Greta Gjoci është dërguar këtë të mërkurë në burgun e Pojskës, së bashku me foshnjën e saj vetëm 3 muajshe, për të nisur vuajtjen e dënimit me 6 vite e 8 muaj burg. Ajo është dënuar për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që përmes Call Center-ave mashtronte kryesisht qytetarë italianë.
Nëna dhe foshnja janë sistemuar në sektorin e posaçëm të burgut të Pojskës, ku ndodhet edhe çerdhja për fëmijët.
Gjoci është një prej gjashtë grave të dënuara në dosjen e grupit të drejtuar nga Bruno Çobo. Pesë prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për shkak të fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare. Katër gra me fëmijë ndodhen tashmë në burgun e Pojskës, në Korçë.
Kërkesa e mbrojtjes së Greta Gjocit është depozituar më 5 tetor, në të njëjtën ditë kur Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet me rreth 110 vite burg në total për 16 të pandehurit e dosjes, mes tyre edhe drejtuesin e grupit, Bruno Çobo.
Avokatët kërkojnë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit duke iu referuar nenit 476 të Kodit të Procedurës Penale. Seanca ku GJKKO do të shqyrtojë kërkesën është caktuar për të hënën.
Mbrojtja argumenton se ligji parashikon mundësinë që, kur një grua e dënuar është shtatzënë ose ka një fëmijë nën një vjeç, ekzekutimi i vendimit të shtyhet deri në momentin kur fëmija mbush një vjeç. Në rastin e Gjocit, foshnja është vetëm 3 muajshe dhe ushqehet ende me gji.
Avokati Ndue Marku argumenton se qëndrimi i menjëhershëm i nënës në burg mund të ketë pasoja për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.
“Foshnja është në një moshë tejet delikate (3 muajsh) dhe ndodhet në fazën e ushqyerjes ekskluzive me gji nga nëna e tij (kërkuesja). Izolimi i menjëhershëm i nënës në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale do të cenonte në mënyrë të pariparueshme shëndetin, jetën dhe zhvillimin e fëmijës së mitur”, thuhet në kërkesë.
Një tjetër argument i paraqitur para GJKKO-së lidhet me sjelljen e Gjocit gjatë kohës që ka qenë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas mbrojtjes, ajo e ka respektuar masën dhe nuk ka tentuar t’i shmanget drejtësisë, ndaj pretendohet se shtyrja e ekzekutimit të dënimit nuk krijon rrezik arratisjeje.
“Kërkuesja ka respektuar me rigorozitet maksimal masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ dhe nuk ka shfaqur asnjë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Ajo kërkon thjesht mbrojtjen që ligji i ofron foshnjës së porsalindur”, thuhet në kërkesë.
Mbrojtja kërkon gjithashtu pezullimin e urdhrit për ekzekutimin e dënimit me burg deri në shqyrtimin e kërkesës për shtyrje. Deri në marrjen e një vendimi, avokatët kërkojnë që Gjoci të qëndrojë nën masën “arrest në shtëpi”.
Kërkesa të ngjashme në Gjykatën e Posaçme kanë paraqitur edhe katër gra të tjera të dënuara në të njëjtën dosje. Elisa Çaçi është dënuar me 7 vite e 4 muaj burg, ndërsa Rezarta Ibrahimi, Antoneta Malo dhe Silvana Veliu janë dënuar secila me nga 6 vite e 8 muaj burg.
Grupi i drejtuar nga Bruno Çobo u dënua për një skemë mashtrimi të zhvilluar përmes një Call Center-i në Tiranë. Viktimat, kryesisht shtetas italianë, bindeshin të investonin para në bursa, ndërsa nga skema u përvetësuan rreth 4.7 milionë euro.
Për 16 të pandehurit, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënime që arrijnë në rreth 110 vite burg në total. Bruno Çobo u dënua përfundimisht me 8 vite burg.
j.l./ dita
