Nga Johana Lubonja
Komuniteti i drejtësisë dhe ai mediatik në Shqipëri janë tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të avokatit të njohur penalist, Saimir Vishaj, në moshën 60-vjeçare.
Vishaj u nda nga jeta në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhej prej disa ditësh në gjendje kritike dhe i intubuar, si pasojë e dëmtimeve të rënda trupore nga një rënie aksidentale nga shkallët në banesën e tij. Pavarësisht përpjekjeve intensive të ekipit mjekësor, ai nuk mundi t’u mbijetonte traumave.
Sfidat shëndetësore dhe rrëfimi prekës për braktisjen
Ndarja e tij nga jeta vjen pas një periudhe veçanërisht të trazuar dhe plot sfida njerëzore. Disa muaj më parë, Vishaj pësoi një përkeqësim të rëndë shëndetësor pasi u diagnostikua me një sëmundje të rëndë onkologjike (kancer).
Pasi kaloi javë të tëra në gjendje kome dhe i intubuar, ai arriti të rikuperohej dhe të mposhtte sëmundjen e rëndë – një ngjarje që ai vetë e konsideroi si një “rikthim nga vdekja”.
Megjithatë, fitorja mbi sëmundjen u pasua nga një goditje e rëndë në jetën e tij private. Përmes një postimi publik në rrjetet sociale që u përhap me shpejtësi në media, Vishaj bëri me dije se pas 35 vitesh martesë, bashkëshortja e tij kishte vendosur të divorcohej me anë të një procesi gjyqësor.
Në rrëfimin e tij të drejtpërdrejtë dhe mjaft emocional, ai u shpreh se ndihej i tradhtuar nga mënyra se si përfundoi marrëdhënia e tyre pikërisht në momentin më kritik të jetës së tij:
“Ja pra, kjo është vetmia: që kur të zë një sëmundje, ish-gruaja ikën me vrap duke e lënë në vetmi atë që kishte 35 vjet që bashkëjetonte. Kur ishim mirë, s’kishte vetmi, tashmë vetmia u ul këmbëkryq në shtëpinë time…”
Deklarata e tij nxori në pah jo vetëm dramën personale familjare, por nxiti edhe një debat të gjerë publik mbi vetminë, mbështetjen bashkëshortore dhe sfidat psikologjike që përjetojnë pacientët që u mbijetojnë sëmundjeve të rënda onkologjike.
Karriera në drejtësi
Saimir Vishaj ka qenë prej gati tri dekadash një prej zërave më dinamikë dhe personave më figurativë të sistemit gjyqësor shqiptar. Si kryetar i Dhomës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, ai u dallua për qëndrimet në mbrojtje të të drejtave të avokatëve, kritikave ndaj reformës në drejtësi dhe përfaqësimit të disa çështjeve me ndjeshmëri publike.
Kolegë, juristë dhe persona të jetës publike kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen, duke çmuar kontributin e tij profesional.
DITA
