Nga Dilaver Goxhaj
Ditët e para të muajit Nëntor 2023, në kuadrin e muajit të Festive të Nëntorit, në sallën e Akademisë së Shkencave në Tiranë u promovua libri “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945”, me autor Uran Butkën, Tiranë, 2015, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), 2 vëllime,i miratuar prej Bordit Drejtues të këtij institucioni, i cili financohet nga qeveria.
Jo më kot ekziston shprehja popullore: “Mos e pyet, se flet vetë!”
Me këtë deklaratë, “Instituti i Studimeve për Krimet Kundër Komunizmit”, i përfaqësuar në këtë rast nga z.Uran Butka, na e bën më se të qartë se: çdo shqiptar që guxoi dhe rrëmbeu armën për të luftuar pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi italian dhe nazizmi gjerman, ishte armik i Ballit Kombëtar. Që të len të kuptosh se “nacionalistët” e Ballit Kombëtar kanë qenë për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, që e zbatuan edhe praktikisht me gjermanët.
Gjithashtu, si ISKK dhe vetë z.Uran Butka na e bëjnë me dije se Lufta Civile në Shqipëri ka qenë planifikuar nga e djathta shqiptare, e përfaqësuar prej Ballit Kombëtar, qysh ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi; madje, duke krijuar kushtet që të mos krijohet Parti Komuniste në Shqipëri, ngaqë fashizmi i kishte shpallur luftë për vdekje komunizmit.
Dhe këtë gjë na e pohon jo vetëm z.Butka, por edhe Hasan Dosti: “Fillimi i një kryengritjeje të armatosur nuk ka qenë një nga pikat e programit fillestar të organizatës BK, dhe në mendimin e udhëheqjes nuk kishte asnjë mundësi praktike për sukses.. . Para një gjendjeje të këtillë, komunistët i propozuan BK bashkimin e forcave, ose së paku një marrëveshje për bashkërendim të operacioneve ushtarake. Propozimi u bë shumë herë…Hezitimi i BK për marrëveshje mbështetej në kundërshtimin e Mid’hat Frashërit, ma i vendosuri kundër çdo marrëveshjeje me komunistët.”, (H.Dosti “Një jetë për çështjen shqiptare”, BOTART, 2008, f.79, 82).
Po ashtu, këta zotërinj: të gjithë ata shqiptarë që rrëmbyen armët kundër fashizmit, nuk kanë qenë gjë tjetër, por veçse komunistë! Që, dashje pa dashje, këta zotërinj i thonë të vërtetën historisë së Shqipërisë, se atdhetarë (nacionalistë) të vërtetë nuk kanë qenë “nacionalistët” e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, por partizanët, që ndryshe këta zotërinj i quanin dhe i quajnë “komunistë”.
Dashje pa dashje, ISKK dhe z.Butka, me këtë përkufizim na bindin se krijimi i BK është nxitur nga sundimtarët fashistë italianë që shqiptarët të luftonin njëri-tjetrin për një pushtet të tyre më të madh, duke përdorur mjete të tilla si “nacionalizmi”, për të minuar kryengritjen tonë popullore dhe për të mashtruar njerëzit që të bashkoheshin me BK dhe me fashistët.
Këtë na e dëshmon Marrëveshja Dalmaco- Kelcyra, e 15 marsit 1943, ku dy anëtarët e KQ të BK, Ali Këlcyra dhe Nuredin Bej Vlora nënshkruan në Tiranë me kryekomandantin e trupave pushtuese italiane, gjeneral Dalmacon, këtë protokoll famëkeq, sipas të cilit BK vihej në shërbim të pushtruesve fashistë.
“Nacionalizmi” i BK mund të shihet edhe si i ngjashëm me një fé dhe një ideologji, si një justifikim për luftën kundër LANÇ-it dhe jo një shkak rrënjësor i konfliktit.
Lufta Çlirimtare e Shqipërisë e udhëhequr nga Fronti Nacionacinal Çlirimtar nuk ishte një vazhdim racional i politikës me mjete të tjera, siç na mësoi Klauzeviçi, por, përkundrazi, ajo luftë u nxit nga kultura shekullore shqiptare, u nxit nga emocionet e ndjenjës kombëtare dhe urrejtja ndaj mbeturinave të kohës së vjetër, të përfaqësuar nga BK.
BK ishte për ruajtjen e ndarjes së popullit në klasa, që rridhte nga pasuria dhe luksi i tyre, të cilën na e fakton edhe Haki Stërmilli, anëtar i delegacionit të Frontit Nacional Çlirimtar në Konferencën e Mukjes: “Trimat e Ballit janë të mveshur, të mbathur e të armatosur fare mirë… Kanë revole, bomba, dylbi dhe çanta, si ato që mbajnë oficerat e shtatmadhorisë!… Këta tanët, qysh nga partizani i thjeshtë deri te komandanti ose komisari politik, janë të leckosur dhe të mveshur me lloj-lloj petkash e ngjyrash…Ballistët civilë që janë importue nga të katër anët e Shqipnisë, ta ngopin synin me elegancën e tyne të pamohueshme. Kiju mëni, por epu hakun. Dijnë me u mveshë, ashtu dhe me jetue! Qeh: shum prej tyne kanë sjellë me vetëhe shtretën portativë, shezlongë, pixhama, takëme kafeje, e të tjera. Epo kështu dilet nëpër male me luftue për. . . liri…!” (“Shtigjet e lirisë. Ditar”, Tiranë, 1967, f.23-24).
Vallë, të mos e dijë ende z.Uran Butka se Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë e udhëhequr prej Frontit NÇl, e kontrolluar nga PKSH, ishte thjesht një kryengritje, që synononte luftën kundër ushtrisë italiane dhe më pas kundër asaj gjermane, duke luftuar njëkohësisht edhe qeverinë kolaboracioniste shqiptare të dominuar nga ballistët, të cilët i bashkuan forcat e tyre me gjermanët.
Këtë fakt e ka theksuar shumë qartë edhe Gjenerali (Brigadieri) anglez Dejvis në raportin sekret të tij që ka dërguar prej maleve të Bizës, në veri të Tiranës, 80 vite më parë, më 19 Nëntor 1943, dhe që është i hartuar në formën e përgjigjeve një kuestionari të Forin Ofisit, ku në pikën 4 të tij thuhet: “ Pika 4. “Balli Kombëtar” deklaron se nuk aprovon qeverinë e re progjermane, por përshtypja që pata nga një bisedë e gjatë është se ai (“Balli”) është i lidhur me të dhe opinioni i përgjithshëm në Tiranë dhe në të gjithë vendin është se të dy (“Balli” dhe Qeveria) janë të bashkuar ngushtë”. 5.”Lufta Civile ka filluar tanimë midis Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe “Ballit Kombëtar”. Unë mendoj se Lëvizja Nacionalçlirimtare do të fitojë sepse përbëhet nga elementi i ri, më i gjallë, më agresiv… “Balli Kombëtar” ka ndër mend t’i rezistoi Lëvizjes Nacionalçlirimtare deri në fund dhe ka mundësi të ketë edhe ndihmën e zogistave të kryesuar nga Abaz Kupi… Unë personalisht kam bërë çmos me të gjitha partitë të evitoj luftën civile, por pa sukses”. (Telegram i Brigadierit Devis ritransmetuar nga Kajroja në Londër më 19.XI.1943 PRO-FO/371 File nr.37145 dhe pasqyruar në librin “Nëpër analet e diplomacisë angleze” i Arben Putos, 1976, f.149-150).
Të njëjtën gjë thekson edhe oficeri tjetër i misionit ushtarak anglez në Shqipëri, Reginald Hibbert, tek libri i tij “Fitorja e hidhur”, Tiranë, 1993, f.293-294: “Thënia se ata (“Balli”) kanë luftuar kundër gjermanëve “ndonjëherë më të rrallë”, nuk qëndron.v”Nacionalistët” i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve… Enver Hoxha dhe kolegët e tij kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalist… Kjo u solli atyre fitoren dhe e kthyen Shqipërinë në një shtet komunist”.
