Nga Panajot Boli
Botuar në DITA
‘’Në mjegullën e ëndrrës ma dëfton udhën drita e zemrës’’
Disa mendime për vëllimin me poezi “Rënga e gurit” të shkrimtarit Daut Gumeni
Befasi ishte kur lexova këto poezi. Gjithashtu edhe një kënaqësi e veçantë. Them befasi, se sot në konsumin e shfrenuar të vargjeve të poetëve bruto, poezitë e këtij vëllimi të Daut Gumenit, kanë aromë të vërtetepoezie, ku fjalët e vargjet, shkrihen e bëhen tinguj jete, emocione të fuqishme, mesazhe mençurie e urtësie, rënga tronditëse nga jeta. Kur vargjet të rrëmbejnë vet e të pushtojnë të tërin, të çojnë te yjet, të drithërojnë me bukurinë e agut, të çojnë në brishtësinë e shpirtit që dridhet para trëndelinës, që bëhet rënga e gurit te Bjeshkët e Nëmura, ku dhembjen e bën durim për të ringritur shpresën…ku…ku… Kjo është poezi. Dhe fantazia e poetit hyn në thelbin e jetës, në palcën e gurit për të dhënë me mjeshtëri përjetimet e tij. Se shtrëngatat e thellimet i kanë hyrë deri në palcë poetit. Por aty nuk kanë mbirë urrejtja, paragjykimi, pesimizmi, egoizmi, hakmarrja, bota meskine, por lulet e dashurisë, humanizmi, dashuria për jetën e njerëzit, toleranca dhe mirësia, durimi dhe shpresa. Këtë përjetim të dallgëzuar, me shtrëngata vuajtjesh, por edhe me ëndrra për të ringritur në qiellin me yje, shpresën, e përcjell me stilin e tij mjeshtëror autori në vargje më të vërtetë kaq të bukura e me shumë finesë. Besoj, pasi ta lexosh edhe ti i dashur lexues, do të bindesh se poeti Daut Gumeni është mjeshtër i vërtetë i vargut, , një figuracion brilant, që nuk e kërkon po rrjedh natyrshëm , origjinal. Besoj se nuk e teproj kur them figuracion brilant, se vargjeve u jep një shkëlqim të praruar. Se ka një brumë kaq të mirë sa mund të pjekë bukën e poezisë me ngrohtësinë e diellit.Se këtë brumë autori e ka gatuar në skajet ekstreme të mundimeve dhe dhembjes, në skajet ekstreme të durimit , në magjen e muzës së popullit, në pikënisjet e lumturisë dhe besimit.
I them këto se poezia e Daut Gumenit ka veçori interesante, është e brishtë si trëndelina, stoike si shkëmbinjtë e Gusmarit, këngë-vajtimi, vajtim-kënge si vargjet brilante të popullit, të asaj zone ku e ka ngjyer shpirtin e tij kaq lirik. Nga një vështrim paraprak, bie në sy një tematikë me gamë të gjerë që nis me poezitë e buta lirike drithëruese, me yjet, me bukuritë e rralla të vendit të tij, me dashurinë për vendlindjen, për historinë, për shqetësimet e tij qytetare, motivi i krenarisë kombëtare, adhurimit të këngës popullore, deri në një poezi me nerv proteste ndaj padrejtësive, makutërisë,harrimit, moralit të shkatërruar të shoqërisë që e bren korrupsioni dhe paraja. Titujt janë pikantë dhe mjaft të gjetur. Autori kërkon detajin, gjë që lexuesin e fut shpejt në brazdat e vargjeve. Gjithë vëllimi ka një strumbullar, dhe ky është simbolika e gurit. Në përfytyrimin tim që më krijon, vëllimi poetik është ndërtuar si ato kështjellatme gurë të mëdhenj të latuar me legjenda interesante dhe heroike.
