Edhe pse labovasit më përshëndesin udhës sipas zakonit me makina, e mushkat për dore, unë jam akull. Si të jem një i huaj që s’di ç’kërkon në këtë fshat. Dhe jam i huaj. Më nxjerrin nga kjo gjendje cicërimat e zogjve të marsit, blegërimat e qingjave dhe orkestra e zileve të tufave me dhi. Gjithsesi gjunjët s’i ndjej e, si të jem i dehur nga ndonjë raki e keqe, kaloj nga njëri cep i udhës në tjetrin. Më tund era e grykës së lumit dhe e rrëzës së malit. Por kur iu afrova shtëpive të para tek një portë druri me dy harqe më foli një njeri, i cili më ngjau me Sofokli Dukën.

-Po ti çdo në Labovën e Zhapës?- tha Sofokliu i habitur. Ai kishte lenë flokë të gjatë dhe mjekër.

-Pse gjallë je? – e pyeta në vend që t’i përgjigjesha.

-Ty ta merr mendja se mundet të kem vdekur? Kam qenë me shërbim. Merita si është? Po tri vajzat?

-Të gjithë janë mirë, – i thashë prerazi. I gjithë meraku është për Ty.

Pastaj Sofokli Duka nuk foli më. Unë e ktheva kokën nga mali i Çajupit. Një kal hingëllinte në yrtin e shkretë të Pilo Dukës. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë Sofua më humbi nga sytë. Mos u fut tek porta me dru arre i thashë vetes. E shtyta me të gjithë forcën, por porta e madhe nuk u hap. E ndjeja se isha shndërruar në personazh të një drame. Më kishte dal përpara në Labovën e Zhapës fantazma e mikut tim Sofokli Duka për të cilin sinqerisht isha munduar që nga Tirana. Nuk më tepronte koha. U dhashë këmbëve nga trualli i atit të Sofokliut, Pilo Dukës. U rashë gjithashtu kryq e tërthor sinoreve të vëllezërve Duka, të Vangjelit, Apostolit, Josifit, Sofokliut, dhe Arbenit. U ula në sofatin e shtëpive të dikurshme ku vëllezërit kaluan fëmininë. Gjezdisa varrezat e prindërve, arat, yrtet, udhët, koriet, rreketë, krojet, përrenjtë që varen nga mali e xhaden me dredha që të nxjerr në Urën e Subashit. Udha është po ajo ku dikur vëllezërit Duka u nisën në shtigjet e dijes e bën emër në të gjithë Shqipërinë. Vangjeli, Apostoli, Josifi, Sofokliu dhe Arbeni nuk janë si vëllezërit Frashëri, por i kanë imituar ata. Nuk e zmadhoj atë që më tha një bari delesh tek Kroi i Bardhë se për Odrien të pestë vëllezërit Duka njihen në zonën e Lunxherisë si “Vëllezërit Frashëri”.

***

Me bllokun e mbushur ding futem në kafenë në qendër të fshatit që shërbente dhe si mëngjezore. Porosita kafe e i thashë të zotit të lokalit të më sjell ndonjë gjë për të ngrënë. Nëse do të kishte dhe një gotë verë. E hapa laptopin dhe nisa të vë në rresht ato që kisha stivosur në bllok në truallin e Dukajve. Sa hapa faqen e parë të bllokut detajet që i kisha shkruar shpejt e shpejt në avllinë e Pilo Dukës nuk i bindeshin “komandës” time. E mbylla bllokun dhe i hodha sytë jashtë dritares. Moti i vrejtur nisi të hedh një “brez me kripë” trishtimit tim. Nga mali i Çajupit krejt papritur filluan të bien kusarisht ca kokriza dëbore e si të ishin “gjyle” shpërthenin në kopshtin e lagur, ku një man i xhveshur si balerin me dukej sikur bënte kryqin. Kaq u desh. Ato kokriza dëbore të rëna si për mall në Labovë të Zhapës më “arratisën” në Dragobi të Tropojës.

…Isha bashkëpuntor i Gani Malushit në komisariatin e Tropojës. Sofokli Duka kishte ardhur me shërbim. Të tre me Sofokliun shkuam në Dragobi, ku ata të dy kishin dhe një punë të rëndësishme. U futëm në një restorant të vogël alpin. Porositëm raki dhe mish të tharë pastërmaje. Ishte vjeshtë dhe në Dragobi binte borë. Sofokliu fliste e merrej vesh që ishte në dramë. Përsëri e kishin kërcënuar se do ta shkarkonin nga detyra. Nuk ishte hera e parë. Ai ishte në luftë me të korruptuarit, servilët e të paaftit. Nuk pritej në këtë luftë të ciklontë. Por siç i thoshin Gani Malushit, djajt ishin të pamposhtur. Në një çast e mori gotën e rakisë e doli jashtë lokalit të drunjtë. Kur po vonohej Gani Malushi më tha të dilja e të shihja se ç’po bënte Sofoja. Eja brenda i thashë se u bëre akull. Të bën gur era e Valbonës. Kam një dëshirë më tha ai, por nuk po më ecën. Dua që një flokë bore që vjen nga lart të futet në gotën e rakisë. Po qenka e pamundur. Dhe gotën e rakisë e zgjaste në mes të ushtrisë së fokëve të borës, që vinin vergje – vergje që nga shpella ku qe vrarë Bajram Curri. Dua të qetësohem më tha. Jam i tronditur. Trafikantët po bëjnë namin në Rinas me kontrabandën e armëve, me trafikun e femrave, me flori dhe me përcjelljen e kriminelëve jashtë vendit. Oficerët batakçinj të policisë po bëhen milionerë dhe nuk u hyn një gjëmb në këmbë. Nuk vonoi dhe ai e ndërpreu rrëfimin. Për fat një flokë dëbore ra pëlltym në gotën plot me raki. Sofokli Duka qeshi. Gëzuar më tha. Kaq desha. Nuk do ta harroj këtë motiv. Sofokliu ishte agjenturist i klasit të parë, krimolog, shkrimtar dhe një romantik i paparë. Pas nëntëdhjetës jeta e Sofokli Dukës qe e stuhishme. Shkruante e botonte me pseudonimin Alban Kosova. Shërbimi Informativ i gjakosi gjunjët, pagoi para gjersa u mësua se Alban Kosova ishte Sofokli Duka. Dhe e arrestuan.