Dhe, duke parë këtë nacionalizëm të theksuar te partizanët, prandaj Reginald Hibberd ka deklaruar: “Unë, me dhjetë muaj qëndrimi në Shqipëri prapa krahëve, thashë se partizanët ishin të vetmit që e vlenin t’i mbështesje. Po të kisha qenë shqiptar, unë do të isha bërë partizan.”, (f.372). Ka gjasa që edhe këtë oficer të misionit ushtarak anglez ISKK dhe z.Butka ta rendisin me “terroristat” e LANÇ-it.
Këta dy rapore bindin edhe njëriun më skeptik kundër LANÇ-it, se udhëheqësit e BK nuk qenë përgjegjës ndaj popullit përderisa morrën pjesë në qeverinë kolaboracioniste dhe kish mungesë transparence të informacionit mes drejtuesve të BK dhe popullit në masë, prandaj dhe kishte pjesëmarrje të dobët të popullit për politikën e BK.
Italia fashiste dhe Gjermania naziste mbështetën Ballin Kombëtar si pjesë e politikës nazi-fashiste antikomuniste. Si rrjedhojë pushtuesit italiane e gjermanë, bashkë me Ballin e Legalitetin, kishin pozitën superiore; megjithatë, Fronti Nacional-Çlirimtar gëzonte mbështetje të jashtëzakonshme të popullsisë vendase.
Këtë fakt na e vërteton edhe Gjenerali anglez Dejvis në mesazhin e tij të datës 17 Dhjetor 1943, i cili përbëhet prej 7 pikash, prej të cilave po japim 5 prej tyre:
“1. Taninë rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kohët e fundit kaq shumë sa që bëhet e domosdoshme (imperative) të denoncohen Balli Kombëtar dhe zogistët.
2.Të gjithë janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët janë duke i pajisur me armë në sasira të mëdha, i vënë për të ruajtur rrugët kryesore, të ruajnë rendin (police) në qytete dhe të dalin si patrulla (lead patrols) duke çliruar këshu trupat gjermane nga këto detyra.
3.Të gjitha aksionet e fundit luftarake të Lëvizjes Nacionalçlirimtare kanë ndeshur në forca të përziera gjermano-balliste të armatosura mirë dhe të stërvitura nga gjermanët…
5.Si Ballkomi ashtu edhe zogistët nxjerrin tani gazeta mjaft të shtrenjta dhe tërë pretendime, të cilat duket qartë se janë të sajuara nga gjermanët. Në tetë numura të tyre nuk ka pasur asnjë fjalë kundër gjermanëve…
- Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet i njohur publikisht menjëherë, duke theksuar se kuislingët, tradhëtarët dhe ata që nuk u rezistojnë gjermanëve do të marrin dënimin e merituar nga aleatët kur të vijë koha…Prandaj unë rekomandoj që të bëhet një deklaratë e hapur në favor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. (Telegram i brigadierit Devis dt.17.XII.1943 PRO-Fo/371 nr.37145 dhe libri Arben Putos, (i cituar), f.151-153)
Pra, Italia dhe Gjermania ishin përfshirë vetëm kundër Frontit Nacional Clirimtar, duke u bërë një ushtri e vetme edhe me BK dhe Legalitetin, Si e tillë Lufta Nacionalçlirimtare Shqiptare mund të shihet gjithashtu edhe si një luftë ndërshtetërore dhe aspak luftë civile.
Ishte edhe urrejtja ndaj kohës së vjetër të përfaqësuar prej BK, që Lufta e Frontit Nacional-Çlirimtar arriti në vendet më të fshehta të zemrës së shqiptarëve, vende ku vetvetja shpërndan qëllimin racional, ku mbretëron krenaria, ku emocioni është parësor dhe, ku instinkti është mbret, të cilat bënë të mundur plotësimin e disa parakushte të nevojshme intelektuale dhe politike në shumicën e popullit shqiptar.
