Nga Uran Butka
Fredi Beleri është një personazh i errët, por mjaft i njohur në Shqipëri dhe në Greqi, një veprimtar i shpallur i Sillogjeve të të ashtuquajturit Vorio-Epir dhe i Helenizmës. Atëherë, pse e zgjodhi Sali Berisha si kandidat të koalicionit “Bashkë fitojmë” për kryetar bashkie në Himarë, kur ai e njeh mirë jo vetëm historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe të veprimtarive të sillogjeve vorio-epirote, por edhe historinë personale të Fredi Belerit?
Pak histori…
Në vitin 1913, pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër i dha Greqisë padrejtësisht Çamërinë dhe krahinat e tjera shqiptare, Janinën, Konicën, Kosturin, Follorinën etj., pas përpjekjes për të vetëshpallur autonominë e të ashtuquajturit Vorio -Epir më 1914, që përfshinte edhe Himarën, një akt kundër shtetit shqiptar nga ana e agjentëve të Greqisë Jorgo Zografi, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, kapitenit të ushtrisë greke Spiro Milo e të tjerë, me mbështetjen e kryeministrit grek Venizelo, ushtrria e rregullt greke dhe bandat e andartëve, me vrasës, kriminelë dhe hajdutë, që u liruan enkas nga burgjet e Athinës dhe të Kretës, të organizuar në të ashtuquajturit “Batalione të shënjta”ose “Hierollohite”, të ndihmuar edhe me shtetas shqiptarë ortodoksë në shërbim të Greqisë, pushtuan më 1914 krahinat e Shqipërisë juglindore dhe jugore për ta bashkuar atë me Greqinë, duke vrarë, djegur dhe shkatërruar gjithçka.
Kështu u dogjën mbi 300 fshatra në Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Këlcyrë, Korçë, Leskovik e Kolonjë, Skrapar etj. Mes fshatrave që grekët dogjën deri në shtëpinë e fundit, ishte edhe Frashëri i Abdylit, Naimit Samiut. Kështu, mbi 100.000 banorë të këtyre zonave të përzënë me dhunë nga vatrat e tyre, u kthyen në muhaxhirë dhe mbi 4.000 prej tyre vdiqën nga uria dhe sëmundjet, si dhe dëme ekonomike të pallogaritshme. Në fshatin Hormovë ushtarët grekë dhe andartët vranë 217 burra mbi fshatin Kodër, në Panarit therën me thika 340 burra, gra e fëmijë dhe trupat e tyre i hodhën në një humnerë, në fshatrat e Përmetit, Pacomit dhe Kuqar vranë 75 burra dhe 40 gra, ndërsa 27 fëmijëve ju prenë kokat dhe i hodhën në një pus, ngjarje që i ka pasqyruar prifti shqiptar Kosta Papa Tomorri në librin “Barbaritë greke në Shqipëri” dhe shtypi i asaj kohe.
Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos shkruante mbi puçin e 2 prillit 1914 të andartëve grekë të fshehur në Mitropoli, për ta marrë Korçën nga brenda, ndërkohë që ushtria e rregullt greke me ne krye kapitenin Vardhas marrshonte për në Korçë, por çetat e Sali Butkës e thyen më 29 prill në betejën e Nikolicës, ku u vranë edhe dy luftëtarë struganë Bajram Coma dhe Demisha Hoxha, si edhe Sali Butka u plagos dhe u verbua në njërin sy, ndërsa Vardhas u plagos e vdiq rrugës për në Greqi.
Kryengritjen brenda në Korçë e shtypi Themistokli Germenji e Kajo Babjeni. Nga shqiptarët mbetën të vrarë 26 patriotë, mes tyre, Papa Llambro Ballamaçi, Sotir Ballamaçi, Vasil Tallabaku, Vangjel Balajana, Vasil Face, të rënë për shkak të mësimit të gjuhës shqipe. Iu shtuan martirëve të Petro Nini Luarasi e Papa Kristo Negovani edhe këta dëshmorë të shqipes.
Politika shoviniste greke shkelte mbi miqësinë e respektin tradicional midis dy popujve.