***

Motivin për Sofokli Dukën në Dragobi të Tropojës nuk e sosa dot. Një melodi me klarinetë ma ndërpreu lehën e mendimeve. Ndjeva drithërimë. Mbaj mend në fëmininë time në Mallakastër kur në radio jepeshin herë pas here këngë me sazet e Odries. Janë pikërisht ato saze të cilat kanë ngulitur në mendjen time emrin Odrie. Nisa sërish të sistemoj ndonjë gjëkafshë për vëllezërit Duka. Por nuk qe e thënë. Vetëtimthi sytë më shkuan tek qoshet e një ode, jo shumë larg manit të xhveshur. Dhe iu ktheva jetës së Sofokliut. Kur e burgosën, i vajta në burg për t’i çuar një trekëndësh djath, që ma kishte dhënë baxhieri Fuat Nikolla nga Golemi. Por në burg nuk më lejuan, bile më kërcënuan. Jeta e Sofokli Dukës u kthye në skëterrë. E detyruan të mërgoj në Greqi ku punoi si murator. Kur u kthye më rrëfente se si i skaliste gurët “rrugaç” e si u bë mjeshtër i qosheve të shtëpive. Sofokliu kërkohej nga ndërtuesit grek. Qysh në vegjëli pas të atit, Pilos, e kishte marrë zanatin. Nuk të lë pa bukë guri i kishte thënë dikur i ati, Pilo Duka. Punonte si murator, pinte ndonjë gotë uzo greke e lexonte libra. Muratorëve helenas u kishte treguar një tregim të cilin e kishte dëgjuar kur qe më shërbim dhe Shqipërinë e vizitoi aktori i madh nga Kosova Bekim Fehmiu. Bekimi do t’ia linte amanet të birit, Uliksit, që të bëhej çfarë të donte në jetë, por të mësonte një zanat. Dhe Uliksi kur u rrit, e që u bë gjithashtu aktor, e vuri vëth në vesh porosinë e aktorit të madh Bekim Fehmiu. Punon në Amerikë ku ka hapur një furrë buke.

***

E lashë punën dhe gjerba një gllënkë me verë. Sikur erdha në vete. Nga e djathta e lokalit ku po hidhja reportazhin për vëllezërit Duka u dëgjua një këngë labe. Mbase labovasit këndojnë në ndonjë sebep i thashë vetes. Doja të fusja në shkrim motive nga jeta e vëllait të tretë, Josif Dukës që prej motesh shërben në Ministrinë e Brendshme, por nuk qe e thënë. Me ata që këndonin labçe një zë më ngjante si i mikut tim Sofokliut. Ai këndonte bukur. Në ditë të zeza kemi kënduar dhe bashkë. Disa këngë të cilat i këndoj dhe sot janë të Sofos. Kënga: Ku e shkove verën – o /Lule Adhe//Në mal të Çajupit-o/ Lule Adhe, më duket sikur është shkruar nga autor anonim këtu në Labovën e Zhapës. E ngre kokën lart e vështroj nga mali i Çajupit. Lart mali i florinjtë, në rrëzë të tij fshati Labovë e Zhapës, e përposh lumi i Drinos. Fshat me mal, me kroje e me lum. Kur pubilcisti Sofokli Duka nisi të nxjerr gazetën “Odria” ai më pati dhënë dhe një fletore me këngë të qëmotit, që janë kënduar në Odrie. Kënga, Kur më shkon sokakut/ Si mushkat me zile/ Të vetëtin trupi si dyzetë kandile/ Plumba dhe perona në zëmerën time/, Sofua më thoshte se duhet të jetë shkruar nga labovasit rreth 300 vjet më parë. Këngë labe jehon pak më tutje kopshteve me mollë e mana e unë vë në rresht vargje që m’i ka dhënë miku im Sofokli Duka. Xhamadani mu ngushtua/ Kraharori mu gufua/ Herë si dardhë e herë si ftua/…./Fukaraja s’kërkon gjë/ Një natë të fle më të/…../O moj ti që s’të do burri/ Pa më dil një çikë tek muri/…../Unë ta dëgjova zënë/ Hajde moj poshtë në lëmë/ /Unë vij po s’më lënë/…. /Pse s’u bëre diell, të ndrije dynjanë/ Po u bëre hënë, më more vëllanë/….Qyqja në mal të lart/ Me se rron atje moj qyqe?/ Me kumbulla stambollite/ E me këngë gjirokastrite/…./Aman Banushe ku vete?/ Vetë e bardhë e hunda grepe/ Ç’tu vulos vula në djepe/…./Të prita tek gardhi/ Më dole tek muri/ Qepallat e gjata/  Si hala prej gruri/ ……/Ç’ka bari që s’mbin në qafë?/ Nga lotët që derdhin gratë/……… /Të bëhem rrasë në krua/ Të mbush ujë ajo që dua/……. /Çorapet me lule/ Dhe flokët mënjanë/ /Unë po s’të mora/ /Do të vras baban/……../Dale moj të puth një herë/ Pa merr një gur dhe më bjerë/ Dale që të zë për gishti/Çika le t’më dal shpirti/….. /Syzesë vetulla pe/ /Nga muri do ngjitemë/ Me plumb të goditemë/ Të vete të flë me të/.

