Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Dyvjetori i ndarjes nga jeta dhe 85-vjetori i lindjes së prof.Ahmet Kamberit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Dyvjetori i ndarjes nga jeta dhe 85-vjetori i lindjes së prof.Ahmet Kamberit
AnalizaHistoriShendetesi

Dyvjetori i ndarjes nga jeta dhe 85-vjetori i lindjes së prof.Ahmet Kamberit

Published: October 2, 2025
Shpërndaje

Prof. Mustafa XHANI

Botuar në DITA

Profesor Ahmet Kamberi ndërroi jetë 2 vjet më parë. Ai nuk ndodhet sot mes nesh, por jeta e këtij intelektuali të gjithanshëm na frymëzon dhe është model për mjekët e rinj.

- Publicitet -

Prof. Kamberi ishte mbi të gjitha njerëzor, serioz, duke u dhënë të sëmurëve jo vetëm analiza dhe barna, por dhe kurajë, vullnet, këmbëngulje, shpresa dhe dashuri për jetën. Për ndihmesën dhe kujdesin qe ai u kushtonte të sëmurëve, atë e respektonte jo vetëm populli i krahinës se Dibrës por i gjithë Shqipërisë.

Të rrallë janë mjekët e thelluar në disa specialitete mjekësore siç ishte ai, kardiolog, diabetolog dhe me një përvojë të gjerë si patolog i përgjithshëm, që i lejonte të bënte një diagnozë të saktë dhe mjekim korrekt e të efektshëm.

Fjalëpaktë dhe shumë i komunikueshëm dhe i përkushtuar, ai bisedonte thjeshtë me të gjitha nivelet e të sëmurëve.

Prof. Kamberi u dallua si pedagog me qasje të ngrohtë me studentët e mjekët në formim, të cilët qenë gjithmonë mirënjohës ndaj tij. Me gjithë eksperiencën e personalitetin e spikatur, ai ishte modest dhe bashkëpunues me kolegët.

Prof. Kamberi ishte nga promotorët e Shoqatës së Kardiologjise të Shqipërisë, të cilën e drejtoi për një periudhë gjatë së cilës botoi shumë artikuj në revistën e saj dhe organizoi disa veprimtari shkencore. Ai si anëtar i Shoqatës Europiane të Kardiologjise dhe asaj Botërore, gëzonte një reputacion të veçantë dhe mori pjesë në forumet drejtuese të tyre.

Prof. Kamberi nuk u dallua vetëm si mjek me vlera të vecanta, por edhe si publicist i spikatur duke prekur me kurajë shumë tema të nxehta të shoqërisë sonë në tranzicion duke mbrojtur arritjet e sistemit shëndetësor para viteve 90.

Nga shkurti i vitit 1987 deri në janar të vitit 1990, Prof. Kamberi ishte Ministër i Shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe, në bashkëpunim të ngushtë me OBSh-në, ndryshoi vizionin e M.SH duke e përshtatur me politikat e strategjitë e saj.

Në një nga artikujt e tij ai shkruan:

“Kishte ardhur koha për të bërë ndryshime thelbësore në konceptimin e shëndetit publik dhe drejtimin e zhvillimit të shëndetit të përgjithshëm dhe atij individual. Orientimi profilaktik i përgjithshëm i shëndetësisë sonë, thënë ndryshe, i shëndetit publik, kishte qenë parimi udhëheqës në zhvillimin e mjekësisë në të gjithë vendin. Por orientimi profilaktik i shëndetësisë kishte parasysh vetëm anën mjekësore të profilaksisë.

Në vijim të tij kushtet ishin pjekur që kuptimi i profilaksisë të zgjerohej dhe të specifikohej e të argumentohej meqenëse profilaksia kishte dhe anën jomjekësore. Pa këta si përbërës në harmoni dhe pa vendosjen mbi një bazë ligjore të këtij koncepti, nuk do te kishte një zhvillim të mëtejshëm dhe të dëshirueshëm të shëndetit në Shqipëri”.

Në 20.06.1989, në mbledhjen e Kuvendit Popullor u dëgjua Raporti i K.M “Rezultatet e arritura në mbrojtjen e shëndetit të popullit dhe masat për ngritjen në një nivel më të lartë të profilaksisë e të Shërbimit Shëndetësor”, pas diskutimit të të cilit Kuvendi mori dhe vendimin përkatës.

Ky vendim i Kuvendit Popullor ishte akti i parë ligjor në historinë e shtetit shqiptar, i cili paracaktoi politikën shëndetësore në Shqipëri në formatin e një strategjie shëndetësore duke u bazuar në një koncept më të gjerë të profilaksisë dhe të shëndetit publik. Këtej e tutje shëndeti publik duhej kuptuar si tërësia e organizimit të masave shkencore, mjekësore, administrative e legjislative, ekonomike e sociale për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve ngjitëse, për mënjanimin e faktorëve mjedisorë të gjithanshëm dhe çdo faktor tjetër jomjekësor, dëmtues të shëndetit, për identifikim dhe luftimin e faktorëve të rrezikut ndaj shëndetit dhe të zhvillimit të sëmundjeve jongjitëse, aksidenteve dhe problemeve shëndetësore, për diagnostikimin e hershëm e mjekimin adekuat të sëmundjeve e aksidenteve, për ripërtëritjen e aftësive të humbura nga sëmundjet e aksidentet, për mirëlindjen dhe mirërritjen e fëmijëve.

