Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Legjendarizimi i realitetit konkret jetësor (Shqyrtime tekstologjike mbi romanin “Asnjë trokitje në qiell” të autorit Namik Dokle)
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Legjendarizimi i realitetit konkret jetësor (Shqyrtime tekstologjike mbi romanin “Asnjë trokitje në qiell” të autorit Namik Dokle)
Kulture

Legjendarizimi i realitetit konkret jetësor (Shqyrtime tekstologjike mbi romanin “Asnjë trokitje në qiell” të autorit Namik Dokle)

Published: February 26, 2026
Shpërndaje

Nga Behar GJOKA

Ndjesia e parë, kur lexon romanin Asnjë trokitje në qiell, të shkrimtarit Namik Dokle, është se në shpalimin artistik, kemi një ndodhi jetësore, e cila mëvishet me ngjyresa, në frymën e legjendarizimit të realiteti letrar. Në romanet e tjera, kemi ndeshur në legjenda, gojëdhëna, një gjendje e përveçme, e cila buron nga prania e tyre në këto tekste, këtu kemi një gjendje tjetër. Në materien letrare të këtij romani, është rasti i rimodelimit konkretes, si një dëshmi jetësore, pra mbështjellja me një tis legjendarizues, që zë fill në episodin paraprirës, titulluar Zanafillë.

Në mes të dimrit, atëbotë kur lëshohet, pa asnjë fre arbaini, që përfaqëson segmentin më të ftohtë dimëror, i cili përkon me mbarimin e dhjetorit dhe ardhjen e janarit. Disa njerëz, personazhe më shumë realë se sa imagjinarë, për çudi i bashkoi, në fatin e hidhur, përcjellja për në botën tjetër, e djalit të shtëpisë, vrarë larg atdheut. Acari i dimrit më të egër, bora e madhe, i ka mbyllur në një kafaz. Pushtuar nga ankthi i urisë dhe të ftohtit therës, ngjet që në secilën ditë, protagonistët e kësaj drame, fiken si qenie. Në këtë makth pritje, gjendur në vetminë e urisë dhe acarit, rrëfejnë si në jermi, historitë e tyre.

- Publicitet -

Me botën matanë bukurisë së borës dhe urisë, diku në mjegullësinë pa pika horizonti, në një kuptim i lidh helikopteri, me gjasë zhurma në qiell, që për një mrekulli të paimagjinueshme, edhe mundet të kalojë sërish andejpari, kur personazhet presin më kot, me sytë nga qielli. Një situatë e pazakontë, që përndriçohet nga Zh. P. Sartri: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide…” . Pa harruar rrethanat e mbijetesës, ndonëse pushtuar nga verbëria e urisë, mbase disa ditë, mundet që të jetojnë me mishin e drerit, që mezi shpëtojë nga lukunia e ujqërisë, e drerit të vogël, i cili gjendet në rrezikun maksimal, kur njeriu bëhet më bishë se egërsirat.

Shtatë ditë dhe shtatë personazhe

Ngujimi, në humbëtirën e bardhë të borës dhe urisë, në një hark kohor një javor, pra në shtërngicat e shtatë ditënetëve, ku uria brejtëse, ngrica mpirëse, afron drejt tyre, fantazmën e vdekjes. Të jetosh me makthin e urisë, kur po troket vdekja, është ndëshkim i papërshkrueshëm. Qarkuar në rrezikun e madh, në zgripin ekzistencial, ku siç e ka shprehur autori:

“Vdekja ardhka në njëmijë mënyra të ndryshme, mendoi, nuk mund ta dish kurrë se kur të vjen e si të vjen…” ,

ku ngrihet sipari i fatit të hidhur të protagonistëve, të zënë ngushtë në acarin e borës dhe urisë, në mes malesh, që shohin një copë qiell. Rrethana e ngujimit kohor, përmendet për herë të parë, në rrëfimin e Tinës, hallemadhe, që një djalë e ka humbur, tjetrin ia vranë, dhe ai që ka mbetur, është në rrezik, nënës që i duhet të ekonomizojë ushqimet, për ditët e shkëputjes nga bota:

“U bënë shtatë ditë këtu, në shtëpinë tonë të vetmuar, që vetëm ulurima ujqërish dëgjojmë. Bora ka mbuluar gjithçka, edhe varrin e djalit tim, e Genit tim…” ,

e cila skicon atmosferën e ngjarjeve frikëndjellëse, që përçon teksti i këtij romani. Kjo situatë e nderë, tepër e zymtë, rimerret edhe në episodin:

“Shtatë ditë pa asnjë lajm, shtatë ditë në kurthin e borës dhe lakun e mjegullës, një mjegull që zbriste si një lum përmbytës, që çdo ditë ndryshon veshjen e vet si shtrigat…” ,

që të ndërmend harkun kohor të shtatë ditënetëve, të shpërfaqur në romanin “Qyteti i fundit” të shkrimtarit Petro Marko, që shënon themelet e romanit modern në letrat shqipe. Në rrëfimin e çartur të Zefit, një personazh kontravers, plotë vese dhe shëmti dhe, krejt i pacipë, në jetën morale dhe fizike, që për epshin dhe pangopësinë e tij, është gati të vrasë, të theri me thikë, ashtu si drerin e vogël, ndeshim edhe situimin:

“I shikoj me radhë të gjithë njerëzit, të cilëve nata dhe vdekja na ka rrethuar në këtë shtëpi të vetmuar gjashtë jemi apo shtatë, po po, bashkë me mua bëhemi shtatë.” ,

duke formuluar numrin shtatë të protagonistëve. Shtata, në faqet e romanit Asnjë trokitje në qiell, fiton një status, që limiton dhe zëshmon, shanset e mbijetesës së qenies njerëzore, në rrethana specifike. Si përcaktim kohor, shtata javore, vjen e shqiptuar në këtë frazë:

“U bënë shtatë ditë që varrosëm vëllain, Genin tonë të dashur.” ,

e cila lidh dhimbjen e madhe, sidomos te Tina, nëna dhe Juri, vëllai binjak. Përmasa kohore e shtatë ditëve, ka momente, kur ikën larg ndodhisë, siç në shprehjen:

“Në të shtatën ditë të muajt të shtatë i ftuan për pajtim. Ejani shtatë burra dhe nusja tetë.” ,

ku zgjerohet simbolika e numrit shtatë. Shqetësimi i Davidit, të huajt që mban në gjoks zemrën e djalit të humbur, djalin të cilin njerëzit e presin me padurim, që shprehet:

“…unë po e nënçmoj vetëm se kam shtatë ditënetë këtu.” ,

që sjell atmosferën e ngujimit në mes të borës, në acarin e arbainit, çastit më të ftohtë të dimrit. Simbolika e dramës së shpopullimit, shkretimit të vendit, nënvizohet në shprehjen:

“… Ishte mallëngjyese vdekja e një plaku të vetmuar të cilit, asnjë nga shtatë djemtë e vajzat, nuk i kishin ardhur për ta varrosur.” ,

një ndodhi, që nuk ka nevojë për koment, sepse akti i sakrificës së tij, i thotë të gjitha. Pikërisht në atë hark kohor, të shtatë ditënetëve, u nda nga jeta Pali:

“Asaj rruge jemi nisur edhe ne të shtatë, çfarë shtatë?, plaku vdiq, mezi e varrosëm, toka kallkan, gjashtë kemi mbetur…” ,

që shkoi në atë botë, nga dhimba e madhe për nipin e vrarë. Për ta plotësuar kuadrin, e skenave të përjetuara, atëbotë tmerri të dimrit të egër, kemi edhe situatën tjetër:

“Shtatë ditë them unë, ka disa ditë që them shtatë, pardje shtatë, dje shtatë, sot shtatë… shtatat e avbainit, më të këqija e çdo dimri.” ,

e cila shpaloset si një ëmblemë e frikshme, në tekstin e romanit. Shtata, një numër magjik, me rol në mitologji dhe folklor, me funksione domethënëse edhe në besimet ndryshme fetare.