***

E lë bllokun me këngë e sytë i hedh nga udha e vjetër që të shpie në vargmalin e Çajupit. Sofokli Duka më rrëfente se në shpatet e malit, ku të pickonte nepërka ai, kur ishte student, mblidhte sherebel e bimë të tjera medicinale për të mbuluar shpenzimet e shkollës. Sofua nuk e hiqte nga mendja Vangjel Zhapën, udhën nga kaloi Bajroni, shtigjet nga erdhën ushtarët grek që bën masakrat e Hormovës. Lebërit vazhdojnë të këndojnë e këngën e merr era dhe e shpie tutje nga Burimi i Hosit. Dua të shkoj tek ata që nuk e presin këngën, por më duhet të shtoj edhe ndonjë fragment në shkrimin që po e rradhis fjalë pas fjale si ato udhët e dhive në shpatin e malit. Ballë për ballë me malin e Golemit duken ca shtëpi të vetmuara si orteqe dëbore. Është fshati Picar. Sofua më ka treguar se kishte qenë në një drekë në shtëpinë e Shefqet Peçit, ku gjithashtu kishte qenë dhe Dritero Agolli. Në garë me Shefqet Peçin se kush mund të pinte më shumë raki me dolli Driteroi kishte mbushur një gotë uji plot e për plot me raki dhe pasi e kishte pirë me fund rakinë e kishte përtypur qelqin me dhembë dhe e kishte kapërxyer sikur të qe pilaf orizi. Sofokliu e vlerësonte Dritero Agollin dhe herë pas here takohej me të. Kur unë i shkova për vizitë Driteroit me rastin e 80 vjetorit të lindjes ai më pyeti për Sofokli Dukën. Kishte mall. Driteroi foli me adhurim për Sofon si krimolog, shkrimtar, atdhetar dhe si një “majakovsk” i partisë socialiste.

Nuk jam i qetë edhe pse shënimet për mikun tim Sofokli Duka po i stivos për bukuri. Stivos dhe herë pas here sytë i hedh nga shpatet e malit. Po të ishte gjallë miku im do më thoshte të rrëmbejmë armët e të mos lejojmë që në magjinë e Zagories të fillojnë kërkimet për naftë. “Baçja e luleve” siç quhet Çajupi të spërkatet me naftë. Mendimet m’i ndërpret një shpend i madh që u ul në kërçepin e manit përballë. Nuk e kisha parë ndonjëherë këtë shpend. Po ky nuk ishte i vetmi shpend në Labovën e Zhapës. Nëpër avllitë e kopshtet fluturonin e “orkestronin” këngët, mëllënjat, harabelat, korbi, patat e egra, rosat e egra, qyqja, kali i qyqes, dallëndyshet, bishtëtundësi, bilbilthat, pupëthat, gjeli i egër, lejlekët e lumit, shapkat, pëllumbat e lart shqiponjat e malit. Shpendi i pazakontë në kërçepin e manit herë pas here shkund krahët sikur bën ndonjë yshtje. Mua më shkoi mendja tek shpirti i Sofokliut, por vetëtimthi i hoqa sytë nga i shpend i çuditshëm. Sofua nuk besonte jashtë kësaj bote reale. Vështroj nga krahu ku kënga labe gjëmon e për fat në faqen e murit shoh një fotografi të Vangjel Zhapës, të këtij biri të denjë të Labovës së Zhapës. Për këtë atdhetar të madh flisnim shpesh me Sofon. Vangjel Zhapa më rrëfente Sofua ishte mik i Marko Boçarit. Qe plagosur pesë here. Kishte ndihmuar për ngritjen e shkollës së Labovës së Zhapës. Pasaniku i madh Vangjel Zhapa kishte financuar lojërat olimpike në Greqi. Sefer mos u mërzit më tha në një rast kur unë isha i papunë dhe atë gjithashtu e nxorën në lirim. Nuk është hera e parë që më godasin tha ai, por ama nuk më kanë plagosur si Vangjel Zhapën. Dhe më molloiste çudira për këtë bir të Labovës. Aso kohe nuk po gjenim dot një sponsor për një nga librat e tij që me sa di ai e la në  dorëshkrim. Sofua u interesua dhe për botimin e librit tim, “Stina e fundit e Ukshin Hotit”, por qe  pamundur për të gjetur ndonjë lekë. Paratë janë në gojën e gjarpërit thoshte ai me trishtim. I heq sytë nga fotoja e Vangjel Zhapës, që i zoti i lokalit e kishte varur si një ikonë. Më duhet të kthehem në varrezat e fshatit dhe të vendos ndonjë lule marsi në varrin e këtij njeriu të madh. Eshtrat e trupit të Vangjel Zhapës janë vendosur në fshatin e tij të lindjes, ndërsa eshtrat e kokës në pallatin “ZAPPEION” të Bukureshtit. Sofokli Duka e kishte ëndërr të shkruante një monografi, siç e dinte ai, për Vangjel Zhapën. Një studjues grek e nxirte Vangjel Zhapën me origjinë nga Përmeti. Me sa mbaj mend Sofua po hulumtonte dhe për të nipin e Vangjel Zhapës. Mua nuk më kujtohet emri i nipit të labovasit të madh. Miku im, Sofokli Duka, më thoshte se i nipi i Zhapës ka folur e ka shkruar për ndjenjat humanitare e patriotike të xhaxhait të tij. Sofua çoç kishte zbuluar kur kishte punuar si murator në Greqi.

