Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Botuar në DITA
Në vitin 2014, Universiteti Evropian i Tiranës (UET) në një ceremoni me pjesëmarrjen e kolegëve, miqve dhe politikanëve që kanë shoqëruar karrierën politike të Ylli Pangos, promovoi librin e tij artistik “Zogu i Zi”. Nisur nga titulli u bëra shumë kurioz për këtë botim, sepse pothuajse gjatë gjithë fëmijërisë dhe krejt moshës së rinisë time, kam qenë banor i pallatit të quajtur i “Zogut të Zi”.
Menjëherë m’u kujtua koha, kur si fëmijë fillova të banoj në këtë pallat, që mund ta krahasoj me pjesën më të bukur të jetës së njeriut, njëkohësisht dhe më të pafajshme.
Një fjalë e urtë, që dua ta përmend me këtë rast, është kjo: “ne nuk mund ta duam botën që na rrethon, aq shumë, nëse nuk kemi pasur një fëmijëri në jetën tonë”.
Kështu, mendova se do t’i kthehesha përsëri fëmijërisë time, jo për ta ndryshuar atë, por për të ndjerë për herë të dytë kujtimet e paharruara të asaj kohe, pavarësisht vështirësive të jetës së atëhershme, që impononte regjimi komunist.
* * *
Në këtë pallat të fëmijërisë dhe rinisë time duhet të ishin strehuar mbi 80 familje me 3-4 ose më shumë pjesëtarë në secilën prej tyre. Së bashku me pallatet pranë, të ndërtuara më vonë gjatë atyre viteve, shtëpitë e vogla dhe pallatin nga ana tjetër e rrugës së Durrësit, në to jetonin ndofta më shumë se 1000 njerëz që pak a shumë e njihnin njëri tjetrin. Këta banorë u përkisnin të gjitha shtresave: komunistë të thjeshtë dhe komunistë fanatikë, intelektualë, ushtarakë, agjentë të policisë dhe ministrisë së brendshme, shkrimtarë, aktorë, mjekë, njerëz të thjeshtë dhe shumë të tjerë të profesioneve nga më të ndryshmet, një pjesë e tyre mjaft të varfër.
Që në atë kohë, por edhe sot unë ruaj respektin më të madh për ta, pavarësisht që një pjesë e tyre, sidomos ata që u përkisnin komunistëve fanatikë, kanë mbajtur një qëndrim jo dashamirës ndaj familjes time, të konsideruar me origjinë borgjeze dhe pasuri të sekuestruar nga pushteti, por që tani nuk dua t’i kujtoj. Ajo që më ka mbetur në mendjen time si fëmijë, është se pjesa më e madhe e këtyre komshinjve kanë qenë të dashur dhe të sjellshëm me mua dhe me familjen time.
Ylli Pangon e kam pasur komshi. Prindërit e tij që kishin dy fëmijë: Yllin dhe një vajzë pak më të rritur, apartamentin e kishin ngjitur me atë të shkallës tjetër, ku me prindërit, me një motër e vëlla, jetoja unë. Ai ishte disa vjet më i vogël se unë, shoqërohej dhe luante me fëmijët e moshës së tij, ndërsa unë me fëmijët e moshës time dhe merrja pjesë në të gjitha aktivitetet e shumta fëminore, nganjëherë duke u zënë me njëri tjetrin, apo duke u përzjerë edhe me fëmijët më të vegjël.
Nuk kisha ndonjë miqësi me Ylli Pangon. Me aq sa mbaj mend, ai ishte për mua në atë kohë një djalë i sjellshëm me të cilin unë përshëndetesha sa herë që ndesheshim duke hyrë apo dalë nga apartamentet tona. Mamaja e tij ishte një grua e mirë. Më kujtohet si tani mirënjohja dhe gëzimi i madh që ajo shprehu ndaj meje, kur unë, si mjek i ri, e vizitova atë të shtruar në spital në Tiranë, pas një operacioni që kishte kryer.
Sikurse Ylli edhe unë i njihja shumë mirë pothuajse të gjithë banorët e këtij pallati dhe të banesave rreth tij, ku unë jetova më shumë se 20 vite të jetës time.
