Nis konkurrimi për emërimet e reja në arsimin parauniversitar. Të gjithë mësuesit që janë në kërkim të një vendi të lirë pune në shkollat publike të arsimit parauniversitar në vend, tashmë mund të iniciojnë me procedurat e konkurrimit. Edhe për këtë vit rekrutimet e reja në arsim do të bëhen vetëm nëpërmjet portalit online “Mësues për Shqipërinë 2023”.
Konkurrimi për vendet e lira të punës do të zhvillohet me dy faza, e para që është aplikimi në portalin online dhe dorëzimi i dosjes së dokumenteve të përcaktuara, për të vijuar më pas me fazën e dytë, që është testimi i informatizuar. Pas përmbylljes së këtyre fazave në varësi edhe të pikëve të grumbulluara në secilën prej tyre, mësuesit do të ftohen për të zgjedhur vendet e lira të punës për të ushtruar profesionin e mësuesit.
Aplikimi në portalin online
Aplikimi në portal ka nisur zyrtarisht gjatë ditës së djeshme. Sipas afateve të përcaktuara për fazën e parë të aplikimit që do të bëhet online në portal, kandidati që plotëson kriteret për të ushtruar profesionin e mësuesit, përfshirë parashkollorin dhe dëshiron të marrë pjesë në portalin “Mësues për Shqipërinë” 2023, duhet të regjistrohet online në platformën www.mesuespershqiperine.al , deri në datën 21 qershor.
Në portal, kandidati zgjedh një nga opsionet: aplikoj për herë të parë, mbart pikët aktuale (dosje+testim), mbart vetëm pikët e dosjes, ose mbart vetëm pikët e testimit.
Për të mos rrezikuar që të mbeten jashtë garës, kandidatët të cilët do të aplikojnë online në portal duhet që të dorëzojnë një kopje të dosjes së dokumenteve të ngarkuar në
platformën online edhe fizikisht pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP), në të cilën bën pjesë bashkia e vendbanimit të tyre. Edhe dorëzimi i kësaj dosjeje duhet të bëhet po brenda afateve të aplikimit.
“Kandidatët që kanë aplikuar online duhet të dorëzojnë kopjen e dosjes që kanë ngarkuar online pranë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniveristar (ZVAP), të vendbanimit të tyre nga
data 15 deri në datën 21 qershor”, sqarojnë autoritetet e dikasterit të Arsimit.
Dosja fizike e dokumenteve brenda afatit të mësipërm duhet të dorëzohet nëpërmjet shërbimit postar në Drejtoritë Rajonale për mësuesit e Arsimit Fillor, Arsimit të Mesëm të Ulët, Arsimit të Mesëm të Lartë dhe pranë Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar, sipas drejtorive që i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Edhe kandidati, i cili ka qenë pjesëmarrës në portalin e fundit dhe dëshiron të konkurrojë, duhet të ngarkojë online dosjen, në të kundërt, ai përjashtohet nga konkurrimi.
Vlerësimi i aplikimeve
Pas mbylljes së aplikimeve online, strukturat rajonale të arsimit do të verifikojnë të gjitha aplikimet e bëra nga mësuesit. Sa i takon kësaj faze, drejtoritë rajonale të arsimit parauniveristar do të shpallin listën paraprake të kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore për kualifikim dhe i njoftojnë në datën 23 qershor për vijimin e procedurave të fazës së dytë që është zhvillimi i testimit të informatizuar. Kandidatët mund të ankimojnë nëse janë skualifikuar.
Autoritetet sqarojnë se pasi drejtoria shqyrton ankesat, harton dhe shpall listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar, të cilët futen në testim apo mbartin pikët e portalit të fundit, brenda datës e cila do të bëhet publike brenda datës 25 qershor. Një ditë më pas lista e kandidatëve që futen në testim i dërgohet Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe më tej kandidatët ndjekin publikimin e datave për testim në faqen zyrtare online të QSHA-së.
Faza e dytë ka të bëjë me vlerësimin e dosjeve të kandidatëve dhe zhvillimin e testimit të informatizuar. Çdo kandidat do të njoftohet nga drejtoria rajonale e arsimit në lidhje me vlerësimin me pikë të dosjes së tyre.
Pasi shqyrton ankesat, harton dhe shpall listën përfundimtare me pikët e dosjeve të
kandidatëve të kualifikuar në datë 20 korrik 2023. Pas përfundimit të testimit të informatizuar dhe dërgimit të listës përfundimtare nga QSHA, shpallet lista e kandidatëve pjesëmarrës me pikët e dosjeve dhe pikët e testimit të informatizuar, ku dhe bëhet renditja finale duke nisur nga kandidatët që kanë pikët më të larta, e deri tek ata që kanë më pak pikë.
Shpallja e fituesve
“Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2023. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MAS në lidhje me procedurat e punësimit nëpërmjet portalit online. Po sipas këtij udhëzimi, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.
Dokumentet e detyrueshme që duhen për të bërë aplikimin online:
- Shtojca 4, e printuar nga sistemi.
- Fotokopje e kartës së identitetit.
- Vërtetim i qendrës së banimit/ Certifikatë personale nga e-Albania.
- Kopje e diplomës/ave, vërtetimit/listës së notave të studimeve të larta (cikli i parë dhe cikli i dytë) ose të barasvlefshme me këto sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.
- Kopje e licencës së provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, për të gjithë kandidatët që kanë detyrim ligjor ta kryejnë këtë provim sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
- Deklarim nga kandidati për autorizimin e DRAP që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura sipas shtojcës 6, të udhëzimit 12/2021.
- Shënim. Dokumentet që ngarkohen në platformën e aplikimit online, janë të skanuara nga origjinali me ngjyra, në rast se nuk ngarkohen online sjellin skualifikimin e aplikantit.
Dokumentet që mund të ngarkohen në platformën e aplikimit online nëse kandidati i zotëron dhe kërkon të vlerësohet me pikë për dosjen:
- Kopje e librezës së punës.
- Kopje e dëshmive të kualifikimit për kategoritë: “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist”, “Mësues mjeshtër”.
- Kopje e certifikatave me kredite të trajnimeve të kryera brenda dhe jashtë vendit;
- Certifikatat me kredite të trajnimeve të kryera brenda vendit të jenë ofruar nga
- MAS, institucionet e varësisë ose nga agjencitë e akredituara.
- Kopje e dëshmisë së njohjes së gjuhës/ve të huaja.
- Shënim. Dokumentet që ngarkohen në platformën e aplikimit online, janë të skanuara nga origjinali me ngjyra. Në rast se nuk ngarkohen online nuk sjellin skualifikim, por nuk vlerësohen me pikë.
Dokumentet që dorëzohen nga kandidati në momentin e punësimit pranë institucionit arsimor:
- Jetëshkrimi.
- Raport mjeko-ligjor.
- Vetëdeklarim për gjendjen gjyqësore, sipas shtojcës 5, të udhëzimit 12/2021;
- Çdo dokument tjetër që kërkohet sipas kuadrit ligjor në fuqi, në momentin e punësimit.
- Shënim. Dokumentet e këtij kreu nuk ngarkohen në platformën e aplikimit online, por dorëzohen në momentin e punësimit.
DREJTORITË DHE ZYRAT VENDORE TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR KU MUND TË APLIKOHET:




p.k\dita