Ngjarje brenda ngjarjes së romanit

Formësimi strukturor kompozicional dhe narrativ, e shenjon si një roman tipik i personazheve, të cilët me anë të “historive” personale, shpalosin ngjarjet që vijnë në hapësirën e gjerë tekstologjike. Pa drojë, mund të thuhet, që ky tekst krahas ndodhisë kryesore, pra të fatit të shtatë personazheve në shtatë ditënetë, pjesë përbërëse e episodeve romanore, bëhen edhe ngjarje të tjera, të cilat ndërfuten organikisht në hemisferën e rrethanave të thurjes së përthyer. Kjo prani, e ngjarjeve brenda ndodhisë kryesore, shpërfaqet në dy mënyra:

A – Ngjarjeve të përfshira në tekst, të cilat ndihmojnë për të zbuluar përmasat e personazheve, si tharm etik dhe estetik. Sa i përket tipit të parë, pra të ngjarjeve që përfshihen, do të merren në shqyrtim vetëm disa, duke mëtuar përzgjedhjen e ngjarjeve përfaqësuese, që rrezatojnë në tërësinë e botës romanore. Fati i hidhur i bashkëshortit të Tinës:

“…e pru Zoti ndoshta me sopatë në dorë dhe ia çau kokën njërit nga ata burra me sy ujku që ishte hedhur mbi mua, më çliroi, por ai tjetri, me kallash, ma vrau burrin e ai ra në krahët emi, në përqafimin e fundit në këtë botë.” ,

kur e vranë me kallashnikov, për të shpëtuar bashkëshorten nga përdhunimi, të përkujtojnë vitin e mbrapshtë 1997, si përvijim i kohës së turbulltë, kur shteti dhe qytetari ishin pushtuar nga ethet e marrëzisë. Ndodhia me Çausheskun, diktatorin e Rumanisë, që përfshihet në faqen njëzet të romanit, është vetëm njëra prej ngjarjeve, pra një episod që ka ndodhur, që gërshetohet me materien e romanit Asnjë trokitje në qiell. Po ashtu, historia e vjetër me Çurçillin, kryeministrin e Anglisë, në faqen tridhjetë e tre, është një pauzë dhe gjetje, gjithnjë për të zgjeruar frymëmarrjen e ngjarjes kryesore, të mbylljes në mes malesh, pushtuar nga bora dhe acari. Detaj i hoxhës, që fshehu kuranin te vepra 19 e diktatorit Hoxha, një gjetje domethënëse, e cila realisht shënon një tjetër ngjarje, me një sens satirik, për të shpëtuar nga rrethanat e përndjekjes dhe ndëshkimeve në monizëm. Klima e rënduar e “luftës së klasave”, shpikja më djallëzore e socializmit, me pasoja të paimagjinueshme për marrëdhënien njerëzore, e cila shpërfaqet në episodin:

“Pa kaluar shumë ditë, doli fjala se familja e tij do të internohej, “lufta e klasave” ishte ma zi se çdo dimër e çdo vdekje. Por…bora i mori jetën, bora i shpëtoi familjen Pjetër Llesh Dodës.” ,

përcjell hapur kohën e monizmit, që mbizotërohet nga një zymtësi fatale, e shkatërrimit të jetës së Tjetrit, që e mendon botën ndryshe dhe, pikërisht kjo bëhet shkas për ta përzënë, ku sytë këmbët. Në një pasazh tjetër, ndeshim legjendën e urisë:

“Pas tri ditësh e gjetën të ngrirë midis dy varreve, me kokën të mbështetur në një bucë, në njërën dorë mbante bukën dhe në tjetrën dy kokrra mollë.” ,

ku ndeshim tragjedinë e humbjes së dy djemëve, nga uria e tmerrshme, e prandaj nëna dorëzon jetën e saj pranë varreve të tyre. Kur hapet loja, me drekat e pambarimta të vdekjeve, që sjell për lexuesin e kësaj kohe një mjerim njerëzor, gati kozmogonik, njeriu gjendet në një mëdyshje, pa grimën e shpresës së mund të ecet në udhë të pashkelura. Një episod më vete, për të nxjerr në pah fytyrën e monizmit, është detaj i pulës me krimba, që ndërthuret me përqeshjen e gazetarit:

“Si urdhëron, shoku gazetar, si urdhëron… Jemi të gjithë frikacakë të ndyrë; krekosemi dhe i shkelim me këmbë ata që kemi poshtë dhe pshurremi përpara atyre që kemi mbi vete…” ,

një ndodhi sarkastike, reale si ndodhi, një tregues i fasadës së monizmit, ngjarje e shëmtuar para viteve ’90. Udhëtim i Gjysh Palit, kur ishte i ri, për Durrës:

“Nuk kaluan as tre ditë dhe gjysh Pali, djalosh atëherë, u nis në këmbë për Durrës, udhëtoi për dy ditë për në Shkodër, aty gjeti një makinë për në Durrës, pyeti ku ishte ëmbëltorja e Rifat Shabanit dhe shkoi atje.” ,

për të dalë kampion në damë, që vetvetiu e ndërlidh fatin e Jurit, nipit të tij, si një shahist me famë, brenda dhe jashtë atdheut. Me vlerë, për zgjerimin e hapësirave të përfaqësimit të jetës, është sjellja në vëmendje e legjendës së nderit:

“Kur erdhën dymbëdhjetë misionaret e para të kishës, thonë që një njeri i keq u përpoq t’i përdhunonte dhe ato, për të shpëtuar, u hodhën e u mbytën në liqen. Shumë vite më vonë, aty u mbytën edhe dymbëdhjetë vajza të tjera, të përndjekura nga një pasha osman.” ,

të vajzave që nderin e kanë vlerë, dhe janë gati të japin jetën për ta mbrojtur atë, të cilat hidhen në liqen, vetëm që të shpëtojnë nderin e tyre, pavarësisht besimit. Vashat shqiptare, jetë mot i kanë dalë zot vetes, kanë ruajtur pastërtinë e nderit, ndër shekuj me radhë, duke sakrifikuar jetën. Një pasazh befasues vjen në momentin që jo vetëm ndërlidhet me ndodhinë kryesore, por e thyen atë, me një pamje gorteske:

“Mirë, era ishte e rëndë për hundët, por e lehtë për stomakun, sa mirë që do të hanim peshk. Por dikush më tha që tërë ai peshk nuk ishte për ne, por për tarafin e saj. E thirra Spiron, përgjegjesin e vilave.

“Ç’është ai peshk?”

“Është për shoqen…”, më tha.” ,

ku flitet për erën e peshkut dhe pushimet e çuditshme të byroistëve, të kohës së Babaqemos, që silleshin si pushtues me vendin dhe me njerëzit. Pasazhi kur Juri ishte 17 vjeç:

“Pikërisht…

Dhe nxori dy libra nga çanta e tij. Isha jashtë, edhe unë nuk dal kushedi sa, kjo ishte hera e dytë, jam gazetar, nuk të thashë, rrallë na dërgojnë edhe në, duhet të jesh shofer domatesh e kastravecash që të dalësh jashtë…” ,

kur gazetari i solli dy libra të kampionëve të shahut.

B – Rimarrja e situatave të romaneve të shkrimtarit, është një situatë e ndërfutjes së këtyre mikrongjarjeve, në hapësirën e romanit Asnjë trokitje në qiell. Kështu, në shprehjen:

“Ndër shumë arsye, më tepër rëndoi ajo e tokës së kuqe që kishte një dreq brenda vetes, derq të cilin, ata që erdhën nga qyteti, e quajtën “rrezatim”.” ,

e cila sjell atmosferën e romanit Ditët e lakuriqëve të natës. Në një episod tjetër, kur rrëfen Varrbuksja, një personazh i jashtëzakonshëm, që endet si figurim artistik, midis reales dhe imagjinares, e cila gjezditet nga njëra drekë vdekje në tjetrën, ndonëse lëviz si hije e hijeve të kohës, që çapon fantazmat:

“Kur po e nisnin për te varri, motra e tij uluriti dhe donte të shikonte vëllain për herë të fundit, kishte nëntë vjet pa e parë, i detyroi ta hapnin arkëmortin dhe pa një fytyrë tjetër, e ndryshme nga ajo e vëllait të saj.” ,

situatë të cilën e kemi ndeshur në romanin Lulet e skajbotës, e cila rishfaqet në krye të faqes tetëdhjetë e katër të romanit të shtatë. Kurse në pasazhin tjetër:

“… po ju, sa djem vratë në kufi, pse pushkatuat ata dy djemtë poetë vetëm për një vjershë, ç’patët që e varët atë poetin dy vjet para fundit tuaj, kur gjithë Europa po e hiqte dënimin me vdekje?!” ,

të sjell ndërmend gjendjen e shpërfaqur në romanin Kolerë në kohë të dashurisë. Krejt e befasishme vjen një situatë tjetër:

“Kam shitur nder…pluhur nderi.