Ky vendim u vlerësua nga OBSh-ja si një dokument i politikës shëndetësore që ishte në përputhje të plotë me strategjitë e atëhershme të saj.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga prof. A. Kamberi dhe stafi i saj mori një seri veprimesh për zbatimin e kësaj strategjie. Këtu po përmendim disa nga aktivitetet dhe masat e marra në zbatim te saj:

Aktiviteti kombëtar për hartimin e programit të punës për zbatimin e strategjisë shëndetësore; Programi i M.SH për mbrojtjen e forcimin e shëndetit; Rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor; Ngushtimi i dallimit midis zonave të vendit; Përpjekja për rritjen e jetëgjatësisë, për uljen e vdekshmërisë foshnjore, fëminore e amtare; Marrëveshja me OBSh-në, bazuar mbi këtë dokument të politikave shëndetësore në vend (për të cilën u dha një fond prej 1 milion dollarësh për vitet 91-93); Marrëveshja me UNFPA-në për planifikimin familjar duke përfituar një mbështetje financiare prej 3 milionë dollarësh për vitet 91-95; Krijimi i Shoqatës Shqiptare të Mjekësisë; Riaktivizimi i Kryqit të Kuq Shqiptar; Rregullorja bazë e kujdesit shëndetësor.
Këto objektiva vazhduan edhe në vitet që pasuan mbi bazën e ndërtuar kur M.SH ishte e drejtuar nga prof. A. Kamberi.

Në vlerësimin tim periudha 87-90, me shumë tronditje politike e vështirësi ekonomike solli një vizion të ri në praktikat shëndetësore në vend dhe meritë e veçantë i takon drejtuesit te M.SH. prof. Kamberit dhe stafit të tij.
Prof. A. Kamberi nuk ishte konformist dhe karrierist dhe për këtë mosdakortësi me eprorët u largua nga M.SH dhe vazhdoi me nder e dinjitet punën si pedagog e mjek.

E vështruar në tërësi, puna dhe kontributi i tij në fushën e shëndetësisë shqiptare ka lënë gjurmë të thella si mjek i shquar e si drejtues vizionar, prandaj meriton gjithë nderimin e vlerësim tonë. Ai do të kujtohet e nderohet gjithmonë nga rrethet e mjekësisë shqiptare e nga pacientët e shumtë në të katër anët e vendit që morën me përkushtim përkujdesjen e tij.

—

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
9 Comments
  • Ashim Zogu says:
    October 2, 2025 at 11:41 am

    Homazh per Prof. Ahmet Kamberin!
    Ai solli nje ere te re ndryshimi ne sherbimin shendetesore gjat viteve qe ishte minister i shendetesise. E kam njohur qe ne vitet 1980 kur isha ne specializim ne kardiologji. Ne ate kohe Ai punonte me shume ne Kliniken Speciale,siç e quanim ne ate kohe Kliniken e udheheqesve.Por vinte rregullisht ne Sherbimin e Kardiologjise ne QSUT. Komunikimi i Tij me pacientet dhe me ne specializantet ishte i veçante dhe gjithmone i gatshem per te na ndihmuar per çdo gje. Me mire e kam njohur te ndjerin ne vitin 1991 ne kuvendin e pare pluralist. Ai ishte kryetare i Komisjonit te Drejtave te Njeriut,komisjon te cilin e drejtoi me shume kompetence. Duke studiuar literaturen perkatese Ai diskutonte sikur te ishte jurist.Me kujtohet kur erdhi nje delegacion nga Europa dhe duke pare pregatitjen e tije shume te mire ne fushen juridike,njeri nga pjesetaret e delegacionit e pyet se ne ç’vend te Europes i kishte mbaruar studimet per jurisprudence.
    Prof. Kamberi ju pergjigj se ishte mjek dhe vetem kishte studiur jurisprudence me qe drejtonte Komisjonin ne fjale dhe me kte rast i dhuroi nje komplet librash te jurisprudences se Oksfordit.

    U prehte ne paqe Profesor Ahmeti!

    Reply
  • Erton Karafili says:
    October 3, 2025 at 9:40 am

    I ndritte shpirti prof te nderuar Ahmet Kamberi.
    Kardiolog shume i afte, familjar, njeri e qytetar model.