Rreth këtyre ngjarjeve mikja e shqiptarëve Edith Durham shkruante: “Nuk mund t’i besoj ato që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe dhe grekët edhe sikur një shekull të tërë, të bëjnë pendesë, ata nuk mund t’i shlyejnë krimet e urryera që kanë bërë ndaj shqiptarëve”.
Në përfundim të Luftës I Botërore, në Paris u mblodh Konferenca e Paqes (1919). Pikërisht në atë konferencë, njeriu që në 1914 kishte orkestruar marshimin ushtarak mbi Shqipërinë së Jugut, kryeministri grek E. Venizellos, bëri marrëveshje të fshehta me fuqitë e tjera imperialiste si ajo “Titoni -Venizelos” , 29 korrik 1919 për copëtimin dhe aneksimin Shqipërisë mes tyre, por përpjekja e Mid’hat Frashërit, si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve i hodhi poshtë pretendimet e padrejta, duke sjellë në forumet e tyre argumentet e dokumentuara të masakrave të ushtrise greke dhe të andartëve në Shqipëri.
Po ashtu, Mid’hat Frashëri, në cilësinë e ambasadorit të Shqipërisë në Athinë, 1923-1926, bëri përpjekje për të ndaluar si të paligjshëm veprimtarinë e sillogjeve dhe denoncoi agjentët e tyre shtetas shqiptarë, si Jani Vartzo, Spiro Milo, Jorgji Bollano, Thanas Bollano, Vasil Shahini, Adhamidh Hoçishti etj.
“Athinë, më 20 nëntor 1923
Zoti Ministër,
Me 14 ct. u mbajt në Athinë nji mbledhje prej vorio-epirotëve.
Thema qe: paraqitja e nji kandidati prej Shqipërisë jugore në zgjedhjet e Greqisë; jo që të zgjidhet prej vorio-epirotëvet, po që ta ketë qeverija greke si kandidat të saj dhe të fitojë vota në Greqi.
Mbledhja qe e ftohtë dhe thuhet se do të dëftehet Spiro Milo këtu në Athinë dhe Josif Adamidh Hoçishti në Selanik, si kandidatë.
Kryetari i Sillogut vorio-epirot në Athinë është Jani Vartzo nga Dhirovjani, tipograf.
Spiro Milo Himara, është kryetar i Sillogut të irredentevet.”
Nga ana tjetër, M.Frashëri bëri çmos për ndaljen e genocidit dhe spastrimit etnik te shtetit grek ngaj popullsisë shqiptare në Greqi në vitet 1923-1925. Ai deklaronte botërisht:
“Konferenca e Lozanës, 30 mars 1923, firmoi Marrëveshjen mes Greqisë dhe Turqisë për shkëmbimin e popullsive greko-turke dhe rikonfirmoi mosshkëmbimin e popullsisë shqiptare, gjë që nuk u respektua dhe nuk u zbatua nga qeveritë greke e turke, sepse ato futën në shkëmbim, terrorizim, shpronësim me dhunë e degdisje në shkretëtirat e Turqisë të shqiptarëve, duke shkelur Marrëveshjen e Lozanës, konventat ndërkombëtare, por edhe te drejtat themelore njerëzore e kombëtare të shqiptarëve… Shqiptarët myslimanë në Greqi ishin më 1922 afro 100.000. Prej këtyre 35.000 frymë u përzunë nga të dy prefekturat e Kosturit dhe Follorinës dhe gati 20. 000 nga Janina, Preveza, Parga; përzënie çiltazi ose tërthorazi, kundër vullnetit të popullsisë si edhe shpesh herë me premtime, shtrëngime të zyrtarëve grekë (gjindarmë ose myftinj) ose më keq akoma, me dru dhe shkop të gjindarmit. Asnji shtëpi s ka mbetur e lirë: tekdo kanë kallur me pahir refugjatë grekë, duke hedhur rrugëvet të zotërit e shtëpivet.