Brenda poezive takojmë një poet me ndjenja të holla delikate, të brishta, me një lirizëm të ëmbël, por që shpesh ashpërsohet të ’duruar deri në stoicizëm’, një poet që e ngre zërin kumbonjës të protestës ndaj ’thëllimeve që na nxijnë jetën’. Simboli i gurit-shpirti i poetit me lirizmin dhe epizmin ecin krah për krah në këtë paradë poezie.. Autori di të mbështetet te muza e popullit, që zona e tij e ka me aq perla e urtësi. Ai di të qëmtojë këto perla të rralla të këngës labe, të mbështetet në to dhe t’u japë jetë në ligjërimet e tij poetike. Bukuria dhe forca e poezive ‘’Kur këndon Dukati në Bylis’ ‘Ku-ku’, ‘Lotët e Frosinës’, ‘Valle labërishte’, ‘Pleqtë e Progonatit’ e tjera, qëndron tek fakti se ai diti të marrë finesën, mençurinë, figuracionin dhe t’i japë bukur ato me origjinalitetin e tij. Dueto i vargjeve popullore me vargjet e poetit është një gjetje mjaft interesante dhe shumë funksionale, që e gjejmë vetëm tek ky autor dhe kjo i rrit shumë vlerat poezisë. Ngjajnë si filiza të brishta që kanë mbirë në trungjet shekullore.. Një cikël poezish i referohen dashurisë familjare, të atit, nënës, motrës, gjyshes, mësueses që i mësoi vjershërimin, siç janë : ‘Kotullim’, ‘Autopotret’, ‘Një flutur e bardhë drite’ ‘Lamtumirë‘Urata e mëmës’ ‘Nëmët e gjyshes’ e tjera, të cilat janë të ndiera dhe nuk ngelen në guackën personale, por kanë mesazhe me vlera dhe tipizojnë figurën e femrave shqiptare me mençurinë e tyre, me bukurinë e shpirtit, krenare dhe stoike, por të dhembshura , nikoqire dhe të bukura.
Thamë më lart se autori di të kapë detajin e ta përshkruajë dhe ta skalitë aq mjeshtërisht duke na emocionuar fort. Nuk mund të mos të mbeten të ravijëzuara në kujtesë poezi të tilla: ‘Bjeshkët e Nëmura’, ’Në pritje të diellit’ ‘Mëngjes në Orikum’, poema ‘Spaçi i harruar’. Ato janë piktura të gjalla me ngjyra të ndezura. Autori edhe në këto poezi e tregon veten jo vetëm që di të kap detajin , por me dorën e tij të talentuar, e pikturon, duke treguar aftësitë e rralla në këtë lloj poezie. Po aq i vëmendshëm dhe vëzhgues i mprehtë i fenomeneve të shoqërisë së sotme është autori. Përsëri operon me detajin duke i dhënë forcë mendimit. Të drithërojnë vargjet ku shfaqet shpirti i tij i trazuar, me pulse dhimbjeje dhe proteste, kur shikon djalin e vogël sirian të vrarë, apo mësuesen që shpëton fëmijët, apo kur flet për babëzinjtë e sotëm që vrasin bukuritë e natyrës, për korrupsionin që moleps shoqërinë e sotme, për makutërinë e shtetit, për vrasësin me pagesë, për një shoqëri që sot gjendet në udhëkryq, e robotizuar, për dinjitetin e humbur të të përndjekurve politikë, për…për…
Them se vëllimi poetik ‘Rënga e gurit’ ka dy shtylla të forta ku mbahet dhe e bën dinjitor, madhështor: poemat ‘Spaçi i harruar’ dhe ‘Rënga e gurit’. Bariu plak është mençuria e shqiptarit , e labit dhe është aftësia e autorit që e jep aq bukur këtë figurë duke rrëfyer, si shprehës i kësaj mençurie. Ndaj e përsëris se autori di të shfrytëzojëperlën e filozofisë popullore.
