Nga Lorenc Vangjeli
Edi Rama ka edhe luksin, por edhe mundësinë që të ankohet. Por ai është ndër të paktët njerëz në Shqipëri që kanë detyrën, detyrimin dhe që janë të ndëshkuar për të zgjidhur problemin. Shtatë vitet e gjatë të hetimit gjyqësor mes kryeministrit dhe ish-kryetarit të PD-së për një shpifje të supozuar në dëm të shefit të qeverisë, janë vërtet shumë.
Edhe pse as njëri dhe as tjetri, por avokatët e tyre kanë pasur sikletin dhe zahmetin të merren me ingranazhet e drejtësisë frustruese shqiptare, sërish ky rekord i zymtë është i rëndë dhe i pamerituar. Natyrisht ata nuk e kanë pasur mendjen tek gjyqi dhe as kanë qenë seriozisht të interesuar për të.
Vendimi i gjykatës do të ishte triumf që do të zgjaste vetëm një ditë për atë që do të fitonte dhe një çudi me pak jetëgjatë se tre ditë për atë që do të humbiste. Por përtej tyre është për një armatë prej disa dhjetëra mijëra shqiptarësh në vit që ballafaqohen në mënyrë dramatike me sistemin e drejtësisë. Herë si viktima të tij, herë si njerëz që shpresojnë t’u rivihet në vend një e drejtë e mohuar.
Që nga dy vëllezër që grinden se kujt i përket gardhi që ndan tokat e babait të tyre të ndjerë dhe që janë të gatshëm dhe të marrin kallashnikovin në dorë kundër njëri-tjetrit e deri tek pensionistë që kërkojnë rivlerësimin e shpërblimit të pleqërisë, nga çifte që duan të divorcojnë pasurinë e përbashkët e deri tek trafikantë drogë e vrasës me pagesë, nga hajdutë xhepash e deri tek grabitës autostradash: të gjithë së bashku hyjnë në një tunel kohe për të dalë të plakur prej tij. Gjyqe që vazhdojnë me vite dhe që vonesa e vendimeve, e bën të munguar vetë drejtësinë.
Shumica dërmuese e qytetarëve që kanë probleme me drejtësinë nuk janë lajme kronike. Ata janë anonimë që përmenden në komunikatat e policisë me iniciale dhe gjyqet e tyre bëhen në heshtje.
Dhe kryesisht në rastin e padive penale, pjesa dërmuese e tyre e presin hetimin gjyqësor në burg. Si të paraburgosur. Shqipëria është kampione mes vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe edhe e vendeve të BE-së, për numrin e personave të paraburgosur në raport me popullsinë.
Në pranverën e këtij viti kjo përqindje shkonte në masën 61.6 për qind. E citon këtë shifër më anglisht edhe televizioni amerikan, tashmë popullor edhe në Tiranë Fox News. Duke e marrë si të dhënë nga mbrojtja ligjore e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Që në një rrokullimë dramatike të fatit është edhe vetë i paraburgosur.
“Habia” amerikanë do ta ketë të vështirë të kuptojë se kur thuhet e njëjta gjë në shqip, ata që kanë në dorë, një dorë njerëzish me pushtet në Tiranë, nuk lëvizin as gishtin për të ndryshuar situatën. Kështu e gjetën si traditë dhe kështu duket se po e lenë pas si traditën më të rëndë të trashëguar nga komunizmi. Nga ai soj komunisti që nuk vdes as nën lëkurën e “njeriut të ri” kapitalist shqiptar.
Mbas ftohtësisë së shifrave janë fate njerëzore. Janë mijëra anonimë që një mendësi e mbrapshtë në sistem, e gjykon ndëshkimin me pranga si mjet të vetëm dhe i shndërron në kriminelë. Ju frakturon jetën vetjake, të familjeve të tyre dhe i bën shoqërisë një dëm afatgjatë te frikshëm për qytetarin që i mungon në apel. Në fillim ishte ish-kryeminstri, pastaj ish-presidenti, pastaj kryetari i bashkisë së Tiranës.
Të tre këta politikanë, që kanë fuqi e pushtet edhe kur përfundojnë në fatkeqësi janë vetëm maja e një ajsbergu që sillet në mënyrë joproporcionale me fajtorin e supozuar. Për paradoks, përtej këtyre rasteve, SPAK ka përqindjen më të ulët të dhënies së masave të sigurisë arrest me burg. Pesha e shembullit të SPAK-ut, pikërisht prej këtyre rasteve kur nuk ka qenë i drejtë, pavarësisht se është konfirmuar edhe nga gjykatat, ka anuar balancën e peshorës në drejtim të gabuar në pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë.
Por sërish e sërish, drama dhe problemi i vërtetë janë ata që e kanë emrin vetëm në listat e votuesve dhe që sistemi i bën mish për topin e madh e të pandjeshëm të statistikës. Dhe që për habinë e atyre që e kanë për detyrë, detyrim dhe janë të ndëshkuar të zgjidhin problemin, provojnë dhe njëherë sesa e egër është bima e urrejtjes që rritet në Shqipëri.
Ndoshta Fox News-i në anglisht, në anën tjetër të botës që është e rumbullaktë, është më i besueshëm për ta. Për të gjetur kohën për të vepruar dhe ndryshuar. Veten në rradhë të parë.