Nga PANO HALLKO
Botuar në Dita
Në vitet e Luftërave Ballkanike, një trim i madh shqiptar mori plagë të rënda në përleshje me shkaun. Ai nuk lëngoi gjatë, edhe me mjekimet e kohës. Por u la kohë të gjithë malësorëve të atyre anëve, të vinin e ta takonin dhe të bisedonin me të.
Ndërmjet vizitorëve, ishte edhe një njeri më pak se i zakonshëm nga ana e intelektit. Këta lloj njerëzish, Malësia me keqardhje dhe shaka të pastra, i quante “durdallë”. Ndërsa ishin të tillë, ata nuk ishin njerëz të këqij, e as me vese.
Një ditë, në kullën e trimit shkoi edhe ky, “budalla”. Piu kafenë, uroi shërim të shpejtë dhe iku. Rrugës së gjatë për në fshatin e tij, takon një burrë me emër, të cilit i tha se…”Filani, ishte shumë randë”.
– “Mos, burrë! – ia pat tjetri. Po iku ai, lëshon shumë vend”…
“Budalla”, e mbajti mend këtë shprehje dhe kur shkoi për ngushëllim pas ca kohësh, shikonte minderin ku qëndronte trimi ditën që i kishte shkuar për vizitë. Ishin ulur tre burra atje. E duke dalë nga kulla, takon atë burrin me emër që i pat thënë shprehjen e cituar në titullin e këtij shkrimi. Mbasi u përshëndetën, i thotë mikut:
-“Kishe pas` hak, që më the se do lëshonte shumë vend kur të ikte ai trim. Tre burra, ishin ulur në minderin ku rrinte ai”…
…Fundjavën e kaluar, gjithë bota intelektuale mbarëshqiptare, ishte në zi. U nda nga ne, Ambasadori ynë i shquar, Profesor Shaban Murati.
Shaban Murati nuk vuajti gjatë, e nuk i mundoi fare njerëzit t`i bënin vizita. Ai vetëm për katër ditë mbajti një shtrat në spitalin “Nënë Tereza”.
Ai iku pa ankime dhe pretendime, ashtu siç ishte në 79 vitet e jetës së tij. I rrethuar nga kujdesi i familjes së tij emërmirë, nga mjekët e mrekullueshëm dhe nga pak miq. Por me publikimin e lajmit në të gjitha mediat tona, e gjithë Tirana intelektuale, diplomatët dinjitarë që i kanë mbetur këtij vendi, gazetarët e mirënjohur të cilët ishin nxënësit e tij në jetë, por edhe personalitete të shquara në fusha të ndryshme të jetës, “bënë konak” të premten pasdite e të shtunën, në shtëpinë e tij dhe në lokalin përballë…
DO DUHET KOHË, TË KEMI NJË SHABAN MURATI… Shprehjen e mësipërme, e dëgjoje nga buzët e diplomatëve dinjitarë që qëndruan me orë të tëra pranë familjes, nga gazetarë dhe analistë, por edhe nga njerëz, profesioni i të cilëve nuk kishte lidhje me fushat ku lëvroi dhe kontribuoi si pak të tjerë në këtë vend, ambasadori ynë i shquar.
Kanë ikur e do ikin nga kjo jetë, shumë njerëz, të gjithë. Secili në moshë të ndryshme, sipas shkaqeve dhe shëndetit personal. Kanë ikur dhe do ikin ministra, kryeministra, presidentë (shumica e këtyre të fundit janë harruar, falë “veprave” të tyre). Por shumicën dërrmuese të tyre, i kujton familja e tyre, pasardhësit aq sa munden, e miq të paktë të tyre. Sepse tekefundit, atyre u mungojnë, aq sa u mungojnë.
Por janë ca ikje të rralla nga jeta, që “bëjnë shkallë” (siç thotë populli), për gjithë shoqërinë, për gjithë vendin, e doemos për kombin. Sepse kanë qenë dhe mbeten kontributorë madhorë me veprën e tyre, në shërbim të shoqërisë.
Njëri nga këta të rrallët, që bën shkallë me ikjen e tij, është ambasadori ynë i shquar Shaban Murati.
E vërteta është që për mbi 50 vjet, Shaban Murati lëvroi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë aktive, si pak të tjerë. Ky vend, e pati një Sy të Tretë mbi këtë fushë, syrin që nuk bëri gjumë sa i takon zhvillimeve gjeopolitike.
Në fakt, te ky njeri, nuk mund të vesh kufi se ku mbaronte gazetari dhe analisti, e ku fillonte diplomati i shquar. Në rininë e hershme të tij, ishte edhe poet i thekur, madje ka shkruar tekste që mbetën himne të kënduara në vitet `70-të. Sot mund të numërohen me gishta ata që e dinë se cili ishte autori.