***
Balli Kombëtar, ISKK dhe zëdhënësi i tyre, Uran Butka, e quajnë LANÇ-in “luftë civile”, ngaqë forcat e tyre kanë qenë të lidhur ngushtë me ushtritë pushtuese, sikundër e thekson edhe Gjenerali Devis. Luftë civile kemi në ato raste kur bëhen përpjekje për të rrëmbyer pushtetin në qendër të qeverisë, ose në një rajon të caktuar, ose për të përdorur dhunën për të ndryshuar disa politika kryesore të qeverisë, gjë që asnjë nga këto përpjekje nuk mund t’i adresohen Frontit Nacional-Çlirimtar dhe PKSH-së, të cilët kërkonin largimin me çdo kusht të pushtuesit nga Shqipëria bashkë me kolaboracionistët, ku bënte pjesë edhe BK dhe Legaliteti.
LANÇ-i ishte më shumë se një një kryengritje, ajo ishte një revolucion. Çdo kyengrije, qoftë e suksesshme apo jo, ka të ngjarë të klasifikohet si një luftë civile nga historianët vetëm në rastet kur ushtritë e organizuara zhvillojnë beteja konvencionale. Le të na gjejë një betejë konvencionale z.Uran Butka midis Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe asaj të Bakllit Kombëtar.
I kujtojmë z.Uran Butka se edhe lufta e suksesshme civile e viteve 1640 në Angli, e cila çoi në përmbysjen (e përkohshme) të monarkisë, të përfaqësuar nga Çarli I, u bë e njohur si Lufta Civile Angleze, megjithatë ajo është përshkruar gjithashtu, si “Revolucioni Anglez”. Edhe në Shtetet e Bashkuara, kryengritja e suksesshme e viteve 1770 në kolonitë britanike në Amerikë, e cila përmbante ushtri të organizuara që zhvillonin beteja, u njoh si “Revolucioni Amerikan”. Edhe Jul Cezari, kur kaloi lumin Rubikon, duke pasur në krahë legjionet e tij, nuk pranoi se ai ishte një akt lufte civile, por përkundrazi e quajti atë një mbrojtje të vetes dhe të lirive të Romës kundër armiqve të brendshëm.
Qeveritë kolaboracioniste dhe forcat politike që kanë mbështur ato qeveri, sikundër mbështeti BK qeveritë kolaboracioniste gjatë pushtimit, gjithmonë do t’i shohin luftrat çlirimtare, kryengritjet, si të paligjshme, duke i etiketuar si luftëra civile.
Lufta Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar rezultoi e jashtëzakonshme sepse të dyja palët, si Fronti Nacional Clirimtar ashtu dhe Balli Kombëtar morën mbështetje nga fuqitë e mëdha ndërhyrëse: Italia e më pas Gjermania të cilat mbështetën liderët e BK dhe Legalitetit; ndërsa Amerika, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik mbështetën Frontin Nacional Clirimtar. Mbrojtja diplomatike dhe juridike për LANÇ-in e dhënë nga Koalicioni Antifashist patën efektin e inkurajimit të Frontit Naciona-Çlirimtar dhe të PKSH, ngaqë ishte luftë çlirimtare kundër fashizmit, dhe jo luftë për t’i marrë pushtetin qeverisë kolaboracioniste ose për të ndryshuar politikat e asaj qeverie, as dhe luftë civile.
***
Disa shkencëtarë politikë e përkufizojnë një luftë si luftë civile nëse plotësohen dy kritere. Kriteri i parë, grupet ndërluftuese duhet të jenë nga i njëjti vend dhe të luftojnë për kontrollin e qendrës politike, ose për krijimin e një shteti separatist, ose për të detyruar një ndryshim të madh në politikën e qeverisë ekzistuese. Kriteri i dytë i tyre është që të paktën në total preferojnë, për shembull, një përkufizim të një mesatare prej 1.000 njerëzve të vrarë në vit nga secila anë.(G. John (2009-01-28). “Civil Ëars and Foreign Pëers: Outside Intervention in Intrastate Conflict”). Bazuar në kriterin e 1.000 viktimave në vit nga secila anë, është vërtetuar në 213 luftrat civile prej v.1816 deri në v.1997, si dhe për 104 luftrat civile që kanë ndodhur nga v.1944 deri në v.1997.( James Fearon, “Iraq’s Civil Ëar” Archived 2007-03-17 at the Ëayback Machine in Foreign Affairs, March/April 2007. For further discussion on civil ëar classification, see the section “Formal classification”).