Çfarë?

Nder të thashë, pse po habitesh?

E si e shet?

Në formë pluhuri, në qeska një dhe dhjetëgramshe, në raste krejt të veçanta edhe njëkilogramshe.” ,

të cilën e kemi ndeshur në tekstin e romanit 10 gramë nder, një roman satirik dhe tallës për kohën e mbrapshtë. Po ashtu, e gjejmë edhe në pasazhin tjetër:

“Sikur më kishte thirrur Zoti në qiell dhe më tha, e di ti që njerëzit janë të varfër, vuajnë për bukë, kullotat janë shkretuar se të rinjtë e sotëm nuk duan të shkojnë në bjeshkë, por dalin nëpër botë dhe kërkojnë pjeshkë…” ,

një fakt domethënës që të përkujton sërish klimën e romanit Lulet e skajbotës. Për të ardhur më në fund:

“Po në ditët e “Covidit” e dini se ç’ndodhi? Doktori tha, kam më shumë se 40 ditë në karatinë dhe jam shumë i shqetësuar.

“Çfarë shqetësimi ke?” e pyeti doktori.

“Po ja…kam filluar të flas me televizorin, pastaj edhe me frigoriferin, sot edhe me muret.”

“Eh, mos u shqetëso fare! Nuk është gjë. Kur muri të nis me të kthyer përgjigje, atëherë po, më lajmëro.” ,

që sjell pranë lexuesit klimën e romanit Covid 1984, një parabolë artistike, mbi murtajën që pushtoi botën në vitin 2020.

Struktura e grimcuar kompozicionale

Një treguesit domethënës, krahasuar me romanet e tjera të autorit, me kahje të një përmbysje, është formësimi strukturor, i grimcuar në kaq shumë episode, gjë që ngjet edhe me tekstet e tjera, porse këtu e ndërlidh me fatin e personazheve, një shpalim kompozicional dinamik. Në krye kemi disa shprehje të Homerit, At Fishtës, G. Gras dhe nga populli, të cilat ngrenë siparin e librit dhe kryejnë funksionin e parateksteve paraprirës. Pastaj vijohet me pjesën fillimtare Zanafillë, e shkruar nga autori-narrator, si një rrëfenjë, që kryen rolin e një prologu, të pashpallur. Për të vijuar, me materien letrare kryesore, që shpërfaqet me ndarje të shumta dhe në disa tipe, të ndryshme strukturore:

A – Të emërtimit simbas emrit të personazheve, e cila mbizotërohet nga historia e protagonistëve të kësaj ndodhie. Tipi strukturor i tillë, ku janë në qendër personazhet, hapet me episodin Tina (Agetina), e cila ka si nëntitull frazën Mbeta vetëm me një djalë, si një element bashkëshoqërues, që përbën një risi në kompozimin e romanit. Në këtë mënyrë strukturimi, janë realizuar episodet e secilit nga personazhet, duke shkuar në njëzet e shtatë pasazhe gjithsej.

B – Të emërtimit të kapitujve me dy personazhe, të formës Pali dhe Tina, që përcillet me nëntitullin Shpëtona, Zojë e Bekueme!, pra duke ruajtur strukturën, por njëherit duke ndërfutur formën e narrativës dialoguese. Të kësaj formë strukturore, me dy narrator që rrëfejnë me anë të monologut, janë realizuar katër pasazhe të romanit.

C – Të formave të ndryshme strukturore, si Ëndrrat, ku secili nga personazhet zbulon historinë e jetës, e sidomos ëndrrën e urisë, e cila vjen në formën: Qielli i ndërgjegjes, që ndërkaq shoqërohet me nëntitullin Vramendje, që e bart një ndryshim të kompozimit strukturor. Në episodin tjetër, me titullin Çaprashitje mendjehuptas, si dhe pjesët ku flasin të vdekurit, sikur pjesët Geni, që ka si nëntitull Zëri i gjithë botës, që përcillet si një prozopope e pazakontë. Po ashtu, pjesa e titulluar Fantazma e Shën Palit, që përcillet me nëntitullin M’u nxi bjeshka djalë, pa ty, si dhe pjesa e fundit, emërtuar Dreri, shoqëruar me nëntitullin Njeri apo ujk, e shkruar si tekst dramatik, gjë që e pasuron strukturën e tekstit, por edhe marrëdhëniet ndërgjinore. Këto episode, jo pak të ndryshme nga kapitujt e tjerë, shkojnë në gjashtë pjesë gjithsej.