    Reply
  • Abdurahim Ashiku says:
    October 4, 2025 at 8:44 pm

    Ahmet Kamberi: Dy muajt e fundit të jetës së Enver Hoxhës

    Ishim ulur në një lokal nën këmbët e të cilit gjarpëronte Erzeni e lart, kapeshin pas qiellit bedenat e lashtë të kalasë së Petrelës.
    Po flisnim për Dibrën, për njerëzit e gjakut dhe të shpirtit, kuvend i zakonshëm njerëzish të moshës sonë… Ahmet Kamberi është mjek, kardiolog, profesor dhe doktor i shkencave, personalitet i lartë i kardiologjisë shqiptare. Nuk kishte se si fjala të mos ndalej në profesionin e tij e veçanërisht në atë pjesë të jetës që është e lidhur me shërbimin ndaj një figure historike që dominoi jetën dhe politikën shqiptare për afro pesëdhjet vjet. Ai ka qenë mjek në shërbim të Enver Hoxhës deri në sekondat e fundit të jetës së tij…
    Një fragment të jetës pranë tij po e përcjell për lexuesin emigrant me lejen e autorit… (A. Ashiku, mars 2013)
    12 shkurt 1985, lamtumirë zyrë
    Më 12 shkurt 1985 unë kisha radhën e shërbimit kardiologjik të pandërprerë pranë Enver Hoxhës, që në atë kohë kryhej vetëm nga unë dhe Sabit Brokaj. Dr. Hajro Shyti ishte larguar në vitin 1981 dhe profesor Ylli Popa, për arsye të ngarkesës që kishte në Fakultet dhe në spital, ishte larguar në vitin 1982. Unë isha në këtë shërbim që në mars të vitit 1976 dhe Sabiti që në vitin 1980. Ne ndërroheshim çdo 24 orë, kur nuk kishte probleme. Ishim kurdoherë pranë tij, në shtëpi, në zyrë e kudo tjetër. Në mbështetje kishim kolegët e tjerë të Ekipit mjekësor që përbëhej nga prof. Fejzi Hoxha, internist dhe endokrinolog, profesor Petrit Gaçe, kardiokirurg, Isuf Kalo, endokrinolog dhe mjeku personal. Kryetar i Ekipit deri në vitin 1982 ishte prof. Llambi Ziçishti, kirurg, ish-Minister i Shëndetësisë dhe pas tij prof. Petrit Gaçe. Shërbimi mjekësor dhe shëndeti i Enver Hoxhës konsiderohej sekret shtetëror dhe ne i përmbaheshim me përpikmëri kësaj.
    12 shkurti 1985 do të ishte dita e fundit në zyrë e Pacientit (kështu e quanim midis nesh, gjatë kohës në detyrë, pacientin tonë Enver Hoxha). Atë ditë ai doli nga shtëpia si zakonisht rreth orës 8 të mëngjesit dhe mori pjesë në mbledhjen e Byrosë Politike. Pas mbledhjes u kthyem në shtëpi. Makina e tij ndaloi si zakonisht para portës së oborrit. Unë vura re se në kohën kur ai doli nga makina dhe tentoi të ngrihej në këmbë gati u rrëzua, por Behari (Zhurda), truproja e tij, e mbajti. Ai e ndihmoi të hynte në shtëpi, nga ku nuk do të dilte më deri më 6 prill 1985. Ne në mbledhjen e Ekipit, pasi u konsultuam edhe me prof. Bajram Prezën, e lidhëm këtë ndryshim të beftë në gjendjen e tij me përkeqësimin e sindromit parkinsonik. Ndryshe nga sëmundja e Parkinsonit, që është një sëmundje e veçantë, sindromi parkinsonik (parkinsonizmi sekondar) me natyrë vaskulare, mund të ndodhë te të sëmurët që vuajnë nga diabeti dhe që mund të kenë pësuar ndonjë insult cerebral iskemik. Pacienti ishte diabetik dhe kishte kaluar një insult të tillë, të lehtë në shkurt të vitit 1984, prej të cilit e kishte marrë veten brenda 2 javësh. Ajo që kishte ndodhur më 12 shkurt 1985 ishte një ndryshim cilësor në gjendjen e parkinsonizmit, i cili do të përcaktonte edhe zhvillimet e mëtejshme në shëndetin e tij dhe do ta vinte Ekipin mjekësor në alarm të pandërprerë. Unë, personalisht, pas asaj dite vendosa të qëndroja në mënyrë permanente në shërbim. Sabiti, të cilit ia shfaqa këtë vendim timin, ra dakord që në të njëjtën mënyrë të vepronte dhe ai. Kështu ne do të mund të përballonim së bashku çfarëdo situate që mund të vinte.
    Pacienti kishte një qëndrim të veçantë ndaj sëmundjes. Edhe pse e kuptonte, nuk pranonte t’i nënshtrohej asaj, sidomos kur ai dyshonte se ne po e tepronim me përkujdesjen tonë, ose kur detyra e tij ashtu e kërkonte. Në të vërtetë ai e demonstronte përbuzjen ndaj psikologjisë së të jetuarit me frikën e sëmundjes. Shenjat e para të parkinsonizmit kishin nisur që në fillim të gushtit 1984 kur ishte për pushime në Pogradec, si një dobësi e pashpjegueshme e që më pas do të vijonte me një ngathtësim të ecjes dhe njëfarë zvogëlimi të hapave, të cilat nuk kishin lidhje me shqetësimet diabetike të këmbëve. Megjithatë, këto zhvillime të reja në gjendjen e tij shëndetësore nuk e ndaluan atë të shkonte ditë për ditë në zyrë sapo u kthye nga pushimet në fund të gushtit. Kur këto shqetësime u bënë më të theksuara, në konsultim me prof. Bajram Prezën, atij iu fillua mjekimi përkatës, pa e penguar të punonte. Në nëntor të vitit 1984, pas një viroze me temperaturë të lartë, ai pati një dobësi të jashtëzakonshme, sa mezi ngrihej në shtrat. Kjo ndodhi në prag të manifestimit fizkulturor të rinisë, që do zhvillohej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ne kishim kërkuar që të mos ngrihej nga shtrati dhe e mblodhëm mendjen se kështu do të bënte. Por rreth një çerek ore para fillimit të manifestimit na njoftuan se, përkundër këmbënguljes sonë, Pacienti ishte ngritur dhe po dilte për të shkuar në stadium. Në tribunën qendrore ai u ngjit me ashensor, të cilin e kishin vendosur enkas. Për habinë time, – unë qëndroja pak metra larg karriges ku ishte ulur, – ai u soll sikur të mos kishte kurrgjë. Bisedoi gjallërisht me shokët që kishte pranë dhe asnjeri prej tyre nuk mundi të kuptonte që ai sapo ishte ngritur i sëmurë nga shtrati. Pas kësaj ndodhie ai filloi ta merrte veten përsëri. Më 29 nëntor 1984 doli në tribunë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe ndoqi paradën tradicionale.
