Nga Fatos Tarifa
Sa frikë e paskësh pasur ky kryeministër kryetarin e Bashkisë së Tiranës!
I trembej mundësisë se një ditë ai mund t’i zinte vendin në krye të Partisë Socialiste dhe, njëlloj si vetë ai, nga kryetar i Bashkisë kryeqytetit, të bëhej kryeministri i ardhshëm i vendit.
Por, meqenëse kryeministri ka deklaruar se do ta lërë atë post vetëm kur të vendosë ai vetë, duket se i trembej edhe më shumë faktit që pakënaqësia në rritje ndaj tij dhe humbja e legjitimitetit politik e moral mund t’ia afronin fundin e pushtetit.
Nuk kam fakte dhe, pikërisht për këtë arsye, nuk pretendoj të bëj një akuzë faktike. Por arsyeja më shtyn të besoj se arrestimi i z. Veliaj i ka shërbyer së tepërmi interesave politike të kryeministrit dhe të Ballukut, bashkëpunëtores së tij deri dje më të ngushtë ne PS dhe në qeveri
Dhe arsyeja është e lirë. Mund të mos të të pëlqejnë përfundimet e saj, mund t’i kundërshtosh, por nuk mund t’ia mohosh arsyes lirinë për të gjykuar. Liria e arsyes është themeli intelektual i të gjitha lirive njerëzore. Pa të, edhe liria politike mbetet thjesht një slogan bosh.
Duke përdoru arsyen, që është padhunueshmërisht e lire dhe imja, i shmangem çdo akuze dhe denoncimi te z. Rama për shpifje.
Siç duket, fantazma e z. Veliaj e ka ndjekur kryeministrin edhe nga burgu ku ai mbahet i izoluar prej afro një viti e gjysmë, pa një vendim gjyqësor të formës së prerë. Edhe fantazma e një rivali të burgosur duket se ia prish gjumin kryeministrir. E tremb.
Unë vetë nuk kam fakte që të provojnë se kryeministri ka urdhëruar ose miratuar transferimin e z. Veliaj në burgun e Fierit. Por arsyeja ime e lirë më bën të dyshoj fort se një vendim i tillë, që e largon edhe më shumë nga Tirana kryetarin e zgjedhur të bashkisë së kryeqytetit, nuk mund të jetë marrë pa dijeninë e kryeministrit. Madje, arsyeja më shtyn të dyshoj se ai mund të jetë marrë edhe me pëlqimin e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo marrëdhënie institucionale, natyrisht, nuk provon ndërhyrjen personale të kryeministrit. Por a nuk është e arsyeshme të pyesim se sa autonom mund të jetë një vendim me pasoja kaq të ndjeshme politike, kur ai prek drejtpërdrejt një figurë politike dhe publike të rëndësishme dhe një rival të mundshëm brenda partisë në pushtet?
Çfarë drame politike për një parti që duket se ka humbur identitetin, logosin, ethosin dhe pathosin e saj politik, duke lejuar që një kryetar, i cili sundon pothuajse në mënyrë absolute mbi të, ta shohë si kërcënim njeriun që mund të bëhej pasardhësi i tij! Një njeri me mbështetje të konsiderueshme publike, që mund të shndërrohej në rivalin e tij më serioz.
Tani këtë rival e ka të izoluar në një qeli burgu, larg Tiranës, qytetit që e zgjodhi për ta drejtuar dhe ku ai, për sa kohë nuk është shkarkuar ligjërisht nga detyra, mbetet titullar i mandatit të besuar nga qytetarët.
Dhe çfarë ironie e thellë politike! Balluku, me bekimin e z. Rama, siç më thotë arsyeja ime e lirë, në Parlament dhe e lirë të lëvizë; Veliaj, siç më thotë po kjo arsye, që refuzon t’i nënshtrohet hipokrizisë politike, i izoluar në një qeli burgu, megjithëse ende i padënuar.
Nuk është fjala këtu për të paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e askujt. Këtë e vendos drejtësia. Fjala është për të drejtën e qytetarit që të pyesë, të dyshojë dhe të kërkojë shpjegime për atë që sheh si një trajtim politikisht të pabarabartë.
A është vallë kaq e vështirë për një mendje të arsyeshme të kuptojë përse kryeministrit mund t’i interesojë që njëra të mbetet jashtë dhe e lirë, ndërsa tjetri brenda dhe i izoluar?
Immanuel Kanti, në esenë e tij të famshme të vitit 1784, Ç’është Iluminizmi?, e përmblodhi frymën e Iluminizmit në dy fjalë latine: Sapere aude! — Guxo të përdorësh arsyen tënde!
Ky është guximi që kërkohet edhe sot: të mendosh me mendjen tënde, të mos ia nënshtrosh gjykimin autoritetit dhe të mos heqësh dorë nga e drejta për të pyetur, edhe kur pyetjet e tua nuk i pëlqejnë pushtetit.
Sapere aude!