D – Forma e fundit, e parashtrimit strukturor, e pranishme në hapësirën e këtij romani, është edhe emërtimi Interlud (Ndërmjetëse), ku paraqitet një gjendje e pazakontë e betejës mes ferrit dhe parajsës. Satira therëse autoriale, posaçërisht në Ndërmjetëse e dytë, shpërfaqet kur shkruan:

Arbain i mallkuar! Na mbylle këtu dhe na le pa e parë Bigbradherin e sivjetëm.  ,

si përkujtesë faktike e trushplarjes ku kemi rënë, për të vijuar mandej me Ndërmjetëse e radhës, kur shtrohen disa pyetje retorike, që nuk ka gjasa të marrin përgjigje kurrë. Në Ndërmjetëse pasuese, papritur e pakujtuar, shfaqet Majka e Bukonjës, kryepersonazhi i trilogjisë dhe rishkrimit të legjendave, me gjasë e para rrëfimtare e tyre. Ankthi i pritjes së helikopterit, që shpaloset në Ndërmjetëse e katërtë, e cila pasohet nga Ndërmjetëse e ndërrimit të viteve. Në Ndërmjetëse e fundit, rimerret emërtimi i Arbainit, si një realitet tmerri, i ditëve të acarit, borës dhe urisë. Pra, të kësaj mënyrë strukturimi, janë gjashtë episode të cilët paraqiten me emërtimin Ndërmjetëse, formë e cila edhe e përthyen strukturën kompozicionale, realisht e dinamizon tekstin dhe ndodhitë e pranishme. Sa i përket romanit, si zhanër i hapur, po citojmë një parashtresë për këtë zhanër: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“ . , që hedhë dritë në marrëdhënien përkujtuese të episodeve të romanit.

Mund të thuhet, që struktura kompoziconale e romanit Asnjë trokitje në qiell, një tekst që shënon përmbysje strukturore, përbëhet nga dyzet e pesë mikrostruktura, të formave dhe niveleve të ndryshme kompozuese, të cilat sendërgjojnë makrostrukturën e tekstit, në atë formë të shformësimi të beftë, që shpalos romanin në ngjyrat e prozës moderne.

Larmia e shprehësisë narrative

Sa i përket narrativës, pra gjendjes unike të prozëshkrimit, që më herët T. Todorov, e pati përcaktuar si poetika e prozës, në faqet e romanit Asnjë trokitje në qiell, është dëshmi e larmisë rrëfimore, e tillë që të përkujton dhe thur një mozaik narratologjik. Proza e universit rrëfimor, ndërkaq na ndërmend pohimin: “Nganjëherë flitet për një rrëfim të thjeshtë, të lidhur mirë dhe të natyrshëm, për një rrëfim të hershëm, që nuk i kishte cenet e rrëfimit modern.” , që qartëson atmosferën që përçon materia letrare e romanit. Në këtë tekst, jo pak të ndërlikuar si strukrurim kompozicional dhe narrativ, shpesh herë të gërshetuara, format më kryesore të ligjërimit narrativ, me gjasë të pentagramit rrëfimor, ku do të përveçoheshin:

Së pari: Narrativa e autorit-rrëfimtar, që është e pranishme në tekstin e romanit, qysh në pjesën fillimtare, të titulluar Zanafillë, e shkruar në formën e rrëfenjës, si dhe në episodet e përcjellura me emërtimin Ndërmjetëse, e pranishme në gjashtë episode. Vërtet narrativa e autorit, krahasur me mbizotërimin e narrativës së personazheve, ka një peshë më të vogël, por luan rolin e ndërlidhësit me format e tjera rrëfimore, të tekstit të romanit.