    Pas 29 nëntorit, gjendja e tij ishte relativisht e qëndrueshme, pavarësisht nga dobësia që ndjente dhe problemet me ecjen, edhe pse ne e kishim vënë nën mjekim për parkinsonizmin. Ai do të vazhdonte të dilte në zyrë si zakonisht, ditë për ditë pa e ndryshuar regjimin e tij. Pasditeve bënte një shëtitje në parkun para shtëpisë dhe pastaj punonte deri në mbrëmje në studion e tij në shtëpi. Në fillim të janarit të vitit 1985, Pacienti u konsultua edhe nga neurologu i shquar frëng prof. Gautier. Ai nuk propozoi ndonjë ndryshim të mjekimit të përshkruar prej nesh. Në këtë gjendje e gjeti atë 12 shkurti. Ndodhia e asaj dite do të shënonte një kthesë pa prapakthim në jetën aktive të tij. Për 12 vjet ai e kishte sfiduar sëmundjen dhe nuk e kishte lënë atë ta nënshtronte për asnjë çast. Megjithatë, këtu e mbrapa ai nuk do ta shihte më zyrën. Duke vlerësuar këtë ndryshim dramatik të gjendjes së Pacientit, ekipi vendosi të dërgonte për konsultim në Paris dhe më pas në Vjenë prof. Prezën, Yllin dhe Isufin.
    Që nga 13 shkurti e në vazhdim unë dhe Sabiti, siç e kishim vendosur vetë, do të ishim në shërbim permanent, ditë natë. Natën do të kishim edhe dr. Arben Finon (anestezist – reanimator) dhe në mënyrë përmanente njërin nga 3 ndihmësmjekët: Fari Bufi (nd/mjeku i tij personal që nga fillimi i viteve 1970), Edmond Jorganxhi dhe Nexhat Kuke.
    Pacienti, edhe pse nuk ishte në gjendje të ecte vetë, ngulte këmbë në regjimin e tij ditor sikur të mos ishte i sëmurë. Ai ngrihej në mëngjes si përherë, me karrocë shkonte në studio, ku punonte deri në drekë. Zbriste për të ngrënë drekë në dhomën e ngrënies. Bënte një pushim të shkurtër pas dreke, shkonte pastaj në studio dhe, kur vinte koha, zbriste për të ngrënë darkën, si zakonisht. Mirëpo gjendja e tij po përkeqësohej dhe ne nuk e ndiqnim dot si duhej, pasi ai na pranonte për vizitë vetëm rreth orës 22 a 22.30 kur bëhej gati të shtrihej për të fjetur, dhe jo përditë. Në këto rrethana, më 22 shkurt, kur kolegët tanë nuk ishin kthyer ende nga jashtë, unë i kërkova Nexhmijes t’i thoshte Pacientit se duhej të qëndronte në shtrat. Ajo e refuzoi këtë dhe më kërkoi që t’ia thoshim vetë atij.
    Në mbrëmje, kur ai më pyeti, pasi kisha mbaruar ekzaminimin, se si dukej puna, unë ithashë:
    -Nuk jemi shumë të kënaqur shoku Enver, ju po na e vështirësoni ndjekjen dhe mjekimin tuaj si duhet.
    -E pse kështu? pyeti ai i pezmatuar.
    -Po, ja, i thashë unë, ju vetëm se nuk po dilni në zyrë, sepse s’keni ndryshuar asgjë nga aktiviteti juaj i përditshëm, ndërkohë që keni nevojë të qëndroni kryesisht në shtrat, të paktën për një farë kohe. I mërzitur dhe me një ton pak të rëndë ai ma ktheu,
    -Dr. Bichat-ja jua ka propozuar këtë? (dr. Bichat, ka qenë një klinicist frëng i shquar dhe me këtë emër ai i drejtohej Nexhmijes, kur donte ta vlerësonte për ndërhyrjet në problemet e mjekimit të tij, por edhe kur donte ta ngacmonte). E pse s’ më ndjekërkeni dot, pesë hapa prej këtu jeni, vazhdoi ai me të njëjtin ton.
    -Jo shoku Enver, u mbrojta unë, por po të kishit qenë një qytetar i zakonshëm, me gjendjen tuaj të tanishme, ne do t’ju kishim shtruar në spital. Nuk mund të veprohet ndryshe. Ai heshti për pak. Pastaj, mendueshëm theu heshtjen.
    -Domethënë, jeni të vendosur për këtë, ma ktheu ai me një ton më të zbutur.
    -Po, iu përgjigja unë shkurt. Ai heshti përsëri për pak çaste, m’i nguli sytë me atë shikimin e tij depërtues, sikur donte të më blinte mendimin dhe më tha:
    -Mirë, atëherë, unë po ju propozoj këtë: nuk do të zbres më për të ngrënë në dhomën e ngrënies; do të përpiqem të ngrihem më vonë se zakonisht, do të dal në studio vetëm për 2 a 3 orë para dite; nuk do kërkoj të më sjellin dosjen nga zyra, përveç ndonjë materiali që duhet ta shoh medoemos, por me shokët, në telefon, do të bisedoj. Pasdite vonë, do të dal përsëri, do të pres ndonjë shok për çështje pune, do të rri pak me fëmijët dhe do të ndjek lajmet në TV. Nëse jeni dakord me këtë, atëherë mirë. Gjithë kohën në këtë kat do të më keni.
    -Dakord, shoku Enver, kështu po e lëmë, por do të na lejoni t’ju shikojmë më shpesh, t’ju bëjmë ndonjë analizë dhe elektrokardiogram pak më shpesh. Në të vërtetë ne kishim hallin ta monitoronim, se pajisjet i kishim, por si hap i parë, s’mund të kërkonim më shumë.
    -Po, po! Kështu e keni ju, të merrni gishtin dhe pastaj të kërkoni dorën, ma ktheu ai duke tundur kokën. Me kaq, gjithsesi, ne ishim të kënaqur. Nga përvoja e dinim se ai do t’i përmbahej asaj që thoshte.
    Prof. dr. Ahmet Kamberi
    Edhe pse ai iu nënshtrua regjimit të shtratit, punët, megjithatë, nuk po shkonin mirë. Kolegët tanë që u kthyen nga konsultimet në Paris e Vjenë, nuk na sollën ndonjë propozim të veçantë për diagnozat dhe mjekimin që ne po zbatonim. Madje një propozim i kolegëve kardiologë francezë për përdorimin e një bari për gjendjen e zemrës ishte absurd. Në një farë mënyre ne e mirëkuptuam këtë propozim të bërë prej së largu. Duke mos e parë fizikisht të sëmurin dhe duke u nisur nga gjendja e veshkave, ata përpiqeshin ta lidhnin me këtë përkeqësimin e gjendjes së zemrës. Por ata, me sa dukej, nuk kishin arritur të sqaroheshin se ne e peshonim pacientin 2 herë në ditë, masnim sasinë e lëngjeve që merrte e nxirrte, masnim sasinë e natriumit dhe kaliumit që merrte nëpërmjet ushqimit e nxirrte. Këtë punë e bënte në mënyrë të shkëlqyer infermierja e tij personale Drita Ndoni. Ne ndiqmim me rreptësi jo vetëm ndryshimet e peshës së trupit, por edhe balancin hidro-elektrolitik ditë për ditë. Kjo na mundësonte, t’i përdornim diuretikët në mënyrë racionale. Kështu që këtë propozim ne nuk e pranuam. Propozimet lidhur me trajtimin e parkinsonizmit, nga Parisi dhe Vjena, kishin të bënin thjesht me manovrimin e dozave të barnave që ai po merrte për këtë problem. Sa i përket aritmisë ne kishim përdorur të gjitha alternativat bashkëkohore.