Refugjatët me lejen e autoritetevet, grabitin pasuninë, kopshtet, ullinjtë, fiqtë, vreshtat dhe drithët e shqiptarëvet. Pasunia e grabitur gjer më sot (1924) me llogarinë e mëposhtme arrin vleftën 2.700.000 napolona ari. Dyert e drejtësisë janë të mbylluna për shqiptarët dhe të rrahurit, të grabiturit, të burgosurit, janë buka e përditshme për ta. Vetëm në Filat u arrestuan dhe u burgosën 104 çamë, sepse u deklaruan shqiptarë, mes tyre edhe patriotët Musa Demi, Haki Sejko etj.”.
Po ashtu, nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur dhe e pazgjidhur.
Në vlerësimet e studiuesve, janë rreth 5.000 shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon kjo periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame. Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh shqiptarë myslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri e gjetkë si refugjatë.
Kur në Shqipëri ishte përmbysur diktatura dhe sapo kishte fituar demokracia e brishtë, në vitin 1993 u organizua nga qeveria greke operacioni “Fshesa” për pëzënien e emigranteve shqiptarë nga Greqia, si hakmarrje për largimin non grata të priftit grek Krisostomos nga Shqipëria, sepse propagandonte vorio-epirizmin e perënduar.
Me mijëra emigrantë ekonomikë shqiptarë me gjithë familje e fëmijë u përzunë më dhunë, duke i shkaktuar edhe Greqisë një dëm ekonomik, si edhe dëmtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Harronte Greqia se Shqipëria i kish mbajtur me bukë, banesë dhe mikpritje refugjatët grekë në vitet 1945-1946, në kohën e luftës civile në Greqi.
Nëse sjellim në kujtesë sulmin ushtarak grek të 2 gushtit 1949, për të aneksuar ushtarakisht “Vorio-Epirin”, shtetarët grekë përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtojë një vend tjetër. Sipas informacionit të saktë, ata nisën sulmin ushtarak, duke goditur me mortaja dhe artileri kodrën “1309” mbi fshatin Vidohovë, nga predhat e të cilave u vranë 2 oficerë dhe 6 ushtarë, njeri nga oficerët e vrarë ishte kapiten Memo Nexhipi, nga fshati Dukaj i Tepelenës.
Nuk është vështirë të kuptosh, se Greqia nuk kishte hequr dorë prej synimit të saj për të zaptuar territoret shqiptare. Ajo ka luftuar e po lufton për të arritur këtë objektiv, duke përdorur propagandën mediatike, lobimet intriguese me Fuqitë e Mëdha, fenë dhe klerikët e saj si Jakovi, Janullatosi etj, policinë sekrete, diplomacinë, kërcënimet, deklaratat antishqiptare, paradat ushtarake për zhdukje shqiptarësh, emisarët e saj të paguar në Shqipëri, financimet e qarqeve shoviniste brenda e jashtë Shqipërisë, incidentet kufitare, tendenca për kontroll mbi ekonominë, mosrespektimin e reciprocitetit në gjithë fushat, vizitën e shtetarëve dhe politikanëve grekë në minoritetin grek pa lejen e autoriteteve shqiptare dhe propagandën e tyre kundërshqiptare, presionin për ndërrimin e emrave për t’ i pranuar në Greqi apo në punë dhe të tjera keqtrajtime.
Në gusht të vitit 1993, nisur nga qeveria e Stabilitetit dhe me pëlqimin e presidentit Sali Berisha, u vendos në krye të Kishës Shqiptare, kleriku grek Anastas Janullatos, i cili erdhi si eksark dhe tinëzisht u bë kryepeshkop i Shqipërisë, duke abroguar Kishën Autoqefale Shqiptare të themeluar me aq sakrifica nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë atdhetarë në Amerikë dhe në Shqipëri. Në Kongresin V të Sillogjeve të Vorio-Epirit në Greqi atëkohë u theksua- “Suksesi më i imadh në historinë e sillogëve është ngulja e Janullatosit në Shqipëri”.