Kur lexova librin “Zogu i Zi”, m’u krijua menjëherë një ndjenjë pakënaqësie dhe përbuzjeje, sepse ai atje shkruante me përҁmim dhe ligësi, për një pjesë të madhe të banorëve të rritur dhe fëmijëve të tyre dhe në mjaft raste dhe atyre të gjimnazit “Q.Stafa”, ku kemi qenë nxënës si dhe të banesave rrotull.
Këtë qëndrim ai e ka mbajtur edhe për familjen time. Pothuajse, i gjithë libri është i mbushur me përshkrime të llojit: tallje, shtrembërime, ligësi për këta banorë, shumicës të të cilëve ju përcaktonte deri dhe identitetin e tyre.
E njëjta gjë paraqitej edhe në pjesët e tjera të këtij libri, në lidhje me sportet, seksin, homoseksët në vitet ’60 të shekullit të kaluar etj.
E ndjej veten fajtor që atë kohë nuk reagova publikisht menjëherë për këtë libër të neveritshëm. Ndofta, duke menduar se ndonjë banor tjetër i poshtëruar më shumë sesa familja ime do ta bënte këtë veprim, të shoqëruar ndofta dhe me një padi gjyqësore ndaj tij. Por kjo gjë, mesa jam informuar nuk ka ndodhur. Siҁ duket kjo edhe për arsyen se mjaft prej këtyre banorëve të prekur mund të kenë emigruar jashtë vendit, ose shumë të tjerë nuk jetojnë më.
Gjithsesi gjatë këtyre viteve të fundit, unë jam takuar me një pjesë të tyre. Të gjithë më kanë shprehur zemërimin dhe përbuzjen për këtë libër të pështirë të Ylli Pangos. Ata të revoltuar më tregonin: ky personi që poshtërohet është mamaja ime; filani që përbuzet është vëllai, ky tjetri që tallet në mënyrë fyese është babai im.
Kohët e fundit, e ndoqa Ylli Pangon në një emision të një prej kanaleve kryesore televizive të Tiranës, ku përveҁ të tjerave ai u shpreh me mburrje të madhe për librin “Zogu i Zi”, madje duke e krahasuar atë me disa nga librat e njohur të letërsisë botërore për fëmijë.
Këtë herë, nuk durova më! U nxita edhe nga fakti i njohur që me kalimin e moshës, sikurse ka ndodhur edhe me mua, kujtimet e fëmijërisë, bëhen gjithnjë e më të qarta. Gjithashtu, përfitova edhe nga studimet e shumta që kam kryer për shkencën e Bioetikës, ku një vend të rëndësishëm zënë ato të të fshehtës (konfidencialitetit) mjekësore dhe asaj të aktiviteteve të tjera humane. Kështu, megjithëse me mjaft vonesë, po shprehem tani publiksht, si një ish-banor i pallatit të ashtuquajtur i “Zogut të Zi”.
Nga ajo që shkruhet në këtë libër, menjëherë të bie në sy një gabim shumë i rëndë dhe i pafalshëm, që Ylli Pango ka bërë, pavarësisht përpjekjeve të tij për ta shmangur atë. Ai ka shkelur rregullin e konfidencialitetit (të fshehtës), që konsiderohet një parim shumë i rëndësishëm për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Siҁ dihet ky parim është përfshirë edhe në Kushtetutën e vendit tonë, ku në nenin 35 të saj theksohet se: “ askush nuk mund të detyrohet, përveҁ se kur e kërkon ligji, të bëj publike të dhënat që lidhen me personin e tij……Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e tyre, bëhet vetëm me pëlqimin e personit…….”.
Në të vërtetë ky parim që ka qenë në fillim një detyrim moral, më pas një detyrim ligjor, sot është kthyer në një nga të drejtat fondamentale të njeriut. Ai u takon përveҁ mjekësisë, të gjitha fushave të aktiviteteve të njeriut, perfshirë edhe letërsinë.