    Pacienti pranoi të monitorohej
    Vënia në regjim shtrati nuk ishte e mjaftueshme për ta ndjekur si duhej, por Pacienti nuk pranonte të monitorohej. Për ta kompensuar këtë në një far mënyre ne linim te dera e dhomës së gjumit gjatë natës deri në mëngjes, njërin nga ndihmësmjekët, me radhë, Fariun, Mondin ose Nexhatin, por kjo nuk ishte zgjidhje. Na u desh të ngulnim këmbë që ta monitoronim me telemetri. Më në fund ai ra dakord që të monitorohej, vetëm gjatë natës dhe jo me telemetri. Mirëpo kjo do të donte që njeri prej nesh të qëndronte brenda në dhomë për të ndjekur monitorin. Dhe kjo detyrë më ra mua.
    Monitorimin e fillonim rreth orës 23, kur ai bëhej gati për të fjetur. Ishte një punë tepër e vështirë. Ulur pranë fundit të shtratit në heshtje të thellë ku asgjë përveç frymëmarrjes së Pacientit nuk dëgjohej, në ngrohtësinë e dhomës dhe në errësirë të plotë përballë ekranit të monitorit me dritëzën e vogël që përvijonte rrahjet e zemrës, përpjekja për të shmangur kotjen ishte vërtetë e detyrueshme. Në mëngjes, në orën 6, Nexhmija ngrihej lehte-lehtë, pa u ndjerë, nga divani në qoshen juglindore të dhomës ku ajo shtrihej, dhe shkonte në dhomën e saj për të marrë një sy gjumë. Kur Pacienti zgjohej, vinte Fariu për ta ndihmuar në tualetin e mëngjesit. Gjatë ditës njeri nga ndihmësmjekët qëndronte te dera e dhomës së tij i gatshëm për ta ndihmuar të ngrihej për të shkuar në studio ose për të njoftuar për çdo shqetësim. Kjo zgjati rreth dhjetë net, kur një ditë sapo ai hapi sytë dhe iu përgjigj “mirëmëngjesit” tim, më tha: -Shiko doktor, kjo nuk vete kështu! Më mirë ma vini atë aparatin që thoni.
    Ky do të ishte vërtet një lehtësim i madh për ne. Tani ne do të kishim mundësi ta monitroronim zemrën e tij 24 orë në 24, kudo, në dhomën e gjumit a në studio. Monitorin telemetrik e kishim vendosur në sallonin e madh pranë dhomës së gjumit. Gjatë ditës qëndronte pranë njeri nga ndihmësmjekët, kurse natën ishte gjithnjë njeri prej nesh. Aty edhe mund të lexonim. Salloni ishte plot e përplot me libra të rinj në frëngjisht, anglisht e italisht.
    Këndej e tutje Pacienti do të ishte në një ndjekje mjekësore intensive dhe do të pranonte në heshtje se sëmundja më së fundi e kishte mposhtur. Me karrocë ai lëvizte nga dhoma e gjumit në studio e anasjelltas. Herë pas here priste ndonjë nga shokët e tij në studio. Një ditë, kjo ka qenë aty nga fundi i marsit, pasi mbarova vizitën më tha: -Si i bëhet me oreksin, mo doktor? S’ më shkon fare. -Pse, ia ktheva unë, mos keni gjë shqetësime nga stomaku? -Jo, jo! tha ai, por këto ushqime që më lejoni ju, pa kripë, janë kashtë fare. -Mund ta zgjidhim këtë shoku Enver, i thashë, mund të hani ato ushqime që ju pëlqejnë. -Si, si? – ma preu ai me një habi të dukshme dhe duke më ngulur sytë tejshkues, – po më lejoni të ha ç’të dua!.. -Vetëm për disa ditë, sa t’ju përmirësohet oreksi, këtë edhe mund ta bëjmë, i thashë unë.. -Ëëë hë!.. ia bëri ai, duke tundur kokën, e mora vesh, tha. Dhe heshti. Nuk mund ta vazhdoja më tej këtë bisedë dhe pas një heshtjeje të shkurtër, duke qenë se kisha mbaruar punë me vizitën, u largova. Në një nga vizitat e mëngjesit në ditët e para të prillit, pasi unë kisha përfunduar ekzaminimin, dhe Isufi po e dëgjonte me stetoskop, ai më pyeti: -Hë, mo doktor, si duken punët. -Në përgjithësi mirë, shoku Enver, thashë unë. Ai nuk u ndie. Kur mbaroi ekzaminimin Isufi, ai iu kthye atij: -Hë mo Isuf, si duken punët? -Shumë mirë, shoku Enver, iu përgjigj Isufi. -Çfarë shumë mirë, mo, ia ktheu ai. Nuk e dëgjove ti, këtë, doktor Ahmetin, që tha “në përgjithësi mirë”. Ne u zumë ngushtë. Isufi, duke qenë me stetoskop në veshë, nuk e kishte dëgjuar përgjigjen time. Por ai na e kurseu vështirësinë. -Mirë, mirë, tha, mund të shkoni tani. Dhe ne nuk e zgjatëm.
    Edhe në këtë gjendje ai ishte shumë i vëmendshëm ndaj personalitetit të mjekëve. Në një nga ato ditë, kur pas mbarimit të vizitës, unë desha ta ndihmoja të mbërthente një kopsë të këmishës që ai po përpiqej ta bënte, ai ma mbërtheu dorën, dhe m’u drejtua i vrënjtur: Doktor, kjo nuk është puna jote! Dhe lejoi, infermieren, Dritën, ta mbaronte atë punë.
    Më 6 prill, që ishte një ditë shumë e bukur, me një diell që shkëlqente dhe me një qiell blu të bukur, ai na kërkoi të dilte përjashtë për një shëtitje. Ne nuk mund të mos ia plotësonim këtë dëshirë. Zbriti me karrocë, qëndroi një copë herë të mirë në oborr me Nexhmijen dhe tha, kur e vizituam në mbrëmje, se ishte kënaqur shumë.