Pyesim ISKK dhe z.Uran Butka: A plotësohen këto dy kritere që LANÇ-in ta quajmë Luftë Civile?
Që një luftë kryengritëse midis fraksioneve të të njëjtit vend, për ta cilësuar si luftë civile ekzistojnë pesë kritere për njohjen ndërkombëtare të këtij statusi: 1. garuesit duhet të kontrollojnë territorin, (faktikisht kishn territore “salamandër”; 2. Garuesit duhet të kenë një qeveri funksionale, (vetëm BK e kishte); 3. Garuesit duhet të gëzojnë një farë njohjeje të huaj demokratike, (vetëm LANÇ-i e gëzonte); 3. Garuesit duhet të kenë forca të rregullta të armatosura, (këtë kusht vetëm LANÇ-i e kishte prej 10 korrikut 1943); 4.Garuesit duhet të jenë të identifikueshëm, (edhe këtë uniformim vetëm LANÇ-i e kishte); dhe 5. Garuesit duhet të përfshihen në operacione të mëdha ushtarake, (gjë që nuk patëm asnjë të tillë midis LANÇ-it dhe BK).[ Ëayback Machine in Foreign Affairs, March/April 2007,si dhe The section “Formal classification”]
***
Tash le t’i kthehemi Marrëveshjes së Mukjes.
Zoti Butka bën mirë që na i pasqyron të 3 pikat e Proklamatës dalë nga Marrëveshja e Mukjes, dt. 2-3 gusht 1943: “1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar. 2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike. 3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore”. Mirëpo, çuditërisht, ai “harron” të pasqyroi edhe Thirrjen e saj: “Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!”
Pra, z.Butka dhe ISKK i referohen edhe Kartës së Atlantikut. Kjo Kartë thirret edhe marrëveshje e bërë mes Presidentit Ruzvelt dhe Çurçillit (ShBA-së dhe Britanisë), mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, e bërë më 14 gusht 1941 në një anije, në Atlantik të cilës iu bashkangjitë edhe Bashkimi Sovjetik më 24 shtator 1941. Në atë kohë, gjithë kundërshtarët e luftës kundër Gjermanisë, e njihnin atë marrveshje si program të përbashkët.
Nuk është puna se pse e hedhim të plotë proklamatën e Konferencës së Mukjes, por si duhet trajtuar pika 2 dhe Thirrja e saj, të cilën nuk na e bën z.Butka.
Në Kartën e Atlantikut midis të tjerave thuhej: “Palët biseduese përpiqen për rivendosjen e të drejtave sovrane dhe të pavarësisë së atyre popujve, të cilët e kanë humbur këtë me rrugën e dhunës”. Nuk e kuptojmë se pse nuk na e citon këtë saktësim z.Butka!
Pse nuk e pasqyron z.Butka këtë përmbajtje të Kartës së Atlantikut?
Përgjigjia është e thjeshtë: z.Uran Butka dhe ISKK nuk e pasqyrojnë sepse në Kartën e Atllantikut, sikundër e vini re, nuk flitet për vetvendosjes e të gjithë popujve, por “për rivendosjen e të drejtave sovrane dhe të pavarësisë së atyre popujve, të cilët e kanë humbur këtë me rrugën e dhunës”.
Në Kosovë nuk kishim të bënim me “rivendosje të të drejtave sovrane dhe të pavarësisë”, pasi Kosova asnjëherë nuk kishte qenë e pavarur si dhe nuk qe shkëputur me dhumnë, por me vendim të Shteteve të Mëdha të Evropës, me Traktatin e Fshehtë të Londrës më 1913, dhe në Konferencën e Paqes në Paris, në Janarin e vitit 1918. Prandaj dhe Karta e Atllnatikut shtrihej vetëm në vendet Evropiane. Po kështu, sikundër shihet, Karta e Atlantikut nuk do të njihte edhe ndryshmin e kufirit me dhunë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë që patën bërë Italia Fashiste dhe Gjermania, sepse Kosova iu shkëput Shqipërisë së Qeverisë së Vlorës, sikundër thamë, me vendim të të Mëdhenjve.