Sipas të dhënave më të fundit të literaturës të vendeve të ndryshme, në lidhje me rregullat në zbatimin e këtij parimi në letërsinë artistike, e shoh me vend që të bëj këto sqarime:
Liria e shprehjes, një parim i rëndësishëm, i përfshirë edhe në Kushtetutën e vendit tonë (neni 22), i shërben edhe një shkrimtari që boton një roman për të mbrojtur veprën që ai ka krijuar. Por nga ana tjetër, personi që përshkruhet në këtë libër ka dhe ai të drejtën që t’i respektohet jeta e tij private.
Me fjalë të tjera, ruajtja e të fshehtës kërkon që informatat që një shkrimtar pasqyron në veprën e tij letrare për personazhet që përshkruan, ata duhet të jenë anonimë, të mos i përkasin personave të njohur, apo të identifikuar ( që njihet nga njerëzit e tjerë).
Nëse ky rregull shkelet nga shkrimtari, gjëja më e thjeshtë për shkrimtarin do të ishte që ai ta vinte në dijeni këtë person, që po shkruhet për të në këtë libër. Madje këtij personi mund edhe t’i tregohej dorëshkrimi i librit, për ta ndihmuar shkrimtarin, në përshkrimin e ndonjë elementi të jetës së tij.
Nëse shkrimtari nuk e bën edhe këtë gjë, ai duhet të respektojë jetën private të personit..I ndalohet të përhapë elemente të bëra jopublike të këtij personi, të zbulojë komunikimet tij me gojë apo me shkrim, të zbulojë sekrete apo të tregojë anekdota për të. Po kështu duhet të ketë kujdes të mos ta përgojojë, ta ofendojë atë, apo t’i marrë nderin duke e sharë si dhe shumë veprime negative për jetën e këtij njeriu.
Në të kundërtën, personat e prekur mund të ankohen dhe ta denoncojnë shkrimtarin në organet e drejtësisë, të kërkojnë heqjen e këtij libri nga shitja si dhe të shkatërrohen stoqet e tij. Evitimi i të gjitha këtyre pasojave mund të arrihej nga shkrimtari nëse do ndryshonte emrin e personazhit, por dhe kjo nuk do të mjaftonte, nëse personi nga përshkrimi që jepet dhe elemente të tjera, është një njeri i njohur. Për të evituar të gjitha këto rrreziqe do të ishte më e pranueshme që personazhi të mbetej krejtësisht i panjohur në këtë libër. Ky parim vlen edhe për personat që kanë vdekur.
Sipas pikëpamjeve filozofike, interesi i njeriut të vdekur është që t’i ruhen informacionet, në qoftë se shpallja e tyre pas vdekjes do ta dëmtonte atë, si p.sh. nga shpifjet që mund ta prekin atë moralisht.
Vetëm në rastet kur këto informacione do të jenë në favor të të ndjerit, sekreti i tyre mund të mos ruhet.
Prandaj ruajtja e të fshehtës pas vdekjes, duhet të ketë një karakter absolut, sepse personi që ka vdekur, tani nuk e ka mundësinë që ta miratojë këtë mosruajtje, apo të mbrojë reputacionin e tij. Kjo pavarësisht se ai tani nuk e ndjen më dhimbjen, lumturinë dhe emocione të tjera.
Megjithatë, në kuptimin juridik, të drejtat e të ndjerit shuhen me vdekjen e tij. Prandaj, në këtë rast shkrimtari ka më shumë liri të shprehet për të dhënë elemente të ndryshme të personit të vdekur kur ka qenë gjallë. Po ai nuk duhet të prek dinjitetin, të shpifë, ta përgojojë këtë njeri të vdekur, sepse do të prekë nderin e trashëgimtarëve të të ndjerit. Edhe në këto raste, shkrimtari duhet të jetë më i kujdeshsëm në ato që shkruan dhe të kërkojë autorizmin e trashëgimtarëve për të evituar ҫdo pasojë të keqe për të.
Për sa i përket vendit ku zhvillohen ngjarjet e romanit, ato mund të jenë imagjinare ose reale. Kur ato janë vende të njohura, për të shmangur ҁdo problem juridik, shkrimtari nuk duhet ta denigrojë, ta poshtërojë këtë vend si dhe duhet të respektojë jetën private të njerëzve që jetojnë, ose kanë jetuar atje.