***

Pasi hëngra mëngjesin e porositur me meze Labove të shoqëruar me një gotë verë nga të vreshtave të Burimit të Hosit e ndërrova karriken dhe laptopin e ktheva nga shpatet e fshatit të Hormovës. Nuk doja të isha ballë për ballë me shpendin që më vështronte si i merakosur. S’po më pëlqente filli i gjalmit të prozës. Hormova tej në monopat më ngacmoj. Dhe fillova të palos fjalë pas fjale këngën që e pëlqente Sofua i dashur: Caush bej, Caush Hormova/  Gjak e dyllë të pikova/Porse besën s’ta ndërrova. Je si Caush Hormova i thoja Sofos në kafenë poshtë banesës së tij. Çfarë nuk të punuan i thoja i revoltuar. Të burgosën. Në qeli të lanë me një batanie. Çajin ta jepinin pa sheqer. Nuk të lejonin të laheshe dhe trupi të mori erë. Drejtori i burgut kishte urdhëruar gardianët që të bëhet ç’është e mundur dhe Alban Kosova të vras veten. Sofokli Duka tundëte kokën me dhimbje. Por besën nuk ma ndërruan më kthehej ai gjithë fisnikëri. E ngrita kokën dhe mbeta pa mend. Shpendi sa një dash ngjyrë gri kishte fluturuar nga kërçepi i manit dhe po nusëronte në degën e një fiku të madh. Tani e kisha dhe më afër. Po ky shpend që nuk po më ndahet thashë i merakosur. Pyeta një labovas që po pinte kafe në tavolinën ngjitur andej nga vinte kënga labe. Labovasi më tha se ky zog i madh që i thonë zhgabua vjen rrallë në Labovë. Bën konak në pyjet e Sheperit. Heshta i menduar. Sofokli Duka pas ca kohësh kishte përvjetorin e ndarjes nga jeta. U grumbullaun miq dhe “armiq”. Mungonte ai që e shkarkoi Sofon për herë të fundit nga detyra. Sikur të më dëgjonte Sofokli Duka do t’i thoja se ai “kapteri” që të shkarkoi padrejtësisht para ca kohësh i pati pisk punët. Në fill të perit iu afrua laku tek fyti. E sikterrisën. Ndofta e zuri mallkimi i miqve të Sofos. Në këtë botë lahen të gjitha thoshte i ndjeri. Në debate shpesh e kundërshtoja. Maskarenjtë janë të pamposhtur. Disa po bredhin nëpër gjyqe e po ulin moshën që të mos dalin në pension. Në lokal nisi një debat dhe unë ktheva kokën. Një stacion televiziv transmetonte pamje nga një protestë. Nuk u përzjeva në “grindjen” e labovasve. Po më vinte për të qeshur. Pas 21 janarit Edi Rama oficerët e Berishës nuk i largoi nga Garda. “Heronjtë” që e sollën në pushtet kryeministri i la në rrugë të madhe. Nëse Sofokli Duka do të ishte gjallë dhe do t’i shikonte me labovasit pamjet me ujqër dhe qenër, ai, do ta kthente në labçe këngën e qëmotit: – Për xhenet u nisëm/ Sosëm në xhehenem/ Shqipëri moj kuçkë/ Na bëre verem.

***

Vështroj orën dhe jam në rregull me kohën. Përsëri një shaqje fshati më tërhoqi vëmendjen. Nëpër degët e fikut filloj të lëviz një nuselale. Kisha mote që nuk kisha parë nuselale. Kur nuselalja u ngjit në çatallin e fikut shpendi fluturoj për nga mëhalla tjetër e Labovës së Zhapës. Më mirë që ndodhi kështu i thashë vetes. Shpendi më trishtonte . Nuk doja ta besoja se ai ishte shpirti i Sofokli Dukës. Sofua i ndiqte mitet e megjithatë ishte me këmbë në tokë. Dhe ne debatonim pa fund. Në përvjetorin e vdekjes së Sofos më mbeti në mendje gruaja e tij dhe vajzat. Ishin të mjeruara përpara burrit dhe babait të dashur. Gruaja e Sofos e rrethuar nga vëllezërit dhe të dashurit e tij pinte cigare pa fund. Gjëma e kishte rënduar. Kisha qenë mes Perçevës e Gllarevës në vendin e njohur me emrin, “Çuku që kërcet”, e cila është shpella më e thellë, ku Shote Galica bashkë me trimat futën trupin e Azem Galicës sipas amanetit të tij, që trupin të mos ja gjenin shkitë. Siç më kanë treguar Shota e brengosur rrinte në hyrje të shpellës së bashku me trimin Halim Preçeva. Azemi që nga fundi i shpellës vikati fort: – “Ti qëndro, se vetëm ke mbetë!”. Qysh atë çast lindi kënga me të njëjtin titull që edhe sot këndohet në Kosovë. Paçka se Alban Kosova nuk ishte Azem Galica ai e pati jetën të vështirë. Qe një “Azem” në luftën për një Shqipëri më të mirë. Dhe gruas së Sofos i shkonte vargu: – “Ti qëndro, se vetëm ke mbetë!”. Nuk i harroi ato çaste dhe as vargjet e Nekrasovit që i recitonte shpesh Sofua i dashur: – Ti do të rrosh, ty ditët pas të presin/ Unë i perëndova, se mu sos/ Ja po shkoj….Lavdia kaq më feksi/ Se s’ke ç’i bën dhe ti mos u brengos/.