Pra, edhe në këtë Proklamatë dhe në këtë Thirrje, Balli Kombëtar bën propagandë për të mashtruar popullin, se gjoja Fronti Nacional-Çlirimtar dhe PKSH nuk ishin “për një Shqipëri etnike”, “nuk e kanë dashur Kosovën”.
Si është e mundur që ata “komunistët” e Frontit Nacional-Çlirimtar e njihnin dhe e kuptonin saktë Kartën e Atlantikut, ndërsa “nacionalistët” e “Bllit Kombëtar, që kishte në gjirin e vet intelektualët më në zë properëndimorë, gjë që as mund ta gjente veten Brenda Fronti NÇl”, (sikundër na i përshkruan z.Butka në f.42 të librit të tij), të mos e kishin kuptuar Kartën e Atlantikut edhe pse disa prej tyrë kishin kryer universitete të drejtësisë në Francë?!
Pra, Marrëveshjen e Konferencës së Mukjes, Konferenca e Dytë Nacional-Çlirimtyare, (e para është Konferenca e Pezës), e denoncoi me Rezolucinin e saj të dats 8 shtator 1943, duke sqaruar: “Çështja e Kosovës dhe e Çamërisë do të zgjidhet në bazë të Kartës së Atlantikut, në bazë të parimit të vetëvendosjes së popujve, dhe garancia më e madhe për triumfin e këtij principi është vetë lufta që bëjnë e do të bëjnë Kosova e Çamëria krah për krah me popujt jugosllavë e grek kundër okupatorit fashist”. (“Dokumenta të organeve të larta të pushtetit revolucionar NCl.:, 1962, f.58), ndryshe nuk mund t’u njihej e drejta për vetëvendosje. Dimë se edhe në Konferencën e Jaltës e të Potsdamit ishte vendosur që shteteve pjestare të Aleancës Antifashiste nuk do t’u ndryshoheshin kufijtë me forcë dhe problemet që kishin mes tyre për çështje kufijsh do t’i zgjidhnin me bisedime bilaterale, por, me gjithë premtimet jugosllave, nuk u bë asgjë.
Mirëpo, sipas Marrëveshjes së Jaltës, Kosova do të ishte shpopulluar nëse nuk do të kishte dërguar Enver Hoxha divizionet e Ushtrisë “terroriste” Çlirimtare Vullnetare Partizane, siç ishte rënë dakort në Konferencën e Jaltës, ku ishte vendosur që shtetet pjestare të Boshtit Fashist, pasi deri atëhere Kosova ndihmonte nazi-fashistët me forcat ushtarake të “Divizionit “SS”, Skënderbeg dhe regjinmentitin Kosova me 6.491 vetë”, (Ali Hadri “Lufta NÇ në Kosovë 1941-1945”, Prishtinë, 1971, f.322), që kishin luftuar kundër forcave partizane në Kosovë dhe në Shqipëri.
Njëkohësisht Fronti NÇ. e denoncoi Marrëveshjen e Mukjes edhe për faktin se Lëvizja Nacionalçlirimtare ishte fshirë prej saj. Madje, Balli Kombëtar edhe pse nuk kishte hedhur asnjë pushkë krijon dhe udhëheq “komitetin” që drejton luftën (!), dhe për Lëvizjen Nacionalçlirimtare asnjë fjalë, ndërkohë që kjo Lëvizje kishte një muaj që kishte krijuar edhe Ushtrinë e Regullt Naciona Clirimtare Vullnetare Partizane, ku në korrik 1943 kishte 20 batalione.
“Enver Hoxha dhe Partia Komuniste, – thekson oficeri anglez Reginald Hibbert – shpërthyen revolucinin dhe e drejtuan atë me sukses, ndërkaq ata u ndihmuan shumë nga shkatërrimi i pamëshirshëm që u bë në të gjithë vendin në fillim nga italianët dhe pastaj në mënyrë më të egër e të papërmbajtur nga gjermanët, të ndihmuar nga ballistët.”, (f.366).
Tiranë, 17 Nëntor 2023