Këto rregulla nuk janë respektuar nga Ylli Pango në këtë libër.
Unë kam biseduar me mjaft prej ish-banorëve të pallatit të Zogut të Zi , të cilët më kanë pohuar, se ai nuk ka marrë asnjë miratim paraprak për gjithcka që do shkruante për ta në këtë libër.
Ylli Pango e ka shkelur këtë parim, sepse një pjesë e personazheve të këtij romani që janë banorë të pallatit të Zogut të Zi dhe të banesave përreth, jepen me emrat e vërtetë të tyre, duke ju ndryshuar vetëm një gërmë, apo një rrokje, por në disa raste pa asnjë ndryshim.
Për më tepër ai përcakton edhe apartamentet ku ata kanë jetuar, sipas shkallëve apo dhe kateve të pallatit, gjë që e saktëson edhe më shumë identitetin e tyre. Edhe në ndonjë rast që ai ka përdorur një pseudonim për personazhin që përshkruan, kuptohet menjëherë, në bazë të adresës të banimit të tij që ai jep në libër, se kush ka qenë ky banor. Po kështu, ai nganjëherë është përpjekur t’i maskojë ata dhe më shumë, por në përshkrimin e karakteristikave që ai jep, kuptohet se cilët janë ata.
Megjithatë ndonjëherë ai mund të ketë arritur të paraqesë edhe ndonjë personazh imagjinar, sidomos të atyre që u përkisnin ambienteve dhe jetës në shkollë etj.
Për një njeri, siҁ kam qenë edhe unë, që ka jetuar në këtë pallat, apo pallatet dhe banesat për rreth, si dhe ka ndjekur shkollën “Qemal Stafa”, ku ka studiuar edhe Ylli Pango, kuptohet menjëherë për cilët persona bëhet fjalë në libër.
Banorët e pallatit të Zogut të Zi, që Ylli Pango i përmend dhe i përflet me përҫmim dhe ligësi, unë si fëmijë i kam konsideruar si njerëz të afërt e të dashur. Edhe sot i ruaj ata në mendjen time dhe i kujtoj me nostalgji, cilëtdo qofshin ata. Po kështu dhe bijtë e tyre, me të cilët kam kaluar fëmijërinë. Me këtë rast unë dua të kujtoj një fjalë të urtë, sipas të cilës: “jeta e njeriut ka lot, buzëqeshje dhe kujtime nga të cilat lotët thahen, buzëqeshjet zhduken, por vetëm kujtimet mbeten përgjthmonë”.
Gjithmonë kam menduar, si ka arritur ai të bëjë përshkrime të tilla të neveritshme për banorët e këtij pallati, ku ai u rrit, si dhe për disa prej banorëve të zonës përreth tij, apo nxënësve të shkollës ku ka mësuar?
Në pjesën e hyrjes të këtij libri shkruhet, se Ylli Pango e ka parë botën jo me sytë e një fëmije por të një burri të pjekur…?! Pra tani, duke e quajtur veten një specialist të shkencës së psikologjisë me titullin profesor, në asnjë mënyrë nuk do t’i lejohej të shkelte parimin e ruajtjes së të fshehtës, megjithë përpjekjet e pasukseshme që ka bërë për t’i maskuar disa nga personazhet që përshkruan.
Mendoj se ai mund ta ketë bërë këtë shkelje të këtij parimi të së fshehtës (konfidencialitetit), vetëm e vetëm për të rritur sa më shumë vlerën dhe famën këtij libri. Ndofta edhe ka dashur t’i bëjë personazhet të identifikueshëm, me qëllimin që t’i poshtëroj apo të hakmerret ndaj këtyre banorëve të njohur. Për këtë mund të ketë përfituar edhe nga situata anarkike, që po jetojmë sot në Shqipëri.
Ylli Pango, si ata njerëzit llafazanë, që merren me thashetheme, të pavërteta dhe të vërteta të jetës së njerëzve përreth, i përshkruan ata duke i deformuar me keqdashje, dhe sidomos në lidhje me ҁështjet që kanë të bëjnë me seksualitetin e zakonshëm dhe atë të deformuar.