Fshatari i panjohur që ishte në tavolinën tjetër prej nga gumëzhinte kënga labe më solli me dorën e tij një tjetër gotë me verë, më përshëndeti fshatçe e unë nuk i thashë dot as “të faleminderit”. Mbeta disi i habitur me sytë nga udha me dredha që të nxjerr lart në mal. Udha gjithë dredha ma ngacmoj imagjinatën. Në rininë time së bashku me antarët e pleniumit të rinisë së Gjirokastërës kishim qenë në malin e Çajupit për piknik siç thuhej në ato vite. Por jo nga kjo udhë me dredha që kam përballë, por nga ajo e Erindit. Në Çajup e kam takuar për herë të parë Sofokli Dukën. Më njohu me të Resul Llogo që ne e kishim Sekretar të Parë të Rinisë. Mbaj mend se na atë takim në një nga livadhet e bukur na folën Rrapo Dervishi dhe Kiço Ngjela. Ata kishin ditë që pushonin aty. Bëm dhe një fotografi ku u rreshtua me ne dhe Sofokliu, që kishte ardhur për qejf si dhe inspektori i qarkullimit rrugor Ilir Qejvani, që shoqëronte makinën me antarët e pleniumit. Vite më vonë kur me Sofon u bëm miq dramash, ai ma kërkoi atë fotografi, por unë nuk e gjeta në albumin tim. Por do ta gjej me ndonjë gjirokastrit që ishte antarë i pleniumit (të gjithë morëm nga një foto). Pas vdekjes së Sofos, meqënse po përgatitet libri, fotoja në malin e Çajupit do të ishte një diamant. Qysh atëherë unë nuk kam shkuar kurrë në Çajup. Kënga që i kushtohet malit magjik, “O Çajup o vend i bukur” më ka rritur në odat e Mallakastrës.

***

Shkrimin për Sofokli Dukën nuk po e shpie dot në cep të arës. Sa herë që shkoi në kafenenë tonë të preferuar, ku është dhe banesa e Sofos do të shoh vajzën e vogël së cilës i thonë “djali i Sofos”. Kur Sofos i kishte lindur “djali” unë i dhurova librin “idhulli i mallkuar”. E kishte lexuar në dorëshkrim dhe Sofua më foli për një nga tregimet e librit që i kishte lënë mbresë. Bëhej fjalë për breshkën e Presidencës. Në 97 – tën kur kishte rënë shteti tek hyrja e Presidencës afrohet një breshkë. Gardistët të pirë e marrin në duar dhe e ulin në kolltukun e Presidentit. Dhe parakaolnin para saj. Por breshkën në ambjentin e ngrohtë e zuri gjumi. Gardistët e zgjuajnë, i hapin me zor gojën, dhe i hedhin uiski nga ai që pinte Presidenti në ato ditë të mynxyrëshme. Breshka me të gëlltitur uiskin filloj të kërcej. Edhe gardistët kërcenin me të në mes. E bukur më thoshtë Sofua. Për ta bërë film. Por ai nuk m’i ndante kritikat. Mos boto libër pa redaktor dhe pa korektor letrar. Ishte i prerë.

Shkruaj nga një çikë e herë pas here i hedh sytë nga udhët e fshatit që i bien atij kryq e tërthor. Megjithëse shumë banor janë larguar Labova e Zhapës i ka ngulur “rrënjët” thellë. Ndërtohen vila e punohet. Nëpër kopshte fshatarët mbjellin perimet e stinës. Era e plehut më pëlqen. Një grua e moshuar me shami të bardhë në kokë prashitë qepët. Më duket sikur është në arën e Pilo Dukës. O zot thashë me vete mos është nëna e Sofokliut, Lena. Po mrekullitë nuk ndodhin në këtë botë. Sofua më filste për mundimet e prindërve të Pilos dhe të Lenës. Në një rast ai më tregonte një rrëfenjë. Kur kishte dal në jetë si ushtarak dhe ndodhej në fshat me lejë kishte marrë një kosh me pleh dhe po e çonte në arë. Nënës, Lenës, i kishte bërë përshtypje që i biri e mbante koshin me pleh në supin e majtë. Ai bëri disa udhë që nga kasollja. Dhe nëna e merakosur e kishte pyetur. Sofua ia kishte kthyer aty për aty. Supi i djathtë më dhemb i qe përgjigjur ai nënë Lenës. Të dy supet nuk janë në një nivel. Të djathtin e kam më poshtë. Automatku dhe mitralozi ma kanë bërë gropë. Kur nuk e prisja sytë më shkuan vetëtimthi në degët e fikut. Shpendi qe kthyer sërish. Heshta. Në ato çaste mu kujtuan vargjet e Lasgush Poradecit: Lëndë – e thjeshtë. Lëndë ujem/ Pata qenë. Do të jem.

