Në datën 2 maj, gazeta DITA botoi një investigim mbi viktimat e aktivitetit të mikrokredive në Shqipëri.
Shkrimi i botuar në kopertinën e gazetës me titull “Një histori akuzë”, përfshinte rastin e Luiz Ejllit, banorit të një reality shou të njohur, që transmetohet nga kanali TCH.
Shkrimi mund të lexohet i plotë duke klikuar KËTU.
Dje në Top Channel, dhe më pas në disa media të tjera, u publikua një “artikull” lidhur me këtë publikim të 2 majit në DITA.
E vumë “artikull” në thonjza sepse dukej qartë që nuk ishte shkruar nga gazetarë të Topit, që për hir të së vërtetës, kanë një nivel më të denjë raportimi.
Ky “artikull” pretendonte se Luiz Ejlli ka bërë një deklaratë ku thotë se artikulli i gazetës DITA është “i pavërtetë” madje shkonte dhe më tej, duke e quajtur një “artikull anonim” dhe “gjobëvënie”.
“Artikulli” i djeshëm ku citohej z.Ejlli, mund të lexohet duke klikuar KËTU.
Sot paradite, bashkëpunëtorja e gazetës DITA, pedagogia e njohur shkodrane, Edona Llukaçaj kontaktoi me z.Ejlli për ta pyetur nëse i ka bërë vërtetë ai deklaratat e cituara në “artikullin” e publikuar nga TCH.
Përgjigja e z.Ejlli ishte: “Nuk kam bërë asnjë deklaratë të tillë, unë përdor vetëm Instagramin”.
Për transparencë me lexuesin, zotit Ejlli iu dërgua nga DITA, edhe teksti i mëposhtëm:
I dashur z. Ejlli,
Dita është gazetë e përditshme në Shqipëri dhe në 2.5.2023 ka botuar një ekskluzive me titull “Një histori akuze”, identifikuar me emër autori dhe nën përgjegjësinë redaksionale të medias që përfaqësojmë.
Artikulli mbyllet me pasazhet: “Viktima e fundit është beniamini i miliona shqiptarëve. Le të jetë Luiz Ejlli, ai që do thotë të vërtetën e tij kur të dalë, për të gjithë…Le të jetë ai që do hapë siparin e do tregojë mbi këtë mashtrim të madh që ka gjunjëzuar rininë shqiptare. Ai nuk ka më nevojë për të likujduar 2 milionet e Iutes apo Finalit, se para do ketë boll, por vetëm të tregojë të vërtetën e tij!”
Sot në mediat elektronike, portalet kryesore, disa TV, mes të cilëve dhe një televizion kombëtar kanë cituar një lajm me titull “Luiz Ejlli përgënjeshtron lajmet: Ja marrëdhënia ime me IuteCredit”.
Media që përfaqësojmë është iniciatore e zëdhënies së një problemi publik, plagë ende e hapur shoqërore, në përmasa kombëtare që në numrin e datës 2.5.2023, e trajtoi duke marrë si shembull ndër mijëra raste të rinjsh e të rejash, për vetë simbolikën që përfaqësonte, emri juaj “Luiz Ejlli”.
Konsideruar insinuatën direkte që adreson lajmi i pak orëve më parë ndaj nesh si media, ku citoheni ju, detyrohemi të verifikojmë autenticitetin dhe burimin real të lajmit, nëse jeni ju vetë, ose jo, të cilit i janë cituar ato fjalë. Në pritje të konfirmimit tuaj, ju lutemi, për të qënë transparent dhe të vërtetë, kërkojmë një përgjigje të thjeshtë dhe të shkurtër, përgjigje që do ta përfshijmë në reagimin tonë publik…”
Pas pohimit se ai vetë nuk ka bërë deklaratë lidhur me IuteCredit, zoti Ejlli sugjeroi që redaksia e Ditës, të lidhej me “sektorin e marketimit të Top Channel” duke nënkuptuar se dhe deklaratat e cituara si të tij, janë bërë (ose janë marrë të gatshme), nga ky burim.
Njoftojmë lexuesin se lidhur me plagën e rëndë sociale të abuzimit me mikrokreditë, që ka prekur mijëra qytetarë, shumica të rinj, do publikojmë një artikull të dytë të zgjeruar.
Në ndërkohë, si detyrim ndaj lexuesit që nuk ka mundur të lexojë investigimin e datës 2 maj dhe mund të ketë lexuar, vetëm tekstin e publikuar dje nga TCH, sqarojmë shkurt sa më poshtë vijon:
1 – Investigimi i publikuar në DITA mbështetet në dokumenta autentikë dhe faksimile të cituara. Për “vërtetësinë” e tij nuk ka dyshime. Mund ta rilexoni dhe të gjykoni vetë.
2 – Artikulli nuk është “anonim”, ai është publikuar nën përgjegjësinë redaksionale të një gazete të përditshme që del në treg prej nëntorit 2012.
3 – Sa për “gjobëvënie”, po theksojmë tani për tani vetëm një fakt: Pas botimit të shkrimit ka patur përpjekje të IuteCredit për një “marrëveshje” me marketimin e gazetës DITA, kërkesë e cila u refuzua nga drejtuesit e gazetës. Kjo nuk është sjellje gjobëvënësi.
Por për këtë, do flasim shumë më gjatë në një publikim të dytë në vijim.

Dita

Në këtë Shqipëri me deputetë 98% ndsha dhe me pensionistë 20,000-leksha, me ministra 82% ndsha dhe me paga mesatare 30,000 lekshe, me president 65% ndsh e me mjekë që ikin se janë 7% ndsha e me policë që nuk futen në polici se janë sërish 7% ndsha. Në këtë Shqipëri ku shtetarët nëse dita e pushimit u bie fundjavë shtojnë nga dy të tjera më pas e lista e pushimeve u shkon më shumë se gjysma e vitit. Në këtë Shqipëri ku në pranga përfundojnë “punëtorët” por ata që drejtojnë “bizneset” kanë miq prokurorë me titullin prokuror. Në këtë Shqipëri ku gjenden mijëra euro të paligjshme e të bësh një xhiro rrugëve të pastrehët mbledhin kanaçe për një kafshatë bukë. Në këtë Shqipëri ku lufta është e përditshme por i shtohet dhe lufta në Ukrainë. Në këtë Shqipëri podcastesh, aksidentesh, vrasjesh, makinash, zhurmash, kinemash, pub-esh, e sa shumë në këtë Shqipëri!
NË KËTË SHQIPËRI, LUIZI DUHET TË BËHET ME POPULLIN JO ME SUNDUESIT E TIJ.
LUIZ MOS NA TRADHTO, MOS U BËJ ME LEKUN E NDYRË, NE PA MBROJTJE KEMI NEVOJË PËR TY