    Më 8 prill në mbrëmje ai priti Ramiz Alinë dhe pati me të një bisedë të gjatë, nga ora 6 deri në 7. Unë isha 3-4 m larg tyre, pasi qëndroja ulur te dera e hapur e studios. Nata kaloi mirë. Ndryshe nga netët e mëparshme, ai pati shumë pak çrregullime të zemrës. Mëngjesi i 9 prillit gdhiu përsëri me një ditë shumë të bukur. Isufi që hyri vetëm në vizitën e mëngjesit na tregoi se sapo kishte hyrë brenda, Pacienti i kishte thënë: -Ditë e bukur sot, Isuf! dhe Isufi, siç kishim rënë dakord më parë, nëse ai do ta kërkonte, i kishte thënë se, nëse dëshironte, mund të dilte për një shëtitje në oborr. Por kjo nuk do të ndodhte. Në orën 9.30 pasi ishte veshur dhe po bëhej gati të mbathte këpucët me ndihmën e Fariut, ai befas, do të binte mbrapsht mbi krevat. Brenda më pak se 15 sekonda nga çasti që Nexhmija do të na njoftonte me interfoni, unë u gjenda brenda në dhomën e tij dhe kur konstatova se zemra e tij kishte ndaluar, filluam së bashku me Fariun procedurën e shpëtimit të jetës. Ndërkohë erdhi edhe Sabiti e pak më vonë edhe kolegët tjerë të Ekipit, të cilët u thirrën me urgjencë. Pas 45 minutash ne kishim arritur ta kthenim zemrën e tij në punë, por jo vetëdijen. Dhoma e tij e gjumit do të shndërrohej shumë shpejt në një njësi të vërtetë kujdesi intensiv. Së bashku me anestezistët, dr. Arben Finon dhe dr. Ilir Ohrin, gjatë 40 orëve në vijim, do të bënim një përpjekje të jashtëzakonshme, për ta mbajtur atë në jetë. Por kjo do të rezultonte e pasuksesshme. Pas dy herëve që e rikthyem zemrën e tij në punë, herën e tretë në orën 02.15 më 11 prill 1985, zemra e tij do të pushonte pakthimisht së punuari.
    Komunikata mjekësore dhe përmbyllja e shërbimit mjekësor
    Menjëherë pas vdekjes së Pacientit, Ekipi u mblodh për të vendosur për komunikatën mjekësore. Prof. Petrit Gaçja, kryetari i Ekipit, i cili erdhi nga një takim që kishte pasur me Ramiz Alinë, na tha se komunikata duhej bërë menjëherë pa pritur përgjigjen e autopsisë. Ai i kishte thënë edhe se si duheshin renditur emrat e anëtarëve të Ekipit, ku përfshihej edhe prof. B. Preza, i cili nuk ishte anëtar i tij, por konsulent si edhe të tjerë specialistë si prof. Gjergj Cepa e prof. Panajot Boga. Anëtarë i Ekipit deri në vitin 1977 kishte qenë edhe ish-mjeku i tij i kahershëm, profesori i nderuar Nikollë Shurbani dhe deri në vitin 1982 prof. Ajli Alushani. Ne nuk u morëm me këtë, meqenëse na erdhi si porosi, por diskutuam në parim se si duhej formuluar komunikata. Ramë në një mendje që ajo do të duhej formuluar në mënyrë të tillë që të linte të kuptohej qartë se sëmundja e tij kishte qenë e gjatë, se kishte pasur probleme me zemrën, mënyra se si i kishte ardhur vdekja dhe përpjekjet që u bënë për ta shpëtuar. Ekipi më ngarkoi mua ta shkruaja atë.
    Unë u ula dhe e shkrova komunikatën, duke mbajtur parasysh që të ishte sa më e shkurtër që të qe e mundur, i rendita emrat e anëtarëve të ekipit ashtu si na kishte thënë prof. Gaçja dhe firmosa pranë emrit tim. Atë e firmosën edhe Sabiti e Arbeni, të cilët po më prisnin. Në orën 04.30 ia paraqita atë Haxhi Kroit në Komitetin Qendror, shefi i Kabinetit i Sekretarit I. Atij i mjaftoi që komunikatën po ia bija unë si përfaqësuesi i Ekipit dhe nuk më bëri vërejtje se pse nuk ishte firmosur nga të gjithë. Bëri 2 a 3 korrigjime drejtshkrimore me laps dhe e dha menjëherë për daktilografim. Haxhiu më ktheu pastaj dorëshkrimin së bashku me një kopje të daktilografuar. Kjo komunikatë u transmetua atë ditë nga ATSH-ja dhe radiot e televizioni. U ktheva menjëherë në dhomën tonë të punës, hodha shënimet për veprimet që kishim kryer gjatë trajtimit dyditor të Pacientit në dosjen e tij klinike dhe bëra shënimet përmbyllëse. Shkrova pastaj fletëpërcjelljen për në shërbimin e Anatomisë patologjike, të cilën do t’ia tregonim prof. Pëllumb Bitrit, para se ai të bënte autopsinë. Mblodha të gjithë dokumentacionin mjekësor që ne kishim në dhomë dhe ia dorëzova Dritës (Ndoni) që ta sistemonte në kasafortën ku ruheshin dokumentet mjekësore të tij në infermieri. Me këtë do të përfundonte edhe detyra jonë ndaj Pacientit.
    Post hoc
    Enver Hoxha kishte vdekur. Më pas do të vinin edhe përpjekjet për të varrosur atë epokë historike të Shqipërisë. Popullin shqiptar, të cilin ai e kishte gjetur në një prapambetje mesjetare, që banonte së bashku me bagëtinë dhe hante me kafshatë e gishtërinj në një sahan të përbashkët; analfabet, me një varfëri të skajshme, shumëkund pa gropa septike, që ndriçohej me pishë e kandil; shëndetlig, me jetëgjatësi të shkurtuar nga malaria, tuberkulozi, sifilizi, difteria, morrat, zgjebja, dermatomykozat, tifoja, dizenteria, kequshqyerja e gjakmarrja; të pushtuar nga Italia fashiste dhe të tradhtuar nga krerë të tij, po e linte të shkolluar, të ditur, të ndriçuar me energji elektrike, të shëndetshëm, me një jetëgjatësi mbi 2 herë më të gjatë, 3 herë më të madh në numër, në prag të qytetërimit modern dhe të aftë për të përdorur teknologjinë më të përparuar të kohës, por edhe të izoluar e me plagë të dhimbshme. Ky popull, pasi e përcolli me vajtim e kuje për në banesën e tij të fundit, ku do të prehej përkohësisht midis atyre që kishte udhëhequr në luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk do të shqetësohej nga zhvarrosja prej kundërshtarëve të tij dhe hapja e arkivolit me tritol. Por do t’i nënshtrohej një manipulimi të ri dhe, duke kujtuar se ashtu ishte më mirë, do të shkatërronte të mirat që për 45 vjet kishte krijuar e ndërtuar me duart, djersën, mundin e mençurinë e vet: fabrika, uzina, miniera, kanale ujitëse, hidrovore, argjinatura e ndërmarrje bujqësore, magazina, muzeume, biblioteka, shtëpi kulture, çerdhe, kopshte e qendra shëndetësore, do të shfaroste plantacionet e shumta me drunj frutorë etj, etj…dhe do të zgjidhte një tjetër rrugë nga ajo që kishte ndjekur me të.

