Deputetja e përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Opinion”, duke u shprehur se ajo është monitoruar edhe në kafet që dilte, ku sipas saj ky veprim është kryer nga institucionet përkatëse. Deputetja tha që kolegë të saj kanë frikë të dalin nga shtëpia, pasi survejohen në mënyrë të rregullt në çdo lëvizje që ato bëjnë.
“Në këto muaj të “puçit”, unë kam ndierë dhe kam përjetuar dhe kam bërë një eksperiment social psikologjik. Mekanizmat e shtetit përdoren kundër individit. Duke u nisur nga fati që sapo dal nga shtëpia, më monitoronin edhe kafet ku dilja. Të gjitha do të dalin. Është dramatike, por jo serioze. Vetëm për shkak të qëndrimeve të mia, që kanë qenë të hapura, edhe kafet ishin të monitoruara. Deputetë të trembur nga vetja dhe njëri-tjetri. Unë jam ish-kryetare e Kuvendit dhe përdoren këtë mekanizma kundër meje.
Ka pasur raste kur ndërkombëtarë janë vënë në presion publik për takimet. Janë nxjerrë foto të takimeve. Të gjitha institucionet ligj-zbatuese më monitoronin. Ky është një lloji “play-book” i vjetër, që duhej ta kishim tejkaluar. Këtë dua të nxjerr në pah. Në vend që ne t’u japim shpresë të rinjve që dalin në protestë dhe të flasim se çfarë do të bëjmë me këtë brez, ne zgjedhim të bëjmë akte normative për gjoba. Ka deputetë që kanë frikë të dalin nga shtëpia, me kë konsumojnë kafen”, tha Spiropali.
Spiropali ka shprehur edhe “shqetësimin” e saj për të ardhmen e kryeministrit Rama. Sipas ish-kryetares së Kuvendit, me qeverisjen e tij, Rama po rrezikon emrin dhe veprat e tij, duke theksuar se kjo është e papranueshme. Gjithashtu, deputetja thotë se nuk është “tabu” ikja, duke referuar këtu edhe një largimi të Ramës, por merr shembull edhe qëndrimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokretike.
“Na ka zët dhe na ka përzënë. Njeriu Edi Rama që erdhi në krye të PS-së me flamurin e të rinjve, progresit dhe Europës, që i fliste këtij brezi që donte ndryshim. Edi Rama rrezikon që emrin e tij, veprat e tij, punën që ka bërë, reputacionin e tij, qeverisjen e tij ta fshijë historia, është e papranueshme. Çfarë tabuje është të ikësh?! E kanë bërë si të jetë gjëja më e vështirë në botë, çfarë janë këta, bajlozë? Nga opozita po flitet se ikja e Berishës do të ishte fatalitet për demokracinë. Edhe në anën e pushtetit, zgjidhjet politike as nuk konsiderohen. Le të dalin skandalet, të njëjtat emra do të rrinë.
Dorëheqja është zgjidhje politike, nuk jam ajo që i përcakton këto. Unë kam bërë thirrje për zgjidhjet politike. Autokracitë përforcohen, demokracitë konsumohen. Ne po hymë në logjikën e autokracisë, ky është problemi im. Ne do të shkonim në modelin e demokracive perëndimore. E vetmja zgjidhje dhe zgjedhje e Shqipërisë është integrimi në BE, por nuk është pasqyrë, një fytyrë për ne dhe një për Evropën. Nuk është të tallesh me standardet dhe proceset politike. Nga zgjedhjet e parakohshme, ulja me opozitën, dorëheqja, janë zgjidhje politike. Unë shoh një proces që është edhe më problematik. Unë shoh rrugën që kemi nisur, edhe nga eksperienca ime personale”, tha më tej ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.