E le pakëz shkrimin dhe shfletoj një bllok ku tërë paraditen hodha mbresa nga vendilindja e vëllezërve Duka. Por për shumë arsye po e ngarkoj kalin nga njëra anë. Nga ana e Sofokli Dukës, që siç thonë në Labovë për mukajet u nda nga jeta. Në bllok kam shënuar ca fjalë që m’i thanë labovasit. Pas kishës, nga një dritare, një nuse e re i thirri një plake, e cila e kishte ngarkuar mushkën me dru lisi. Po ç’u bëre moj XHALLARE?. E kisha dëgjuar këtë fjalë nga Sofua kur i thoshte “djalit” të vogël. Mos u largo nga kafeneja “moj xhallare”(shpirt). Një mësues nga fshati i Labovës ma shkoqiti fjalën “xhallare”. Çuditesha sesi poeti Arben Duka nuk kishte bërë ndonjë tekst për ndonjë “xhallare” të bukur të Labovës së Zhapës. Pashë dhe ca fjalë të tjera, por ato do t’i shtrojë në “shtrungën” e fjalorit themeltar të gjuhës shqipe. Ndihesha i trishtuar dhe nisa ta thurja gardhin aty ku e kisha lënë. E hodha atë dhe një motiv tjetër siç ma tha një i moshuar në oborrin e shkollës. Lena, nëna e vëllezërve Duka, gatuante si magjistare më tha ai. Por ishte e paparë për pjekjen e kërminjëve. E mbante në gojë i gjithë fshati. Përsëri ndihesha i zbrazur. Doja të shkruaja një gjë që të mbetej në letër dhe vetë ta vija buzën në gaz. Tek shtëpia e Pila Dukës mu kujtua një motiv nga fëminia e Sofos. Vetë Sofua ma ka treguar. Brenda në shtëpi, në qilar, nëna Lena mbante kavanozat me reçel molle, fiku, arre, rrushi, ftoi e hurme. Nuk isha më shumë se 7 vjeç rrëfente Sofua. Nëna, Lena, ishte në avlli. Unë vajta tek qilari. Doja të merrja reçel molle që të ngjyeja përsipër bukën e misrit, të cilën ma kishte dhënë fare thatë, nëna, Lena. Dhe hapa një vazo. Qe errësirë. E theva copën e bukës më dysh dhe njërën e futa në vazon me reçel. Nuk prita dhe e kollofita në gojë se kisha uri. Por desh vdiqa. Goja më mori flakë. Ulërija. Kisha marrë vazon me piper të zi. Lena e mori vesh se ç’kisha bërë. Më dha me të shpejtë një hoje mjaliti nga të Çajupit dhe me dorën e saj më shpëlau gojën. Mjalti i Çajupit më solli në vete.

***

Mbi koriet e fshatit filloj të fryj era e jugës. Vjen nga Burimi i Hosit thonë në lokal. Është era e gjethit. Ndihem mirë kur i hedh sytë nëpër yrte, ku shoh gratë dhe ndonjë burrë që mbjellin dhe prashisnin perimet e stinës. Sofokli Duka e kishte ëndërr të ndërtonte një shtëpi afër me ato të atit, Pilos. Do ta ndërtoj vetë për merak më thoshte më emocion. Ndërtova vila për grekërit e jo të mos ndërtoj një për vete, për gruan dhe vajzat. Sofua priste daljen në pension. Por nuk ja arriti. Iku me forcën e këtij shpendit që dua ta krahasoj me zgalemin, por që labovasit e quajnë zhgabua. E ngas dhe pak parmendën në arën e shkrimit. I lexova ato që kam shkruar varg pas vargu e ndjeva një boshllëk. Gjithë paraditen në trojet e Pilo Dukës mendoja se ku mund të vendosej një monument i Arben Dukës. Dhe ja vura syrin. Aty ku ishte një hurmë me pamje nga Subashi. Monumenti të vendosej që me gjalljen e poetit. Qysh nga Naim Frashëri e këtej nuk ka poet si Arben Duka. Ka shumë poet të mirë Shqipëria. Por nuk ka asnjë si Arben Duka. Poetët shqiptar kanë profilet e tyre. Gjithsesi poeti që po digjet çikë e nga një çikë si lisi në mes të flakëve të së keqes ky është vetëm Arben Duka. Lufton kundër çdo kolere  për një Shqipëri që për dreq nuk do të marrë udhë. I hedh sytë nga mali i Çajupit. Po të stivosen vargjet e Arben Dukës që nga Labova e Zhapës ato dalin mbi “çatinë” e malit nga ku duket Nemërçka e Mali i Gjerë. Nëse të gjitha lulet e malit të Çajupit do të mblidheshin nuk do tua arrinin kurorës së vargjeve të poetit Arben Duka. I thoja Sofos: Maskarenjtë e Ali Asllanit si nuk po e vrasin poetin Arben Duka? Sofokliu ngrinte supet. Edhe unë çudtitem se si Beni vazhdon të jetë gjallë më kthehej ai. Luftë me djallin e luftë me kriminelët. Tani që është larguar nga kjo botë Sofua unë nuk e di se kush mund të na ndihmoj për ngritejn e monumentit të poetit Arben Duka. Skluptori Muntaz Dhrami e ka bërë gati bocetin. Skluptori mendon se shtatorja e Arben Dukës duhet të vendoset në mes të fushës së Çajupit. Poeti në mes të “baçes me lule” do të qe një mrekulli.                                                                                                                             …Përpara fikut, ku u kthye shpendi misterioz, shtrihet një kopsht i madh i mbjell me spinaq, labot, qepë, hudhra, lakra e kastraveca. Fshatari që i ka mbjellë duket që është esnaf. Lehët e perimeve më ngjajnë si strofat e vargjeve të poetit Arben Duka. Kopshti është ndarë me rreshta e me katërore. Çdo gjethe është një gërmë e katër vargje një poezi. Me merak të madh e ka shkruar fshatari këtë libër me vjersha. E heq vështrimin nga ara me perime e dua ta tejçoj më tej mendimin për poetin Arben Duka, më të voglin e Pilos dhe të Lenës. Poeti qe për Labovën e Zhapës një sfidë dhe natyrisht dhe një majë si ajo e Çajupit. Nuk besoj se ka bota mal kaq të bukur si Çajupi. Domosdo që Arben Duka qe me shumë fat që u lind në zemrën e malit të magjishëm. Kur Arben Duka erdhi me shërbim në Gjirokastër pas tij u dashurua një shoqja jonë e rinisë që e quanin Lola. Ajo e donte marrëzisht poetin rebel e shpesh skandaloz si Esenini. Merre për burrë i thoja Lolës. Se do të marrësh një poet të çuditshëm që bashkë me burrin do të futësh në shtëpi dhe malin e Çajupit me lule, kroje e burime.

