Mbi 30 mijë maturantë në të gjithë vendin do të zhvillojnë ditën e nesërme (7 qershor) provimin e dytë të detyruar në lëndën e Gjuhës shqipe dhe letërsisë, i cili do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.
Për të shmangur përjashtimin, autoritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit sqarojnë se maturanti apo kandidati, duhet të ketë me vete në ditën e provimit vetëm dokumentin e identifikimit, si dhe një stilolaps për të plotësuar testin.
Për maturantët që do të konstatohen me celular në ambientet e provimit, autoritetet sqarojnë se do të përjashtohen nga provimi. Këta do të kenë mundësi që të rijpain këtë testim vetëm gjatë sezonit të vjeshtës, duke humbur kështu mundësinë e konkurrimit për universitetin për kuotat që do të plotësohen gjatë Raundit të parë të pranimeve.
“Nuk duhet të keni me vete asnjë mjet tjetër që nuk shërben për provim. Maturanti/kandidati, i cili paraqitet në qendrën e provimit dhe/ose konstatohet gjatë provimit me celular përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës”, thuhet në rregulloren e Maturës shtetërore 2023 të miratuar nga MAS.
Çfarë duhet të bëni pasi merrni testin
Maturanti/kandidati pasi merr testin, kontrollon gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe, etj), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z.
Nëse vërehen parregullsi kërkon test tjetër nga AP, dhe duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit.
Plotësimi i testit të Maturës
Maturanti/kandidati plotëson testin me një ngjyrë (të zezë ose blu).
Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidati rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë.
Nëse maturanti/kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë.
Çfarë duhet të bëni pasi mbaroni provimin
Maturantët/kandidatët, kur e dorëzojnë testin, nënshkruajnë për dorëzimin e tij në listën që disponon AP.
Maturantët/kandidatët që e dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit përpara kohës së përfundimit të testit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit në një mjedis të përcaktuar më parë.
Piket për te kaluar
Testi për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore 2023 vlerësohet me 60 pikë maksimale. Për të qenë kalues duhet të merrni 25 për qind të këtyre pikëve. Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2023, i rijapin provimet në sesionin e dytë të vjeshtës.
p.k\dita