Falë kulturës së gjerë dhe gjuhëve të huaja që zotëronte, ai ndiqte të gjitha agjencitë e lajmeve, takimet dhe konferencat, ai zbërthente si pak të tjerë qëllimet dhe objektivat e fuqive të ndryshme. Dhe paraqiste në analizë, zgjidhjen, më saktë pozicionin që do duhej të mbante Tirana zyrtare, në mbështetje dhe në funksion të realizimit të objektivave kombëtare shqiptare.
Ai e ngriti lart stekën e analizës, aq lart sa nuk e arritën dot të tjerët. E realizoi këtë arritje të vështirë, sepse ai e kishte shumë lart stekën e moralit. Aq lart, saqë asnjëri nga ministrucat e jashtëm të tranzicionit kinse të stërzgjatur shqiptar, nuk e arrin dot.
Nuk mund të mos qeshësh hidhur e me vajtim, kur dëgjon ish ministrucër të jashtëm që kapardisen në kolltuqet televizive, e që tundin kartën e njeriut “të ndershëm”. Ministrucër, që ambasadori ynë i shquar i pat hedhur në shtruan e tyre qysh kur ishin në funksion, kur flisnin në “gjuhën e nënave të tyre”, në takimet protokollare, në shtete të ndryshëm.
Karta e Nderit, në gjithë listën e atyre që përveç të tjerave morën edhe rrogat e ministrit të jashtëm, pati një Emër të përveçëm. Emrin Shaban Murati. Ai ishte dhe mbeti një rast pa të dytë të ngjashëm në realitetin shqiptar, të një “nëpunësi” të vetëpunësuar-pa të ardhura, madje me shpenzimet e botimeve ndër vite, të një Syri që nuk bëri gjumë për diplomacinë, e mbi diplomacinë.
Ishte ndër ata pak bij që kombi vonon t`i nxjerrë, bij që i duhen për ditët e zeza e të vështira të tij. Ai la një vepër të pashoqe në historinë e diplomacisë shqiptare. Por la për herë të parë edhe një lloj vepre të veçantë, që nuk ishte lëvruar në kohët e shkuara. Të paktën, qysh nga koha e Konicës.
Ditën e diel, më datën 8 Shkurt, ai e fiku kompjuterin duke i lënë pa kaluar 15 faqet e fundit të librit “Antitabu III”. Ai i shikonte librat e tij, edhe pasi redaktori kishte bërë punën e tij në material.
Ishte dhe mbeti i vetmi mendimtar dhe funksionar i këtij vendi, që kishte të drejtën morale t`ia thoshte troç në sy, cenet dhe të metat, kombit të tij. Ia tha, se e deshi kombin si pak të tjerë. Dhe ishte i ashpër, sepse ishte dhe mbeti posedues i Kartës së Nderit në këto 35 vite.
Mendimtari i madh Shaban Murati, në qenien e tij intelektuale, ishte dhe mbetet e vetmja “përzierje” mes Nolit dhe Konicës. Me një diplomat si Ambasadorin tonë të shquar Shaban Murati, do të krenohej çdo shtet serioz i botës.
NUK DUA CEREMONI SHTETËRORE!
Është në Beduvanë e këtij vendi, që ata dinjitozë të pakët që pati, të mos harrojnë t`i lenë djalit, edhe një Amanet: -”Nuk dua ceremoni shtetërore”! Ndër emrat që më vjen ndërmend, është Akademiku i shquar që patëm Prof.dr Farudin Hoxha. Po pse ndodh kështu, për të zezën tonë? Ndodh, sepse dinjitarët e mëdhenj, janë qibarë skrupulozë edhe në vdekjen e tyre. Po cilët të pranonte “ta qanin”, Profesorin Farudin Hoxha? Ata, që për turpin e tyre dhe të zezën e këtij vendi, e lanë pa punë, në kulmin e aftësive të tij?
Po profesor Shaban Murati, nga kush do të pranonte t`i bënin ceremoni shtetërore, nga levantinët e Tiranës, siç i ka quajtur ndër vite, të “dyja palët“?
Ja se si shkruan ai:
“Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë në tranzicion, përgjithësisht kanë qenë profanë në diplomaci dhe nuk patën as vizion, e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Për më tepër se 30 vite, ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare. Në Shqipëri ka munguar mendimi diplomatik, e për pasojë diplomacia shqiptare nuk ka pasur identitet”…
Atëherë, si mund të organizonte Homazhe Ministria e Jashtme “e çështjeve europiane”, siç e kanë mbiemërtuar? Pra, ishte “në të drejtën e saj”, të heshtte. Siç heshti.
