Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj. Bashkëngjitur kërkesës për ekstradim është vendosur edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, si person që dyshohet se ka kryer 7 vepra penale.
Ndaj tij, SPAK ka ngritur veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Beqiraj kërkohet nga SPAK lidhur edhe me abuzimet me tenderat e AKSH-it. Ndërkohë, dy ditë më parë, SPAK kërkoi sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit Beqiraj me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, një kështjelle në departamentin e Oise rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj.
Arrestimi në Francë
Krahu i djathtë i Ergys Agasit, u ndalua pasi u kap nga forcat ajrore franceze duke pilotuar një avion të vogël privat, mbi një central bërthamor, pranë Normandisë. Beqiraj kishte hipur në avionin e vogël privat në aeroportin “Albert” në veri të Francës dhe ka fluturuar fillimisht drejt zonës së Kalesë, pranë kanalit La Mansh. Më pas ka zbritur në krahinën e Bretanjës, për tu rikthyer drejt Normandisë, por fluturimi i tij është pikasur nga forcat ajrore franceze ndërsa ndodhej mbi centralin bërthamor të Penly, pasi avioni i tij është ulur nën kuotën e lejuar.
Konkretisht, avioni me të cilin po fluturonte Beqiri ishte në një lartësi prej afërsisht 1,200 metrash, por papritmas ai uli avionin nën kuotën e lejuar dhe avionët ushtarak i janë afruar menjëherë dhe e kanë shoqëruar deri në aeroportin e Albert, ku dhe nga ishte nisur. Sapo zbriti në pistë, biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK u arrestua dhe u dërgua në paraburgim.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti Beqirajt në trup 3 “AirTag” të fshehura në rroba, të cilat janë pajisje gjurmuese të vegjël të kompanisë “Apple”, që lejojnë gjurmimin e kujtdo që e mban me vete. Për autoritetet franceze, biznesmeni ka thënë se gaboi me lartësinë e fluturimit, pasi në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën.
Si pasojë, Beqiri u gjobit me 7 mijë euro për shkeljen e hapësirës së ndaluar dhe më pas iu dorëzua autoriteteve për procedurat e mëtejshme, përfshirë ekstradimin. Nëse ekstradimi drejt Shqipërisë, do të ketë pëlqimin e tij, mund të bëhet brenda disa javësh, por nëse kundërshtohet, duhet të marrë vendim të formës së prerë nga gjykatat franceze, dhe mund të zgjas deri në disa muaj.
Më herët Beqirajt i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare, mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete. Objektet e sekuestruara të tij janë: Truall me vendndodhje në Green Coast, Vlorë; Truall me vendndodhje “Hoxha Tasim”, Tiranë; Ndërtesa dhe truall nr. 5/3; Truall dhe ndërtesë nr. 38/36, Rolling Hills Tiranë Apartament në Golem, Kavajë; Mjet lundrues Yacht “Skyfall”; Subjekti “S.S” sh.p.k.; Subjekti “H” sh.p.k.; Njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”; Automjete dhe motomjete sipas regjistrave; Të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve.
Hetimet e SPAK për tenderat e AKSHI-t
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Për drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Kërçanaj, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri janë caktuar masat e sigurisë “arrest me burg”.
Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, zbarkuan në ambientet në pronësi te biznesmenit Agasi. Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, banesave në Durrës e Tiranë, si dhe bizneset që zotërohen Ergys Agasi.
Po ashtu është dhënë masë pezullimi nga detyra dhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. SPAK gjithsej ka vendosur në masë sigurie 8 persona që janë Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta.
Akuzat kryesore të SPAK janë grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë. Prokuroria e posaçme prej gati një viti po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje. Ndërkohë personat e përmendur më sipër, por dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa, por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
j.l./ dita
