Nga Janusz Bugajski
Ekskluzive nga SHBA për DITA
Viti 2024, si vit në të cilin do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale në SHBA është, gjithashtu, një vit shumë i rëndësishëm për politikën e jashtme amerikane. Krizat që janë shpalosur njëkohësisht në disa rajone do të vënë në provë unitetin e Perëndimit dhe vendosmërinë e SHBA-së.
Për më tepër, këto sfida vijnë në një kohë kur Amerika ka gjasa të jetë përballë një gare zgjedhore të përsëritur mes Biden dhe Trump, çfarë do ta përshkallëzojë polarizimin dhe radikalizimin e brendshëm.
Sfida më e madhe e vitit 2024 do të jetë se në mënyrë sa efektive SHBA dhe aleatët e saj do të mund ta armatosin Ukrainën dhe do t’i mundësojnë Kievit të rimarrë të gjitha territoret e veta, që ndodhen nën pushtimin rus. Në fillim të këtij viti të ri, do të vendoset nëse SHBA do ta përforcojë mbrojtjen e Ukrainës me një pakete financiare prej 61 miliardë dollarësh.
Ndonëse disa republikanë pro-Trump në Dhomën e Përfaqësuesve e kundërshtojnë këtë ndihmë ushtarake, republikanët e hershëm në Senat e kuptojnë rëndësinë imediate të mposhtjes së Rusisë. Ata theksojnë se gjysma e ushtrisë ruse, tashmë, është shpartalluar me një ndihmë më të ulët se 5% e buxhetit vjetor për mbrojtje të Amerikës. Kjo është një mundësi historike, e cila duhet të kurorëzohet me disfatën e plotë të Rusisë.
Sfida që paraqitet në Lindjen e Mesme është më komplekse. Në luftën mes Izraelit dhe Palestinës, Uashingtoni duhet të mundësojë eliminimin e rrjetit terrorist Hamas që kontrollon Gazën, duke minimizuar numrin e viktimat civile që kanë ngecur në mes të ofensivës të ndërmarrë nga forcat izraelite.
Kjo është e vështirë sepse Hamasi organizon sulme terroriste, teksa fshihet pas popullatës civile. Kështu, kur Izraeli kundërpërgjigjet, ata pretendojnë kryerjen e krimeve të luftës. Prandaj sfida më e madhe për SHBA-në është të bindë palët për zgjidhjen me dy shtete dhe të krijojë një shtet palestinez, por duke e penguar qeverinë e re të përgatisë terrenin ushtarak për sulme të ripërtërira ndaj Izraelit.
Ai që fshihet pas konfliktit të Gazës është Irani, fuqia më e madhe rajonale që kërkon shkatërrimin e Izraelit. Gjasat për luftë të mirëfilltë midis SHBA-së dhe Iranit, në vitin 2024, do të shtohen, veçanërisht nëse Teherani bind Hezbollahun të hapë një front të dytë kundër Izraelit në Liban dhe vijon të furnizojë me armë milicinë Houthi, në Jemen, që këta të sulmojnë anijet tregtare perëndimore.
Gjendja do të përkeqësohej edhe më tej, nëse Irani fillon të shënjestrojë anijet në Ngushticën e Hormuzit, një pikë ku mund të mbyten shumica e cisternave të naftës të nisura nga Gadishulli Arabik. Kjo do të rriste në mënyrë domethënëse çmimet e energjisë në botë.
Një skenar edhe më i rrezikshëm është që Teherani të pasurojë mjaftueshëm uran sa të mundet të ndërtojë armë bërthamore, çfarë do i bindte si SHBA-në ashtu edhe Izraelin të shkatërronin objektet bërthamore të Iranit, në mënyrë që të shmangin shantazhet bërthamore të shtetit teokratik.
Nëse në ndonjë nga vendet e shënjestruara nga regjimi i Vuçiçit gjendja përshkallëzohet në dhunë, atëherë Ballkani Perëndimor mund të bëhet, sërish, një prej prioriteve të SHBA-së. Analistë të ndryshëm kanë parashtruar një sërë skenarësh që mund të çojnë në ndezje të situatës.
Por një rrezik shtesë mund të jetë duke u formësuar brenda vetë Serbisë. Një goditje e dhunshme e qeverisë ndaj protestuesve anti-qeveri mund të shoqërohet me kërkime për agjentë të dyshuar të huaj në shtetet fqinje dhe me provokime, për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake të Serbisë në to si dhe për të hequr vëmendjen nga trazirat e saj të brendshme.
Teksa këto konflikte të nxehta shpalosen, Kina do të vijojë të jetë një kërcënim në sfond, duke hetuar për mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje rajonale dhe duke përllogaritur aftësitë diplomatike dhe ushtarake të SHBA. Pekini është i gatshëm ta marrë Tajvanin, por ndërhyrjen ushtarake do ta programojë në varësi të zhvillimeve në konfliktet e tjera, si dhe në varësi të nivelit të unitetit të Perëndimit dhe ndikimit global të Uashingtonit.
Politika e jashtme e SHBA-së do të mbetet në hije prej zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Rezultati i gjykimeve të shumta të Trump-it do të vendosë nëse ish-presidenti do të jetë një kandidat ligjërisht i përshtatshëm. Skualifikimi i mundshëm i tij do t’i radikalizonte edhe më mbështetësit e tij, çfarë mund të degradojë në dhunë ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe institucioneve shtetërore.
Nëse Trump nuk shkon në burg për krime të shumta financiare ose për planifikimin e një kryengritjeje në janarin e 2021-it, rizgjedhja e tij nuk është e pamundur. Biden vijon të humbë mbështetje në popull. Në fakt, shumë demokratë besojnë se ai është shumë i vjetër në moshë për të qenë president.
Një pjesëmarrje e ulët e votuesve në zgjedhjet e nëntorit do ta favorizonte Trumpin, baza mbështetëse e të cilit i ngjan një kulti, të devotshëm ndaj udhëheqësit të tyre suprem dhe që nuk iu shkon mendja se ai edhe mund të gabojë.
Një tjetër mandat presidencial për Trumpin ka të ngjarë ta çojë Amerikën drejt izolimit. Ai nuk do të mund të pengohej më nga strukturat republikane dhe do të emëronte në poste besnikët e vet radikalë.
Kërcënimet e Trump, për sa i përket politikës së jashtme, përfshijnë largimin nga NATO, tërheqjen e trupave amerikane nga Europa, lejimin e Rusisë që të mbajë territoret e pushtuara të Ukrainës dhe uljen e mbështetjes për Izraelin dhe Tajvanin. Kjo, gjithashtu, do ta inkurajonte Beogradin që të ndiqte agjendën e hegjemonisë rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Të gjitha këto do ta dobësonin në mënyrë domethënëse ndikimin e Amerikës në nivel global, do të zhbënin aleancat e saj ndërkombëtare dhe do të inkurajonin të tjera rende diktatoriale të ndiqnin ambiciet e veta. Në këtë rast, viti 2024 do të ishte pararendës i një epokë konflikti global apo edhe i një Lufte të Tretë Botërore shumë-rajonale.
©Copyright Gazeta DITA. Përktheu nga anglishtja, prof.Edona Llukaçaj
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016