***

Bota e Sofokli Dukës qe e trazuar. Prirja e tij natyrale ishte që të bënte të mira. Por kishte çaste në jetën e tij kur ai shpërthente si sfrat i lumit të Drinos. Ti nuk i njeh labovitët më thoshte shpesh. Sa janë të dashur dhe të sjellshëm janë dhe xanxar. Sikur e kam përpara syve një “sherr” midis tij dhe gazetarit Poli Hoxha. Ata të dy ishin miq. Qemë ulur në një lokal në cep të ish shkollës së partisë. Aty qe redaksia e një gazetë që vite më vonë falimentoi. Grindja me Polin e bë për faj të Sofos. Bile Sofua përplasi dhe një gotë me raki. Kur u ndamë me Poli Hoxhën unë e bëra fajtor Sofon. Kam ditë që nuk jam mirë më tha ai dhe më tregoi atë që i kishte ngjarë. Pas hotelit “Mondjal” ballë për ballë me banesën e Sofos një burrë plak nga Saranda, i cili banonte në një shtëpi private, i kishte kërkuar ndihmë Sofokli Dukës. Sarandjoti e kishte djalin emigrant në Itali dhe një vagabond në dy – tre raste ja kishte marrë me dhunë nusen e djalit. Plaku qe ankuar në polici, por nuk ja kishin vërshëllyer. Kishte vajtur dhe Sofua e kishte ndodhur e njëjta gjë. Një natë Sofua kishte marrë një pistoletë të cilën ja kishte dhënë një miku dhe kishte shkuar tek shtëpia e plakut. Në çastin që pushti qe hedhur nga muri dhe po hapte portën Sofua e kishte qëlluar në ajër. Hajni qe larguar i tmerruar dhe nuk qe dukur më. Plaku i kishte thënë se po të vinte policia ai do t’u thoshte se e kishte qëlluar vetë. Pistoletën e kishte hedhur në Lanë. Por policia nuk u bë e gjallë. Plaku sarandjot sa herë që e takonte Sofon i puthte dorën. Kur unë i thoja se edhe këtë e ke bërë ti Alban Kosova ai më përsëriste atë proverbin e Labovës së Zhapës “Djali që si bën të gjitha, plastë e mos e zëntë dita”!. Kjo ndodhi Sofokli Dukës i kishte ndodhur kur ai nuk ishte në rradhët e policisë.

***

E ndërpreva punën se më foli një fytyrë e njohur që nga trungu i manit. Ishte nga Palokastra. Dikur kishte qenë kapter në kufi. Nxitoj se jam për në Greqi më tha ai. Të kam paguar një meze fshati dhe një kanë me verë. Çoç po zgraps ndonjë gjë për Sofon tha shpejt e shpejt dhe mbylli derën e makinës. Kur ma përmendi emrin e Sofos disa fshatarë kthyen kokën. Mua nuk më erdhi mirë, që palokastriti ma nxori “sekretin”. Mu kujtua emri i kapterit dhe e shënova në cep të bllokut. Ishte i kushëriri i Rako Xhavarës me të cilin kisha punuar shumë vite në Gardë. Shkrimi po më ngjizte mirë dhe unë doja të vija dhe ndonjë plis nëpër rreshta me atë motivin me Lolën e viteve të rinisë, që delte në Qafën e Pazarit për të parë oficerin më të pashëm të Korpusit të Gjirokastrës, Arben Dukën. Por ndërrova mendje. Edhe Sofokliu më kishte thënë se nuk ja vlen që këtë ndodhi t’ja thuash Benit. Ai nuk e di se për kë femër bëhet fjalë. Gjithsesi motivi më gjëmonte si përposh Lumi i Drinos. Lola e bukur dikur i merrte të gjitha gazetat ku botonte Arben Duka, i priste ato një nga një me gërshërë e kishte formuar me to një si punë libri. Vjershat e prera ja kishte treguar dhe anesë. Asaj ja kishte thënë shqeto se do të martohej me Arben Dukën. Por Lolës i pëlqeu Tirana dhe u martua me “buzëviçin”. Më mirë që i ndodhi kështu Lolës them me vete. Dhe i përzjejë fjalët. Ajo do të ishte divorcuar me poetin rebel që qysh njëzetë vjeç e nisi luftën me demonët.