Me qenë se nga besimtarët ortodokse dhe qytetarët e Tiranës u bënë brenda në kishën ortodokse protesta kundër shugurimit të Janullatosit dhe kur hirësia e tij Ptolemeu II shqiptoi- “E pranoni hirësinë e tij Janullatosin si kryepeshkop”, një pjesë e gjindjes thirri me një zë “JO” tri herë. Atehere shugurimi u bë dy herë i paligjshëm, së pari, sepse edhe sikur një i krishterë të thoshte “JO” nuk bëhej shugurimi sipas ritit ortodoks dhe së dyti, ceremonia e shugurimit nuk u bë dot në kishë, por në një hotel privat. Nuk kishte ndodhur në asnjë kohë ky sakrileg në historinë e kishës ortodokse, por synimi ishte i qartë.
Më 10 prill 1994, në mesnatë, një komando terroristësh grekë hyri brenda kufirit shqiptar dhe sulmoi me armë repartin ushtarak të Peshkëpisë, ku vranë komandantin, kapitenin Fatmir Shehu dhe rojën, ushtarin Arsen Gjini, plagosën disa të tjerë, rrëmbyen armë e municione dhe morën peng oficerin e SHIKU-t , të cilin më pas e liruan.
Masakrën e mori përsipër organizata terroriste “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit). Në traktin e organizatës “MAVI” botuar nga “Elefterotipia” shkruhej: “Në janar 1994, organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet dhe operacionin që do të kryente, i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar pranë vijës kufitare.
Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga Seksioni i mbledhjes së informatave, skuadra Pirro, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, gjendej në pozicionin e vrojtimit të objektit, në një kodër aty pranë. Sulmi filloi me kapjen e rojës dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga, e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak”
Qeveria shqiptare Meksi e dënoi sulmin në territorin shqiptar dhe iu drejtua qeverisë greke që të mos mbështeste terrorizmin dhe hetonte për masakrën e Peshkëpisë. Prokuroria shqiptare dyshonte se pjesë e kësaj bande kriminale ishte edhe Babis Karathano dhe Fredi Beleri. Po ashtu, doli në shesh se armët e ushtarëve shqiptarë ishin pa fishekë, pra, kishte vepruar më parë dora e fshehtë e mafias politike greke për ta çarmatosur repartin dhe kishte fjetur SHIKU shqiptar dhe Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, edhe parlamenti shqiptar po heshtte.
Unë, si kryetar i Komisionit të Medias dhe Kulturës, në një seancë plenare iu drejtova kryetarit , Z Pjetër Arbnori, që parlamenti të mbante qëndrim ndaj kësaj ndërhyrjeje të armatosur dhe të bënte një deklaratë si zëdhënës i popullit shqiptar si edhe një homazh për dëshmorët e rënë në krye të detyrës. E kisha përgatitur dhe tekstin rezolutës.
Por kryetari Arbnori, mbasi u konsultua me presidentin Sali Berisha me celular, e mbylli seancën dhe u largua nga dera e pasme e sallës. Atëherë iu drejtova nënkryetarit, Z Tomor Malasit, që ta rihapte seancën, të diskutonim për masakrën e Peshkëpisë dhe të miratonim rezolutën. Ishte në dinjitetin e parlamentit shqiptar. Z. Tomor me kurajo e riçeli seancën. Më mbështetën deputetët e të të dy krahëve Me kujtohet diskutimi i deputetit Pjetër Pepa , si edhe i deputetes së majtë Emerlinda Meksi. Në fund lexova tekstin që u miratua dhe u transmetua në TVSH në lajmet e orës 20.00.
Por politika greke nuk ndryshoi nga politika e saj e vjetër ndaj Shqipërisë së re.
Më 18 mars 1995 autoritetet policore greke ndaluan shtatë të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë, që kishin hyrë sërish brenda tokës shqiptare dhe sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist . Gjatë kontrollit të ushtruar tek të ndaluarit, u gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë, pra, u identifikuan si anëtarët e bandës të asaj masakre.
Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin: Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjirokastrës.
Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Personat e ndaluar u shoqëruan në rajonin policor të Delvinaqit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ata u munduan të kamufloheshin si një grup gjuetarësh, por policia i ndaloi për armëmbajtje pa leje. Sipas raport-shërbimit të rajonit policor të Delvinaqit, thuhet se: janë kapur 6 automatikë “Kallashnikov”, 878 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy pistoleta, një palë dylbi për natën, aparat fotografik, radio marrëse-dhënëse, gërshërë për të prerë tela etj, etj. I gjithë inventari kishte 32 pajisje, të gjitha për qëllime ushtarake.”
