Naxhi Kasoruho
Sapo dal nga shtëpia çdo mëngjes dhe ve këmbën në bulevardin “Zhanë D’ark” disa metra më poshtë sheh një shitës ambulant që shet libra të përdorura.
Fjala “Libra të përdorura” ndoshta nuk është e duhura se më kujton tregun me rroba të përdorura që kanë ardhur nga gjithë vendet e Europës dhe që të gjithë kemi veshur ndonjë prej tyre ndërkohë librat edhe të përdorura tregojnë emancipim, kulturë, dashuri për dijen dhe integritet qytetar, por që për arsye të ndryshme mbasi i kemi lexuar familjarisht i heqim nga raftet e bibliotekave tona dhe ua japim shitësve ambulantë.
I shikoj me respekt çdo shitës ambulant të këtyre librave që ndodhen në çdo cep të kryeqytetit që me merak e kujdes të veçantë i vendosin ato në qese plastike për t’i mbrojtur nga pikat e shiut, pluhuri e dielli përvëlues i verës. Nëse nuk do të ishin këta shitës ambulantë ku do të përfundonin ato qindra mijëra libra që ne do të boshatisim bibliotekat tona?
Me siguri në koshat e plehrave poshtë pallatit që pastaj makina do t’i dërgonte në Landfillin e Sharrës për t’i groposur. Kur e mendoj një gjë të tillë sjell në kujtesë kohën e rinisë time në vitet 60-të kur me vendimet e Partisë ktheheshin në karton romane e libra me poezi që nuk i pëlqenin udhëheqjes një sakrilegj ky që sot duket si herezi.
Po e ilustroj këtë me faktin e romanit “Tuneli” të shkrimtarit të mirënjohur Dhimitër Xhavani, një nga penat e fuqishme të letërsisë tonë, që libri i tij u kthye në karton. Nuk dua të ndalem gjatë këtu mbasi po flasim për librin se ndëshkime të tilla kanë qënë të shumta për shkrimtarë dhe artistë si: Kthimi i librave në karton, heqjen e sekuencave nga filmat tanë artistik deri tek ndalimi për të kënduar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës dhe si moment kulmor Festivali XI i Këngës në RTV duke dënuar me burgim artistët e mirënjohur.
Kështu në këtë rrugëtim kontrastues ka ecurinë e tij libri në dy kohë: “Dje rrinim në radhë për të blerë libra sot boshatisim bibliotekat për të shitur librat në rrugë“.
I shikoj me respekt jo vetëm shitësit ambulatorë të librave në trotuar por edhe lexuesit, që qëndrojnë për të parë titujt e ndonjë libri që duan ta kenë dhe kur e gjejnë falënderojnë shitësin me respekt.

Nga intervistat e ndryshme dhe opinionet që japin lexuesit dhe shkrimtarët në emisionet televizive vërejmë se është zbehur interesi për leximin e librave ndonëse sot në të gjitha libraritë raftet janë mbushur me tituj të ndryshëm nga autorët tanë e të huaj deri tek autorë nobelistë, çka tregon për një mision dobiprurës që bëjnë shtëpitë botuese të cilat duhen përgëzuar.
Një ditë tek po kaloja para godinës së Bibliotekës Kombëtare një gazetar më drejtoi mikrofonin dhe unë pa patur pyetjen e tij vazhdova rrugën. Por gazetari menjëherë me buzëqeshje më tha: S’ka gjë pse nuk u përgjigje por kam dy orë këtu dhe nuk kam parë kalimtarë me libër në dorë madje dhe në Bibliotekë nuk ka hyrë njeri”.
Kisha në dorë librin tim të sapo botuar me titull “Labëri mbushur me këngë“ dhe kopjen e parë doja t’ua tregoja miqëve të mi. E ndjej shumë këtë gjendje të trajtimit të librit sot mbasi kam patur fatin të rritem pranë dajkos tim Alizot Emiri që ishte librar i qytetit të Gjirokastrës dhe të lexoj qysh kur isha nxënës në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri”.
Përveç librave që na rekomandonte mësuesja e leximit shumë e respektuara znj. Tonina Hido që i merrnim në bibliotekën e Shtëpisë së Pionierit dhe në atë të qytetit kam lexuar edhe libra që kishin ngelur në depon e shtëpisë së dajos qysh nga koha e para luftës kur ai kishte librarinë me emrin “Dante Aligeri” aty tek mesi i pazarit në Gjirokastër.
Nuk kam bërë ndonjë studim sesa lexohet sot e vaçanërisht nga të rinjtë. Por nga informacionet që jepen në emisionet televizive gjendja nuk është shumë pozitive megjithëse në Pnairin Kombëtr të Librit interesi është i jashtëzakonshëm. Celulari, kupjuteri dhe qëndrimi para tyre me orë të tëra kanë zbehur dëshirën për të lexuar e shfletuar librin.
Korifeu i letërsisë shqipe i përjetshmi Dritëro Agolli kur fliste për librin tregonte se: “Nuk më pëlqen ta lexoj librin në kompjuter se dua ta prek atë e të ndjej fëshfërimën tek hap fletët”, madje kur shkruante librat e tij nuk i bënte në kompjuter se siç thoshte ai : “Unë shkruaj me stilograf se dua të ndjej aromën e bojës dhe germat që lodrojnë në fletën e bardhë.”
Dhe ku ka më mirë sesa kur merr një libër në dorë dhe e shfleton atë me dashuri dhe përhumb në rreshtat e faqeve duke ndjekur me vëmendje ecurinë e ngjarjes dhe të personazheve aty në kanape të dhomës tënde i vetëm dhe i pa shqetësuar nga askush. Libri është një kujtim i bukur dhe i paharruar kur ta dhuron dikush.
Dhe së fundi një mesazh për Bashkinë e Tiranës të vlerësojë këta shitës ambulantë të librit dhe t’u ngrejë tenda të thjeshta për të ruajtur këtë pasuri të vyer për emancipimin e shoqërisë.