    Reply
  • Fejzi says:
    October 5, 2025 at 5:39 pm

    Eshte shume qesharake deri sarkastike qe edhe sot pas afro 40 vjetesh te lexosh peralla te tilla me dr. Ahmetin apo dr. Isufin e co. Keta dibranet duke qene shume te lidhur jeri me tjetrin dhe si mjeshtra te mashtimit dhe dinakerise , revokojne pa fund ca shkrime bajate te ca njerezve qe me plot gojen nuk kane pasur asnje vlere, pavarsisht se ku kane punuar , atje ku fati apo ratesia i ka cuar.
    Ky ka qene nje mjek ne Peshkopi dhe nje dite te bukur e gjen veten, pas nje specializimi ne Tirane, ne Kliniken speciale. pasi ka arrdhur verdalle atje ca vite me stetoskop e elektrokardiograma neper duar , si dibran qe ka qene eshte perzgjedhur nga Nexhmija te futej ne shtepi te Enver Hoxhes.
    KY mundohet te tregoj se ka bere shkence dhe eshte rritur profesionalisht duke ardhur rrotull koridoreve te shtepise se Enver Hoxhes, dhe ne kete menyre behet karagjoz , si nje dallkauk , mburavec e, i peshtire .
    Ne pergjithesi narativa qe perdor eshte me shume FAKE se sa reale.Ka tendenca te shumta te nje vetmburje fshatareske.
    Shtepine e Enver Hoxhes e ka patur si vend rroje dhe ka qene atje si ushtar i vijes se pare qe te bej ndihmen e shpejte sa te vijne te tjeret qe qene kardiolog me me eksperience. Ky ka shkruar liber ne kohen kur asnje nga mjeket e deshmitaret e asaj pune kane qene gjalle.
    Nuk dua te them se ajo qe ka bere ka qene elehte , jo absolutisht se te ikte koka per nje gje te vogel, por shpeblimet per ate i kane marre si kur enveri ishte gjalle edhe pas vdekjes me Ramizin.
    Eshte shume manipulues ne te trajtuar te ceshtjes ,ben sikur sa i rendesishem ka qene atje brenda , etje ,e tje.
    Tju them nje te vertete Edhe ky A. Kamberi edhe S. Brokaj kane qene dy kardiologe qe nuk asnje stazh prene krevatit te te semurit, absolutisht jo . Puna e tyre si klinicist ka qene fare , fare minimale dhe keshtu nuk kane patur rast te tregojne profesionalizem. Keta ishin dhe mbeten mjek te Entry Level , dhe asnje gje me teper, Profewsorewt e kardiologjise kane qene te tjeter qe qene klinicist dhe petagog ne fakultetin e Mjekesise, por jo keta.
    Mos shkruani me nga keto peralla se jeni bere bajat mos lini nam duke thene se ky A. Kamberi ka qene kardilog i shquar se eshte turp . Rrahmet paste atje ku prehet! Tung!

    Reply
  • Ilirjani says:
    October 6, 2025 at 8:09 am

    Profesot Kamberi ishte vertete nje mjek profesionist padiskutueshe, por mbi te gjitha njeri me vlera te rralla dhe qytetar model. U prehtë ne paqe dhe i ndritte shpirti.

    Reply
  • Fejzi says:
    October 6, 2025 at 4:05 pm

    Jam nga ata qe kam dijeni dhe ne kujtese akoma rreth fakteve qe permenden ne kete rubrike dhe problemeve te kesaj natyre. Kuptoj shume mire se cfare eshte sajese e kote dhe pavlere ne shkrimin e dr. Ahmetit dhe cfare e vertete.
    Eshte e bukur se 2-3 ditet e fundit te jetes se Enver Hoxhes i ka pershkruar me hollesi sipas tij dhe dr. Sabit Brokaj , ku ai per cudi mundohet te vetmburet duke paraqitur protogonizmin e tij ne ngjarjet e atyre 2-3 diteve te fundit. Sikur ai e drejtoj gjithe cfare ndodhi dhe cdo gje qe nen duarte e tij , etjera e tjera…
    Te njejten gje ben edhe Ahmet Kamberi, mundohet te tregoj se ai i kreu te gjitha procedurat e atyre 2-3 diteve ,te gjitha formalitet si mjeksore dhe proceduriale , pra mundohet te tregoj dhe te mbetet ne histori se ky qe njeshi i asaj pune.
    Ke te besojme tani njerin apo tjetrin??? Te dy mburavece , nivel medioker shkencor dhe shoqeror.
    Une nuk dua te them se dr. Ahmet Kamberi nuk ishte askushi atje, …Jo , Jo ishte me detyre kardiolog ne sherbim turni 24 oresh te banesen e Enver Hoxhes. I shte i pari qe merrte sinjalin kur qe ne vend rroje dhe sa te mblidhej ekipi duhet te bente trajtimet e ndihmes se pare mjeksore .Keto ishin protokolle te percaktuara.
    Nje gje te thjeshte dua tju tregoj dhe te tjerat i nenkuptoni vet:
    Ky , Ahmet Kamberi permend shpesh ne narativen e tij qe sikur i drejtohej me shoku Enver. Fjalen Enver , ne prezence te tij e perdorte vetem Nexhmija dhe askush tjeter nuk i drejtohej me sh. Enver , por shoku Komandant.
    Me emer i ka folur Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Babe Myslimi ….. dhe kaq , e askush tjeter nuk permende emer.
    Niveli i sherbimit mjeksor edhe i EnverHoxhes ,ishte ai qe ishte sipas kohes qe jetoj dhe rrethanave qe diktonte politika e tij. Harxhime beheshin, por mos kujtoni se kushedi se cfare behej , apo behej nami … Jo ,jo Mos kutoni se kushedi sa me profesionalizem kane vepruar keta mjek …. Kane bere ate qe kane ditur, e si e kane ditur, por e keqja nuk i erdhi nga keta , ekeqja ishte brenda se diabeti i tij ishte i theksuar dhe ne ecurine e kohes e vuri posht nga an shendetesore shume.
    Pra ,dua te theksoj qe keta duan te mbeten ne histori se kane bere nje kryeveper ato dite dhe secili flet per vete e behet qesharak.
    Ne katedren e kardiologjise ka patur disa mjek e profesor kardiologjie, qe Ahmet Kamberi nuk ju afrohej fare , ishte inferior ndaj tyre. Angazhimi i tyre ditor ishte kompleks , me shume halle e probleme qe deshen kujdese e finese te madhe , se ishte hall i madhe cdo gje . Do mendoje shume mire cdo fjale qe nxirrje nga goja., dhe per kete keta ishin mjeshtra , sidomos Isufi ishte krye mjeshter.
    Meqense kane ikur nga kjo bote , meritojne te kujtohen per mire , por mos beni trajtime superlative se nuk kane disponuar asnje vlere te atille profesionale, ju siguroj as pak , dhe ne vecanti ky .

    Reply
  • T'i themi gjerat sic jane says:
    October 7, 2025 at 7:35 pm

    Te njejtat gjera thone ca per Duçen: thau kenetat, ndertoi rruge e hekurudha, zhvilloi vendin, zhduku mafjen… per Hitlerin: ngriti ekonomine, nxori Gjermanine nga kriza, zhduku papunesine, ndertoi autostradat etj, per Frankon ne Spanje, per Pinoçetin ne Kili e per te gjithe me radhe. Me sa duket lirite themelore te njeriut (te kercenuara sot ne Shqiperi), shteti ligjor (qe nuk e kemi), jane koncepte abstrakte qe te bien ndermend vetem kur te troket Sigurimi ne mes te nates me ne emer te popullit je i arrestuar. Konkluzioni i vepres se Enver Hoxhes ishte ikja nga syte kembet e shqiptareve ne ambasada dhe anije me lemeri. Ai sistem e la shqiptarin lakuriq, pa prone, pa plang, pa katandi ne mes te Europes dhe pergatiti terrenin pjellor per kete ndyresine e sotme qe e quajne demokraci.

    Reply
  • Dibrani says:
    October 12, 2025 at 4:28 pm

    Sot , nje ish neurokirurg, te cilin une nuk e kam njohur e degjuar ndonje here, ka shkruar nje artikull perkujtimor per doktorin e nderuar Arian Xhumara. Nje njeri i shkelqyer dhe super profesionist.
    Nuk shkon qe ju dr. Ahmeti te jeni ne te njejten kohe dhe per te njejten arsye atje ku eshte dr. Arian Xhumara. Po te ishe gjalle edhe vet do thoje se ka nje diference te madhe shume midis ketyre dy emrave, te cilat kane te perbashket vetem se kontributet e te dyve jane ne fushen e mjekesise.
    Ti ke qene nje medioker ,pavarsisht se ke qene mjek rroje ne shtepine e Enver Hoxhes , kur se dr. Arian Xhumara ishte talent.
    Kaq mjafton se nuk kemi se cfare te themi tjeter.

    Reply
  • Abdul Dibra says:
    October 26, 2025 at 9:27 pm

    Duke kujtuar enveristet, duket se pjesa enveriste e Dites eshte e fuqishme,besoj ne financim dhe lobim.Ahmet Kamberi ishte nje enverist deri ne diten e fundit te jetes.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Gonxhe: Protestat po dëmtojnë turizmin, operatorët raportojnë shqetësim
  • Po ja iku ky, kush do vijë?! Makthi i një pushteti në rrokullisje
  • “Ç’doni këtu, po flet broçkulla? Kushner po arrin një m*t” – Rama nuk përmbahet me gazetaren amerikane
  • 15 qershor 2026
  • Deputetja e qarkut të Shkodrës, Marjana Koçeku, njofton largimin nga Partia Socialiste

Komentet e Fundit

  1. Gani USA on “Ç’doni këtu, po flet broçkulla? Kushner po arrin një m*t” – Rama nuk përmbahet me gazetaren amerikane
  2. E on “Ç’doni këtu, po flet broçkulla? Kushner po arrin një m*t” – Rama nuk përmbahet me gazetaren amerikane
  3. ILIR on “Ç’doni këtu, po flet broçkulla? Kushner po arrin një m*t” – Rama nuk përmbahet me gazetaren amerikane
  4. Enxhi Sulo on “Ç’doni këtu, po flet broçkulla? Kushner po arrin një m*t” – Rama nuk përmbahet me gazetaren amerikane
  5. Y on “Ç’doni këtu, po flet broçkulla? Kushner po arrin një m*t” – Rama nuk përmbahet me gazetaren amerikane

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?