Arrestimi i autorëve të sulmit të dytë u mbajt në fshehtësi nga autoritetet greke, por mediat e vendit fqinj edhe pse e mësuan lajmin me pak vonesë, nxituan që ta publikonin atë si një ngjarje të bujshme.
Del pyetja: Përse ndodhesh i armatosur “për qëllime ushtarake” në këtë bandë Fredi Beleri?
Megjithë këto, ai kandidoi në emër të Omonias si kandidat për kryetar bashkie në Himarë në vitet 2015 dhe 2019. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Bashkinë e Himarës. Shkak për këtë vendim ishin shkeljet që iu gjetën në formularin e dekriminalizimit. Edhe në Greqi ishte dënuar për armëmbajtje pa leje në vitin 1995 dhe në Shqipëri Gjykata e Vlorës e kishte dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste dhe fyerje të simboleve kombëtare.
Elementë ekstremistë të “Omonias”, në Himarë, sipas shtypit, janë shprehur,: “…Kemi për t’i shtypur ata që do na dalin përpara! Për zgjedhjet do të na vijnë njerëzit tanë nga Greqia dhe nuk ka për të bërë zë njeri. Të gjithë do të votoni për “Omonian”, se nëse nuk fiton “Omonia” të gjithëve do t’u pritet pensioni i grekut…”
Absurditeti politik, në kohën e të cilit ndodhi masakra e Peshkëpisë ku ranë në krye të detyrës dy dëshmorë të atdheut, si edhe kur u akuzua edhe Fredi Beleri si anëtar i bandës së masakrës së Peshkëpisë, pikërisht ky person i inkriminuar dhe antishqiptar, agjent i helenizmit, me tri emra dhe disa dënime ligjore, u caktua nga Berisha dhe krerët e koalicionit “Bashkë fitojmë” si kandidat për kryetar bashkie në Himarë në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Ashtu si paraardhësi i tij Spiro Milo, që ngriti flamurin e Vorio-Epirit në vitin 1914 në Himarë, ashtu edhe shëmbëlltyra e tij e ditëve te sotme Fredi Beleri doli në fushatën e zgjedhjeve të 14 majit 2023 në Himarë më flamurin e Vorio-Epirit, ndërkohë që Himara historikisht por edhe zyrtarisht është krahinë shqiptare. Shteti shqiptar dhe mandej edhe Konferenca e Paqes dhe e Ambasadorëve 1920-1921 i ka njohur zonat minoritare brenda rretheve të rretheve të Gjirokastrës dhe Delvinës dhe i respekton te drejtat e tyre si asnjë vend tjetër. Himara as ka qenë dhe as është zonë minoritare.
Fredi Beleri i fitoi zgjedhjet duke blerë votat e qytetarëve të bashkisë së Himarës, një akt i dënueshëm penal dhe demokratik. Në ditën e fitores së Fredi Belerit u hodh në Himarë nga mbështetesit e tij të Omonias vallja e Spiro Milos, siç është transmetuar edhe nga mediat shqiptare e greke. Por institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar heshtën.
Fredi Beleri u arrestua me akuzën e provuar për blerje votash dhe u dënua nga gjykatat e Shqipërisë në të dy shkallët e sistemit të drejtësisë shqiptare me 2 vjet heqje lirie.
Por absurditeti i politikës greke tashmë, u shfaq botërisht në mbrojtje të çështjes “Beleri” e cila ishte vetëm çështje e drejtësisë, aspak e politikës shqiptare. Absurdi i fundit ishte kandidimi politikisht tendencioz dhe juridikisht e shtetërisht i gabuar i Fredi Belerit si kandidat i Greqisë për eurodeputet, ashtu si dikur paraardhësi i tij shtetasi shqiptar Spiro Milo u bë deputet i parlamentit grek në vitin 1915 si veprimtar i “Vorio-Epirit”.
Histori e shëmtuar, që përsëritet.