Banorët e portit magjepsës të Meksikës, Akapulko dhe qyteteve bregdetare përreth, janë përgatitur për mbërritjen e uraganit Otis, i cili ka mundësi të sjellë pasoja katastrofike.
Ky uragan i kategorisë 5 ka kthyer kujtimet e stuhisë së vitit 1997, e cila i vrau dhjetëra njerëz.
“Një skenar makthi po zhvillohet për Meksikën jugore këtë mbrëmje, pasi Otisi po i afrohet bregdetit me shpejtësi të madhe”, tha shërbimi meteorologjik amerikan, Qendra Nacionale e Uraganit, të martën vonë.
Akapulko është qytet me mbi një milion banorë në fund të bjeshkëve. Shtëpitë luksoze dhe lagjet e varfra e mbulojnë pjesën bjeshkore të qytetit me pamje nga Oqeani Paqësor. Otis pritet të mbetet uragan i kategorisë 5 gjatë mbërritjes në tokë, por pastaj parashikohet një dobësim i shpejtë i tij për shkak të terrenit të lartë të Meksikës. Me gjasë, Otis do të zhduket në jug të Meksikës gjatë të mërkurës mbrëma.
Në Akapulko, njerëzit u ngutën për t’u strehuar nëpër shtëpitë e veta pasi shiu i madh dhe erërat e forta filluan pareshtur, duke i detyruar turistët ta braktisin plazhin.
Kryetarja e Akapulkos, Abelina Lopez, iu bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e veta, apo të shkojnë që qendrat strehimore të qytetit.
Ajo tha se Otisi mund të jetë uragan më shkatërrues se uragani Pauline, i cili e goditi këtë vend më 1997, duke shkatërruar pjesë të qytetit dhe duke i vrarë më shumë se 200 njerëz. Qindra të tjerë ishin lënduar nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut. Presidenti i Meksikës, Andrea Manuel Lopez Abrador, u bëri thirrje qytetarëve përmes një postimi në rrjetin social X të shkojnë në “qendrat strehimore, në vende të sigurta larg lumenjve, përrenjve, luginave dhe të jenë të vëmendshëm”.
Ushtria e Meksikës i ka zhvendosur më shumë se 8.000 trupa në Akapulko me pajisje të specializuara për të ndihmuar ekipet e shpëtimit. Autoritetet e mbyllën portin e Akapulkos, i cili ka 300 anije peshkimi. \Rel\