E piva dhe gotën e dytë të verës me mezen që e porositi palokastriti. I zoti i lokalit pruri dhe gotën e tretë të verës. Edhe pse nuk doja ta pija se isha për udhë nuk thashë as po dhe as jo. Ishte e taksur. Vetëm dy të rrahura të bëjnë dëm thonë labovasit. Nëpër tavolina dëgjoja që klienët porosisnin kos të leshtë deleje. Sa ka filluar mjelja tek – tuk e tufave të deleve. Shelegët nëpër lëndina kanë marrë pamjen e milorëve. Nuk porosita kos, por një tregim që ja kisha treguar Sofos trokiti tek unë. Në vitin 1968 në Valbonë kishte shkuar për vizitë Mehmet Shehu. Aty kishte ngrënë darkë. Për mëngjes valbonasit zunë qysh në mbremje një vedër me kos dhe e vendosën në një ujvarë, që vinte nga mali i Rosit. Komandanti i Gardës Çelo Arrëza caktoi rojet e gardës tek vedra që ishte piksur me kos. Por komandanti i postës kufitare të Valbonës, i cili ishte nga Gjirokastra e kishte kundërshtuar Çelo Arrëzën. Kryeministri është në shtëpinë e gjirokastritit dhe vetë gjatë gjithë natës kishte qëndruar me automatik në dorë pranë vedrës me kos. Në mëngjes në livadhin e Fushës së Gjasë Komandanti i Gardës ia tha kryeministrit qëndrimin e gjirokastritit. Mehmet Shehu kishte urdhëruar që pjatën e parë me kos ta hajë komandanti i kufirit i Valbonës dhe pjatën e dytë ta hante ai. Dhe qysh atë ditë oficerin nga Gjirokastra kryeministri e mori me vete në grupin e shoqërimit në Tiranë. Sofokli Duka më pati dhënë porosi që t’ja gjeja emrin e oficerit nga Gjirokastra, që dikur kishte qenë komandanti i postës kufitare të Valbonës, dhe mbi atë motiv të shkruaja dhe një tregim. Për vite me rradhë e pata kërkuar emrin e oficerit nga Gjirokastra, por nuk e gjeta dot ne regjistrat e kuadrit të Gardës.

Marrdhëniet e mia me Sofokli Dukën nuk ishin të qeta. Shpesh nuk shiheshim, por dhe kur bisedonim përplasjet nuk mungonin. Jeta kishte shumë dallgë. Pas grindjeve për fatin e keq ai më thoshte se kishte dëshirë të ishte në Labovën e Zhapës. Muaj i tij i preferuar ishte prilli. Kur isha i ri tregonte Sofua në orën dy të natës delja në dritare. Pilua më pyeste dhe unë i përgjigjesha se në mollët e kopshtit pikërisht në orën dy të natës e fillojnë këngën bilbilat. Nuk ka si Labova thoshte ai. Të zgjuajnë nga gjumi blegërimat e qingjave. Mengjesin labovitët e fillonin me potere e humor. Nuk kishin të sosur bëmat me humor. Rrëfenin një ngjarje të rapsodit Tartar Zeka. Rapsodi nga Kuçi Tartar Zeka një mëngjes i kishte hipur kalit e do të shkonte në Bolenë për ngushëllim tek një mik. Në të dal të fshatit i del përpara kalit një djal i ri, i cili bashkë  me të fejuarën nga Parisi kishte dal për gjah. Emigranti i kërkon Tartar Zekës që t’i ngrinte një këngë. Por Tartar Zeka nuk pranoi. I tha se ishte për udhë. U bë goxha debat. Në çast zagari lehu në arën me tërshërë. Dhe Tartar Zeka ia mori këngës: – Lehu zagari në tërshërë/ Kam e kum lepurin të zërë/ /Po i hëngri të përgërë/ /I q…. të zonjën në vërë/. Dhe Sofua me humorin e labovasve qeshte me të madhe.

Jeta e fshatit për shumë njerëz është më e mirë se ajo e qytetit. Në Tiranë hyr e dil nëpër kafene. Nuk ke një gur të vrasësh veten. Kurse këtu në Labovë gjërat ndryshojnë. “Kafenetë” janë në yrte e në mal. Plakat nëpër kopshte thërrisnin ne zë të lart: – “Haha! – Haha skifteri! Ju rënte flama!” Skiferët e Hormovës janë llupsa i thoshin plakat njëra – tjetërës tek ruanin klloçkat me zogj. Nuk mundja t’i dëgjoja ato thirrje aq të bukura e aq të vjetra sa vetë Labova e Zhapës. Mungon Sofokli Duka që t’i dëgjonte i thoja vetes i merakosur. Nuk gjeja dot qetësi.

***

Më duhej të ngrihesha dhe u ngrita. Mblodhi koha thonë labovasit. Do të kthehesha dhe një herë në varreza për të prekur varrin e Vangjel Zhapës. Vajta në banak për të paguar, por nuk ishte pronari. Unë nuk e kisha vënë re. Ai qe larguar. Tavolina është e paguar më tha i biri. Një makinë është porositur dhe ju pret nën degët e fikut për në Urën e Subashit. E falenderova dhe dola në ballkonin me pamjen nga lumi i Drinos. Me çantën në dorë nisa të zbres shkallët. Shpendi kur më pa harboi sipër e më sipër nga mali i Çajupit. Të qe shpirti i Sofokli Dukës belbëzova me vete. Kushe di? Vetë Sofua nuk besonte. Por kjo botë është plot mistere. Në Tiranë do të mblidhemi për të përkujtuar ndarjen nga jeta të mikut tonë të shtrenjtë Sofokli Duka. U nisa përsëri për në varreza. Ecja në heshtje dhe kur u afrova tek dera e varrezës nisa të përsërisë vargjet e Lasgushit, që mua me dukeshin sikur i kushtoheshin Sofos tonë të paharruar: Lëndë – e thjeshtë/ Lëndë ujem/ Pata qenë/ Do të jem.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën
  • Shqipëria e bukur e sheshit
  • Turistë të huaj i bashkohen protestës: Përvojë transformuese

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. Emigranti on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. Vëzhgimi on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Sazan Svernica on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. Skypion on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?