Një shkëlqim të praruar dhe fuqi shprehëse me emocione të forta i jep figuracioni i spikatur dhe mjaft i gjetur në këtë vëllim, kripa dhe shija e poezisë.. Pasuria e madhe e metaforave, antitezave, metonimisë, epiteti metaforik , aliteracioni, ngjyrimi i fjalëve, ky prarim i bukur në lirikat e dhembshura , janë në funksion të ideve që përcjell autori. Mund t’i shijosh ato në poezitë dhe mund të udhëtosh në fantazinë e tyre: ’Dielli i ngritur përmbi majëmaleve/qesh duke endur bukurinë e jetës me shtiza’, ’Mbi kodrën e lartë mbi rrënoja/ e mban frymën hëna’, ‘Më shkove jetën / si zogu këngë-vaj’, ’Malet e Vetëtimës /zgjaten nën qiell/ të presin në duar/Yllin e ditës’, ‘Del kënga nga palca e gurit’ ‘Mot i uthulluar’, ‘Pleqtë e Progonatit, si shkëmbinj të mugët’, ‘I mbarsur për borë/ qielli i murrëtuar’ ,’I hipnin rrebet’, ‘Qiellit po i ftohet veshtrimi’,’Ca re të bardha puplore/marrin një kuqëlim mallëgjimi’, ‘Ajo anije e mbytur/ në detin e harrimit’(Spaçi) etj. Ose ngjyrime me epitet metaforike:‘Kuvendimi i paçmallur’,’e gurta kasolle’, ‘dhimbja e jetës’, ‘rrëpirat e rjepura’, ‘lëgushën e errët’, ‘fërmonin si drita e mengjesit, ‘dheun e ngjethur’, ‘lulet e bardha shtalpore’, ‘ujin e rrymtuar’ ‘cërrat e ujit’, ‘shpatet harvallina’, ‘qetësi e pagjumë’, ‘gjeratore shpirtvërvimë’. ‘mendjen tënde çitake’, e tj.Nuk mund të vësh re shprehjet e bukura:’Sikur pakem i gjithi/ e mblidhem i vogël sa zemra’, ‘Rrezëllimi poetik më lë pa mendje, pa frymë’, ‘Të të vinë fufat në fyt nga zëmërimi’, ‘T’i përtypja si bar shërues i hidhërimit’, ’Edhe në pleqëri mbeta një nxënës shkolle’, ‘Edhe në varr mbete e mërguar’. …Mund të vazhdonim të numëronim shumë e shumë xhevahire të tjera të këtij autori. Se një gjuhëtar do të hante bukë duke qëmtuar një pasuri gjuhësore të shqipes në këtë vëllim, si kompozitat e bukura dhe shumë fjalë të vjetra që kanë një tingëllim të bukur dhe pasurojnë sinoniminë dhe nuancat e fjalëve:(shpinëthyer, shpirtshtërpuar, shpirtshuar, kockëqullur, luledjegur, mendjemiri, vdekjebukur, dritëtrembur, dallgëturbullt, dallgëhidhuri, (fjalë) rënga, logorima, kotullim, qashtër, dërmile, gulagët, tyryli, harvallina, udhishtet, cërrat e ujit, lëgushë, popla (nëmësh). Elementin gur e gjejmë në shumë poezi dhe mendoj se ajo është simbolika e këtij vëllimi (re të gurta, dhimbja e zemrës së gurit, del kënga nga palca e gurit, pleqtë e Progonatit si shkëmbinj të mugët, të qëllon fati me gurë, plaga e gurit, iu çanëSpaçit eshtrat prej guri, guri i verbër i Spaçit, pikoi gjak të nxirë guri i Spaçit, me gurë të djegur, nga rënga e thellë e gurit, rëngës së rëndë të gurëve, qysh zien në zemër të gurit, shkëmbi gjysëm i shkulur dridhej si gjethe, shkëmbi i nëmur zuri vend, rënga e pashuar e gurit…)
Që të lexosh dhe të shijosh poezinë e vërtete, lexo këtë vëllim. Ka një lirizëm të kulluar, i ngjeshur i fortë me mesazhe të qarta e bashkëkohore, me një simbolikë të goditur, siç është ajo e gurit, me çiltërsi e bukuri shpirti dhe me mjeshtëri të rrallë nga autori , lexohet me endje.Se si thotë vetë autori ’poezia më e kulluar e botës është dhimbja e duruar në vetmi, poezia e vërtetë’’
Dhe vërtet për mua ishte një befasi shijimi i poezisë së bukur të Daut Gumenit.