Sigurisht, kur fëmija arrin moshën e pubertetit dhe më tej, ai do të njihet edhe me këto aspekte, siҫ ka ndodhur edhe me mua. Por do të ishte një veprim shumë i dënueshëm, nëse ato do shpalleshin publikisht për njerëz të njohur.
Edhe unë kam dëgjuar shumë historira rreth këtyre problemeve në atë kohë për banorët e pallatit të “Zogut të Zi”. Por nuk më lejohet në asnjë mënyrë t’i shpall ato publikisht. Parimi i ruajtjes së të fshehtave të jetës së njerëzve të njohur, më ndalon në mënyrë kategorike të bëj një veprim të tillë.
Krahasimi i këtij libri me disa nga romanet e njohura të letërsisë botërore për fëmijë, si “Djemtë e Rrugës Pal”, e shtojnë edhe më tepër neverinë ndaj Ylli Pangos. Do të ishte e turpshme të krahasohet libri i tij me romanin e famshëm për fëmijë ”Aventurat e Tom Sojerit” të shkrimtarit të shquar amerikan “Mark Tuen”, me një subjekt shumë tërheqës që të bën menjëherë për vete, ku përshkruhet me mjeshtëri jeta dhe aventurat e një djali të ri që jetonte në një qytet amerikan që ka imagjnuar autori.
Ndërsa Ylli Pango, këtë roman e shkruan për një vend të njohur, një ambient, sic është pallati i “Zogut të Zi” dhe banesat përreth. Atij nuk i lejohej të shkruajë dhe ta denigrojë këtë vend dhe një pjesë të banorëve të njohur, duke shkelur të drejtat private të tyre.
Përshkrimet e ndyra të banorëve të rritur dhe të rinj, që dëshmojnë për megalomaninë e autorit, pa asnjë vlerë edukative për një roman për fëmijë janë nga më të ndryshmet: një djalë të urtë e përshkruan me ligësi se ai ishte me sy të gjelbër si daci, një tjetër si pusht që një e dy zgërdhihej me të gjithë, një burrë të rritur e të nderuar, e krahason me një spurdhjak që ishte i shpejtë si mi, për disa vajza të familjeve të njohura tregon se ato filluan të bëjnë një jetë të ҁthurrur, një ҁift i njohur përgjohej në shtëpinë e tij duke kryer marrëdhënie seksuale që konsideroheshin perverse sipas moralit të asaj kohe etj.
Paraqitje të tilla me shtrembërime përbuzëse dhe ligësi për këta banorë, njerëz të thjeshtë të këtij pallati dhe të banesave përretth janë të panumërta në këtë libër.
Po kështu dhe fjalori i përdorur përmban terma shumë banale.
Sa turp! Sa turp! Për poshtërimin që ai i ka bërë familjes time dhe banorëve të tjerë, kur i kujtoj edhe sot më ngjethet mishi.
* * *
Duke përfunduar, unë edhe në emër të disa prej ish-banorëve të këtij pallati, të cilën kanë qenë dakord me këtë shkrim dhe të kujtimit të atyre që nuk jetojnë më: prindër apo ish-fëmijë në atë kohë, shpreh indinjatën time më të thellë për poshtërimin që ai i ka bërë banorëve të pallatit dhe të lagjes, të cilët nuk ja kanë borxh këto fyerje të rënda dhe denigruese.
Botimi nga Universiteti Evropian i Tiranës (UET), shtëpia botuese e të cilit e publikoi dhe e promovoi këtë libër të shëmtuar, duke e lavdëruar, nuk besoj se i ngre nderin këtij institucioni të njohur të vendit tonë.
—–
Ky shkrim është botuar sot në gazetën DITA. Autori është Profesor i Mjekësisë Ligjore dhe një nga themeluesit e shkencës së Bioetikës në Shqipëri. Ai është autor i mjaft librave dhe shkrimeve në fushat e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, i fundit “Prova shkencore të vdekjeve mbresëlënëse”