Testimet për licencat e reja në shëndetësi do të vijojnë edhe përgjatë gjithë muajit tetor. Pas mjekëve dhe infermierëve, provimit të licencës do t’i nënshtrohen kandidatët e shtatë specialiteteve të tjera mjekësore. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë listat zyrtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në provimin e shtetit, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit, si: farmacist, fizioterapist, logopedist, teknik imazherie, teknik laboratori, si dhe mami.
Sipas afateve të konfirmuara, farmacistët e rinj do të zhvillojnë provimin e shtetit për licencën profesionale përkatësisht në datën 12 tetor. Në këtë specialitet do të garojnë për licencën 129 kandidatë, ku për secilin prej tyre do të gjeni të detajuar në vijim të shkrimit orarin se kur duhet të paraqiten në QSHA për të zhvilluar provimin. Më pas, testimet do të vijojnë për licencat e reja në stomatologji. Për këtë specialitet provimi i shtetit do të zhvillohet për dy ditë me radhë, në datat 13 dhe 14 tetor, ku do të testohen mbi 150 kandidatë. Në vijim, provimet do të vijojnë për licencat e reja në specialitetet: logopedi ku garojnë 79 kandidatë, mami 458 kandidatë, teknikë laboratori 253 kandidatë, teknik imazherie 184, si dhe të fundit që do të testohen do të jenë 346 kandidatët e fizioterapisë, testet e të cilëve do të zhvillohen në datat 26-28 tetor. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin e plotë të testimeve për 1608 kandidatët e secilit specialitet mjekësor.
Sikundër ka ndodhur edhe në sezonet e shkuara, provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ndërkohë që testi do të jetë i informatizuar, çka do të thotë se pyetjet janë vetëm me alternativa. Me mbarimin e testit kandidati do të mësojë direkt se sa është numri i pikëve të marra me përgjigjet e dhëna për çdo pyetje. Në ndihmë të bluzave të bardha që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.
Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë këto rregulla: Të paraqitet pranë QSHA-së vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar për të, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit, si dhe të mos mbajë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.
Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, bëhet e ditur se oraret janë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar, çka do të thotë se nëse nuk paraqiteni në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për ju, duhet të prisni sezonet e ardhshme të testimeve për të garuar sërish për lejen e ushtrimit të profesionit.
Për të mos rrezikuar përjashtimin nga gara për licencat në këtë sezon, duhet të bëni kujdes që në ditën e provimit të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.
LISTAT:
