Në kuadër të një hetimi për pastrim parash që lidhet me kabllo bakri të vjedhura, policia italiane ka bllokuar pasuri që kapin vlerën e përafërt prej 5 milionë eurosh.
Sipas hetimeve, kabllot e bakrit me izolim PVC u merreshin gjatë transportit nga pak në çdo ngarkesë atyre që e kishin porositur.
Gjatë tre viteve të fundit janë vjedhur nga ky grup rreth 900 ton produkt i përpunuar, një sasi e barabartë me një kabllo të gjatë 10,000 kilometra, mjaftueshëm për të lidhur Romën me Qytetin e Meksikos.
Hetimi nisi pas kallëzimit të një kompanie vendase, e cila kishte vërejtur humbje anormale peshe gjatë operacioneve të “rigjenerimit” të materialeve.
Bakri njihet edhe si “ari i kuq” dhe vlen akoma më shumë kur ka edhe izolimin plastik PVC.
Hetuesit zbuluan me dron dhe përgjime se një shofer i ngarkuar me transportin e kabllove, ndalonte përherë në të njëjtën pikë, ku një ekip profesionistësh shkarkonte një pjesë të mallit.