Edhe një kurorë që nisi kryeministri me emrin e tij (por jo të qeverisë), arriti në varrezat e Sharrës dy orë mbasi kishte mbaruar varrimi. “Normal”, se duhej kohë që protokolli të ngjitej në kodrat e Linzës, të thyente dy dega koçimare, e të arrinte Orën e përcjelljes…
Presidenti dinjitar Bamir Topi, mori pjesë në përcjelljen e tij. Por Ceremoninë dhe Homazhin e vërtetë, jo ato të pështirat, për ambasadorin tonë të shquar, e bëri Kosova. Kosova, për të cilën Shaban Murati la vepra të shkruara, me shpirtin që derdhi në penën e kryeministrit të saj, Albin Kurti:
-“Për mua ka qenë i shenjueshëm çdo takim me të dhe me veprën e tij. Ai nuk ishte thjesht diplomat, ai nuk ishte thjesht ambasador. Shaban Murati ishte një kronikan i lartë i marrëdhënieve të shqiptarëve me rajonin, kontinentin ku përkasim dhe me botën.
Si rrallëkush, Shaban Murati shkroi një vepër monumentale mbi pozicionet gjeopolitike të shqiptarëve. Në 20 veprat e tij, Shaban Murati na ndihmoi të orientohemi në rrafshin gjeopolitik dhe të diplomacisë, si shqiptarë, si Kosovë dhe si Shqipëri.
Ai ishte kritik për pamjaftueshmëritë e diplomacisë sonë, për disa nga qëndrimet e diplomacisë europiane në rajon, si dhe për rrezikun e kthimit të dëmshëm të vëmendjes së Rusisë në rajonin ballkanik dhe më gjerë.
Ambasador Murati ka shkruar dhe folur me këmbëngulje për aleancat rajonale jetike të shqiptarëve me Kroacinë dhe Turqinë, siç ka bërë edhe për mendësitë dhe tabutë që cungojnë plotninë e vizionit politik mbarëshqiptar, veçanërisht mbi çështjet dhe historikun e territoreve dhe kufijve.
Është një humbje e madhe për ne, por jemi besëplotë mbi jetëgjatësinë e reflektimeve të tij. Ne i ftojmë me këtë rast të gjithë diplomatët tanë dhe studentët e shkencave humane të drejtohen te librat e ambasadorit Shaban Murati, për t’i kuptuar pozicionet e shqiptarëve në rrjedhën e dinamikave të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë kombëtare. Ne humbëm një njeri të madh, por i kemi gjithnjë në bibliotekat tona, mendimet e tij”…
Ambasadori Maxhun Peka, i cili ishte ndër qindra personalitetet dhe miqtë e familjes në kafenë e ngushëllimit, u shpreh: -“Ishte analisti më i zoti që patëm. Askush tjetër nuk shkroi me atë nerv atdhetar, me atë nivel profesionalizmi, e me aq përgjegjshmëri”.
Përparim Kabo, nga mendimtarët e rrallë që kemi, reagoi gjatë për ikjen e ambasadorit tonë të shquar: – “Iku Shaban Murati, njeriu i të vërtetave të guximshme, dijetari që nuk rreshti së lexuari, studiuesi dhe eruditi i gjeopolitikës rajonale, europiane e më gjerë. Fiket një njeri institucion. Një jetë me kontribute dhe arritje, punë të shkruara, që vlejnë në jetë të jetëve. Ne nuk kemi ambasadorë të kalibrit të tij, sepse askush si ai nuk ka studime aq të thella për Ballkanin, në fokusin e historisë së marrëdhënieve ndërshtetërore. Sa shumë punë le, e sa boshllëk krijove me ikjen tënde! Çdo lloj heshtjeje, do të ishte e turpshme”- përfundon Profesor Kabo.
Epo, një turp më shumë, nuk ka se ç`i bën Tiranës zyrtare, i nderuar Profesor! I merr të keqen siç ia kanë marrë me qindra turpe, e ajo na i hedh neve si komb përsipër…
Çinovnikët e emëruar në emër të interesave të dyshimta në “kuvendin” (pa Kuvënd) të Tiranës, nuk e patën nderin që, të paktën “për nder të armëve, të mbanin një minutë Heshtje.
Ai iku duke lënë dy gjurmë të mëdha, sa trupi i tij. La veprën e tij, e cila do të studiohet e zbatohet kur klasa politike shqiptare (jo kjo që nuk është e tillë), të shfaqë dëshirën për të bërë shtetin komb, shtetin shqiptar.
Gjurma e dytë, po aq dinjitoze, është Familja që ai themeloi dhe ndërtoi. Në Tiranë atë Familje e quajnë “Dinastia Murati”. Për vlerat njerëzore dhe intelektuale që ka, e jo për vilat e pallatet që nuk i ka.
…Nuk e di askush sot, se sa burra mund të ulen në “minderin” që la bosh Shaban Murati. Por një gjë dihet e sigurt: Edhe sikur “të ulen” tre apo tridhjetë e tre burra atje, ky vend do vonojë të ketë një Shaban Murati…
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016