Së dyti: Narrativa e personazheve, në romanin Asnjë trokitje në qiell, është forma më e përhapur e ligjërimit, mjaft kompleks në pikëpamje të rrëfimit, e cila është e pranishme në njëzet e shtatë episode. Shtatë protagonistët e romanit, të mbyllur në shtatë ditënetë tronditëse, me rrëfimet e tyre të shumëngjyrta, ndërkaq realizojnë tre aspekte:

– Sjellin atmosferën e harkut të shtatë ditënetëve, të shtatë personazheve, të cilët në kohën e arbainit, momentit më të ftohët të vitit, ku paraqitet frika e tmerrshme  nga vdekja prej urisë, nga egërsirat, si dhe nga egoizmi njerëzor, përbën ngjarjen kryesore, të protagonistëve të roman.

– Gjendur në ankthin e rrezikut për jetën, në zgripin ekzistencial, personazhet-dëshmitarë të asaj ngjarje, rrëfejnë parahistorinë e secilit prej protagonistëve, për të kuptuar se çfarë përfaqësojnë këto personazhe, të mbyllur në harkun e shtatë ditënetëve tronditëse.

– Me fjalën e rrëfyer, personazhet e romanit, në formën e rrëfimit të pastër apo të rrëfimit të monologut-dialogues, zbulojnë karakterin, tiparet më të spikatura. Pra, rrëfimi në këtë formë, vjen si një vetëportretizim rastësor, gjithnjë pa e bjerrë karakterizimin imagjinar të tyre.

Së treti: Narrativa e monologut-dialogues, që realizohet me dy personazhe, e shqiptuar në katër pasazhe, e cila na shpie gjer të historia e parajetuar e protagonistëve, si dhe për të prekur nga afër marrëdhënie e tyre të ngushta. Po ashtu, në roman ndeshim një pasazh me pesë personazhe, përkatësisht Zikra, Juri, Varrbuksja, Zefi, Tina, personazhe tepër të realizuara, si dhe me peshë specifike të jashtëzakonshme, e cila ndërkaq përcillet me nëntitullin Dashuri dhe frikë.

Së katërti: Narrativa hipotetike, i procesve natyrore, e të vdekurve, si dhe i drerit-njeri, që sendërtojnë gjashtë episode, e cila krijon një mëtim autorial, që zgjeron pentagramin narrativ.

Format e ndryshme narrative, të rrëfimit të autorit-narrator, të narrativës së personazheve, ka endur larminë narrative, si dhe strukturën e grimcuar kompozicionale, të cilat kanë projektuar tekstin si një roman modern.

Romani Asnjë trokitje në qiell, i shkrimtarit Namik Dokle, shpaloset si një parashtrim modern, në strukturën narrative dhe kompozicionale, të cilat faniten si të grimcuara, si dhe në plasimin e protagonistëve, të larmisë gjuhësore, me të gjitha ngjyrat e shqipes, ndonëse në materien letrare, rishfaqet atmosfera e romaneve të shkruara më parë, si një nënshtrat i plotësimit të sagës romanore autoriale. Teksa po e lexoja romanin më erdhi ndër mend një përcaktim i autores bashkëkohore franceze, Sophie Képès, kur shkruan: …shkrimi është e vetmja hapësirë ku ti mund të marrësh frymë lirisht, dhe kjo e bën një dhuratë absolute.” , një akt që autori i librit e ka realizuar me disa romane, të cilat kanë zgjuar interesin e lexuesit dhe kritikës letrare, madje janë përkthyer në disa gjuhë. Mjafton të përmendin fatin e romanit të parë, Vajzat e mjegullës që deri më tani është përkthyer në shtatë gjuhë të huaja, si dhe pritet të botohet edhe në polonisht së shpejti.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  • Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  • Asfalia greke, UDB, rusët, Albin Kurti dhe iranianët: A është kjo e vërteta e protestës së Tiranës?
  • Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  • “Ai na tha që jemi grekë…” Edhe i riu me aftësi ndryshe, në protestë

Komentet e Fundit

  1. Labi on Guacka e Zvërnecit
  2. 1thundrak on Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  3. 1thundrak on Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  4. 1thundrak on Rama: Edhe sikur 500 mijë të mblidhen në shesh, nuk tërhiqem (çfarë i tha gazetari italian)
  5. Detari on Rezulton me 1.2 milionë metra në zonën e mbrojtur, biznesmeni i lidhur me Zvërnecin fiton koncesionin Milot-Balldren

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?